Nga Aurenc Bebja*, Francë – 2 Gusht 2017
Gazeta franceze, « Le Temps », ka botuar, të dielën e 8 marsit 1914, në faqen n° 2, telegramin e shkodranëve drejtuar Princ Vidit me qëllim që qyteti i tyre (djep i historisë, kulturës dhe traditës shqiptare) të bëhej kryeqendra e Shqipërisë.
Çfarë përmban më konkretisht ky telegram ? Si e kanë justifikuar këtë kërkesë shkodranët ? Kush e ka firmosur ?
Në vijim do të gjeni dokumentin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja, Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » :
« Ne kemi marrë nga Shkodra telegramin më poshtë :
Sot, të bashkuar në mënyrë spontane në qytetin tonë prej 30 000 banorësh të Shkodrës, të zonave dhe maleve përreth dhe duke pasur parasysh vetëm interesin dhe të mirën e kombit dhe të shtetit shqiptar, zhvilluam një takim për të kërkuar që Shkodra të bëhet kryeqytet i Shqipërisë. Pasi dëgjuam fjalimet e oratorëve të ndryshëm, ne kemi vendosur njohjen e plotë të Princ Vidit si mbret të Shqipërisë, i cili sapo është zgjedhur nga Evropa dhe kurorëzuar mbret nga populli shqiptar.
Ne i urojmë mirëseardhjen mbretit tonë në tokën shqiptare, i ofrojmë atij shërbimet e shqiptarëve besnikë dhe të virtytshëm, i betohemi për nënshtrim, bindje dhe besnikëri.
Në emër të banorëve të Shkodrës, të zonave malore të Malsisë, Mirditës, Dukagjinit, të një pjese të Kosovës, të zonave përreth Shkodrës e deri në dalje të detit, që përbëjnë pjesën më të rëndësishme të Shqipërisë, kërkojmë që Shkodra të bëhet kryeqytet i shtetit tonë për arsyet në vijim :
Qyteti, i famshëm dhe historik kujtimesh dhe luftëtarësh të vjetër shqiptarë, është më i forti, më i madhi, më i bukuri dhe më i shëndetshmi nga të gjitha qytetet e Shqipërisë aktuale. Shkodra është qyteti i vetëm në Shqipëri që ka ndërtesat më të nevojshme për sovranin, për zyrat e shtetit, për ushtrinë kombëtare, për ministrat dhe konsujt e huaj, për ministritë e qeverisë, etj. Në mënyrë spontane, ajo vë këto ndërtesa në dispozicionin e shtetit, pa qenë nevoja që ky i fundit të shpenzojë miliona për ndërtimin e godinave të cilat janë të domosdoshme.
Shkodra, me të cilën janë të lidhura të gjitha malet e Shqipërisë luftëtare, është strategjikisht qyteti më i madh i Shqipërisë, rrethimi i fundit i saj e ka dëshmuar si qytetin më të famshëm në botë për forcën dhe rezistencën luftarake, sepse ajo rezistoi më shumë se çdo qytet tjetër dhe nuk ra me forcën e armëve në duart e armikut.
Shkodra, kryeqytet i Shqipërisë, e fortifikuar ashtu siç duhet, ushtarakisht dhe strategjikisht, do të jetë, me liqenin, lumenjtë dhe kodrat që e rrethojnë, aq e fortë sa asnjë ushtri e madhe nuk do të mund ta pushtojë, qoftë edhe pas shtatë vjetësh rrethim, ashtu si nuk mundën ta merrnin, pas shtatë muajsh, ushtritë e dy vendeve ballkanike.
E gjithë Shqipëria është sot dhe do të jetë gjithmonë katër herë më e lehtë për t’u pushtuar, nga kushdo, se qyteti i Shkodrës, i mbështetur dhe i përkrahur nga besnikëria e të gjithë shqiptarëve.
Shkodra, nëse nuk bëhet kryeqytet, do të jetë në rrezik për t’u shkëputur nga atdheu. Me qytetin e Shkodrës, do të shkëputen të gjitha zonat përreth, të cilat me të formojnë pjesën kryesore të Shqipërisë.
Natyrisht, ndarja dhe shkatërrimi i të gjithë atdheut tonë është në dyshim. Kryesisht, për këtë arsye, Shkodra dhe banorët e saj të bashkuar u bëjnë thirrje qyteteve të Elbasanit, Korçës, Gjirokastrës, të gjithave krahinave shqiptare dhe të gjithë shqiptarëve që e duan atdheun e tyre që të jenë mbështetës të kësaj kërkese.
Prandaj, ajo i lutet Madhërisë së Tij Mbretit të shqiptarëve dhe të kombit shqiptar që të marrë parasysh në mënyrë favorshme këtë kërkesë.
Rroftë mbreti i shqiptarëve ! Rroftë Shqipëria e pavarur ! Rroftë Shkodra kryeqytet !
Ky telegram është nënshkruar (firmosur) nga komiteti organizues, i cili përfshin Kryepeshkopin, Kryetarin e Komunës dhe parësinë e Shkodrës. »
* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/le-temps-1914-shkodra-kerkon-te-behet-kryeqytet-telegrami-i-shkodraneve-drejtuar-princ-vidit/. Në rast të kundërt mos e publiko këtë shkrim.
Publikuar në :
Dielli :
http://gazetadielli.com/le-temps-1914-shkodra-kerkon-te-behet-kryeqytet/
American Eye :
Tirana Observer :
Dita :
Opinion.al :
http://opinion.al/le-temps-1914-shkodranet-telegram-princ-vidit-shkodra-kryeqytet/
VOAL :
Shekulli.com.al :
Dritare.net :
Syri.net :
Bota Sot :
Rrokum.Tv :
360°.al :
Telegrafi :
Almakos :
Maqedonia Shqiptare :
Nacional Albania :
MekuliPress :
Zani Malsisë :
InfoSot :
http://infosot.com/le-temps-1914-pse-shkodra-duhet-bere-kryeqytet-shqiperise/
Njëkomb.com :
http://www.njekomb.com/?p=22327
RadioKontakt.al :
Gjilani Info :
Albspirit :