Le Figaro (1906) / Letra e shqiptarëve të Selanikut drejtuar politikanit dhe gazetarit francez : “Vrasja e Spiro Kosturit është fillimi i luftës së grekëve kundër shqiptarëve të krishterë.”


Spiro Kosturi
Spiro Kosturi

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 28 Gusht 2020

 

“Le Figaro” ka botuar, të martën e 18 dhjetorit 1906, në faqen n°2, shkrimin e politikanit dhe gazetarit francez, Eugène Lautier, i cili ka pas për qëllim të mbështesë çështjen kombëtare shqiptare pranë opinionit francez, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Eugène Lautier
Eugène Lautier

Jashtë vendit

PËR SHQIPTARËT

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Gazeta të ndryshme në Selanik dhe Bukuresht publikuan javën tjetër një thirrje të shqiptarëve që po organizonin një ceremoni në kujtim të bashkëqytetarit të tyre Spiro Kosturi, një njeri i shquar nga Korça, i cili vdiq për shkak të urrejtjes raciale në Maqedoni. Disa shqiptarë më shkruajtën për këtë incident dhe më kërkuan që të mbështes çështjen e tyre kombëtare para opinionit francez. Ajo ka simpatitë tona, si të gjitha çështjet e drejta dhe të mbrojtura në mënyrë fisnike. Aq më tepër, ajo gjeti mbështetës elokuent në Francë : vikontin z. E.-M. de Vogué (Marie-Eugène-Melchior de Vogüé) dhe z. Charles Loiseau (gazetar publicist).

 

Sot, nuk mund të kisha vepruar më mire sesa të riprodhoja, me gjithë thjeshtësinë e saj prekëse, letrën që më drejtuan shqiptarët e Selanikut. Unë kam hequr vetëm rreshtat që kishin një karakter personal :

 

Shumë i nderuar zotëri, shqiptarët ju kërkojnë ngrohtësisht të shkruani dy fjalë për vrasjen e shqiptarit të shquar Spiro Kosturi nga bandat greke. Ky veprim i rëndë është fillimi i luftës së grekëve kundër shqiptarëve të krishterë.

 

Nëse dëshironi, madje mund të shkruani, me këtë rast, se shqiptarët kanë humbur besimin e tyre tek Italia. Qeveria italiane i ka tradhtëtuar.

 

Përveç Francës, e cila ende mbetet mbrojtësja e madhe e popujve të shtypur, shqiptarët presin shpëtimin e tyre nga hungarezët dhe anglezët.

 

Përndryshe, kjo racë e denjë për një fat më të mirë është e dënuar të zhduket...

 

“Patriotizmi ngjall urrejtje ndaj njerëzimit vetëm në mendjet e ngushta dhe të dhunshme, shumë të ngushta për të ngjizur solidaritetin njerëzor, dhe të cilët nuk e kuptojnë se, në tokë, fati i një grupi njerëzor lidhet, përfundimisht, me fatin e të gjithë njerëzve.” Këto fjalë të filozofit Anatole France janë dënimi më i fortë i barbarisë politike të grekëve.

 

Më mirë se të gjitha fjalimet dhe artikujt e gazetave, ky apel dëshmon se sa i thellë dhe i egër është rivaliteti racial në Ballkan. Ky rivalitet fyen drejtësinë dhe kërcënon paqen e përgjithshme. Filhelenizmi mjaftonte për të marrë në konsideratë çështjen e Kretës; dhe shpesh kam kërkuar bashkimin e Candias (Kretës) me vendin amë. Por ne nuk mund të inkurajojmë, pa rrezik për të gjithë, ambiciet joproporcionale të panhelenizmit, i cili do të pretendojë Maqedoninë (të gjithë Maqedoninë) pas Kretës, pastaj Epirin dhe më në fund Bizantin.

 

Kështu Cavour (Camillo) donte të bashkonte Italinë, si angjinarja, “gjethe – gjethe”. Por Greqia nuk është Piemonti; dhe ka disa kombësi në Ballkan që nuk do ta lejonin diçka të tillë. Dhe ne, në rolin e spektatorëve tepër indiferentë, mund të përzihemi, padashur, në ndërlikimet më të bezdisshme.

 

Aktualisht, të gjithë janë mosbesues ose të rezervuar për shkak të pretendimeve të tepërta të Greqisë. Vizita e fundit e mbretit Jorgos te mbreti i Italisë mundësoi matjen e shtrirjes dhe të intensitetit të kësaj ndjenje. Nuk e kemi harruar, mendoj, protestën e heshtur të ministrave të Rumanisë, Serbisë dhe Bullgarisë, duke mos marrë pjesë në ceremonitë zyrtare të Romës. Shtypi italian, me shumë përshtypje, deklaroi se mirësjelljet e shkëmbyera midis dy sovranëve në asnjë mënyrë nuk e zvogëlonin simpatinë italiane për popujt e tjerë të Ballkanit. Shqiptarët, për të cilët Italia pretendonte se ishin klientët e saj dhe po ashtu nën mbrojtjen e saj, u emocionuan, dhe ndjehen “të tradhtuar” nga qeveria e Romës, domethënë të dorëzuar ndaj ambicieve greke.

 

Në një fjalim të ardhshëm në Dhomën (parlamentin) italiane, ndoshta sot, z. Tittoni do të sqarojë keqkuptimet e krijuara nga vizita e mbretit Jorgos. Këshilla më e mirë që miqtë e saj të vërtetë do t’i japin Greqisë është meditimi. A nuk ka pse të forcojë avantazhet e çmuara, të cilat, vetëm ajo në mesin e të gjitha kombësive të Lindjes, ka qenë në gjendje, falë frymës klasike, t’ia rrëmbejë Evropës, përgjithësisht kaq shpërfillëse ?

 

Eugène Lautier

(politikan dhe gazetar francez)

 

 

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/le-figaro-1906-letra-e-shqiptareve-te-selanikut-drejtuar-politikanit-dhe-gazetarit-francez-vrasja-e-spiro-kosturit-eshte-fillimi-i-luftes-se-grekeve-kunder-shqiptareve-te-krishtere/. Në rast të kundërt mos e publiko.

 

 

Publikuar në :

 

https://americaneye.al/letra-e-shqiptareve-te-selanikut-drejtuar-politikanit-francez-vrasja-e-spiro-kosturit-fillimi-i-luftes-i-grekeve-kunder-shqiptareve-te-krishtere/

 

http://illyriapress.com/le-figaro-1906-letra-e-shqiptareve-te-selanikut-drejtuar-politikanit-dhe-gazetarit-francez-vrasja-e-spiro-kosturit-eshte-fillimi-i-luftes-se-grekeve-kunder-shqiptareve-te-krishtere/  

 

https://www.balkanweb.com/vrasja-e-spiro-kosturit-eshte-fillimi-i-luftes-se-grekeve-kunder-shqiptareve-te-krishtere-zbulohet-letra-e-shqiptareve-te-selanikut-per-politikanin-francez/

 

https://www.gazetaexpress.com/letra-e-1906-vrasja-e-spiro-kosturit-fillimi-i-luftes-se-grekeve-kunder-shqiptareve-te-krishtere/

 

http://www.standard.al/2020/08/28/vrasja-e-spiro-kosturit-eshte-fillimi-i-luftes-se-grekeve-kunder-shqiptareve-te-krishtere-zbulohet-letra-e-shqiptareve-te-selanikut-per-politikanin-francez/

 

https://www.botasot.info/historia-lajme/1362748/le-figaro-1906-letra-e-shqiptareve-te-selanikut-drejtuar-politikanit-dhe-gazetarit-francez-vrasja-e-spiro-kosturit-eshte-fillimi-i-luftes-se-grekeve-kunder-shqiptareve-te-krishtere/

 

http://plavaeguciasot.com/le-figaro-1906-letra-e-shqiptareve-te-selanikut-drejtuar-politikanit-dhe-gazetarit-francez-vrasja-e-spiro-kosturit-eshte-fillimi-i-luftes-se-grekeve-kunder-shqiptareve-te-krishtere/

 

https://tirananews.al/shqiptaret-e-selanikut-kerkonin-mbeshtetje-nga-franca-ne-1906-ja-letra-per-politikanin-francez/

 

https://dosja.al/le-figaro-1906-letra-e-shqiptareve-te-selanikut-drejtuar-politikanit-dhe-gazetarit-francez-vrasja-e-spiro-kosturit-eshte-fillimi-i-luftes-se-grekeve-kunder-shqiptareve-te-krishtere/

 

https://alpenews.al/dossier-zbulohet-letra-e-shqiptareve-te-selanikut-vrasja-e-spiro-kosturit-eshte-fillimi-i-luftes-se-grekeve-kunder/

 

https://konica.al/2020/08/vrasja-e-spiro-kosturit-eshte-fillimi-i-luftes-se-grekeve-kunder-shqiptareve-te-krishtere/

 

https://opinion.al/le-figaro-1906-letra-e-shqiptareve-te-selanikut-per-politikanin-francez/

 

http://www.arsalbanica.mk/le-figaro-1906-letra-e-shqiptareve-te-selanikut-drejtuar-politikanit-dhe-gazetarit-francez-vrasja-e-spiro-kosturit-eshte-fillimi-i-luftes-se-grekeve-kunder-shqiptareve-te-krishtere/

 

https://njekomb.org/le-figaro-1906-letra-e-shqiptareve-te-selanikut-drejtuar-politikanit-dhe-gazetarit-francez-mbytja-e-spiro-kosturit-eshte-fillimi-i-luftes-se-grekeve-kunder-shqiptareve-te-krishtere/