Nga Aurenc Bebja*, Francë – 1 Dhjetor 2019
“La Petit Gironde” ka botuar, të diëlen e 10 prillit 1939, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me thirrjen e mbretit Zog drejtuar asokohe popullit shqiptar me qëllim mbrojtjen e atdheut nga Italia fashiste, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Thirrja e mbretit Zog për të marrë armët
Tiranë, 8 Prill. — Mbreti Zog iu drejtua, të premten, popullit shqiptar me thirrjen e mëposhtme :
“Qeveria italiane, me kërkesat e saj të reja, që nuk korrespondojnë me traktatet dhe marrëdhëniet miqësore që ne kemi mbajtur, dëshiron të minojë Pavarësinë dhe sovranitetin e mbretërisë shqiptare. Unë dhe qeveria mbretërore nuk do ta pranojmë kurrë këtë sulm, i cili tenton të zhdukë lirinë e arritur dhe të fituar me gjakun e këtij populli.
Në rast se Italia përdor forcën, unë ftoj të gjithë popullin shqiptar, në këtë moment të rrezikshëm, të bashkohet për mbrojtjen e atdheut dhe të pavarësisë së tij, dhe ta mbrojnë atë deri në pikën e fundit të gjakut.
Jam i bindur që populli shqiptar, i vogël në numër, por i madh në shpirt dhe guxim, në këtë moment do të jetë në gjendje të dëshmojë se ka në shpirtin e tij ndjenjat më të gjalla kombëtare, të trashëguara nga paraardhësit e tij.
Jam i bindur që një popull i bashkuar në këtë mënyrë do të përfitojë nga mbrojtja e Providencës.
I bëj thirrje të gjithë popullit tim që të dëshmojë guximin dhe dashurinë e tij ndaj atdheut, në mënyrë që ai të sigurojë, herët a vonë, në këtë territor, të drejtën e tij natyrore.
Rroftë Shqipëria ! Rroftë populli shqiptar !”
Zogu
* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim e tij (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/gazeta-franceze-kjo-eshte-thirrja-qe-mbreti-zog-i-drejtoi-popullit-shqiptar-me-7-prill-1939-per-te-mbrojtur-atdheun-nga-italia-fashiste/. Në rast të kundërt mos e publiko.
Publikuar në :
https://opinion.al/thirrja-e-mbretit-zog-ndaj-popullit-shqiptar-per-te-mbrojtur-vendin-nga/