George Washington mbi kalë...



Sami Milloshi
Sami Milloshi

Jam poshtë këmbëve te kalit tënd, George!

Të shoh ashtu i menduar si kalorës i rrallë...

me pallton e hedhur  supeve shkujdesur,

sikur ta dije se meteorologët

dhanë lajmin për borën e  gjelbërt...

 

Katër luanë që të ruajnë

janë thinjur si truproja shekullore,

po askujt s'i janë lutur të dalin në pension,

as Presidentit Obama.

Katër luanë të bëjnë rojë si ditën e parë.

 

George, njerëzit vrapojnë para kalit tënd,

ca prej tyre vrapojnë se duan të humbin mbipeshën,

ca të tjerë gatiten për gara olimpike,

dhe unë, ah George,

unë Shqiptari vrapoj të fitoj kohën e humbur,

rininë time të vjedhur strukur në shpellë...

 

Ti na sheh të gjithëve që nxitojmë George,

I sheh si kryqëzohen shpejtësitë e avionëve dhe pëllumbave mbi kokën tënde,

I sheh si kryqëzohen shpejtësitë e njerëzve para kalit tënd,

dhe të vjen mirë që nxitojmë...

 

Ti na sheh si kalorës i rrallë,

kalorës që kurrkush s'ia ka kaluar shpejtësinë...

 

Sekreti?

ndoshta se ti e ke dashur kalin tënd

dhe Tokën ku shkelnin këmbët e tij,

më shumë se veten ,George !

----------------------------------------------

Washington DC, Mars 2014

 

 

© Sami Milloshi

Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania