Nga Aurenc Bebja*, Francë – 6 Shtator 2022
“Stamboul” ka botuar, të martën e 28 prillit 1914, në ballinë, deklaratat e ministrit të financave Filip Noga për “La Tribuna”, gjatë vizitës në Kostandinopojë, në lidhje asokohe me zhvillimin e Shqipërisë, të cilat Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :
Deklaratat e z. Filip Noga
Romë, 27 prill.
La Tribuna publikon disa deklarata të ministrit të ri shqiptar të financave, z. Filip Noga, gjatë vizitës së tij në Kostandinopojë. Ministri i ri është sinqerisht optimist për të ardhmen e Shqipërisë. Ai beson se si vështirësitë mes Greqisë dhe Shqipërisë, ashtu edhe ato mes Shqipërisë dhe Serbisë, mund të zgjidhen pa shumë vështirësi. Zoti Noga pohoi se popullariteti i Princ Vidit po rritet çdo ditë e më shumë në të gjithë Shqipërinë, e cila dëshiron vetëm paqe dhe punë.
Ai shtoi se një program i tërë i gjerë punimesh për rritjen e principatës së re do të kryhet së shpejti nën kujdesin e princit, i cili është i përfshirë aktivisht në gjithçka që mund të kontribuojë në përparimin dhe mirëqenien e vendit. Ai vuri në dukje se tashmë në Shqipëri kanë filluar të shfaqen shtëpi bankare dhe tregtare të drejtuara nga vetë shqiptarët, gjë që dëshmon besimin e tyre në të ardhmen e atdheut të tyre me mjetin më të mirë : Punën. – (Ag. It.)
* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/1914-ky-eshte-sekreti-per-zhvillimin-e-shqiperise-deklarata-e-ministrit-te-financave-filip-noga-per-la-tribuna-gjate-vizites-ne-kostandinopoje/. Në rast të kundërt mos e publiko.
Publikuar në :
https://konica.al/2022/09/shqiptaret-kane-filluar-te-punojne/