Fluturimi Paris – Melburn (1919) / Kur aviatori i famshëm Etienne Poulet u detyrua të qëndronte për disa ditë në Shqipëri. Rrëfimi në shtypin francez të kohës


Étienne Édouard Poulet (1890-1960) – Pionier i aviacionit. – Burimi : Archives départementales de la Somme
Étienne Édouard Poulet (1890-1960) – Pionier i aviacionit. – Burimi : Archives départementales de la Somme

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 27 Korrik 2022

 

Shtypi francez i kohës i ka kushtuar një vemendje të veçantë udhëtimit “Paris – Melburn” të aviatorit të famshëm Etienne Poulet, sidomos qëndrimit të tij të detyruar për disa ditë në Shqipëri, detajet e të cilit, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar : 

 

Poulet pret një kthjelltësi afër Vlorës

La Dépêche, e enjte, 23 tetor 1919, f.2

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Romë, 22 tetor. — Messaggero mëson nga Vlora (Shqipëri) se aviatorit Poulet i është dashur të pezullojë udhëtimin për në Selanik, për shkak të gjendjes së atmosferës (motit të keq). Ulja u bë në aerodromin Taviaga, pranë Vlorës. Aviatori francez u prit nga oficerët e Forcave Ajrore Italiane.

 

Aviatori Poulet largohet nga Vlora

L’Éclair, e shtunë, 25 tetor 1919, f.2

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Vlorë, 23 tetor. — Moti i keq e detyroi aviatorin Poulet të qëndronte në Shqipëri për më shumë se dyzet e tetë orë. Duke përfituar nga një qetësi, ai u largua nga zona e Vlorës ku kishte zbarkuar pasditen e sotme. Pasi fluturoi për 30 minuta mbi det për të fituar lartësi, u largua në drejtim të lindjes. Ai mendonte të zbarkonte në Selanik dhe të largohej menjëherë për në Kostandinopojë nëse rrethanat ishin të favorshme.

 

Avioni i Poulet u raportua në fund të pasdites nga postat e Korçës.

 

 

Poulet gjendet ende ne Shqipëri

L’Ouest-Éclair, e hënë, 27 tetor 1919, f.2

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Paris, 26 tetor. — Benoist (Jean Benoist), mekaniku i aviatorit Poulet, i cili po tenton udhëtimin ajror (fluturimin) Paris-Melburn, telegrafon :

 

Vlorë, 25 tetor. — Jemi ende të imobilizuar në Vlorë në kampin e aviacionit për arsye të një rrebeshi. Poulet dhe unë do të nisemi për në Selanik sapo të na lejojë moti. Në këtë vend malor dhe të egër, stuhitë që ndjekin njëra-tjetrën dhe mjegulla mbulojnë rajonin prej disa ditësh. Ujqërit vijnë deri në kampin e aviacionit.

Benoist

 

Fluturimi Francë – Australi

Dy konkurrentë në Shqipëri

L’Heure, e hënë, 3 nëntor 1919, f.4

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Moti i keq vazhdon të rrënojë rajonin shqiptar. Dëbora e ditëve të fundit u pasua me reshje të rrëmbyeshme dhe stuhi të tmerrshme.

 

Dy avionë Handley Page që po realizonin udhëtimin për në Indi dhe kishin zbarkuar këtu në datën 14, fjalë për fjalë u shkulën të enjten e kaluar nga stuhia dhe u shkatërruan plotësisht.

 

Një tjetër pilot anglez i mbërritur më 19 tetor, domethënë dy ditë para francezit Etienne Poulet, është imobilizuar në Vlorë nga moti i keq.

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Poulet jo vetëm që është i mërzitur nga ndalesa e detyrueshme që i kanë imponuar stuhitë, por është i tërbuar pas individëve që kanë ardhur për të grabitur një pjesë të bagazheve të tij, duke i vjedhur ndër të tjera aparatin fotografik të mekanikut Benoist. Që nga kjo aventurë, Poulet dhe Benoist flenë në hangarin mbi disa dërrasa që kreu i qendrës italiane pati dashamirësinë t’ua huazonte bashkatdhetarëve tanë.

 

***

 

Më 22, pasi moti u qëtësua për pak çaste, Poulet dha urdhër të nxirrte avionin e tij “La Mouche – Mizën”. Pasi fluturoi mbi terren për të fituar lartësi, avioni u nis në drejtim të lindjes, ndërsa bora filloi të binte në aeroport.

 

Dy orë më vonë, Poulet zbarkoi sërish në tokë. “Kishim udhëtuar gati njëqind kilometra kur papritur ra një rrebesh bore teksa ishim në lartësinë 3400 metra (2400 m sipas shënimeve personale të aviatorit). Pas dhjetë minutash përpjekje, në pamundësi për të përparuar, vendosëm të ktheheshim. Është një fatkeqësi e vërtetë.”

 

Avioni është në gjendje të përsosur, motorët të cilët do të duhet të fluturojnë ende për 200 orë janë të paprekur.

 

Çdo mëngjes, Poulet është gati për të filluar fluturimin e tij.

 

Gjithsesi, në kthjelltësinë e parë, avioni francez me dy motorë Caudron-Rhône nga njëra anë dhe anglezi Haviland nga ana tjetër do të fluturojnë së bashku drejt lindjes.

 

Dy konkurrentët kanë ruajtur të gjithë besimin në suksesin e udhëtimit të tyre.

 

 

Ditari i udhëtimit të Etienne Poulet

Le Matin, e premte, 12 dhjetor 1919, Ballinë

 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

“21 tetor. — Brindizi – Vlorë. Nisja në orën 8. Kalim i mirë mbi Adriatik. Në Vlorë mjegulla është e dendur.

 

22 tetor. — Bëjmë një provë që në orën e parë, por pasi për pak sa nuk jemi përplasur me një majë 2400 metra lartësi, kthehemi në Vlorë.

 

Nga data 22 deri më 29 tetor. — Mot i tmerrshëm me stuhi, shi pa pushim.

 

29 tetor. — Vlorë – Selanik. Moti duke qenë më i qetë në agim, vendosim të largohemi nga Vlora. Por nuk mbaron këtu. Shiu, bora, mjegulla na shoqërojnë në Shqipëri dhe Maqedoni. Përmes një vrime dallojmë Manastirin. Më në fund e shohim Selanikun pas tre orësh e gjysmë udhëtimi në 4800 metra në një temperaturë –10° C…”.

 

 

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/fluturimi-paris-melburn-1919-kur-aviatori-i-famshem-etienne-poulet-u-detyrua-te-qendronte-per-disa-dite-ne-shqiperi-rrefimi-ne-shtypin-francez-te-kohes/. Në rast të kundërt mos e publiko.

 

 

Publikuar në :

 

https://americaneye.al/kur-aviatori-i-famshem-etienne-poulet-u-detyrua-te-qendronte-disa-dite-ne-shqiperi-me-1919-detajet-e-aventures/

 

https://opinion.al/fluturimi-paris-melburn-kur-aviatori-i-famshem-u-detyrua-te-qendroje-ne-shqiperi/

 

https://diasporashqiptare.al/2022/07/27/fluturimi-paris-melburn-1919-kur-aviatori-francez-qendroi-disa-dite-ne-shqiperi/

 

http://www.arsalbanica.mk/fluturimi-paris-melburn-1919-kur-aviatori-i-famshem-etienne-poulet-u-detyrua-te-qendronte-per-disa-dite-ne-shqiperi-rrefimi-ne-shtypin-francez-te-kohes/

 

https://drini.us/fluturimi-paris-melburn-1919-kur-aviatori-i-famshem-etienne-poulet-u-detyrua-te-qendronte-per-disa-dite-ne-shqiperi-rrefimi-ne-shtypin-francez-te-kohes/

 

https://www.botasot.info/historia-lajme/1846919/fluturimi-paris-ndash-melburn-1919-kur-aviatori-i-famshem-etienne-poulet-u-detyrua-te-qendronte-per-disa-dite-ne-shqiperi-rrefimi-ne-shtypin-francez-te-kohes/

 

https://ampress.ca/fluturimi-paris-melburn-1919-kur-aviatori-i-famshem-etienne-poulet-u-detyrua-te-qendronte-per-disa-dite-ne-shqiperi-rrefimi-ne-shtypin-francez-te-kohes/

 

https://alb-spirit.com/2022/07/27/fluturimi-paris-melburn-1919-kur-aviatori-famshem-etienne-poulet-u-detyrua-te-qendronte-disa-dite-ne-shqiperi/