Mëhill Elezi, Tiranë
Stelushi, qyteza – kala e komunitetit albano – iliro – arbëror të Pirustëve, të cilët shtrinin trojet e tyre, nga Qafa e Prushit në Martanesh, nëpërmjet Pellgut të Matit e deri në Dardani. Trojet e tyre ishin midis lumenjve të Matit dhe Drinit, një zonë mineralmbajtëse e veshur me pyje e me lugina e fusha pjellore.
Nga studimi që i ka bërë qytezës së lashtë, njëri nga arkeologët më të shquar të vendit tonë, prof. Skënder Anamali, ka konkluduar se : « kalaja me qytezën e saj i takojnë shek. V-të para Krishtit, dhe ka vijuar jetën e saj deri në fillim të shek. XVI-të, kohë në të cilën pushtuesi turk, gradualisht e shkatërroi ».
Stelushi shtrihej në lindje të Krahinës së Matit, në kufij më Krahinën e Dibrës, në këmbë të Malit të Dejës. Vendi ku u ndërtua kalaja dhe qyteza e lashtë, parë në syrin e sotëm mundet ta vendosësh qoftë si zonë të Matit, qoftë zonë të Dibrës, por mëqenëse ka qenë afër qendrave të banuara të Matit, tradita e ka vlerësuar me të drejtën e vet që ta pashaportizojë si qytezë të Matit, madje duke e emërtuar dhe si Qyteza e parë e Matit, emërtim që përligj lashtësinë e saj, por dhe rolin që ka luajtur në të gjitha etapat historike.
Kalaja është ndërtuar në një kreshtë mali, në një lartësi prej 1225 m, në anën lindore të Malit të Dejës. Poshtë e në këmbë të kalasë ishte ndërtuar qyteza e saj, por emrin e lashtë të qytezës nuk e dimë. Studiuesi i kalasë, prof. Skënder Anamali, ka shprehur mendimin se fillimisht qyteza është njohur më emrin Stefanajkon, emër të cilin më vonë e mori Krahina e Matit.
Duke njohur pozicionin gjeografik të Pellgut të Matit, rolin e tij si nyje e rrugëve të karvaneve, si qendër tulash të lashta, për rolin dhe emrin e parë të Kalasë së Stelushit duhen marrë në konsideratë se :
Në rrethinat e kësaj qyteze kam ndeshë toponimin Dea e Vogël, Lusë, Bizë etj, në arkivat e Stambollit të shek. XV-të gjejmë emrin më të hershëm të kalasë, të njohur deri tani Istulush. Janë dhe këto të dhëna, të cilat më kanë bërë të mendoj së emri më i lashtë i saj, duhet kërkuar, në keto dy emra qe i ka mbajtur në kohë të ndryshme.
Populli i Matit dhe i Dibrës e sollën mes nesh këtë qytezë – kala më emrin « Qyteza e Parë e Matit ». (Qyteza e Mbasdejës, Qyteza e Vigut, Kalaja e Qafmurrës, Qyteza në Vanas). Qyteza erdhi gjithashtu me emrin Varosh, emër i cili ka ardhur nga pushtime sllave. Përjashto emrin Varosh, emrat e tjerë që citova dhe që do të shohim në vijim, i shkojnë për shtat, mrekullisht këtij vendi strategjik dhe të bëgatë edhe për këto arsye :
Qafa e Murrës është rrugë karvanesh, nga më të lashtat, që në zanafillë të shoqërisë njerëzore. Rrugët e lashta vinin nga Evropa drejt Durrësit, Rodonit, Shufadasë, Shëngjinit e Shkodrës në drejtim të Gadishullit të Ballkanit (Hemit), e më pas drejt Azisë dhe anasjelltas nëpërmjet të cilave bëhej shkëmbimi i mallrave e përvojës njerëzore.
Aksi i parë nisej nga Durrësi, kalonte në Zgërdhesh e Krujë, në Qafën e Shtamës. Këtu, aksi ndahej në dy degë. Dega e parë, dega kryesore, shkonte në Komsi e luginën e Matit, dilte në Suç, Lusë – Kamtrosë, Lis e Stelush, pastaj vijonte në Shtegun e Pelave, në Përroin e Shalcës, vendi ku kapeshin kuajt e shaloheshin për rrugë, për të kaluar në Drin. Këtu rruga ndahej në dy degë. Njëra shkonte drejt Dibrës, ndërsa tjetra drejt Prizrenit. Një degë tjetër e aksit Durrës – Stelush shkonte nga Qafa e Shtamës në Kalanë e Ketës, në Kalanë e qytezën e Xibrit ku bashkohej me aksin tjetër që sot njhet me emrin Rruga e Arbërit, e cila shkonte drejt Dibrës.
Aksi i dytë vinte nga Shkodra, Shëngjini e Shufadaja, hynin në grykën e lumit të Matit, kalonte nëpër malsitë e Dërvenit, në Kulmë, në luginën e Urakës nëpër Zhabul ose Rremull, vendi i një tule të lashtë, e për të mbërritur në Derjan, Macukull, dhe duke përfunduar në Stelush.
Aksi tretë nisej nga Durrësi dhe shkonte në Petrula – Petrela, Pershqopi, Shkallë Tujani e Qafë – Murrizë, pastaj në Klos. Këtu aksi ndahej në dy degë. Dega e parë, ajo kryesore, mbasi kalonte nëpër qytezën e lashtë të Klosit, vijonte në Qafë të Bullit, Bulqizë, Peladhaje, Vajkal, Grazhdan e vijonte drejt Ohrit e më tej. Dega tjetër nisej nga Pazari i Urës – Klos, kalonte në qytezën e Cerrujës, te guri i Mushkës, lisi i Tolës – Tules, një tjetër tulë ose stacion i lashtë, në Lusë, Vinjall, Istulush, ku bashkohesh me aksin e parë.
Nga kjo rrafshnaltë e malet përrreth, zë fillesën e saj Lusa, përroi i lutjeve të banorëve vendas, por edhe karvanëve, ku do luteshin për mbarësinë e rrugës, më shpresën që do të fitonin, e do të vijonin rrugën e gjatë e të mundimshme me sukses. Është njëra nga qafat më strategjike të Matit e Dibrës, pikërisht në kufi të tyre, njëra nga dy qafat e mundëshme, nga ku mund të lidheshin me fqinjët, por edhe mund të deportonte pushtuesi për në Mat, e më tej drejt bregdetit ose anasjelltas.
Kalaja dhe qyteza u ndërtua në këtë rrafshnaltë, në pjesën më lindore të Matit, në krahun jug – lindor të Malit të Dejës, sipër vendit të quajtur Shkalla e Deshëve, pak e mënjanuar nga qafa, më qëllim që të ruante fshehtësinë e të mos binte në sy të kundërshtarit.
Kalaja u ndërtua e mbështetur në majë të Malit të Kuratës, që më vonë do të merrte emrin Kepi i Skënderbeut. Qyteza e ngritun në tarracat poshtë kalasë, trembëdhjetë shekuj më vonë do të fillojë të thirrej me emrin Varosh, emër i cili duhet që ti ketë mbetur pas kohës së dyndjeve sllave, sepse kështu emërtoheshin qytezat e kalave në gjuhën sllave.
Para se të flasim për ndërtimin, për kohën, teknikën e ndërtimit të kalasë dhe jetën e saj, le të shohim se çfarë na sjellin toponimet për vendin ku u ngrit kalaja, që bëri e la një histori të gjithëlavdishme, duke u rrekur t’i rreshtojmë toponimet sipas lashtësisë së tyre :
Deja – Dea, është emri i një nënë të madhe të kohës së matriarkatit, ku për disa mijeravjeçarë do ti faleshin asaj në rrugën e tyre të jetës, dhe emrin e saj do ta sillte në ditët tona Mali i Dejës, në këmbë të të cilit gjendet Stelushi.
Deja e Vogël, toponim që e gjejmë në rrethinat e Stelushit. Sot nuk e dimë se kush e mbante këtë emër, mendoj se është emri më i parë i kalasë së kësaj qyteze.
Era, perëndeshë pellazgjike e erës. E ruan këtë emër Mali i Erës, ose Mali i Frankthit, që eshtë përballë malit të Dejës.
Ra, emri i një perëndie pellazge, të cilin e ruan masivi pyjor i Pratit në verilindje të qytezës, ashtu siç e ruajnë edhe disa vende përrreth tij si Radik, lumë dhe qafë mali, Radomira, fushë në këmbë të malit të Korabit, Radostusha, etj.
Torro, hyjni e pellazgëve, e gjejmë si toponim në këmbë të malit të Dejës, në Shatorre të Urakës.
Vanas, toponim i zonës përrreth Kalasë së Stelushit, emër i lashtë me origjinë pellazgjike. Vani, duhet të ketë qenë një nga Mbretërit e Pellazgëve, ose i pari i pellazgëve në këto treva. Këtë emër e gjejmë edhe në rrënjën e fjalës Revan, Mbreti Van, në gjuhën shqipe mund të lexohet dhe mbreti më rreze, u bëfsh me rreze thonin të hershmit kur donin të uronin një të ri.Vani, Perëndi e shpirtrava për pellazgët.
Istulush është njëri nga emrat e lashtë me të cilët njihet Stelushi. Emri thotë se ky vend ka qenë një Tulë e lashtë që në vitet 4000- 3000 para Krishtit.
Shtegu i Pelave, rrugë e lashtë karvanesh, që vinin që nga Dërveni e Kulmja, toponim që na jep të njëjtin kuptim e pasqyrë të atyre kohërave, rrugë e rrugë pa fund, si mjet zhvillimi e mbijetese.
Përroi i Shalcës, aty kapeshin e shaloheshin kuajt, për të kaluar nëpër Suhadoll, në vendet e thata, aty kalonin në hershmëri karvanet, në mijëvjeçarët e parë para Krishtit.
Mali i Runjës, një toponim i gjuhës pellazge ose shqipe. Emri i perëndisë Runja që ruante kalimtarët gjatë misioneve që kishin në kohën e karvanëve të periudhës prehistorike.
Përroi i Lusës, vend i lutjeve për mbarësi. Sillni në vëmendje emrin Lusë, të cilin e mbajnë disa përrenj në Mat. Të parët tonë, pellazgët, bashkërrugtuan me besimin pagan e me ritet e tyre natyrore ose me fenë druide, kështu do të quhej në fillim. Toka, uji e dielli, ishte fillimisht Trinija hyjnore e pellazgëvë. Pra Lusa dhe Tula e Vanasit nuk u harruan, se emëri i tyre u përjetësua më qytezën dhe kalanë e Stelushit, vendin e lutjeve, të tulave, të bardhësisë e shpresës.
Këto janë qasjet që na japin mundësinë që të gjykojmë se emri i kalasë e qytezës së Stelushit, qytezës, kalas dhe Përroit të Lusës, sollën emrin e qytezës së parë të Matit, një nga qytetet e lashta të paraardhësve tanë. Istulushi, erdhi më vonë me emrat Staliz, Skalus, Stulus - Stellush. Kthimi në formën e fundit është një fenomen i arbërishtes në fillimet e mesjetës, për të forcuar L, e lutjeve ne Ll- në e fortë e sa për të ruajtur hershmërinë dhe historinë e gjuhës pellazgjike.
Farkat, si toponim duhet ta vlerësojmë në origjinën e tij e jo nga fundi i jetës se tyre. Janë farkat e Pirustëve, të cilët njiheshin në të gjithë Evropën si shkrirës e punues të metalit, me ta prodhonin vegla e armë deri te mazdreku apo topuzi, që i dhanë emrin Mazdrenit ose Manazdrekut.
Vig, Vigj e Vic. Në të tre rastet bëhet fjalë për Vigun, fshat i qytezës së Stelushit. Eshtë e njohur ekzistenca e qendrave të quajtura Vicë, në kohën e Pirustëve Ilirë.
Pazari ose Ba-zar, eshtë një fjalë e lashtë pellazgjishte, të atyre që shpikën monedhën e parë, tregtinë e shkëmbimit mall – para. Pazari i Stelushit ka lulëzuar që nga shek. i IV-të para Krishtit, ka rilulëzuar në kohën kur Stelushi u bë seli e të parëve të Kastriotëve, kur qyteza ishte qendra Principatës se Katriotëve, dhe mori famë në kohën e Shtetit Feudal Shqiptar të Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Qytezë ose Gjytezë, emër i periudhës të antikitetit. Duke qenë kaq i përdorshëm, ky emër na thotë se qyteza ishte e njohur dhe e rëndësishme për këto banorë edhe në kohën romake.
Gjejmë githashtu një grup të dytë toponimesh e emërtimesh si: Kisha e Shën Mërisë, Varosh, Bodin, Shen, Shpella e Amanetëve, Siroda, Peshkopatë e tjerë, toponime këto që flasin për një jetë aktive të zonës në shekujt e parë të mijëvjëçarit të parë pas Krishtit.
Në këto kala e qyteza, fortesa e rrethinat e tyre, edhe pse historia nuk foli në të mirë të tyre, pasi ato jo njëherë u rrafshuan nga pushtuesit e barbarët, gjejmë toponime që lidhen me prehistorinë. Nga koha e karvaneve prehistorike, kohë e cila ngërthen një përiudhe që shkon deri në katër mijë vjet para Krishtit, gjejmë kode e fjalë të lashta që lidhen me emrin e pellazgëve « para hënorë » – bujqërve të parë të Europës, me kohën e Matriarkatit e Patriarkatit, me kohën e Albanëve të lashtë, me kohën e konsolidimit të etnosit arbër, fjalë të cilat i theksova me lart, ashtu siç gjejmë gjurmë të cilat lidhen me fillimet e shek. XV-të si : Bajtafi i Kastriotëve, Farka, Xiret ose Zyret, Kepi i Skënderbeut, e dhjetra legjenda kushtuar heroit tonë kombëtar, luftës dhë heroizmit popullor kundër pushtuesit osman.
Ndeshim, përrreth saj, të dhëna e toponime që bëjnë fjalë për emrat e dyerve të mëdha feudale të zonave të arbërit si Gjonemet, me të parin e tyre Gjonin e drejtë ose Gjonin qe jepte drejtësi, se fjala Nem sjell emrin e Hyut të drejtësisë, nga kjo derë mendoj së ka rrjedhë shtëpia famëmadhe e Kastriotëve. Gjejme edhe emrat e shtëpive feudale të Balshajve, Skurajve e Spanve Krisilëve – Kyprilive e Gjikajve, Blinishtëve, Kurtikëve – Verlacve etj.
Si qytezë e parë e Matit, në etapa të ndryshme, zona ka qenë e mbipopulluar herët. Këtë e theksojnë edhe emërtimet, toponimet, legjendat, tregimet popullore, rapsoditë dhe fjalët e urta për kryeheroin e shqiptarëve dhe luftën për lirinë e kombit shqiptar, Gjergj Kastriotin.
Për të kuptuar e vlerësuar madhështinë e këtij thesari të toponomistikës stelushjane, le të rikujtojmë shprehjen që ruhet edhe sot në mëmorjen e popullit të Matit, Dibrës, Mirditës e Kurbinit : Stelushi, qyteza e parë në Mat, për të cilët flisnin me të njëjtin pasion siç flisnin, që në krye të herës, kur zinin të kuvendonin për historinë e mëmëdheut, e zinin fillin me Lekën e Madh, vijonin më Pirron e Epirit, Bardhylin, Teutën e Gentin, më Konstandinin e Madh, me Gjergj Kastriotin e për të ardhur deri në ngjarjet e mëvonshme.
Përkufizimi i popullit për këtë qytezë do të dalë më në pah, vetëm kur shkrimi i jetës së saj, të rrokë gjithë historinë Stelushjane. Histori e cila ngërthen e flet për prehistorinë, për antikitetin, periudhën e fillimit të kohës së re, për krijimin e etnosit arbër, për Shtetin e Arbërit, për Peshkopatat e Lisit e Arbërit, për dyert feudale të Matit, për shtetin e Kastriotëve e luftën legjendare të popullit shqiptar kundër hordhive të ushtrisë pushtuese osmane.
Kalaja është ndërtuar në majë të Malit të Kuratës, maja shkëmbore e të cilit është pjesë e saj. Lartësia e vendndërtimit të kalasë është 1225 m mbi nivelin e detit. Për ndërtimin e saj, është shfrytëzuar një rrafshinë që shtrihet në faqen shkëmbore e cila ndodhet në anën jugore të majës së malit. Ky rrafsh ose sheshi ku është ndërtuar kalaja, nga ana perëndimore, lidhet me një shesh që populli vendas e quan Varosh, sheshi ku është ndërtuar qyteza e kalasë. Poshtë këtij sheshi shtrihen taraca, të cilat zbresin butë në luginën e pllajën piktoreske të Vansit. Të gjithë anët e tjëra të sheshit të truallit të kalasë rrethohen nga masivë shkëmbinjsh, të cilët biejn thikë mbi Përroin e Shalcës. Në këtë shesh ose truall mund të ngjitesh vetëm nga ana perëndimore. Në këtë anë ka qenë ndërtuar muri rrethues i kalasë.
Në studimin që i ka bërë kalasë prof. Skënder Anamali, ka vërejtur se : « muri ishte shembur më kohë nga themeli. Gjatësia e tij ka qenë 120 m dhe dilte nga faqja shkëmbore e kepit, duke përfunduar në shkëmbin tjetër që ndodhej në anën jugore. Në anën veriore gjendej porta e kalasë, e cila mbrohej nga një kullë e rrumbullakët e ngritur në faqen e brendëshme të murit. Muri i kalasë rrethonte një hapsirë të vogël. Gjatësia e sheshit është 100 m. Në rrëzë të shkëmbit, në një kohë të dytë, ka qenë ndërtuar një mur tjetër. Pjesa më e lartë dhe më e fortë e kalasë ishte maja shkëmbore, që ngrihej nga veriu, për mbrojtjen e të cilës nuk kishte nevojë për mure rrethuese. Në këto kushte kalaja ishte thuajse e pamarrshme nga kundërshtari ».
Kalaja e Istulushit është ndërtuar rreth shekullit V-të para Krishtit. Gjetjet arkeologjike kanë provuar se jeta në këte kala e qytezën e saj, ka filluar pikërisht në këte kohë. Ndërsa për pozicionin strategjik ku është ngritur, studiuesi i saj ka konkluduar, se këto vende, lugina poshtë, janë rrahur nga karvanët shekuj e shekuj më parë.
Në mesjetë, thekson arkeologu Skënder Anamali, kjo rrugë dhe vetë Kalaja e Stelushit, kështu quhej në këte kohë, mori një rëndësi të madhe. Është koha kur dyert e mëdha u forcuan shumë dhe bënë që të rritej pesha ekonomikë e politike e qytezës dhe kalasë. Në këto dyer shquhet, ka gjasa që në fillesë të shekujve të parë të erës sonë, Dera e Gjonemëve, derë e cila rreth shekullit të XIII-të ndahet në dy degë Kastriotët dhe Gjonemët.
Për ti shërbyer këtij zhvillimi, kalaja është riforcuar më murin e dytë, që ishte në të mirë të forcimit të pushtetit ekonomik e politik të derës së Kastriotëve të ardhshëm, veçanërisht pas rënies së Përandorisë Bizantine, pas krijimit të Principatës së Kastriotëve e zgjerimit të territoreve të tyre, përgatitjen për të luftuar për mbrojtjen e lirisë nga synimet osmane për të marrë Ballkanin e madje për të synuar pushtimin e Evropës.
Është kjo, një nga arsyet, që Gjonemët – Degën e Kastriotëve i gjejmë në qendër të udhëheqjes së Shtetit të Arbërit, këtë na e bën me dije traktati që u nënshkrua midis Shtetit të Arbërit dhe Rrraguzës në vitin l222, traktat të cilin, perveç Arhondit të Madh të Arbërit, Dhimitrit, marrveshja u nenshkrua nga l5 bujarët e princër të arbërit. I dyti që firmos këtë është princi Jonema, i cili sipas profesor Dhimitër Shuteriqit, një përsonalitet i njohur si studiues i historisë shqiptare të periudhës së Arbërit mësjetar, theksonte se: « Princi Jonema është i derës së Jonemëve, zotrimët e të cilëve shtriheshin nga Mati e gjër në shpinë të Durrësit, duke patur në zotrim dhe portin e Shufadasë ». Nëse shkojmë në rrjedhën e ardhëshme të historisë së parë e të ardhëshme, atëhere nuk është e vështirë të shohësh, se trojet e mesipërme janë trojet e Kastriotëve.
Historia e lashtë shqiptare e njeh mjaft saktë faktin se para e veçanërisht, në fillimet e mijëvjeçarit të parë të erës sonë, qytetet në thellësi të territorit të Ilirisë, kishin një qendër në bregdet, e cila u shërbente për të bërë tregti me jashtë, e në një rast të tillë Lisusi (Lezha) hershëm më skelën e tij të Shëngjinit, duhet t’i ketë shërbyer për shumë kohë Stelushit.
Në të njëjtën kohë, lidhja që në prehistori e trevave të Matit, Mirditës, Kurbinit me Lezhën duket edhe sot nga ndeshja e gegnishtesh, emrave të hyjve, gjetja e dokëve dhe veshjeve të lashta pellazge – albano – ilire sikundër themi se dhe përcaktimin e kufijve me anë të masës së tyre Hijen e Lisit të Tokës, masë e cila çdo komuniteti të kësaj kohë i jepte pjesën malore, kodrinore, fushat e bregdetin lidhet më këtë bashkësi gjeneze. Prandaj dhe kufijt e komuniteteve ilire i gjejmë zakonisht midis dy lumejve, nga burimi, e gjërë në derdhje të tyre. Kështu ka ndodhur dhe me Pirustët. Albanët dhe pasardhësit e tyre Arbërit, është kjo arsyeja, që na bëjnë të themi se Kalaja dhe Qyteza e Stelushit, duhet të kenë qenë të bashkëadministruara që në lashtësi, se Lisusi e porti i tij i lashtë ishin dera që e lidhte kalanë me vendet latine.
Vetë emri i lashtë i Lezhës – Lisus duhet të lidhet me emrin Stalis ose Skaliz, një praktikë kjo e njohur e Ilirve në përiudhen para dhe pas romake, historitë e qytezave albano – ilire nuk duhet të merren e shkëputen nga njera tjetra, sikundër vihet jo rrallë në ditet tona. Këtë e konstatojmë dhe në kronikat raguziane të kësaj kohe kur thonin se « megjithëse qytetin e Durrësit e kanë në zotërim princërit e Terentit, atje mbizotëron popullsia arbëreshe », që do të thotë se nëse si në këtë qytet ashtu dhe në shpinë të Durrësit, kemi një komunitet të konsoliduar arbëreshësh, të cilët janë të lidhur, janë të njejtë, madje në historinë e shqiptarve të kësaj kohe e të këtyre anëve, vëmë re se qytezat malore kanë patur më shumë peshë në problemet e mëdha të vendit edhe në qytezat bregdetare.
Duke parë e vlerësuar në këtë këndvështrim historinë e Stelushit, do të arrinim në konkluzionin se kjo qytezë, së bashku me qytezat e zonës së Dibrës, Xibrit, Petralbës, Klosit, Cerrujës, Komsisë, Bruçit, Krujës, Tiranës, Petrelës, Gziqit, Lezhës, të ndihmuara nga elita qytetare e qyteteve të mëdha si Durrësi, Shkodra, Elbasani, kanë luajtur rol parësor dhe me vlera shumatore në krijimin e etnosit arbër, në krijimin e Shtetit të Arbërit e veprimtarinë e tij.
Në fundin e shekullit të XIV - të, me shpërbërjen e Shtetit të Arbërit dhe krijimin e Principatave Shqiptare, Kalanë dhe Qytezën e Stelushit e shohim të jetë qendra e Principatës të Kastriotëve, zotrimet e të cilëve në këtë kohë, shtrihen pjesërisht në Dibër, përfshinin afërsisht gjithë Kryematen, pjesën lindore të Luginës së Matit, tokat midis lumit Erzen dhe Ishëm, dhe sipas Profesor Thoma Murzakut përfshinin dhe Lezhën, Mirditën, Kukësin e shkonin deri në Prizren e Rekë.
Qyteza dhe kalaja e Stelushit duke qenë seli e Kastriotëve e qendër e principatës së tyre bëhet një qendër urbane e rëndësishme në Arbëri, me pazare, administratë, me punishte dhe me farka. Në qytezë kishte mjaft ndërtesa ku rrinin bujarët, klerikët, mjeshtrit e tjerë. Aty zhvillohej një jetë intensive ekonomike – politike e tregtare, qytet i cili përligjte pozicionin e tij strategjik, po dhe qenien e e tij si qendër ku kishte selinë e saj Principata e Kastriotëve.
Duke e patur qendrën e Principatës në Stelush, Gjon Kastrioti, i cili njihet edhe si princi i Matit, territori i cili nuk duhet kuptuar me Matin e sotëm, por me disa përjashtime njihet si hapsirë e tokës princërore, ku shtrihet midis lumejve Drin dhe Mat, përfshi dhe një pjesë të Dardanisë. Këtë na e sqaron dhe vetë Gjon Kastrioti, kur në vitin l407 thoshte se : « Peshkopata e Arbërit është 800 vjeçe në pronat e mija ». Këtu bëhet fjalë për Peshkopatat e Lisit të shek. VI-të, dhe pasueses së saj Peshkopatës së Arbërit të shek. X-të. Ja pse unë kam shkruar se veprimtaria e këtyre Peshkopatave ka përfshirë zonën Stelush – Lisus – Krujë, dhe Lezhën apo Krujën siç shkruhet gjer më sot.
Ky deklarim i princit të Arbërit nuk është vlerësuar nga historianët shqiptarë. Do të theksoja se pesha e kësaj deklarate na bën të njohim një vlerë tjetër të qytezës së Stelushit mesjetar, faktin se kjo qytezë për shumë shekuj ka qenë qendër e Peshkopatës së Lisit që ishte krijuar në shekullin e VI-të. Ky fakt e bën Stelushin edhe një qendër me rëndësi, ku shihen dhe vlerat e veprimtarisë së klerikave në dobi të çështjes së etnosit arbër.
Sipas një raporti raguzian të viteve tridhjetë të shekullit XV-të, me dështimin e Kryengritjes së Gjon Kastriotit, princit të Principatës së Kastriotëve, pushtuesi turk, pasi arriti të pushtojë thuajse gjithë vendin, shkatërroi një varg kështjellash, ndërsa disa të tjera i la në këmbë për nevojat e veta. Midis keshtjellave që nuk u shkatërruan ishte dhe Stelushi.
Në Qytezën dhe Kalanë e Stelushit, fillimisht rreth vitit l430 u vendos një garnizon i ushtrisë turke, garnizon të cilin e gjeti Gjergj Kastrioti kur e rimori Stelushin, në fillim të dhjetorit të vitit l443, vetëm pak ditë pas çlirimit të Krujës.
Me çlirimin e qytezës dhe kalasë së Stelushit, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu rimerr selinë e të parëve të tij, duke siguruar qafën e dytë të Matit, nga depërtimet e pritshme të ushtrisë turke, pasi Qafën e Bullit e kishte siguruar më parë, më marrjen e kalave të Sfetigradit dhe Petralbës. Për të përshpejtuar organizimin e mbrojtjes në kalanë e Stelushit, la aty si Komandant të saj, nipin e tij Hamza Kastriotin.
Sipas Marin Barletit, Gjergj Katrioti, pas Kuvendit të Lezhës e përforcoi Stelushin me roje kapidane dhe me ushqime. Kjo është e besueshme se diktohej nga strategjia e taktika që vendosi të përdorë Kastrioti kundër ekspeditave të ardhshme turke, sipas të cilës, luftën më armikun, do ta organizonte në kufijtë e Shtetit të tij dhe në kështjella duke e asgjesuar atë pjesë – pjesë.
Organizimi i mirë i mbrojtjes së Stelushit, edhe më anë të banorëvë vendas që vërtetohet edhe nga fakti se asnjë ekspeditë e pushtuesit nuk hyri në Mat nga kjo qafë.
F.S. Noli, në veprën e tij « Historia a Skenderbeut », shkruan se : « Turqit u përpoqën ta merrnin kalanë e Stelushit me tradhëti. Kjo ka gjasa të ketë ndodhur, para ose në prag të vitit 1457…Duket para betejës së Albulenës, 200 ushtarë turq të veshur si të krishterë e fshatarë, tentuan të hynin në keshtjellë, por u diktuan dhe u asgjësuan ».
Është e njohur gjithashtu fakti se ushtria turke me rreth 70.000 forca nën komandën e Hamza Kastriotit, që tashmë ishte bashkuar me armikun, mori rrugën për në Krujë duke hyrë nga Mati. Është ekspedita që u asgjesua në Albulenë. Hamzaj e njihte mirë mbrojtjen e ish-kalasë së tij, duke mbajtur larg Varoshit kollonën kryësore të ushtrisë, ka zëra së ai tentoi ti afrohesh, por u prit me pëdredhorë dhe ai i shmanget përballjes me mbrojtësit e luftëtarët që mbronin kalanë nga jashtë.
Sipas legjendave të banorëve vendas : katër vjet ka luftuar me turqit Skënderbeu në Stelush. Legjenda të cilat më pas fillojnë ta paraqesin Skënderbeun më shumë si një njeri mitik, sesa si një udhëheqës i shkelqyer i luftës popullore siç ishte në të vertetë ky titan i kohës.
Kalaja e Stelushit, ashtu si edhe të gjitha kalave arbërore të Matit, u bë për shtetin e Kastriotit një mburojë e vërtetë, e lavdia e saj do të zinte vend në kujtesën popullore.
Kalaja e Stelushit jep shembullin më të mirë të shpirtit të luftëtarëve të arbërit, të dheut të Kastriotit, të vlerave të artit ushtarak popullor, strategjisë e taktikës që përdori Gjergj Kastrioti e kapedanët e tij, për mposhtjen e ushtrisë turke për 25 vjet me radhë. Kështjella e Stelushit ka gjasa të ketë rënë në dorë të turqve rreth vitit l467. Për marrjen e saj thuhet se është përdorur taktika e izolimit të gjatë.
Për të sjellë në kujtesë pronsinë e Kastriotëve, që nga shekulli i pestë, mbi këtë qytezë, duhet njohur dhe një fakt me shumë vlera e mjaft domethënës, faktin që Gjergj Kastrioti i Ri, stërnipi i heroit tonë kombëtar, sapo shkeli në truall të Arbërit, me shpresë të riniste kryengritjen popullore kundër pushtuesit osman, vizitoj trojet e të parëve të tij, kryeqendrën më të hershme, Stelushin, i shoqëruar nga pinjollë të Spanve të Dishtit, kjo edhe sepse Spanët ishin me origjinë nga një zonë e këtij pellgu e jo larg Stelushit.
Në Defterin Kadastral Osman të marsit të vitit l467, për Kalanë e Stelushit dhe qytezën e saj jepen këto të dhëna për kryefamiljarët e banorëve të saj :
- Se këtë kala me qytezën e saj, pushtuesi i ri turk ja ka dhurue shqiptarit Hazeri ;
- Se qyteza e kalasë është regjistruar me emrin Varosh ;
- Se në kohën e regjistrimit, në këtë kala – qytezë banojnë këta qytetarë : Mihal Kiraka, Tanush Sirodi, Petër Balazhi, Gjon Bukloni, Gjergj Kirana, Kali Kabili, Bek Rondaqi, Dimitri Dorankryqi, Kola Miza, Shtjefën Sirodi, Tanush Dharta, Mitri Sporta, Gjergj Kaluri, Gjergj Refkonili, Andrija Kushvlati, Progon Azhasi, Gjergj Budini, Nikola Kaqinari, Master Lazari, Kola Vashkuqi, Gjergj Kapuçi, Domenik Luzi, Kola Thana, Gjon Sundia, Dom Shtjefni, Gjergj Sundia, Gjergj Kajsengji, Kola Vugu. Banorët janë të falur nga taksat sëpse ruajnë kështjellën.
Siç shihet në Varosh banonin dy prijës vendas, Gjon e Gjergj Sundia. Këtu gjejmë fiset Bodini – tani në Suç, Balashi – tani në Gurrë, Vladi – tani në Lurë (Dibër), Rada e Kaqinari në Mirditë, Kukës e Dibër. Miza – tani në Bushkash e Brijë-Hot, Qurana – tani në Dërjan, Kola tani e gjejmë në Macukull, Kurdari, Gurrë, Patin, Bërshi e Fullqet, e në shumë krahina të tjera. Gjejmë emrat e fshatrave Kabali – Mirditë, Luzi – fshat në Kurbin dhe në Kavajë dhe emrin e katundit Vig – Mat. Vetë fakti që në këtë kala shërbenin luftëtarë nga Mati, Dibra, Kurbini, Mirdita Lura e Durrësi etj, dhe po t’i shtojmë këtyre emrave dhe mbiemrave të tjerë emra kryefamiljarësh që i gjejmë në fshatrat përrreth Stelushit, e që na jep po ky defter si Tirana, Bushati, Gramshi, Lushnja, flet më shumë se gjithçka tjetër për vlerat historike e strategjike, por dhe simbolike e Stelushit. Në këtë defter gjejmë emrin e vetë Kalasë së Stelushit, të cilin do ta përshkruante me hollësi pak vite më vonë humanisti dhe biografi i shquar, Marin Barleti, por dhe të tjerë. Shohim emrin e qytezës, Varoshin, një emër i kohës së pushtimeve sllave të shek. VII-të. Shohim luftëtarë me emrin Progon, emër që trashgohet nga emri i Mbretit të Arbërit, po dhe mbiemra si Sirodi, që do të thotë se janë të zgjedhur luftëtarët e kalasë, dhe mbi të gjitha emrat e defterit të kësaj flete flasin vetëm shqip.
Nga shekulli i V-të pas Krishtit e shohim Stelushin të jetë në qendër të luftës për krijimin e etnosit Arbër. Që në këtë kohë ose më parë është seli e derës të të parëve të Kastriotëve, për të cilët mendoj së kanë qenë Gjonemët, nga dolën, Krisilët e më pas Kastriotët.
Në shekullin XI-XII-të, elita qytetare e Stelushit jep një ndihmë të veçantë në krijimin e drejtimin e Shtetit të Arbërit.
Në shekullin e XIII bëhet qendër e Principatës Feudale të Kastriotëve.
Në shekullin e XV-të vlerësohet si një nga kalatë më strategjike të Shtetit Feudal Shqiptar.
Stelushi, pushtohet nga pushtuesi turk, por nuk vendos garnizon, por me politikën e tij izoluese e bllokuese, gradualisht e shkatërron kalanë dhe e shpopullon qytezën, të cilën do ta gjejmë të shënuar nga shek XV-XVII-të në disa harta të Shqiperisë së Epërmë nga autorët Gastaldi v. 1560, të Camocio v. 1571, dhe për të fundit herë nga Coronelli v.1691, dhe më pas nuk e ndeshim më si qytet.
Sikundër shkruan prof. Skënder Anamali, i cili i referohet një dorshkrimi të një autori venedikas, në vitin 1481, Gjon Kastrioti, i biri i Gjergj Kastriot – Skënderbeut, pasi zbriti në Lezhë, e rimerr Stelushin, por e lë përseri, siç duket me rënien e Shkodrës.
Lidhur më emrin e kalasë dhe qytezës së Stelushit do të shënoja :
Në dekumentat Osmane të shek. XV-të jepet në formën : Istulush, po dhe Stuluz, Skaliz, Skalu. Marin Barleti e sjell emrin e kalasë Stelush. Banorët vendas e emërtojnë qytezën Varosh, ndërsa kalanë « Kalaja e Skënderbeut », më shumë e përdorin « Qyteza e parë e Matit ». Profesor Skënder Anamali, arkeologu që studioj kalanë e lashtë, ka shprehur mendimin së kalaja e qyteza mundet të jenë quajtur Stefanajka, emër më të cilën për disa kohë, në periudhën bizantinr e shohim së emërtohet lugina e Matit.
Mendoj se fillimisht vendi ku është ngritur qyteza duhet të jetë quajtur Tula e Luzës, që vjen nga fakti se ishte stacion karvanesh afër Përroit të Luzës ose Lutjeve.
Duke u mbështetur në një toponim që ndodhet poshtë Malit të Dejës – Dea e vogël – mendoj se fillimisht banorët pirustë kalanë e kanë quajtur kalanë e tyre Dea e Vogël.
Me përhapjen e Krishtërimit, mund të ketë marrë emrin e ndonjë shejti, të cilën mundet ta ketë patur dhe kisha e kalasë. Në këtë rast, në qoftë se kisha e kalasë është quajtur kisha e Shën Stefanit, atëherë dhe qyteza duhet të jetë thirrur Stefanajka, emër që më vonë i kaloj krahinës. Version të cilin e ka përkrahur Profesor Anamali, por kjo kërkon që të gjurmohet emri i mundshëm i kishës.
Nga shek. VII-të, para se qyteza filloi të emërtohej Varosh ose qytet pa emër, emri i saj duhet të ketë qenë Istulush ose Staliz, emër i marrë nga funksioni i parë si vend tulash e lutjesh, por emri i lashtë është harruar nga vendasit dhe ata mbajnë mend, vetëm se ka qenë qytet ose varosh. Fakti se në shek. XX – të ka studiues që vijojnë ti thonë Varosh është veçse mosdije dhe mosnjohje.
Mendimet e shprehura se emri i Kalasë lidhet me emrin e fshatit të Lisit, nuk kanë as argumenta gjeografike, as historike dhe as gjuhësore.
Përderisa të gjenden dokumenta të tjera, deri tani emri më i mundshëm dhe i parë i qytezës është Istulus. Nga ka ardhur Stelush ? - Ka ardhur se ajo ka qenë një Tulë – stacion karvanesh. Ndërsa kalaja fillimisht duhet të jetë quajtur Dea e vogël, emër i cili është harruar. Toponimi ruhet në Malin e Dejës, dhe jo rrallë në shekullin e XX – të thuhej Kalaja e Masdejës. Varoshi ose Kalaja te Guri i Vashës – emërtim popullor, i cili i afrohet shumë mendimit tim, për emërtimin Dea e Vogël.
Për historinë që na ka lënë kjo trevë, për madhështinë e bukurinë saj, populli i Matit i ka borxh kësaj qyteze të lashtë dhe historisë së saj, që t’i kthejë asaj atë ç’ka i është rrëmbyer dhunshëm nga pushtuesi, por dhe nga varfëria që sundoi për shumë e shumë shekuj, në këto male, sa krenare e të begata, duke e kthyer Dea – në në një qendër të begatë historike e turistike.
Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania