Le Jour (1938) / Intervista ekskluzive me Geraldina Apponyi në Tiranë : jeta pranë mbretit Zog dhe motrave të tij, dita e dasmës, mësimi i gjuhës shqipe, gardëroba…


Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 2 Dhjetor 2019

 

“Le Jour” ka botuar, të mërkurën e 16 marsit 1938, në ballinë dhe në faqen n°2, intervistën ekskluzive me mbretëreshën Geraldinë, të zhvilluar asokohe në kryeqytetin shqiptar, vetëm pak kohë para dasmës mbretërore, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Si të mësosh të bëhesh mbretëreshë

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Një vizitë te kontesha Apponyi, e cila, në muajin e ardhshëm të prillit, do të bëhet Mbretëresha e Shqipërisë.

 

Tiranë, mars 1938. – Vila e bukur e vëllait të mbretit Zog gjendet në skaj të lagjes së re, midis vilave elegante të diplomatëve, në mesin e një parku të mrekullueshëm. Kontesha Geraldina Apponyi do të banojë në këtë shtëpi të mrekullueshme deri në ditën e martesës së saj me mbretin e Shqipërisë.

 

Në fillim të javës, kjo vilë e bukur njëkatëshe ishte skena e një pritjeje të organizuar nga kontesha për përfaqësuesit e shtypit të huaj që qëndronin në Tiranë.

 

Gazetarët u pritën, në sallën e gjerë, nga oborrtari i ceremonive të Mbretit Zog, i vënë në dispozicion të konteshës nga vetë sovrani.

 

Ai është një vjenez, por nuk ka pse të ndjehet i vetëm në Shqipëri, sepse shumica e stafit të mbretëreshës së ardhshme, siç janë shërbyesja e parë, kuzhinieri dhe parukierja, janë me origjinë nga kryeqyteti i Austrisë. Edhe zonja që i mban shoqëri konteshës, baronesha von Ruling, u largua nga Vjena, ku ajo jetonte, për t’u bashkuar me zonjën e saj të re.

 

Nga korridori, hyjmë drejtpërdrejt në një sallon të vogël, i cili na mundëson hyrjen në një sallon më të madh. Muri që ndan këto dy dhoma zhduket kur shtypet mbi një buton (çelës); atëherë arrijmë në një sallë të madhe, moderne si e gjithë pjesa tjetër e vilës.

 

Shumica e mobiljeve vijnë nga Italia, por secila pjesë përmban disa objekte të stilit të pastër shqiptar. Vazo të mëdha me karafila të kuq janë vendosur kudo : lulja e preferuar e mbretit Zog, i cili i dërgon disa prej tyre çdo ditë të fejuarës së tij.

 

Kontesha Apponyi na flet

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Kontesha Geraldinë Apponyi u kthye nga një dalje në det përgjatë bregdetit të Shqipërisë. U shfaq disa momente pasi ishim të gjithë bashkë. Ajo erdhi nga fusha e tenisit ku stërvitet çdo ditë me kunatat e ardhshme.

 

“— Çfarë bëj gjithë ditën ? përgjigjet ajo, duke qeshur me pyetjen tonë. Le të shohim... Dita ime është aq e plotë sa mezi kam kohë të pres parukieren time ! Dua të them se në mëngjes zgjohem mjaft vonë, sepse zakonisht i kaloj mbrëmjet me mbretin dhe motrat e tij dhe pothuajse kurrë nuk ndahemi para orës 2 të mëngjesit.

 

Gjatë mëngjesit, unë shkoi në pallatin mbretëror për t’i bërë një vizitë të shkurtër mbretit, ku për fat të keq ai gjendet në momentet më të ngarkuara të ditës. Ne e dimë, në fakt, se ai dëshiron të dijë gjithçka për punët e mbretërisë.

 

Pastaj kthehem këtu për drekë. Pasditja është e ngarkuar me tenisin, me shëtitjet me kalë ose me makinë, kështu që aktualisht kam shumë pak momente për të lexuar. Të gjithë kohën e lirë ia kushtoi mësimit të gjuhës shqipe.”

 

Data e dasmës

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

“— Dita e dasmës tonë ende nuk është fiksuar, vazhdon kontesha, por parashikohet se ceremonia do të zhvillohet në 26 Prill. Zgjedhja e kësaj date korrespondon me një dëshirë të shprehur nga mbreti. Është pesëqind vjetori i martesës së Skënderbeut, heroit të madh kombëtar shqiptar.

 

— Sigurisht, u përgjigj kontesha një pyetjeje të re, kam lexuar me interesin më të madh gjithçka që boton shtypi për burrin tim të ardhshëm, si dhe veten time…dhe kjo do të thotë shumë. Kështu që ndonjëherë surprizohem kur gjej, edhe në të ashtuquajturin shtyp serioz, shkrime fantastike dhe absurde. Për shembull, disa gazeta të mëdha kanë përhapur informacione se fotografia e gruas së parë të mbretit dhe ajo e fëmijëve të tij gjendej mbi tryezën e tij. Por mbreti Ahmet Zogu, i fejuari im, nuk ka qenë kurrë i martuar.”

 

Kontesha Geraldinë Apponyi na flet pastaj për mbretin Zog :

 

“— Mbreti Zog, burri im i ardhshëm, na thotë ajo, është një shqiptar i vërtetë. Ai është modeli i virtyteve kalorësiake të kombit të tij. Ai do mbi të gjitha jetën paqësore pranë familjes.”

 

Gardëroba e mbretëreshës së ardhshme

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Falë dashamirësisë së baroneshës von Ruling, ne mundëm të shohim fustanin e mrekullueshëm që do të veshë kontesha Geraldinë Apponyi në ditën e saj të martesës.

 

Është një fustan i bukur brokadë blu, i qëndisur me ar. Por gjithashtu pamë, në gardërobën e mbretëreshës së ardhshme, një model të mrekullueshëm nga Chanel, si dhe një fustan të bardhë tërheqës, i gjithi në dantellë, dhe një fustan të stolisur me xixa, me një sfond rozë, të ylbertë, me nuanca blu dhe vjollcë, i cili do t’i përputhet në mënyrë të përkryer siluetës së shkëlqyer të konteshës.

 

Ne pamë po ashtu dy dhuratat e fundit të mbretit : një kimono mëndafshi i zbukuruar me pupla marabu dhe një fustan të kaltër blu për pasditen.

 

Në mesin e një numri të shumtë xhevahirësh, që mbreti Zog i dhuroi të fejuarës së tij të re, ne admiruam dy unaza. E para përmban një diamant të një pastërtie absolute, ndërsa e dyta ka një shkëlqim disi të kaltër. Secili prej këtyre dy gurëve peshon 15.5 karat.

 

Baronesha von Ruling na tregon përsëri për zellin e admirueshëm me të cilin mbretëresha e ardhshme vazhdon studimet e saj të vështira të mësimit të gjuhës shqipe. Kontesha dëshiron absolutisht, tha ajo, të përshëndesë në gjuhën e bajraktarëve (kryetarët e fiseve) që do të marrin pjesë në ceremoni...

 

Valë prosperiteti në Tiranë

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Falë përgatitjeve për martesën e sovranit të tyre, industrialistët dhe tregtarët e Tiranës po përjetojnë një valë prosperiteti të pa shembullt. Zyrtarët e ministrisë, si dhe paria e vendit të vogël kanë mbingarkuar rrobaqepësit me kërkesat e tyre.

 

Një tregtar i madh kapelesh në Tiranë mori rreth dy javë më parë nga Londra një pako me 500 copë të tilla. Sot, i ka mbetur vetëm një dhe dërgesa tjetër po pritet me padurim.

 

Hotelet janë pushtuar nga një turmë përfaqësuesish të biznesit, të ardhur nga Gjermania, Austria, Hungaria dhe Italia, të cilët me ofertat e tyre tundojnë zyrtarët e oborrit mbretëror.

 

Avullorja jugosllave “Beograd”, e cila u ankorua në 1 mars në Durrës, port i Tiranës, solli midis pasagjerëve të saj drejtoreshën e sallonit më të madh të modës të Budapestit, bagazhet voluminoze të cilës përmbanin modelet e fundit të krijimeve të saj.

 

Ajo u shoqërua nga katër gratë më të afta të kryeqytetit hungarez, të cilat erdhën në Tiranë për të plotësuar në vend dhe sa më shpejt që të jetë e mundur dëshirat e mbretëreshës së ardhshme të Shqipërisë.

 

 

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim e tij (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/le-jour-1938-intervista-ekskluzive-me-geraldina-apponyi-ne-tirane-jeta-prane-mbretit-zog-dhe-motrave-te-tij-data-e-dasmes-mesimi-i-gjuhes-shqipe-garderoba/. Në rast të kundërt mos e publiko.

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France