Nga Aurenc Bebja*, Francë – 12 Dhjetor 2020
“Les Annales politiques et littéraires” kanë botuar, më 19 gusht 1900, në faqen n°10, dhe me rastin e 50-vjetorit të ndarjes nga jeta të gjeniut francez Honoré de Balzac, rrëfimin e një gjeniu tjetër francez, atë të Victor Hugo-së (botuar pas ndarjes së tij nga jeta, 22 maj 1885), në lidhje me prapaskenat e sigurimit të dy votave për Balzakun në Akademinë franceze, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Honoré de Balzac
Si i mori Honoré de Balzac dy vota kur u paraqit në Akademinë franceze
(Rrëfim i 2 marsit 1877)
“Po kaloja me makinë në rrugën Faubourg-Saint-Honoré, kur, përpara Elysée-së, pashë z. de Balzac që më bënte shenjë të ndaloja. Doja të zbrisja, por ai më ndaloi dhe tha, duke më prekur duart e mia:
— Dëshiroja të vij t’ju takoj. Ju e dini se jam kandidat për t’u bërë pjesë e Akademisë?
— Jo.
— Epo ! po ju a them. Çfarë mendoni?
— Unë mendoj se keni ardhur tepër vonë. Ju do të keni vetëm votën time.
— Unë dua veçanërisht votën tuaj.
— A jeni mjaft i vendosur?
— Absolutisht.
Balzaku u largua. Zgjedhjet tashmë ishin pak a shumë vendosur; shumë emra letrar mbështesnin, për arsye politike, kandidaturën e z. Vatout. U përpoqa të bëja propagandë për Balzakun; por u përplasa kundër ideve fikse (të ngulitura) dhe nuk arrita asnjë sukses. U mërzita pak që një burrë si Balzaku të merrte vetëm një votë dhe mendova se nëse do t’i siguroja një të dytë, do të krijoja në mendjen e tij një dyshim të favorshëm për secilin nga kolegët e mi. Si ta arrija këtë votë ?
Në ditën e zgjedhjeve, isha ulur pranë Pongerville-sit të shquar, njeriu më i mirë dhe e pyeta në mënyrë të papritur :
— Për kë votoni?
— Për Vatout, siç e dini.
— Unë di aq pak sa kam ardhur të ju kërkoj të votoni për Balzakun.
— E pamundur.
— Pse kjo?
— Sepse zarfi im është përgatitur i gjithi. Shikoni: Vatout.
— Oh! Kjo nuk prish punë.
Dhe, në dy gisht letër, me shkrimin tim më të bukur, shkruajta : Balzac.
— Dhe? më pyeti Pongerville.
— Epo, do ta shihni.
Përmbaruesi, i cili po mblidhte votat, na u afrua. Unë i dhashë një nga zarfat që kisha përgatitur. Pongerville nga ana e tij zgjati dorën për të hedhur emrin e Vatout në kuti; por një goditje miqësore në gishta e bëri letrën të bjerë për tokë. Ai e shikoi atë, dukej i pavendosur dhe, ndërsa unë i ofrova zarfin e dytë në të cilin ishte shkruar emri i Balzakut, ai buzëqeshi, e mori dhe e dërgoi me hir të mirë.
Dhe ja pra sesi Honoré de Balzac mori dy vota në Akademinë franceze!”
VICTOR HUGO
* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/si-i-mori-balzaku-dy-vota-ne-akademine-franceze-rrefimi-i-victor-hugo-me-2-mars-1887/. Në rast të kundërt mos e publiko.
Publikuar në :
https://opinion.al/si-i-mori-balzaku-dy-vota-ne-akademine-franceze/
https://konica.al/2020/12/refimi-i-victor-hugo-mars-1887/