-----------------------------------
EMRIN E ËNDËRRUAR
-----------------------------------
Udha ishte me ëngjëj kur thurja ëndrrat,
këmbët e vogla nxitonin mes gurëve në ferra
sytë vështronin pafajshëm yjet rreth hënës,
para ëndrrave të mia buzëqeshte pranvera!
Udha u mbush me djaj që s’e di nga erdhën,
gurët u rrokullisën ferrat gjembat i rritën,
këmbët e vogla vrarë nga gjembat e ferrës,
pikëloti në sy pikon për ëndrën e venitur!
Kur vitet po sjellin emrin e ëndërruar poet,
ditët më vijnë në këmbët lodhur e raskapitur,
lulet e vyshkura në vite kanë fillu me çelë,
pikëloti buzëqesh rikthehet pengu i ikur!
© Xhavit Gasa
-------------------
PETRALBË
-------------------
Gjeni kalin që kalëron me shekuj në shpinë
mos i kërkoni moshë vitet atë punë kanë,
dhe gurë mbi gurë ndiqni gjurmët e tij,
të gjitha gjurmët do t’ju çojnë në Petralbë!
Më madhështor se anija Kristofor Kolombit
ky kalë që më shkëmb gdhendi gjurmët,
mbi të kalëruan kreshnikët e kombit,
në shpirtin e gurëve shkrirë i kuq flamuri!
Ecni nëpër këta gurë mos lini të mbulohen,
kalin shekullor ndiqeni hap pas hapi,
me lule Arbërie gjurmët ja zbukuroni,
nuses mbi gurë mos ja prishni duvakun!
© Xhavit Gasa
---------------------------------------------
BUKUROSHET E PETRALBËS
---------------------------------------------
Nga kreshtat e larta që puthin qiellin e kaltër,
rrugës kalldrëmtë me gjurmë të historisë,
paskan zbritur në Klos bukuroshet e Petralbës,
kostumqendisurat me flamurin kuq e zi!
Gëzueshëm vallëzokan këto valët e Matit,
pasqyrë mbushur me ngjyra lule-lëndine,
në Klos kanë ardhur bukuroshet e arbrit,
kapur dorë për dore gjithë bukuroshet Ilire!
© Xhavit Gasa
------------------------------------------------------------
GERMAT E ABDURRAHMAN PËRMETIT
------------------------------------------------------------
Mbilleni ju Lisdanë një bredh të blertë,
se bredhat blerojnë në të gjitha stinët,
nëse nuk keni kërkojeni në themelet,
e Shën Trinisë ku është formula e pagëzimit!
Mbillni bredha pisha e rrënjë dafine,
të gjitha stinët të blerojnë hareshëm,
në degët e tyre të bilbilojë gjuha shqipe,
me germat që mbolli Adurrahman Përmeti!
© Xhavit Gasa
----------------------------------
HAPAT E GANI ALISË
----------------------------------
(Mjeshtër sporti)
Me gjatësinë e valës shkumbardhë të Matit,
me shpejtësinë e erës që nga malet zbriste,
shtat-larti sa Deja Gani Alia hidhte hapin,
në çdo pistë vrapimi stadiumeve i pari ishte!
Rrugëve të Zenishtit brezat ecën e do ecin,
se vitet nuk ndalen njeri tjetrin zevendësojnë,
gjurmët e rënda s’mbulohen ato gdhenden,
rrugëve të Zenishtit hapat e Gani Alisë vrapojnë!
© Xhavit Gasa
Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania