Nga Aurenc Bebja*, Francë – 13 Dhjetor 2023
“Pro Armenia” ka botuar, me 15 prill 1903, në faqen n°6, letrën e shkrimtarit bullgar Stojan Michaïlowski me rastin e botimit asokohe të numrit të parë të gazetës së re në gjuhën shqipe “Vetëtima” në Sofje, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Një letër nga Stojan Michaïlowski
Një gazetë e re në gjuhën shqipe, Vetëtima (l’Éclair) sapo ka dalë në Sofje. Numri i parë fillon me një letër të Stojan Michaïlowskit, i cili duket se nuk e konsideron të pamundur një mirëkuptim midis shqiptarëve dhe maqedonasve, ndryshe nga sa besohet zakonisht. Ja kjo letër :
“Botimi i një gazete të re shqipe në Sofje është më shumë se një akt guximi; është një ngjarje.
Është një manifestim i shpirtit shqiptar.
Gradualisht, por me siguri, kombi shqiptar po ecën përpara në rrugën e progresit.
Dje ishte zgjimi. Nesër do të jetë vetëqeverisja.
Shqiptarët duan atë që duan, kudo në Turqi, rajat, atë që duan këta krishterë fatkeqë të Maqedonisë, fati i të cilëve po preokupon sot opinionin evropian : — vendin e tyre në diell, të drejta të pajtueshme me dinjitetin njerëzor, një atdhe të lirë.
Me zemrat e guximshme asgjë nuk është e pamundur ! Shqipëria do të triumfojë, po ashtu edhe Maqedonia. Drejtësia do ta ketë gjithmonë fjalën e fundit në këtë botë; për nder të njerëzimit nuk mund të ishte ndryshe.
Më shumë se kurrë, Turqia aziatike me tërbim, e pamëshirshme me Evropën, armiqësore ndaj çdo gjëje të ndershme, inteligjente, bujare, na sulmon me urrejtjen e saj shtazore dhe të pathyeshme!
Epo ! Ne do të dyfishojmë përpjekjet tona !
Ne kurrë nuk do të ndalemi së thirruri ndaj kësaj torfe sinekristësh, eunukësh, odaliskësh, shërbëtorësh, të preferuarish — që përbëjnë rrethin e Sulltanit të Kuq : — “Kaloni sërish Bosforin ! Ju përfaqësoni të kaluarën e vdekur; ju jeni mohimi i çdo rendi moral ose material; ju jetoni me plaçkitje dhe dhunë; shkoni të gjeni çakejtë dhe hienat : jeni të së njëjtës racë !”
Ne do të organizojmë rezistencën — këtë rezistencë të madhe dhe të shenjtë, e cila është preambula e gjithë rinovimit shoqëror. Birucat e torturës mund të jenë të tejmbushura — ne do të veprojmë — do të jemi të palodhur. Ne e dimë shumë mirë se kushdo që është i vendosur të sakrifikojë gjithçka për pavarësinë e tij nuk mund të shkatërrohet.
Pastaj, një ditë, revolucioni hakmarrës do të shpërthejë — revolucioni i madh dhe i bukur i rajave (raïave)…
Atë ditë, nuk do të ketë më Turqi !”
Sofje
Stojan Michaïlowski
Kryetar i Komitetit Maqedono-Andrinopojës.
* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/pro-armenia-1903-numri-i-pare-i-gazetes-se-re-ne-gjuhen-shqipe-vetetima-ne-sofje-fillon-me-letren-e-vecante-te-shkrimtarit-bullgar-stojan-michailowski/. Në rast të kundërt mos e publiko.
Publikuar në :
https://alb-spirit.com/2023/12/14/numri-pare-gazetes-se-re-ne-gjuhen-shqipe-vetetima-ne-sofje/