Nga Aurenc Bebja*, Francë – 9 Janar 2020
“Le Petit Marseillais” ka botuar, të mërkurën e 1 marsit 1916, në faqen n°2, intervistën e Esat Pashë Toptanit në lidhje me ndërhyrjen austriake në Shqipëri dhe dëshirën e tij për t’u kthyer në atdhe, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Shqipëri
Esat Pasha ka Besim
Paris, 29 shkurt.
Esat Pasha, i intervistuar nga një prej kolegëve tanë, ka folur gjerësisht për situatën në Shqipëri :
“Unë e shikoj të ardhmen me besim, tha ai, dhe besoj se pushtimi i përkohshëm dhe i pjesshëm i Shqipërisë nga austriakët do të çojë në një kolaps të madh për ta.
Në të vërtetë, ushtritë austriake veprojnë në një vend i cili nuk ofron burime natyrore dhe ku një mijë pengesa të paparashikuara mund të pengojnë operacionet e tyre. Nga ana tjetër, ato janë nën kërcënimin e përhershëm të ushtrisë së fuqishme italo-shqiptare që mund të dalë në kohën e duhur nga baza e Vlorës, me qëllim sulmin dhe ndaljen e trupave të gjeneralit Koevess.
Së shpejti do të shihni që do të ketë pakënaqësi të fortë në Shqipëri kundër austriakëve. Shumë nga bashkëqytetarët e mi që kanë dalë në krah të Austrisë do të pendohen pasi do të jenë nën sundimin e saj.
Italia kurrë nuk ka pasur ndonjë prirje për të pushtuar Shqipërinë; por unë doja të mbroja pavarësinë e Shqipërisë duke mbrojtur interesat e saj në të njëjtën kohë, duke mos lejuar që Austria të merrte nën kontroll Adriatikun. Nëse Austria ka qenë në gjendje të sigurojë përkohësisht mbështetjen e disa fiseve, kjo është për shkak se puna e saj e depërtimit daton prej shumë kohësh.
Dëshira ime është që të kthehem në Shqipëri me ndihmën dhe mbështetjen e qeverisë italiane për të mbrojtur territorin kombëtar. Sidoqoftë, për momentin, nuk kam objektiva ushtarake për të ndjekur dhe do të udhëtoj në Shqipëri si një ‘turist i thjeshtë’.”
Kjo fjalë e fundit u nënvizua me një buzëqeshje të hollë.
* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/le-petit-marseillais-1916-esat-pasha-deshiroj-te-kthehem-ne-shqiperi-si-nje-turist-i-thjeshte/. Në rast të kundërt mos e publiko.
Publikuar në :
https://americaneye.al/esat-pashe-toptani-deshiroj-te-kthehem-ne-shqiperi-si-nje-turist/
https://opinion.al/1916-esat-pasha-deshiroj-te-kthehem-ne-shqiperi-si-nje-turist-i-thjeshte/