Nga Aurenc Bebja*, Francë – ... Shkurt 2025
“Le Temps” ka botuar, të premten e 17 majit 1912, në faqen n°2, intervistën ekskluzive asokohe me një personalitet anonim shqiptar në Selanik në lidhje me ankesat e shqiptarëve ndaj Portës së Lartë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Ankesat e shqiptarëve
Korrespondenti ynë nga Selaniku na shkruan :
Autoriteti ushtarak u përqendrua sa më shpejt që të ishte e mundur me rreth dyzet mijë burra drejt Ferizajt dhe pasi dha një urdhër mobilizimi të rezervës në trupat e ushtrisë së Shkupit dhe Manastirit, mendova se ishte e dobishme të përfitoja nga kalimi në Selanik i një personaliteti të lartë shqiptar, për t’i bërë disa pyetje rreth lëvizjes së revoltës aktuale që po zhvillohet në rajonin e tij.
Ja biseda jonë :
— Më duket e jashtëzakonshme, i thashë bashkëbiseduesit, pas selamllikut të famshëm të Prishtinës, amnistisë së dhënë, 30.000 lirave turke të destinuara për shpengimin e gjakut, pastaj pas kalimit të komisionit të reformës në krye me ministrin e brendshëm Haxhi Adil beu, bashkatdhetarët tuaj edhe një herë të rrokin armët dhe revoltohen kundër pushtetit.
— Keni të drejtë, por pse qeveria osmane nuk i mbajti solemnisht angazhimet e marra në Prishtinë ? Ne jemi në Perandorinë Osmane, si të thuash një përjashtim, ne kemi doket tona, zakonet tona, mbi të gjitha traditat tona shumë të veçanta, pse nuk duan t’i respektojmë ato, siç është bërë gjithmonë ?
— Perfekte ; por ajo që ndodhi nën një regjim autokratik nuk është më e pranueshme nën një regjim kushtetues ; të gjitha sistemet e jashtëzakonshme administrative janë të ndaluara në programin e Bashkim dhe Përparim.
— Të mos hyjmë, nëse dëshironi, në diskutimin e programit Bashkim dhe Përparim ; kjo do të na çonte shumë larg dhe, meqë e njihni pak Shqipërinë, duhet ta dini se qeveria nuk ka bërë kurrë asgjë për ne. Jemi vërtet të varfër dhe për shkak të mungesës së plotë të mjeteve të komunikimit, shfrytëzimi i pasurisë sonë pyjore është i pamundur. Në të gjithë Shqipërinë veriore, popullsia nuk ka asnjë burim tjetër përveç kopeve të saj, të cilat kanë të ardhura shumë të pakta, pasi tregtia është zero, shkëmbimet dhe shitjet janë shumë të vështira. Shqiptari, duke qenë se nuk ka mundur të gjejë punë shpërblyese për të plotësuar nevojat e tij dhe të familjes, ka adoptuar zakone të tjera që ju i përshkruani ashpër, por që gjithsesi janë shumë të natyrshme. Abdul Hamidi kishte besim të pakufishëm në gardën e tij speciale të përbërë nga shqiptarë, ne mund të kemi abuzuar me këtë për të marrë shumë favore. A mund të na fajësojnë ? Nuk e besoj. Ish-sulltani na trajtoi si fëmijë të llastuar gjatë gjithë mbretërimit të tij. Populli shqiptar e konsideroi këtë dhe ende e konsideron të drejtë reale. A është e mundur të zhduket papritur kjo ide nga trurët e shqiptarëve, kaq të vrazhdë, kaq të thjeshtëzuar, kaq injorantë ? Duhet kohë dhe nuk do ta arrijmë kurrë me forcën e armëve. Ata u përpoqën të na çarmatosnin, na dogjën fshatrat, na rrënuan disa kulla — kala të vogla — shumë prej nesh u rrahën para grave tona, fëmijëve tanë ; Pothuajse të gjitha të drejtat tona të shenjta dhe prestigji i burrave ndaj grave janë prekur : shqiptari nuk mund t’i harrojë dhe nuk do t’i harrojë kurrë këto ofendime të rënda.
— Cilat janë kërkesat tuaja ?
— Ne kërkojmë : që mbajtja e armëve të jetë e lirë ; të përjashtohemi nga taksat edhe për disa vite të tjera ; rindërtimin e fshatrave tonë të shkatërruar nga trupat turke në represionin e fundit ; ndërtimin e rrugëve, hekurudhave, shkollave ku gjuha shqipe të jetë baza e mësimit ; njohjen e gjuhës shqipe nga nëpunësit civilë dhe shërbimin ushtarak rajonal, d.m.th. të themi, shqiptarët duan t’i shërbejnë atdheut të tyre, por në vendin e tyre.
— Po nëse qeveria nuk i plotëson kërkesat tuaja, çfarë do të ndodhë ?
— Revolta mund të përhapet në të gjithë Shqipërinë, si në veri ashtu edhe në jug. Aktualisht duhet të ketë 4000 shqiptarë në revoltë dhe që veprojnë në rajonin e Gjakovës ; e dinit se fisi i Rugovës kishte zbritur nga malet e tij, kishte sulmuar Pejën, se kanë luftuar në rrugët e qytetit, se trupave ju është dashur të vendosnin mitralozët në rresht, se pavarësisht kësaj fitorja mbeti e pavendosur, se ka pasur angazhime drejt Gucisë, Rozhajt ; ju e dini gjithashtu se ish-deputeti Hasan Beu, Beu i Prishtinës, kishte arritur në mal me dy nipat e Naxhi Dragës. Megjithatë, emrat e Hasan Beut dhe Naxhi Dragës janë shumë të njohur në Shqipëri.
Tani nëse ish-deputeti i Dibrës, Basri Beu, ndjek këtë shembull dhe nëse bisedimet e nisura me Malësorët çojnë në një marrëveshje, revolta sigurisht që do të shtrihet në jug të Shqipërisë, çfarë do të mund të bëjë qeveria me 50 mijë burrat që i ka përqendruar drejt Ferizajt ? Situata është shumë e rëndë, dëshpëruese, por nuk është faji i shqiptarëve dhe do të mbrohen deri në vdekje.
— A nuk besoni në ndërhyrjet (përzierjet) e huaja ?
— Jo. Së pari cilat ?
— Mali i Zi, për shembull, sepse është e pamohueshme që programi i kërkesave të Malësorëve u ndal në Cetinje; dhe që andej konkludoj që është frymëzuar nga Italia, më duket se është e logjikshme.
— Nuk e besoj. Shqiptarët nuk do të pranojnë kurrë ndërhyrjen e huaj, ata janë shumë krenarë për pavarësinë e tyre për të pranuar cilindo autoritet. Jam i bindur se bashkatdhetarët e mi veprojnë me iniciativën e tyre ose më mirë me këshillat e njerëzve tek të cilët kanë besim të plotë.
* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/le-temps-1912-ankesat-e-shqiptareve-ndaj-portes-se-larte-intervista-me-nje-personalitet-anonim-shqiptar-ne-selanik/. Në rast të kundërt mos e publiko.