Nga Aurenc Bebja*, Francë – 28 Korrik 2020
Komiteti i “France-Orient” (Shoqatë kombëtare propagande politike dhe ekonomike në Lindjen e Mesme, në Evropën Lindore dhe në Afrikën Veriore) ka organizuar, të hënën e 13 shkurtit 1933, një ceremoni për nder të Shqiptarëve të Parisit, ku kanë qenë të ftuar ndër të tjerë, ambasadori i Shqipërisë Stavro Stavri dhe gruaja e tij franceze. Në shkrimin e buletinit zyrtar të këtij komiteti mësojmë më shumë mbi historinë e këtij çifti dhe në fund të tij gjejmë poezinë e veçantë të Znj. Stavro Stavri për Mbretin Zog, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
“…Znj. Stavro Stavri është franceze, madje Burginjone; ajo mbart shpirtin dhe elegancën e kësaj toke, buqetën dhe vlerën e saj. Dhe kjo martesë është një roman, ai i dy ‘Promessi sposi de Manzoni’; student dhe studente në Sorbonë, të ardhur në Paris, njëri nga thellësitë e Shqipërisë, dhe e fejuara e re, nga Dukata e vjetër e Burgonjës, ata i premtuan njëri-tjerit se do të martoheshin sapo të kishin marrë bashkë diplomat e tyre të Doktoratës. Çfarë stimulimi është ky premtim që do të bashkonte shpirtin francez me besnikërinë shqiptare. Të dy bashkëshortët bartën kështu në Shqipëri ndikimin e shkencës franceze dhe sollën këtu, në Legatën në të cilën është angazhuar nga Mbreti i tij, Shkëlqesia e Tij Stavro Stavri, parfumin e atdheut shqiptar, shkëlqimin e maleve të thyera që vlerësonte Lamartine, dhe të gjitha aspiratat e një race krenare, të drejtë dhe fisnike midis të gjithë atyre të Lindjes së Afërt…”
Zogu i Parë
Kur njëzet vjet më parë, ngrihej flamuri
Në Vlorën e gëzuar, dhe që Ismail Qemali
Plaku me flokë të bardha, këndonte përtëritjen
Në Atdheun e çliruar, një burrë i ri, mbi kalë,
Përshkonte Matin, djepin e fëmijërisë së tij ...
Ai ëndërronte, i mahnitur nga qielli i tij i magjepsur,
Madhështinë, bukurinë, forcën, fuqinë,
Dhe, në mbrëmje, flinte në një pallat të mallkuar
Me rrëqethjen e fuqishme të zhurmës së fluturimit të shqiponjave
E quanin Ahmet, ishte djali i madh
I një Familje të lashtë që jeton në mal;
Nëna e tij, një heroinë, kishte ditur ta stërviste
Me guximin që pushton dhe afshin që fiton.
Fati i lidhur me racën e pafrikshme
Që gjithmonë dëshiron të rritet dhe të arrijë majën,
U dhuroi Shqiptarëve, një shef, një shpirt, një zemër
I lindur për t’u sjellë atyre zhvillimin që asgjë nuk ndal.
E thërrisnin Ahmet, djali i Zogut, Fitimtar!
Ishte ai, dhjetë vite më vonë, që tashmë Sovran,
Njëzet herë, ndoshta njëqind, gjithmonë me të njëjtin guxim,
Për të shpëtuar vendin e tij, rrezikoi me zemër të qetë,
Jetën bashkë pasuritë e tij, duke vështruar vdekjen ballë për ballë.
Skënderbeu e frymëzonte, ky luftëtar i shquar,
Që çliroi Krujën nga zgjedha e tiranisë.
I gjithë populli i tij, njëzëri, brohoriti : “Zog i Parë!”
Mbret i Shqiptarëve, Djalë i kësaj Shqipërie
Që e deshti të bashkuar e të lirë, në tokën Evropiane.
Paris, 13/2/33.
(Poezi nga Znj. STAVRO STAVRI.)
* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/poezia-e-nje-francezje-per-mbretin-zog-shkruar-dhe-recituar-nga-vete-ajo-gjate-nje-ceremonie-ne-paris-me-1933/. Në rast të kundërt mos e publiko.
Publikuar në :
https://tradita.org/2020/07/29/kush-ishte-francezja-qe-thuri-vargje-per-mbretin-e-shqiptareve/
https://observerkult.com/kush-ishte-francezja-qe-thuri-vargje-per-mbretin-e-shqiptareve/
https://konica.al/2020/07/kush-ishte-francezja-qe-i-thuri-vargje-mbretit-te-shqiptareve/