Kur komuniteti shqiptar festonte Ditën e Pavarësisë (Flamurit) në Australinë e largët më 1945 dhe 1946



Nga Aurenc Bebja*, Francë – 27 Nëntor 2024

 

Gazetat australiane të kohës kanë botuar dy shkrime mbi festimin e Ditës së Pavarësisë (Flamurit) nga komuniteti shqiptare atje, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Shqiptarët festojnë festën kombëtare (ditën e pavarësisë)

The Shepparton Advertiser, e martë, 4 dhjetor 1945, ballinë : 

Ishte dëshira e shqiptarëve që të identifikoheshin me bashkëqytetarët e tyre australianë, të mësonin gjuhën, zakonet e tyre dhe të bëheshin australianë të vërtetë, tha Kryetari i Lëvizjes se organizatës shqiptare të Victoria-s, z. Y. S. Birangi, kur të dielën u festua Festa Kombëtare e shqiptarëve.

 

Më herët, një kortezh patriotësh kishte marshuar nëpër rrugë, i udhëhequr nga grupi i Shepparton-it dhe me grupe që mbanin flamurin australian dhe shqiptar.

 

Duke lexuar një fjalim të z. Birangi, z. Hetem Sherifi u shpreh se shqiptarët ishin shumë mirënjohës për shtëpinë që u kishte dhënë Australia dhe autoriteteve të rrethit për mundësitë që u kishin dhënë. Ai shtoi se vendet e vogla si Shqipëria kishin vuajtur më keq se shumica gjatë rrugës. Shumë prej tyre kishin dhënë jetën në luftën kundër nazizmit.

 

Një apel nga z. J. Dobrani nga Shepparton East, për një ndihmë për spitalin Mooroopna mblodhi 50£. Festa përfundoi me këndimin e këngës së Flamurit të Kombit në gjuhën amtare.

 

 

Shqiptarët e Perth-it festojnë

The West Australian, e shtunë, 30 nëntor 1946, faqe n°6 : 

Anëtarët e komunitetit shqiptar në Australinë Perëndimore në Perth festuan të enjten Ditën e Pavarësisë Kombëtare me këngë dhe valle. Valltarët në foto janë Nako Sotir dhe Dhosi Vani, të cilët për këtë rast kanë veshur kostumin tradicional (mbi 700 vjeçar).

 

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/kur-komuniteti-shqiptar-festonte-diten-e-pavaresise-flamurit-ne-australine-e-larget-me-1945-dhe-1946/. Në rast të kundërt mos e publiko.