Rrëfimi i Princ Leka II për të ardhmen e familjes mbretërore, sfidat në ekzil dhe lufta e përditshme për të çrrënjosur historiografinë komuniste.


Elia Zogu - Zaharia dhe Princ Leka II
Elia Zogu - Zaharia dhe Princ Leka II

Rrëfimi i Princ Leka II për të ardhmen e familjes mbretërore, sfidat në ekzil dhe lufta e përditshme për të çrrënjosur historiografinë komuniste. Si e vlerëson përiudhën e Mbretit Zog dhe një përgjigje për togfjalëshin e përdoruar në komunizëm, por edhe sot si: “tradhti” dhe “vjedhje thesari”… Përditshmëria e Princ Leka II dhe synimi për të promovuar Shqipërinë jashtë vendit në takimet me familjet e mëdha mbretërore.

Elia Zogu - Zaharia dhe Princ Leka II
Elia Zogu - Zaharia dhe Princ Leka II

Intervistoi: Sebi Alla

 

 

Për Shqipërinë kishte dëgjuar ndërsa ndodhej në Afrikën e Jugut. Kudo rrethohej nga foto dhe objekte të familjes mbretërore, por nuk ishte në gjendje të kuptonte se ajo Shqipëri aq e bukur dhe e dëshiruar në rrëfime, ishte një vend që kaloi diktaturën më të egër, ku gjyshi, babai, e madje edhe ai vetë ishte i dënuar me vdekje nga sistemi totalitar. Kohët ikën shpejt dhe ndjenja për rikthimin në vendin e lindjes së paraardhësve të familjes mbretërore gjithnjë e më shumë bëhej e afërt. Në vitin 1997 mbreti Leka Zogu I, u bë pjesë e dëshirës dhe legjitimitetit për të marrë fronin. Në një referendum ende të dyshimtë, rezultati final rrëzoi mbretërinë dhe zyrtarisht u deklarua se kishte fituar sistemi “Republikë Parlamentare”. Princ Leka II sot jeton nën frymën e familjes mbretërore, por pa “luftë” të ethshme për të marrë fronin. Për të takuar çiftin princëror Leka II dhe Elia Zaharinë, vetëm droja dhe dilemat nuk kanë vend. Janë një çift i thjeshtë, larg protokollit dhe formatit aristokrat dhe mbi të gjitha pranë qytetarëve. Sfida e Princ Leka II është puna e përditshme në kontakt me qytetarët, takimet me personalitete të familjeve të mëdha Mbretërore në Europë e më gjerë dhe dëshira për të lobuar jashtë vendit në promovimin e Shqipërisë së kulturës, traditës, turizmit e mikpritjes. Në një intervistë të gjatë për gazetën “Mapo”, Leka II që pak muaj më parë kishte privilegjin të kremtonte 90-vjetorin e Monarkisë, rrëfen peripecitë e familjes mbretërore në ekzil, vitet e mbretërisë së Ahmet Zogut dhe sfidën e madhe për të thënë të vërtetën që historiografia komuniste e deformoi.

 

 

Në muajin shtator u kremtua 90-vjetori i Mbretërisë Shqiptare. Çfarë do të thotë kjo për familjen mbretërore dhe për ju si trashëgimtar i fronit?

 

Për mua është një moment për të kujtuar dhe për të reflektuar. Gjithashtu, është një moment për të respektuar veprën shtetformuese të Mbretit Zog. Janë 11 vite mbretëri, 63 vite ekzil, dhe 16 vite rikthim. Në të gjitha këto periudha, kontributi i Familjes Mbretërore në shërbim të atdheut nuk reshti as edhe një ditë! Shqiptarët njohin kohën e mbretërisë, por të paktë janë ata që njohin vitet e familjes në ekzil. Përkushtimi i Mbretit Zog, të cilin e trashëgoi te babai im, Mbreti Leka I, vazhdoi me një rezistencë aktive kundër pushtimit komunist, në mes të luftës së ftohtë. Familja Mbretërore në ekzil u bë një vatër e ngrohtë për të gjithë shqiptarët që kërkonin lirinë. Rreth Mbretit Zog dhe më pas Mbretit Leka që kryesonin qeverinë në mërgim, u mblodhën patriotë të shquar nacionalistë të cilët themeluan rezistencën. Ata që në filmat e propagandës komuniste ishin diversantët stereotipë, në realitet ishin patriotët e kësaj lëvizjeje antikomuniste. Lotët e gjyshes sime, Mbretëreshës Geraldine, kur më tregonte për Zenel Shehun dhe Hamit Matjanin nuk do t’i harroj kurrë! Ata kishin qenë për vite me radhe pjesë e familjes…

 

Babai im iu përkushtua çështjes kombëtare deri në fund të jetës. Ai sakrifikoi çdo gjë në shërbim të idealit të tij. Aktiviteti i tij lobues për çlirimin e Shqipërisë u shtri në të gjithë oborret dhe kancelaritë e vendeve perëndimore. Ndryshe nga shumë Familje të tjera Mbretërore në ekzil, ne nuk u dorëzuam kurrë. Madje kjo rezistencë e jona u bë shkak lëvizjesh nga njëri shtet në tjetrin! Kremtimi i 90-vjetorit të Mbretërisë është jo vetëm moment krenarie, por edhe falënderimi për kontributin e paraardhësve të mi, si edhe të gjitha familjeve patriotike shqiptare. Ne e vlerësojmë solemnitetin që tregoi shteti shqiptar duke u përfaqësuar nga Presidenti, si edhe shteti i Kosovës duke u përfaqësuar nga Kryeministri. Gjithashtu, ky kremtim u nderua me pjesëmarrjen e trupit diplomatik dhe përfaqësues të lartë të shtetit hungarez. U jemi mirënjohës për pjesëmarrjen personaliteteve të shquar nga të gjitha fushat si edhe miqve të Familjes Mbretërore nga Shqipëria dhe diaspora.

 

Duket se ka një hendek të madh mes mbretërisë si funksionim për jetën 11-vjeçare që pati, dhe historiografisë sonë, sidomos gjatë periudhës komuniste, ku fjalët “tradhti kombëtare” dhe “vjedhje e thesarit të shtetit”, janë injektuar fort në memorien kolektive. Po sot pas 28 vitesh sistem pluralist, a vijon ende kjo “hije e së shkuarës”?

 

Faleminderit për pyetjen. Mungesa e rivlerësimit real të historisë është një nga plagët e vendit tonë. Për 50 vite me radhë, në mënyrë sistematike, pa asnjë fakt është hedhur baltë mbi periudhën e mbretërisë dhe më konkretisht mbi figurën dhe kontributin e Mbretit Zog. Akuza për thesarin e shtetit është hedhur poshtë me fakte të botuara nga arkiva e bankës së Shqipërisë. Për 50 vite me radhë u përhap gënjeshtra e madhe e “vjedhjes së thesarit të shtetit” nga Mbreti Zog në kohën kur ky i fundit, i diktuar nga rrethanat ndërkombëtare, dhe me vendim të parlamentit shqiptar, kishte lënë Shqipërinë në mesnatën e 9 prillit 1939. Në fakt askujt nga propaganduesit e kësaj teze nuk i ka interesuar të thotë që thesari i shtetit shqiptar në kohën kur bëhet fjalë ndodhej në Romë dhe jo në Tiranë. Sipas dokumenteve zyrtare, Mbreti Zog, në legjitimitet të plotë, me procesverbal, ka tërhequr buxhetin e Oborrit Mbretëror. Kjo shumë ishte e barasvlershme me rrogën e tij për 1 vit. Sipas dëshmisë së ish-ministrit të Financave Kolë Thaçi, kjo shumë u tërhoq me procesverbal në prani dhe me nënshkrimin e Këshillit të Ministrave, të cilët ishin mbledhur në shtëpinë e Kryeministrit Kostaq Kota.

 

Kjo sasi monetare është përdorur në masën më të madhe për të paguar rrogat e personave që shoqëruan Mbretin dhe diplomatë si Faik Konica etj. Në këto dëftesë-pagesa figurojnë ndër emrat më të shquar të kohës, si: Mirash Ivanaj, Mehmet Konica, Abaz Kupi, Hiqmet Delvina, Qemal Butka, Peter Kolonja, Nikola Prifti etj. Ky fond bëri të mundur fillimin e funksionimit të qeverisë në mërgim. Mos harrojmë që në vitet 50, gjyshja ime, Mbretëresha Geraldine, ishte e shtrënguar të shiste të gjitha stolitë e saj dhe Familjes Mbretërore. Për funeralin e Mbretit Zog më 1961 ajo u detyrua të shesë të vetmen unazë të mbetur, atë të fejesës. Familja ime humbi çdo gjë pasi nuk pranoi pushtimin dhe vasalitetin e Shqipërisë. Mbretit Zog iu ofrua mbajtja dhe trashëgimi i fronit nga Musolini, por ai e refuzoi dhe mbrojti integritetin dhe sovranitetin e vendit. Ikja e tij u diktua nga parlamenti i kohës pikërisht për të mbrojtur këtë sovranitet. Nëse do të qëndronte dhe binte në dorën e pushtuesit, rrezikonte të ndodhte dorëzimi i sovranitetit me dhunë, siç ndodhi në Rumani, Bullgari dhe Belgjikë! Është fatkeqësi që rezistenca ushtarake e Mbretërisë Shqiptare është mohuar nga historiografia. Trupat e Abaz Kupit kanë luftuar me trimëri, por në dallim nga bandat vëllavrasëse komuniste që i pasuan, ata luftuan pushtuesin!

 

Si ndiheni kur si trashëgimtar i familjes mbretërore përballeni ende me gjykim dhe paragjykim edhe nga një pjesë e elitës që vijojnë ta konsiderojnë si “periudhë të errët” kohën e qeverisjes së Ahmet Zogut. Cili është shkaku, ndikimi nga koha e diktaturës, apo ka një vijimësi edhe tani, me ose pa qëllim?

 

Varet se cilat do të quajmë elita…Nëse elita sot konsiderohen profesorë e historianë që kanë mbrojtur diplomat mbi veprat e diktatorit komunist, atëherë kemi një këndvështrim të ndryshëm për elitat. Njerëzit e kthjellët arrijnë ta bëjnë dallimin mes të vërtetave historike dhe debatit të politizuar. Ky debat i politizuar ofrohet për ato pak vota nostalgjikësh të komunizmit. Gjithashtu, e mendoj të qëllimshëm për të vazhduar shpëlarjen e trurit të opinionit dhe brezave të rinj. Por, shpëlarja e trurit është një rrezik për aq kohë sa njerëzit e marrin informacionin të gatshëm dhe të përpunuar, dhe nuk thellohen në lexime faktesh të historisë së tyre. Hedhja baltë mbi figurat shtetformuese dhe kontributet e tyre të pamohueshme është një akt antikombëtar! Fatmirësisht elitat reale të vendit tonë nuk e kanë këtë problem, pasi kohën e mbretërisë e vlerësojnë si periudhën më të ndritur të shtetit shqiptar. Unë inkurajoj brezin e ri të interesohet seriozisht për historinë tonë të përbashkët, pasi duke njohur prejardhjen, rrugëtimin, sakrificat tona si komb, do të rigjejmë krenarinë mbi të cilën do të ndërtojmë të ardhmen.

 

Duke gjykuar ftohtë dhe jo vetëm si trashëgimtar i fronit Mbretëror, çfarë arritjesh dhe dështimesh i njihni kohës së qeverisjes së Ahmet Zogut?

 

Njëmbëdhjetë vitet e Mbretërisë Shqiptare, megjithëse të pamjaftueshme për të realizuar vizionin afatgjatë të Mbretit Zog, i sollën vendit një dekadë prosperiteti, stabiliteti dhe arritjesh të mëdha në çdo fushë. Ishin pikërisht vitet e mbretërisë, ku takohej orienti me oksidentin dhe ku drejtimi perëndimor çoi në emancipimin e shoqërisë. Mjafton të përmendim kodin civil dhe penal, pavarësinë e institucioneve, vlerën e pasaportës shqiptare që garantonte lëvizjen e lirë, vlerën e monedhës shqiptare, heqjen me ligj të ferexhesë, fillimin e reformës agrare, reformat e panumërta në arsim, bursat perëndimore, themelimin e sistemit shëndetësor, respektimin e lirisë së besimeve fetare, themelimin e autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare në 1936, vendosjen në Shqipëri të Kryegjyshatës botërore Bektashiane, respektimin e pronës dhe ekonomisë së tregut, ndërtimin e mijëra km rrugë e ura, ndërtimin e porteve detare dhe aeroporteve, fillimin e lulëzimit të kulturës dhe sporteve e shumë e shumë arritjeve gati të paimagjinueshme në kontekstin e kohës. Mos harrojmë që shoqëria shqiptare dilte nga perandoria e shkërmoqur osmane me një mentalitet fisnor dhe të përçarë, me kontradikta të shumta. Mbreti arriti të krijonte një shtet të konsoliduar, administratë efektive, një gjyqësor të besueshëm dhe të pavarur, krijoi kushtet e favorshme për lirinë e shtypit etj. Gjithashtu kontributi i tij është i pamohueshëm në ndërtimin e kryeqytetit dhe qyteteve të tjera me arkitektët më të mirë të kohës. Sot e kësaj dite gjurma e tij në këto qytete na identifikon. Nuk mund të lë pa përmendur ndihmën dhe mbrojtjen e qindra familjeve hebreje nga persekutimi nazist! Kriza ekonomike botërore e vitit 1929 diktoi marrëdhëniet ekonomike të vendit tonë me shtetet fqinje. Pikërisht kur e gjithë bota shkonte në krizë, Shqipëria po ndërtohej! Por fashizmi, si një dallgë e sëmurë dhe e përbindshme, ishte i papërballueshëm për një shtet të vogël dhe të sapoformuar. Është e lehtë të gjykosh sot, në pozita komode, ku askush nuk na rrezikon përveç vetvetes. Në atë kohë, ekzistenca e shtetit tonë vihej ende në diskutim…

 

Jeni lindur jashtë vendit në vitin 1982, me çfarë fryme jeni rritur (kujtojmë që sistemi komunist ju kishte dënuar me vdekje që nga momenti i lindjes). Sa e njihnit Shqipërinë ende pa ardhur në vendin tonë. A ishte trashëguar ndjenja atdhetare në oborrin mbretëror edhe në ekzil?

 

Unë jam rritur me të vetmen ëndërr dhe pikësynim që një ditë të kthehemi në atdhe. Falë prindërve dhe gjyshes sime, tek unë është rrënjosur përgjegjësia dhe përkushtimi pa kushte ndaj vendit tim. Shqipërinë e kam njohur përmes tregimeve të saj dhe shqiptarëve të diasporës. Jam rritur dhe edukuar prej tyre. Për mua Shqipëria përbënte një ëndërr. Sigurisht Shqipëria që gjeta ishte shumë ndryshe nga ajo që më kishin treguar, kohët kanë ndryshuar, mentaliteti gjithashtu. Është e vërtetë që regjimi i kaluar kishte në shënjestër familjen tonë, por unë këtë nuk e kam ndjerë. Ajo që ka rëndësi sot është që unë jam i lirë të jetoj në vendin tim dhe të jem në shërbim të tij!

 

Si e kujtoni ardhjen e Mbretit Leka në Shqipëri në vitin 1997. Në zgjedhjet e parakohshme u përfshi edhe referendumi mbi zgjedhjen e sistemit, Mbretëri Kushtetuese, ose Republikë Parlamentare. Pas daljes së rezultateve, nga Mbreti Leka I u konsiderua proces i parregullt, si e kujtoni atë periudhë dhe a mendoni se qytetarët zgjodhën Mbretërinë dhe rezultatet u manipuluan?

 

Kur babai im erdhi në Shqipëri në vitin 1997, unë së bashku me nënën time dhe gjyshen ishim në Afrikë. Në atë periudhë prindërit e mi vendosën të më çojnë në Capetown për arsye sigurie. Më kujtohet ankthi i pritjes së çdo telefonate nga nëna ime. Ndiqja në kohë reale lajmet ndërkombëtare për zhvillimet kaotike në Shqipëri. Babai im, Mbreti Leka I, organizoi një fushatë që për këdo tjetër ishte e pamundur në ato kohë trazirash. Ai arriti të shkonte nga Vermoshi në Konispol, në çdo rreth e qytet. Ai ishte faktor stabiliteti në atë fushatë. Mbretëria e fitoi referendumin dhe ky është fakt sot i pranuar nga të gjithë lojtarët e atëhershëm! Paçka se rezultati u manipulua thelbësisht, gjykata kushtetuese e kohës pranoi 48% të votave në favor të mbretërisë.

 

Për shumë skeptikë ngjan se ka një paradoks që Princ Leka II (trashëgimtar i familjes mbretërore), të jetë funksionar shteti në një Republikë Parlamentare, (si këshilltar e funksionar në Presidencë, Ministri të Jashtme dhe atë të Brendshme), përse kjo zgjedhje nga ana juaj?

 

Me rikthimin tonë në vitin 2002 dhe miratimin me ligj të Statusit të Familjes Mbretërore në vitin 2003 nga Parlamenti i shtetit shqiptar, pozicioni i familjes sonë është njohur nga institucionet dhe përfshirë në protokollin e shtetit. Kohën time në shërbim të këtyre institucioneve e konsideroj një kohë të vyer eksperience në shërbim të vendit tim. Për mua ka qenë e domosdoshme njohja nga brenda e funksionimit të institucioneve më të rëndësishme dhe jo pa qëllim kam shërbyer në Ministrinë e Jashtme, atë të Brendshme si edhe në Presidencë.

 

Në daljet tuaja publike ka përkujdesje në artikulim duke dhënë mesazhe paqeje dhe më shumë bashkëpunim mes forcave politike. Si e shihni politikën shqiptare në këta 28 vjet, a ka distancë mes elitës drejtuese dhe qytetarëve?

 

Po, është e vërtetë që në daljet e mia publike, duke qenë se Mbretëria është një institucion mbipartiak, mesazhet përherë kanë qenë dhe janë në funksion të paqes dhe bashkëpunimit midis forcave politike në shërbim të kombit. Në politikën shqiptare shpesh vihen re debate jo konstruktive nga të cilat ne distancohemi. Zhvillimi i Shqipërisë gjatë këtyre viteve është i prekshëm, por mund të ishte bërë shumë më tepër, që kjo periudhë tranzicioni të mos ishte kaq e gjatë. Problemi i elitave në politikë dhe rifreskimi i tyre është një ngërç jo i vogël në shoqërinë shqiptare. Kjo së pari lidhet me shkallën e demokratizimit të mbarë popullit shqiptar, me rritjen e standardeve të zgjedhjeve të lira e të ndershme, me emancipimin e mëtejshëm të partive politike etj., në mënyrë që politikëbërësit të përfaqësojnë sa më mirë zgjedhësit e tyre. Krahas ndryshimeve që kanë ndodhur, ky problem mbetet tepër aktual dhe ka shumë vend për ndryshime të mëtejshme.

 

Ju si “Çift Princëror” udhëtoni shpesh jashtë vendit, çfarë temash diskutoni me personalitetet e huaja? Jeni shprehur se qëllimi mbetet promovimi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. A ia keni arritur, dhe a gjeni mbështetjen edhe të institucioneve tona shtetërore?

 

Në udhëtimet tona jashtë vendit, epiqendra e bisedave është Shqipëria dhe Kosova. Kurioziteti është i madh, për më tepër ekziston një nevojë dhe hapësirë reale për të lartësuar imazhin e vendit. Bashkëpunimi nuk ka munguar, përkundrazi, dhe për këtë shprehim mirënjohjen tonë. Vetëm këtë vit, falë bashkëpunimit me Muzeun Kombëtar Hungarez dhe ambasadën tonë atje, u hap një ekspozitë madhështore për gjyshen time, Mbretëreshën Geraldine. Gjithashtu këtë vit në Francë, falë bashkëpunimit me ambasadën tonë në Paris, shfaqëm për publikun dokumentarin e gazetarit të njohur Frederic Mitterrand kushtuar Mbretëreshës Geraldine «Trëndafili i Tiranës». Mardhëniet tona janë korrekte dhe kordiale me të gjitha institucionet shtetërore dhe ekziston një vullnet i mirë dhe dashamirës bashkëpunimi.

 

Në Kosovë po diskutohet çështja e “korrigjimit të kufijve”, cili është mendimi juaj për këtë nismë? Duke mbetur në bashkëpunimin Tiranë-Prishtinë, a mendoni se duhet të ishte bërë më shumë, për të hequr barrierat mes dy vendeve që pushtimi dhe lufta i ndau, ndërsa sot në liri, ngjan se ka ngërç për të arritur fillimisht bashkimin shpirtëror, ekonomik dhe kulturor?

 

Për sa i përket çështjes së kufijve, politika e familjes sonë është po e njëjta. Kjo nënkupton unitetin kombëtar dhe integritetin territorial. Diskutimi mbi shkëmbimin e kufijve më duket i pavend. Mos harrojmë që Kosova u çlirua me luftë dhe gjak shqiptarësh. Ky gjak nuk mund të bëhet ujë nëpër tryeza politike…Unë kam shpresë dhe besim që një ditë Presheva do të kthehet! Në këtë moment Shqipëria dhe Kosova duhet të mbështesin popullsinë e saj me investime konkrete dhe sistematike në arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe kulturë. Për mua gjetja e mekanizmave që do ti mundësojnë këto investime është primare. Bashkimi i shqiptarëve është i natyrshëm dhe njerëzor. Me Kosovën na lidh jo vetëm gjaku, gjuha dhe historia, por gjithashtu një e ardhme e përbashkët europiane. Siç ju e përmendni në pyetjen tuaj, bashkëpunimi mes Prishtinës dhe Tiranës duhet të jetë më dinamik. Vullneti politik duhet të fokusohet në nisma konkrete. Shtetet tona duhet të luajnë një rol më të rëndësishëm në investime dhe projekte të përbashkëta që do të mundësojnë bashkimin në diversitet të trojeve tona. Për sa i përket bashkimit shpirtëror, ai ka qenë dhe do të jetë në përjetësi për të gjithë shqiptarët në trojet ku aktualisht banojnë, pavarësisht kufijve ekzistues, pasi ne i përkasim të njëjtit komb.

 

Burimi : http://www.gazetamapo.al/intervista-e-vitit-leka-ii-pesha-mbreterore-e-11-viteve-ne-fron/

 

Princ Leka II dhe Elia Zogu - Zaharia
Princ Leka II dhe Elia Zogu - Zaharia