Nga Aurenc Bebja*, Francë – 30 Janar 2021
“L’Unità” ka botuar, të martën e 12 marsit 1991, në faqen n°5, një shkrim në lidhje me thirrjet për kryengritje të Leka Zogut I ndaj shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
“Mbreti” në mërgim Leka nxit shqiptarët për kryengritje
Tirana. Anija “Tirana” me dy mijë shtetas shqiptarë me dëshirën për t’u kthyer në shtëpi pas azilit të shkurtër dhe fatkeq italian zbarkoi natën midis të dielës dhe të hënës në portin e Durrësit. Ata u pritën nga të afërmit dhe miqtë, dhe një turmë policësh dhe ushtarësh.
Nën dritën verbuese të fotoelektrikëve, zbarkimi ndodhi në një mënyrë të rregullt, pa incidente. Autobusët dhe kamionët e vënë në dispozicion nga autoritetet po prisnin në port. “Veteranët – të rraskapiturit” hipën dhe u dërguan në vendet e tyre përkatëse të banimit.
Të gjithë dukeshin të ngushëlluar nga garancia që përpjekja aventureske klandestine në mërgim nuk do të çonte në marrjen e masave ndëshkuese ndaj tyre në atdhe.
Ndërkohë, duke nuhatur ajrin e stuhishëm që fryn mbi vendin e origjinës, Mbreti aspirues Leka, në mërgim në Afrikën e Jugut, por që aktualisht ndodhet në Bruksel, i nxit bashkatdhetarët e tij të ngrihen dhe të përmbysin qeverinë.
Thirrja u drejtohet jo vetëm shqiptarëve të Shqipërisë por edhe atyre të Kosovës, një krahinë jugosllave. Leka u bën thirrje shqiptarëve të mos ikin dhe të bashkohen për të përmbysur regjimet “antishqiptare dhe sllavo-komuniste”.
Në thirrjen e tij, Leka premton një amnisti totale për anëtarët e forcave të armatosura dhe policinë e lartë sekrete (Sigurimin) nëse ata dezertojnë dhe “bashkojnë përpjekjet e tyre me ato të njerëzve për të rrëzuar regjimin e paligjshëm komunist”. Leka bën thirrje gjithashtu për bojkot të zgjedhjeve “të paligjshme” të planifikuara me 31 Mars në Shqipëri.
Një delegacion nga Federata Ndërkombëtare e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut vizitoi tre burgje në Shqipëri, përfshirë burgun famëkeq të Burrelit, ku, megjithë mohimet zyrtare, po mbahen edhe kundërshtarë politikë. Kushtet e jetesës në burgje përcaktohen si “çnjerëzore”.
* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/l-unita-1991-leka-zogu-i-shqiptareve-te-shqiperise-dhe-te-kosoves-bashkohuni-per-te-permbysur-regjimet-antishqiptare-dhe-sllavo-komuniste/. Në rast të kundërt mos e publiko.
Publikuar në :
https://opinion.al/leka-zogu-i-shqiptareve-bashkohuni-te-permbysim-regjimet-antishqiptare/
https://tirananews.al/permbysja-e-komunizmit-ne-1991-leka-zogu-shqiptareve-bashkohuni-per/