Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Maj 2023
“Chicago Sunday Tribune” ka botuar, të dielën e 23 dhjetorit 1928, në faqen n°15, intervistën ekskluzive me Faik Konicën mbi arritjet e Shqipërisë nën udhëheqjen e Mbretit Zog, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Mbreti Zog dënon skllavërinë midis popullit shqiptar
Harton projekt-ligj për të shpërbërë pronat e mëdha
Nga David Darrah
(Shërbimi për shtyp i Chicago Tribune)
Tiranë, Shqipëri, 22 dhjetor — Një skicë optimiste e së ardhmes së Shqipërisë nën Mbretin Zog I është dhënë sot nga Faik Bej Konica, ministri i Shqipërisë në Uashington.
Ministri Konica është një nga këshilltarët më të besuar të Mbretit Zog. Ai u kthye nga Uashingtoni një muaj më parë duke sjellë traktatin anti-luftë të Kellogg-ut dhe disa traktate të tjera miqësie dhe arbitrazhi midis republikës më të madhe në botë dhe mbretërisë më të re dhe më të vogël të Ballkanit. Këto traktate do të ratifikohen brenda pak ditësh nga parlamenti shqiptar prej pesëdhjetë e shtatë ligjvënësish.
Ministri Konica pret që të gjitha marrëveshjet e ish-republikës me Shtetet e Bashkuara të respektohen nga mbretëria aktuale e Zogut. Ai do të kthehet në Uashington javën e ardhshme me këto pakte të ratifikuara.
Do të shpërbëjë pronat e mëdhaja
Mbreti Zog është burrështetasi më i mençur dhe më i aftë që ka pasur Shqipëria dhe kapaciteti i tij për të punuar në mënyrë të vazhdueshme për orë të tëra rivalizon atë të kryeministrit Musolini, sipas ministrit Konica.
“Mbreti po vepron me aq energji sa duhet këtu,” tha ai. “Ai po i kushton vëmendjen e tij veçanërisht politikave të brendshme për rindërtimin dhe europianizimin e mbretërisë. Reforma më e gjerë dhe revolucionare e këtyre reformave të parashikuara sapo është paraqitur para Kuvendit të Shqipërisë në mesazhin e kurorës.”
“Mbreti propozon të shpërbëhen të gjitha pronat e mëdha të zotëruara nga bejlerët e fuqishëm dhe trazues, dhe me ligj do të parandalojë këdo që të zotërojë më shumë se njëzet e pesë hektarë tokë. Mbreti do të japë shembullin duke sakrifikuar pronat e tij të mëdha dhe zotërimet e familjes së tij, në mënyrë që tokat e tij të mos kenë një sipërfaqe prej më shumë se njëzet e pesë hektarë. Këto toka do i kalojnë shtetit. Shteti zotëron tashmë gjysmën e tokës në Shqipëri, dhe pas kësaj reforme do të zotërojë dy të tretat.”
Do të shfuqizojë robërinë
“Kjo reformë do të ndikojë në shfuqizimin e gjendjes së robërisë në të cilën jetojnë sot fshatarët e Shqipërisë, ashtu siç bënin dikur në mesjetë dhe nën zgjedhën turke. Gjithashtu mund të kultivohet shumë më tepër tokë. Të gjithë anëtarët e legjislaturës duke qenë pronarë tokash, reforma mund të ndeshet me kundërshtime, por Madhëria e Tij është serioz dhe i ka thënë trupës ligjvënëse se nëse nuk kalon projektligjin e reformës, ai do ta shpërndajë atë dhe do të formojë një legjislaturë tjetër.”
Ky hap që po ndërmerret tani nga mbreti është propozuar disa herë më parë nga ish-qeveritë reformatore, por nuk është realizuar kurrë për shkak të kundërshtimit të fuqishëm të bejlerëve të pasur. Ka të ngjarë të ketë një rëndësi politike në aspekte të tjera, sepse bejlerët miratuan aleancën italiane me idenë e pjesshme se Italia do ta frenonte mbretin në përpjekjet për të zvogëluar zotërimet e tyre. Kështu, në një mënyrë më të vogël, problemi i Mbretit Zog këtu në mbretërinë e prapambetur është i njëjtë me atë të mesjetës kur mbretërit kishin të bënin me baronët e fuqishëm e të pabindur.
Ministri Konica tha se aleanca italiane po funksionon mirë për interesat e Shqipërisë. Italianët po bashkëpunojnë dhe po i mbajnë aktivitetet e tyre në mënyrë rigoroze brenda kufijve të aleancës, tha ai.
Shqipërisë i duhet kapitali
“Shqipëria ka nevojë mbi të gjitha për kapital dhe shërbime teknike për shfrytëzimin e pasurisë dhe rindërtimin e saj”, vazhdoi ai. “Ne kemi nevojë për para për të tharë (drenuar/kulluar) zona të mëdha të cilat janë kënetore dhe malariale, dhe shpresoj që kapitali amerikan, i cili tani është kaq i bollshëm, mund të merret për këtë qëllim. Ka një përshtypje të gabuar jashtë shtetit se italianët kanë monopolin e shfrytëzimit ekonomik të Shqipërisë. Është e vërtetë që kemi një kredi italiane prej 50.000.000 frangash ari ($10.000.000), por nga ana tjetër kapitali në Bankën Kombëtare Shqiptare të krijuar dy vite më parë ka kontribues francezë, zviceranë dhe çeko-sllovakë. Krahas kësaj mund të krijohen banka të tjera ndihmëse kreditore pa shkelur kushtet e traktatit.”
Në vijim të planeve të tij për të marrë ndihmë të huaj në punën e mirëqenies në Shqipëri, Ministri Konica, në kalimin e tij në Romë, do të takohet me një agjent të fondacionit Rockefeller. Ai po përpiqet të krijojë një fondacion këtu për të luftuar malarien.
“Përmirësim i madh është bërë tashmë,” tha ai. “Në shenjë europianizimi, mbreti i ka ndaluar zyrtarët e shtetit të mbajnë qeleshe”.
* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/chicago-sunday-tribune-1928-intervista-me-faik-konicen-nje-nga-keshilltaret-me-te-besuar-te-mbretit-zog-ratifikimi-i-traktave-me-shba-ne-denimi-i-skllaverise-shperberja-e-pronave-mbi-25-hektare-lufta-kunder-malaries/. Në rast të kundërt mos e publiko.
Publikuar në :
https://opinion.al/1928-intervista-me-faik-konicen-nje-nga-keshilltaret-me-te-besuar-te-mbretit-zog/