Nga Aurenc Bebja*, Francë – 13 Shkurt 2020
“Les Cahiers des droits de l’homme” ka botuar, më 10 korrik (faqe n° 19) dhe 25 gusht (faqe n° 24) 1921, dy shkrime në lidhje me ndërhyrjen e Komitetit Qendror të Lidhjes për të Drejtat e Njeriut pranë Lidhjes së Kombeve për të mbrojtur interesat e Shqipërisë dhe falenderimin e Mit’hat Frashërit për këtë veprim, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Për Shqipërinë
Komiteti Qendror konstatoi, nëpërmjet përshtypjeve që pati z. J. Godart gjatë udhëtimit të tij, vështirësitë me të cilat po përballet aktualisht Shqipëria.
E kërcënuar nga ndërhyrjet e Jugosllavisë dhe Greqisë, ajo, në bazë të artikullit XV të Paktit, iu drejtua Lidhjes së Kombeve. Kjo e fundit u tërhoq me pretekstin se është Konferenca e Ambasadorëve ajo që “vendos” për këtë çështje.
Nga njëra anë, fakti është i pasaktë; për më tepër, çështja nuk është përgjegjësi e Konferencës së Ambasadorëve, por e Lidhjes së Kombeve.
Me të drejtë, Komiteti Qendror i Lidhjes për të Drejtat e Njeriut, në seancën e tij të 27 qershorit, votoi njëzëri rezolutën e mëposhtme :
“Lidhja për të Drejtat e Njeriut,
Me keqardhje konstaton që Këshilli i Lidhjes së Kombeve i është nënshtruar Konferencës së Ambasadorëve dhe, përdor metodat e vjetra të diplomacisë për të zgjidhur fatin e Shqipërisë, duke hequr dorë kështu nga të drejtat dhe detyrat e tij;
Vë në dukje dërgimin e Shqipërisë, anëtare e Lidhjes së Kombeve, përpara një konference, ku ajo nuk është e përfaqësuar dhe ku vendoset me dyer të mbylluara, dhe kjo përbën një mohim të vërtetë drejtësie;
Tërheq vëmendjen e Lidhjes së Kombeve për përgjegjësinë që ka marrë duke refuzuar për të diskutuar problemet serioze që prekin një nga anëtarët e saj dhe duke e lënë atë në rrezik ndaj lakmive territoriale të fqinjëve të saj. (27 qershor)”
Korrespondencë
Lexuesit tanë kujtohen se, në seancën e 27 qershorit 1921, Komiteti Qendror, me propozimin e z. Godart, votoi unanimisht një rezolutë proteste në favor të Shqipërisë. (Shih Cahiers 1921, faqet 306 dhe 349). Me këtë rast, M. Frashëri, presidenti i delegacionit shqiptar, i dërgoi z. Henri Guernut, sekretarit të përgjithshëm të lidhjes, letrën e mëposhtme :
“Z. Sekretari i përgjithshëm,
Kam lexuar në gazeta agjendën (rezolutën) e votuar nga Komiteti Qendror i Lidhjes për të Drejtat e Njeriut në favor të Shqipërisë, kërkesën e të cilës Këshilli i Lidhjes së Kombeve nuk pranoi të vendosë drejtësi.
Shqiptarët, në përgjithësi, dhe unë, në veçanti, kujtojmë se Lidhja për të Drejtat e Njeriut ishte e para që e ngriti zërin për të drejtat e Shqipërisë, dhe unë jam i lumtur t’ju shpreh edhe një herë ndjenjat e mia të mirënjohjes, duke ju kërkuar që të jeni interpretuesi i këtyre ndjenjave pranë anëtarëvë të Komitetit Qendror.
Ju lutem pranoni, Zoti Sekretar i përgjithshëm, sigurinë e konsideratës time më të lartë.”
Presidenti i Delegacionit Shqiptar :
Z. Frashëri.
* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/1921-rezoluta-e-komitetit-qendror-te-lidhjes-per-te-drejtat-e-njeriut-drejtuar-lidhjes-se-kombeve-qe-te-merrte-pergjegjesite-e-saj-per-te-mbrojtur-shqiperine-falenderimi-i-mit-hat-frasherit/. Në rast të kundërt mos e publiko.
Publikuar në :
https://opinion.al/1921-mbro-interesat-e-shqiperise-kush-e-kritikoi-lidhjen-e-kombeve/