Nga Aurenc Bebja*, Francë – 12 Korrik 2022
“Le Petit Marseillais” ka botuar, të enjten e 2 janarit 1913, në ballinë, shënimet e mbledhura nga qeveria austro-hungareze mbi mizoritë e ushtruara nga ushtarët serbë në Shqipëri, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :
Mizoritë në Shqipëri
Korrespondenti i Daily Telegraph në Budapest thotë se ka marrë shënimet e mbledhura nga qeveria austro-hungareze mbi mizoritë e ushtruara nga ushtarët serbë në Shqipëri. Ai jep një ekstrakt nga i cili ne riprodhojmë më poshtë pikat më të spikatura :
Në marshimin e tyre nëpër Shqipëri, drejt detit, thonë këto shënime, serbët nuk u mjaftuan me ekzekutimin e shqiptarëve të armatosur; mizoria e tyre e tmerrshme nuk i ka kursyer njerëzit e paarmatosur, të pambrojturit, pleqtë, gratë, fëmijët edhe foshnjat në gji. Oficerët serbë, të çmendur nga fitorja, deklaruan se pastrimi më i mirë i Shqipërisë do të ishte shfarosja totale e shqiptarëve myslimanë. Ky slogan u miratua shpejt dhe u zbatua në praktikë. Midis Kumanovës dhe Shkupit, u ekzekutuan tre mijë njerëz; afër Prishtinës, pesë mijë, ekskluzivisht arnautë (shqiptarë myslimanë), ranë nën goditjet e serbëve. Nuk ishte një betejë e nderuar, por vrasje të pajustifikueshme, për realizimin e së cilës ushtarët e tërbuar shpikën metoda të reja mizorie. Në disa fshatra u dogjën të gjitha shtëpitë dhe banorët e tyre, të cilët tentuan t'i shpëtonin flakëve, u qëlluan si minjtë, sapo u shfaqën në vrimat (në dalje). Burrat u qëlluan në sy të grave dhe fëmijëve të tyre dhe më pas këto gra u goditën me bajoneta, duke u përpjekur të mbronin fëmijët e tyre.
Ekzekutimet ishin argëtimi i përditshëm i ushtarëve. Në çdo shtëpi ku u gjetën armë vriteshin të gjithë banorët, me plumba apo me varje. Në një ditë të vetme, pati tridhjetë e gjashtë ekzekutime. Një ish-sekretar i z. Pashiç, kryeministrit serb, z. Tomiç, një zotëri serbo-hungarez, tha se gjatë një udhëtimi nga Prizreni në Pejë kishte parë vetëm fshatra të djegura, në të dy anët e rrugës. Skajet e kësaj rruge ishin të mbushura me shtylla në të cilat vareshin trupat e shqiptarëve. Rruga për në Gjakovë ishte një “rruga e shtyllave”.
Edhe gazetat që dalin në Beograd rrëfejnë mizoritë e kryera nga serbët. Thuhet se kur koloneli Ostoiç ka hyrë në Prizren, ka bërtitur : “Vritni!” dhe se sapo u dha ky urdhër, ushtarët e tij u vërsulën nëpër shtëpi dhe vranë gjithçka që u binte në dorë.
Një shkresë raporton faktin e tmerrshëm në vijim :
“Kushdo që u denoncohej serbëve si shqiptar, ishte i sigurt se do të vritej. Ndodhte shpesh që njerëzit që u kishin borxh shqiptarëve myslimanë i denonconin si tradhtarë. Pa ndryshim këta fatkeqë vareshin dhe informatorët ishin të autorizuar të blinin, me një çmim minimal, shtëpinë e kreditorit të tyre. Në Shkup, shqiptarë të paarmatosur u vranë në rrugë nga oficerët serbë. Nëse në një banesë gjendej qoftë dhe një thikë gjuetie, pronari pushkatohej. Nuk akordohej asnjë falje.”
Në Ferizaj, komandanti serb i kishte ftuar të arratisurit që të ktheheshin dhe të dorëzonin armët. Pasi u çarmatosën, katërqind prej tyre u pushkatuan. Në këtë qytet mbetën të gjalla pothuajse një gjysmë duzine familjesh myslimane. Në Pana serbët vranë të burgosurit e tyre, ndërsa në Varosh dhe në Prishtinë popullsia me plot fjalën u shkatërrua.
* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/le-petit-marseillais-1913-detaje-mbi-mizorite-e-ushtrise-serbe-te-kryera-kunder-shqiptareve-ne-1912/. Në rast të kundërt mos e publiko.
Publikuar në :
https://americaneye.al/detaje-mbi-mizorite-e-ushtrise-serbe-te-kryera-kunder-shqiptareve-ne-1912/
https://durreslajm.al/detaje-mbi-mizorite-e-ushtrise-serbe-te-kryera-kunder-shqiptareve-ne-1912/
https://opinion.al/detaje-mbi-mizorite-e-ushtrise-serbe-te-kryera-kunder-shqiptareve-ne-1912/