Nga Aurenc Bebja*, Francë – 23 Mars 2023
“Cinema Illustrazione” ka botuar, me 3 prill 1935, në faqen n°5, homazhin për ndarjen nga jeta të Aleksandër Moisiut, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Lamtumira e fundit për Moisiun
Lamtumirë Moisi.
U takuam pak më shumë se një muaj më parë, të kujtohet ?, në lozhën tënde në Manzoni, pa zbukurime, primitive, siç ishte shija dhe zakoni yt, ti përballë pasqyrës duke hequr grimin, u ula aty pranë për të të treguar edhe një herë gëzimin e ndjerë dhe të vuajtur që ti më kishe dhënë.
Thoje : — Këto figura të thjeshta, këto çaste në vuajtje, këto skamje, këta vullnetarë dhimbjeje, sa më pëlqejnë dhe si i ndjej ! Unë me të vërtetë mendoj (dhe sytë e tu të pamat të djegur nga dhimbja dhe dashuria sikur të shikonin vetë mendimin) se kam lindur jashtë kohës sime të vërtetë. A e di : një mbrëmje, afër Budapestit, një cigan teozof më tha se kisha qenë Apostull në jetën time të largët... Jo : Lorenzino nuk duhej ta “bënte”. Besoj, e dini, se filmi im i parë i vërtetë do të jetë San Francesco...
Flisje, si gjithmonë, me frikën e atyre që thonë shumë, me ankthin e atyre që dyshojnë gjithmonë në vetvete; dhe kjo me të vërtetë u takon shpirtrave të zgjedhur, pra të paktëve në kohën tonë. Vetëm kur fjalët e tua duhej të shërbenin për të lartësuar të tjerët, u jepje atyre një ton sigurie, një shkallë saktësie dhe një tingull që bëhej pak i ashpër, si gjithmonë i atyre që shqiptojnë në gjuhën gjermane, por i qartë në të pagabueshmen dhe përfundimtaren. Ti thoje për Hans Albers :
— Zemra e tij është aq e madhe sa i gjithë gjoksi. Dhe nën ballin e tij perandorak fshihet një inteligjencë që do t’ju habisë.
— Çfarë mendon për Gründgens ?
— Ai është i pari, ndër të gjithë. Shiko ato skena të mrekullueshme me Brigitte Helm, në serinë e gjerdanit, si quhet ? Epo, shiko, ky është arti i shkëlqyeshëm i kinemasë : dhe mendo se në skenë ai është i shkëlqyeshëm njësoj, nëse jo më shumë.
— Cila mendon se është aktorja më e madhe gjermane e ekranit ?
— Herta Thiele : Por Bergner, me Katerinën e saj të Rusisë, më jep të njëjtat të dridhura (emocione) që më dha kur recitonim në Burghtheater. Jo : Paula Wessely nuk e kanë përshtatur mirë, në Mascherata...
Hoqe të gjithë makijazhin, ribëje fytyrën çdo orë, ia ktheve lirisë flokët e përjetshme adoleshente, fillove të visheshe, të dilje. Të thoja :
— Bën ende ftohtë : nuk ke veshur më ndonjë këmishë ? A të mjafton kjo këmishë mëndafshi e lehtë ?
Dhe shikova trupin (gjoksin) tënd, kaq të bardhë, kaq të lëmuar, kaq të hollë : ndoshta në atë orë e keqja kishte lindur tashmë brenda teje : dhe aty fshihej.
— Unë, fanellë ? Ftohtë ? Të sëmurem ?
Ti shpërtheje së qeshuri, sikur të sfidoje diçka. Ti nuk e dije se pas teje qëndronte një Hije e tmerrshme, e heshtur, gati të të rrëmbejë, të të pushojë zemrën, si në skenën e mrekullueshme të “Jedermann-it”.
Luciano Ramo
* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/cinema-illustrazione-1935-lamtumire-aleksander-moisi/. Në rast të kundërt mos e publiko.
Publikuar në :
https://www.kultplus.com/teatri/cinema-illustrazione-me-1935-lamtumire-aleksander-moisi/
http://www.illyria.com/shtypi-italian-i-kohes-lamtumire-e-homazh-per-aleksander-moisiun-e-madh/
https://diasporashqiptare.al/2023/03/24/1935-cinema-illustrazione-lamtumire-aleksander-moisi/
http://www.arsalbanica.mk/cinema-illustrazione-1935-lamtumire-aleksander-moisi/