Emin Celami, njeriu që u rrit dhe u mplak në zjarrin e luftrave


(Kushtuar Emin Celamit me rastin e 145 vjetorit te lindjes)


Sefer Duka, Mat

 

Fshati Gurrë e Vogël, së bashku me tre fshatrat e tjerë fqinjë, respektivisht Gurra e Madhe, Rripa dhe Mishtri, përbëjnë një njësi  të vogël më vete fizikogjeografike e historiko-kulturore e shtrihet në perëndim të krahinës së Matit, në shpatin e vargmalit të Skënderbeut. Ky  fshat  është i përmendur, sespse nga gjiri i tij, ndër shekuj e breza ka nxjerrë burra të mençur, luftëtar trima, njerëz të besës mikpritës e bujar. Ndër familjet më në zë në Gurrë të Vogël është dhe ajo  e Celamit, që tani përbën një fis të madh nga gjiri i së cilës doli dhe biri i shquar i saj, Emin Celami.

 

I lindur në verën e nxehtë të vitit 1871, temperaturë kjo e rritur më shumë dhe për faktin e krizës lindore që zhvillohet në gjirin e Portës së Lartë të Stambollit, për familjen e Selim Celamit, përbënte hyrjen e “diellit dhe hënës”, sepse në shtëpinë e tij lindi foshnja djalë, që ia vunë emrin Emin, një emër ky simbol i një perendie, që predikonte paqen dhe harmoninë midis njerëzve në tokë. Falë kujdesit prindëror të babait, Selimi dhe të nënës Telime (bijë e të mirënjohurit Hysen Hajdini, po nga Gurra e Vogël), i kushtuan Eminit jo vetëm kujdesin për shëndetin dhe fizikun e mirë, por dhe për edukimin e shëndoshë atdhetar e patriotik shqiptar të trashëguar nga të parët ndër vite e shekuj.

 

Qysh në moshën e hershme të rinisë, për shkak se vëllai i tij më i madh, Mehmeti, për shumë vite pati emigruar në Stamboll, Eminit iu desh të përballej me problemet e shumta të familjes, të ekonomisë e të shoqërisë, duke u “përpjekur” më herët në kohë, si një njeri me të ardhme të shkëlqyer, sidomos si luftëtar i lirisë. Në vitin 1911, në moshën 40 vjeçare, krijoi familjen e tij të re, me bashkëshorten e quajtur Dilë, bijë kjo e familjes së nderuar Mehmet Hoxha, nga fshati Gurrë e Madhe, e cila iu bë jo vetëm krah dhe mbështetje e madhe, por dhe frymëzuese në të gjitha drejtimet, duke i dhënë kohën dhe mundesinë optimale që Emini të ishte dhe një luftëtar i vendosur në mbrojtjen e Atdheut. Në dinamikën e jetës së përditshme, Emini ishte shumë i vëmendshëm dhe jetonte gjithnjë me situatat e rënda që kalonte vendi dhe populli matjan nën sundimin e egër e barbar nga pushtuesit ushtarak turk.

 

Era e barutit të djegur nga kryengritësit matjanë nën komandën e udhëheqësit popullor Mustafa Koka nga fshati Macukull, në Gjalish më 1875 kundër forcave turke që po ndërtonin këshllatë (kazermat) ushtarake, idetë e vendimet historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me luftrat e saj antiturke të viteve 1880 – 1881, si dhe vargjet e këngëve kreshnike të kënduara bukur nga rapsodi popullor ndër vite, i shërbyen si duhet për edukimin dhe forcimin me ndërgjegje të lartë edhe Emin Celamit, për të qenë i gatshëm dhe midis luftëtarëve të lirisë. Vala e kryengritjeve antiturke të viteve 1910 – 1912, sidomos ajo më e nxehta në Kosovë dhe në disa vise të tjera të Shqipërisë së Veriut, gradualisht përshkoi dhe krahinën e popullin e Matit. Me orientim të Komitetit të Fshehtë të Manastirit, që të formoheshin çeta vullnetare të armatosura në të gjithë vendin, zgjuan në ndërgjegjen e Emin Celamit, zgjuan interesin dhe nevojën që edhe fshati Gurrë e Vogël ta kishte një çetë të tillë, i cili vetë do të ishte dhe komandant i saj. Si kundërpërgjigje ndaj situatës së krijuar në Mat, me inisiativën e shumë patriotëve matjanë, më 10 korrik 1911, në fshatin Suç, nën hijen e një lisi të madh madhështor, u mblodh Kuvendi krahinor i Suçit, pjestar i të cilit luvend qe edhe Emin Celami, së bashku me përfaqësuesit e tjerë të 40 fshtrave të Matit. Objekti i këtij kuvendi ishte organizimi dhe mobilizimi i popullit për luftë të armatosur kundër ushtrisë së pushtuesit turk.

 

Ky kuvend, ndryshe njihet në histori me emërtimin Komisioni i të Dyzetëve (i dyzet fshatrave), si një organ ekzekutiv, me funksionin e qeverisjes provizore. U krijua dhe një kryesi prej 12 vetësh për kryerjen e këtij misioni, që në fshtehtësi të plotë u vendos në fshatin Rripë, në shtëpinë e patriotit Hasan Isak Duka, ku qëndroi e ushtroi aktivitetin aty për gati një vit. Në themel të punës, kjo kryesi kishte zbatimin e vendimeve të Komisionit të Dyzetëve, që konsistonin në kërkesat e përsëritura drejtuar Portës së Lartë dhe komandës së forcave ushtarake turke në Mat, që ishin:

 

1. Na lironi vendin dhe trojet tona, sepse ne jemi shqiptar dhe jo turq;

2. Të largohen nëpunësit turq nga administrate dhe të zëvendësohen me shqiptar; 3. Të hapen shkolla ku të mësohet këndimi dhe shkrimi në gjuhën shqipe;

4. Të mos paguanin taksa për qeverinë turke;

5. Të mos japin nizam (ushtar) për të shërbyer në ushtrinë turke, qoftë brenda apo jashtë perandorisë.

 

Të gjitha këto kërkesa ishin detyrime taksative për mbarë popullin, si dhe përgjegjësi për çdo luftëtar, të cilët do të bënin një për një betimin me formulën : “me raftë guri kresë, më preftë shpata dhe më vraftë patllakja, nëse do të thyej besën”. Për t’i dalë përpara kësaj situate revoltuese popullore për të mos e ndryshuar atë, për të shuar sa më parë frymën e këtij kuvendi, forcat turke dërguan në Mat, nën komandën e majorit Çekrez Esat Beu, forca të shumta ushtarake që u përqëndruan në tri rajone, respektivisht në fshatin Rremull, Burgajet dhe në Lis, me qëllim : Mësymjen në fshehtësi kundër kryesisë së Komisionit të Dyzetëve dhe forcave kryengritëse, për t’i eleminuar fizikisht ato dhe për të rivendosur situatën e mëparshme në krahinë. Por, ndaj tyre  barrikadë e pathyeshme, u bënë forcat vullnetare të armatosura të Bazit e Karicës me bashkëkomandantët e tyre Dali Neziri nga Karica dhe Dedë Daçi nga Bazi, Emin Celami me forcat e komanduara prej tij që kish siguruar  në Gurrë të Vogël që gjer në atë kohë veprimtarinë luftarake e kryenin për mbrojtjen e kryesisë në fshatin Rripë. Po ashtu kontribuan pa rezerva edhe forcat vullnetare të fshatrave Batër e Frankth e gjetkë.

 

Forcat turke herë pas here kishin ndërmarrë inkursione ushtarake, por kishin dështuar me ofensivat ushtarake të tyre, por sulmin më të fuqishëm të tyre e bënë në natën duke gdhirë 12 prilli i vitit 1912, ku mundën të futen në rajonin e Gurrave. Midis forcave ndërluftuese në vendin e quajtur “Livadhi i Koçajve” në fshatin Rripë u zhvilluan luftime të ashpra e të përgjakshme. Forcat turke u mundën keqas dukë pësuar humbje të rënda, ku u vranë 7 ushtar e oficerë dhe 6 të tjerë u plagosën e u kapën rob, si dhe pësuan humbje të mëdha në materiale ushtarake. Nga forcat kryengritëse, u plagos komandanti Emin Celami, që mori një plagë në këmbën e djathtë, si dhe u plagos në krah bashkëfshatari e bashkëluftëtari i tij Hasan Kurti.

 

Forcat turke me disfatën që pësuan në këto luftime u detyruan të tërheqin drejt vendpërqëndrimit të tyre në Lis dhe po në natën e 12 prillit 1912 u tërhoqën drejt Dibrës, për të mos u kthyer më në Mat. Nga kjo datë falë këtyre luftimeve të suksesshme të luftëtarëve matjanë, krahina e Matit qe e lirë. Në këtë datë, në vendin e quajtur Ballsh, midis fshatit Gurrë e Vogël, Rripë dhe Frankth, u ngrit flamuri kombëtar shqiptar me shkabën dykrenare në mes, që i paraprinë dhe i shërbyen, ngritjes së flamurit në Vlorë më 28 nëntor 1912. Bashkëluftëtarët dhe mbarë populli, heroizmit të pashoq të luftëtarëve dhe veçanërisht të Emin Celamit i thurën vargje që me kalimin e kohës u kthyen në këngë që i shërbyen gjeneratave si një marsh ushtarak për kushtrim dhe për luftim, sa herë e kërkonte situata. Disa nga këto vargje tregojnë jo vetëm veprimtari luftarake, por dhe histori lapidar.

 

Nëpërmjet figurës popullore si të luftëtarit Emin Celami, shpaloset fuqishëm dhe impresionuese besa e burrëria, vendosmëria e sakrifica dhe vetmohimi deri në sakrificë i luftëtarëve trima matjanë. Vargjet tingëllojnë fuqishëm. Disa prej tyre janë: “Gurra trime në shpat të malit/ ka pas burra sipas zakonit/ për Atdhe janë bërë fli/ Turqit ktu si lan me hy/ Emin Celami burrë daji/ shpatullgjerë e mustaqezi/ para gurrasve ju ka pri/ asqerët turq i ka gri/ O ju asqer dëgjoni një fjalë/ kthehuni andej nga keni ardh/ ne Gurrën tonë s’keni me kalu/ këtu i thonë Mat e s’durojmë të huaj…”. Këto e të tjera vargje të krijmtarisë popullore tregojnë dhe evokojnë histori lapidare, shfaqin me madhështi forcën dhe vlerën që ka atdheu për atdhetarët e tij, për ata që bënë sakrifica deri në sublime, njëherazi duke shfaqur kujdesin dhe dashurinë për të, si një simbol i mbinatyrshëm, që mbizotëron mbi çdo gjë. Këto vargje sot janë simboli i shtigjeve për sigurinë dhe lirinë e vendit, pra për të tashmen dhe për të ardhmen.

 

Emin Celami, veçse 6-7 muaj më vonë nga kjo luftë, kur edhe plaga i ishte shëruar, iu desh të angazhohej në një luftë tjetër të armatosur. Këtë herë ajo u zhvillua kundër forcave ushtarake të Malit të Zi, të cilat pabesisht kishin sulmuar Shkodrën, me synimin për ta shtrirë pushtimin deri në lumin Shkumbin. Kësaj situate kritike, populli i Matit iu përgjigj me mobilizim popullor të armatosur. Më 4 tetor të vitit 1912, në vendin e quajtur “Qershizë”, që ndodhet në jug të fshatit Bruç dhe jugperëndim të fshatit Rremull, u organizua një Kuvend Burrash, i cili mori vendimin e rëndësishëm për ti shkuar në ndihmë për mbrojtjen e Shkodrës. Me interesimin e të riut 17 vjeçar, Ahmet Zogu, pasi u sigurua armatimi dhe municioni i nevojshëm, iu drejtuan Frontit të Luftës rreth 2000 luftëtarë, ku ndeshjen më të ashpër ata e zhvilluan në vendin e quajtur Kakarriq të Lezhës.

 

Në këto luftime numri i të rënëve matjanë qe i madh, mbi 80 vetë të vrarë, ku dhe gati aq të tjerë prej tyre, fatalisht u mbytën në lumin e fryrë tejmasë të Drinit duke kaluar në bregun tjetër, për të luftuar përballë forcave malazeze. Emin Celami, falë fizikut të fuqishëm, shëndetit të mirë, zgjuarsisë, guximit dhe trimërisë së tij, jo vetëm luftoi me heroizëm në frontin e luftës, por kontriboi duke nxjerrë shëndoshë në krah matanë bregut shokët që nuk dinin notin. Në mesin e muajit nëntor 1912, krahinës dhe popullit të Matit iu kërcënua seriozisht një tjetër armik pushtues, ai serb, i cili kishte ndërmarrë  një ofensivë ushtarake në vijën Malit të Dejës, Balgjaj, Qaf Buall, për të depërtuar në Mat e më tej për në Shqipërinë e mesme.

 

Një nga betejat më të fuqishme kundër këtij agresori, ku ishte pjesmarrës kryengritës edhe Emin Celami, u zhvillua në vendin e quajtur Shkalla e Deshëve, në pranverën e vitit 1913, ku armiku la të vrarë,  lart nga 160 ushtarë e oficerë serb. Kjo do të shënonte dhe luftën e tretë, ku ka marrë pjesë e ka zhvilluar, Emin Celami me shokët e tij. Edhe më pas, por në mënyrë sporadike ka luftuar edhe kundër forcave pushtuese austriake, përgjatë viteve 1916 – 1918, në kuadrin e Luftës së Parë Botërore.

 

Pushtimi i vendit më 7 prill 1939 nga forcat fashiste italiane, Emin Celamin e indinjoi thellë në shpirt. Me njëherë, sapo mori vesh iu bashkua forcave vullnetare popullore të armatosura, që u nisën për të mbrojtur Durrësin nga sulmet ushtarake fashiste italiane dhe për ti hedhur ato në det, por kur pushtimi i vendit ishte bërë një realitet, këto forca u kthyen mbrapsht, me mendimin e ri për tu organizuar e hedhur në luftë më të organizuar kundër këtij pushtuesi. Shpejt ai u lidh me Lëvizjen dhe me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kontribut të çmuar luftarak dha sidomos gjatë Kryengritjes Popullore të Përgjithshme të armatosur të Matit, gjatë periudhës 31 korrik – 28 gusht 1943, kundër forcave fashiste italiane që ishin dislokuar në Mat. Si luftëtar efektiv i kësaj kryengritje, ai iu bashkua luftës që u zhvillua në Qaf Shtamë më 5-6 gusht 1943, kundër forcave fashiste të kollonës “Jugu” që vinin si përforcim për forcat italiane, në drejtimin Tiranë-Krujë-Qaf Shtamë-Burrel dhe që npërpjekjen ndërluftuese në Qaf Shtamë, forcat armike pësuan humbje të rënda, lart nga 150 ushtar e oficerë Italian të vrarëm ku u vra dhe komandanti i kollonës, koloneli Skarpa, i dekoruar nga qeveria italiane me rastin e zbarkimit të trupave në Shqipëri më 7 prill 1939.

 

Në datat 8-9 të muajit gusht 1943, Emin Celami iu bashkua forcave kryengritëse të fshatit të tij në vendin e quajtur Shene Prene, po kundër forcave fashiste italiane, ku ranë në fushën e nderit bijtë e Gurrës së Vogël, respektivisht trimat Ismail Tusha dhe Ismail Heta, të cilët janë të shpallur Dëshmorë të LANÇ. Me luftën antifashiste nacionalçlirimtare, Emin Celami do të përmbyllte me sukses Luftën e katërt të tij, në mbrojtje të Atdheut dhe të lirisë së popullit. Pas çlirimit të vendit, kontributi i tij do të konsistonte eleminimin e pasojave shkatrrimtare të luftës në rindërtimin e vendit, ku nuk pushoi së punuari e vepruari me ndërgjegje të lartë deri sa iu nda gjirit të familjes dhe të shoqërisë së tij, në moshën 78 vjeçare në vitin 1949, duke lënë pas një emër të mirë, një vepër dhe kontribut të çmuar e të nderuar në dobi të popullit dhe të atdheut të tij, që ai e deshi aq shumë duke bërë sakrifica të mëdha.

 

Emin Celami nuk qe vetëm një patriot e luftëtar i shquar, por ai qe dhe një familjar e prind shembullor për tu marrë si shembull. Me bashkëshorten e tij, Dilën, bijë kjo e denjë e familjes së Mehmet Hoxhës nga Gurra e Madhe, më të cilën krijoi familjen dhe lindën, rritën dhe edukuan mrekullisht dy djemt, respektivisht Selimin dhe Rustemin, të cilët ecën në gjurmët e babait të tyre, duke realizuar çdo amanet që ai la. Edhe nipërit e mbesat e tij, po në këto gjurmë vazhduan dhe sot gëzojnë dashurinë, respektin e veçantë të shoqërisë.

 

Me rastin e 50 vjetorit të shpalljes së pavarësisë sonë kombëtare, në vitin 1962, Emin Celami (pas vdekjes) është dekoruar nga ish-Presidiumi i Kuvendit Popullor me motivacionin: « Për veprimtari të çmuar atdhetare, patriotike dhe luftarake. »

 

Një amanet nga vitet e tij të punës e të veprimtarisë, na e kapërcjellë një ish-bashkëfshatar dhe bashkëluftëtar i tij, Ismail Muharremi, nga fshati Gurrë e Madhe (fatkeqësisht është ndarë nga jeta), i cili ka deklaruar në një sesion shkencor kushtuar 90-vjetorit të Kuvendit të Suçit, organizuar nga Muzeu Historik i rrethit Mat, në vitin 2001, kur tha: “Emin Celami në të gjallë të tij i ka përcjellë shoqërisë mesazhin e fuqishëm që çdo shqiptar që don të jetë patriot i vërtetë, ai duhet që për interesat e Atdheut dhe të popullit të mos e kursejë as jetën e tij”. Kjo thënie e tij është lapidare dhe përbën një lejtmotiv më shumë për ta respektuar gjithmonë këtë figurë udhëheqëse popullore, që gjithë punën, veprimtarinë dhe kontributin e tij me ndërgjegje të lartë, e vuri n shërbim të Atdheut dhe të popullit të tij.

 

Në kuadrin e 145 vjetorit të lindjes, një vlerësim shoqëruar me dhënien e një titulli të lartë nderi, dhënë kësaj figure të ndritur, do të ishte në radhë të parë një nder për banorët e komunitetit të Matit e më gjerë, për familjen e trashëgimtarët e saj, për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, do të ishte një shkollë e madhe edukimi për të gjithë. Emin Celami tërë jetën e tij e sakrifikoi në luftrat për liri dhe me gjak historinë e shkroi, ndaj i pavdekshëm do të mbetet ashtu siç ishte gjithnjë një hero.

 

 

© Sefer Duka 

Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania

 

 

Publikuar në print në Revistën prestigjoze matjane "Emathia"