Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Nëntor 2020
“Paris-presse” ka botuar, të mërkurën e 18 shtatorit 1963, në faqen n°7, një shkrim në lidhje me procesin gjyqësor të mbretëreshës Geraldinë ndaj revistës franceze “L’Histoire pour tous”, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Geraldina e Shqipërisë kërkon këtë shumë nga një revistë e cila akuzon Zogun I se “ka marrë rezervat e arit nga thesari i shtetit” gjatë pushtimit italian
500.000 franga për nderin e një mbreti
Në gjyqin “historik” i cili është thirrur këtë pasdite, përpara dhomës së 17-të korrektuese, avokati Jean-Louis Aujol mbron, sipas traditës së mirë, të venë dhe jetimin.
Por kjo e ve dhe ky jetim janë një mbretëreshë dhe një bir mbreti. Geraldina e Shqipërisë ka hedhur në gjyq revistën mujore “L'Histoire pour tous”, të cilën e akuzon se ka shpifur mbi memorjen e burrit të saj, Zogut të Parë.
Një artikull i Jo (Joseph) Tranchal-it, i cili u botua në numrin e qershorit 1962, i ka bërë vërejtje ish-mbretit për faktin se, kur ai u dëbua nga froni i tij në 6 Prill 1939, nga pushtimi italian, “lejoi të flijoheshin tre batalione të ushtrisë së tij” dhe “mori me vete rezervat e arit të thesarit të Shtetit”.
Guximtar
Sovrania kërkon 500,000 franga dëmshpërblim.
U prita nga ajo, natën e kaluar, në vendbanimin e saj parisien që ajo ka mbajtur. Ajo po mbërrinte nga Madridi, ku është vendbanimi i saj.
Geraldina e Shqipërisë i ngjan legjendës së saj : shumë e gjatë, shumë e bukur, bjonde me sy të mëdhenj gri dhe një buzëqeshje me “gropëzat” në faqe. Ajo është veshur e gjitha me të zeza : u bënë dy vite që kur mbreti Zog vdiq.
“— Burri im, më tha ajo, ishte një burrë trim dhe një njeri me nder. Akuza të tilla janë të pamundura ! Unë thirra si dëshmitar ish-ambasadorin e SHBA-ve në Shqipëri, z. Hugh Grant, burra shteti francezë dhe ish-oficerë të burrit tim.
Ne u detyruam të largoheshim sepse Zogu refuzoi të shiste vendin e tij te Musolini. Unë u largova nga Tirana nën bombat italiane, duke mbajtur në krahë djalin tim, Lekën, i cili lindi një ditë më parë, më 5 Prill...”
“— Unë i besoj drejtësisë, më tha kundërshtari i mbretëreshës, z. Jean Eldin, drejtori-menaxhues i “L’Histoire pour tous – Historia për të gjithë” : Revista ime boton vetëm artikuj të kontrolluar me burimet më të mira.
Emri i drejtorit të saj letrar, Alain Decaux, është garancia më e sigurtë e seriozitetit të kërkimeve tona. Në këtë artikull, ne jemi kufizuar në bërjen e historisë. Avokatët e mi, Gabriel Delattre dhe Jean – Edouard Bloch, do të prodhojnë dokumente të pakundërshtueshme, përfshirë një tekst nga akademiku Jérôme Tharaud.”
Jean-Paul LACROIX
* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/paris-presse-1963-kur-mbreteresha-geraldine-kerkonte-500-000-franga-demshperblim-ndaj-revistes-l-histoire-pour-tous-per-shpifjen-ndaj-mbretit-zog/. Në rast të kundërt mos e publiko.
Publikuar në :