Përurim libri i autorit matjan, Esat Ruka


Esat Ruka (Artist krijues dhe Mjeshtër i Madh)
Esat Ruka (Artist krijues dhe Mjeshtër i Madh)

Nga Klubi Letrar “Pjetër Budi”, Burrel – 25 tetor 2023

 

Më datë 25 tetor 2023, në muajin e letërsisë, Klubi Letrar "Pjetër Budi", në bashkëpunim me Bibliotekën e Bashkisë Mat, organizoi promovimin e librit “Dukuri, fenomene kulturore, profile krijuese”, i autorit Esat Ruka, “Mjeshtër i Madh”. Morën pjesë anëtarë të Klubit Letrar “Pjetër Budi”, drejtues dhe ish-drejtues të Qeverisjes Vendore, të Zyrës Vendore Arsimore, mësues e veprimtarë të kulturës, simpatizantë e dashamirës të librit, shokë e miq të autorit, gazetarë etj. Është libri i 691-të në regjistrin elektronik të deritanishëm të Klubit Letrar, me vepra të gjinive në prozë, poezi, dramë dhe studime historike, të 171 autorëve matjanë.

 

Para të pranishmëve kryetari i Klubit Letrar “Pjetër Budi”, poeti Hamdi Hysuka, shpalosi CV e pasur artistike e krijuese të intelektualit matjan, studiues dhe kantautor, ku ndër të tjera theksoi se “Esat Ruka ka një jetë artistike më shumë se gjysëm shekullore. Është pjesmarrës i Festivaleve Folklorike Kombëtare të Gjirokastrës 1978, 1983, 1988, 2009. Ka dhënë koncerte shumë të arrira në Rumani, Maqedoni, Zvicër, Suedi, Itali, Diasporë etj. Mbresa veçanërisht të rralla ruan për kohën kur ka kënduar në Kosovë, pasi një pjesë e madhe e krijimtarisë së tij i kushtohet Kosovës dhe figurave të saj historike. Ato janë vazhdim i linjës së tij, krijues dhe interpretues i vlerave artistike origjinale, ku trajtohet tema e qëndresës dhe e heronjve të kombit. Këngët që interpreton janë të karakterit lirik dhe epik. Dominojnë intonacionet e folklorit të Matit dhe në tërësi të Veriut. Esat Ruka dallohet për origjinalitet të thellë krijues, në mbështetjen e traditës krijuese të popullit, në trajtimin e temave historike, por dhe epike e legjendare në tërësi. Në disa nga krijimet dhe interpretimet e tij ndeshim gërshetim të elegjisë me heroiken, të lirikës me tinguj të gëzuar, të pasuruar më tej prej tij. Edhe pse jeton në Tiranë, vendlidjen dhe këngën popullore matjane nuk i harron”.

 

Më pas u referua fjala e redaktorit të librit, prof. dr. Gjovalin Shkurtaj. Sipas akademikut, libri "Dukuri, fenomene kulturore, profile krijuese" i Esat Rukës, me prurje të gjerë për artin dhe kulturën, gërsheton natyrshëm objektivitetin e parashtrimit nëpërmjet analizave dhe vlerësimeve për ngjarje e figura të mëdha të kulturës shqiptare. Në këtë libër gjejmë përmbledhje artikujsh, kumtesa dhe vlerësime për veprimari e personalitete të kulturës popullore shqiptare. Gjithashtu libri dëshmon punën vullnetmirë e të mbështetur në synime të mbara, i nxitur nga frymëzimi e dashuria për artin dhe njerëzit që japin ndihmesa të pakursyeshme, si dhe me gjakimin e lakmueshëm për të mirën e njohjes dhe pohimit të vlerave të kulturës kombëtare, të këngës dhe të artit popullor shqiptar. Në libër jepen shtjellime e paraqitje për disa prej emrave të mirënjohur: rapsodët Pjetër Matusha, Dervish Shaqja, Demush Neziri, Ndue Shtyi "Nderi i Kombit”, Mark Gjoka “Mjeshtër i Madh”, Naim Plaku “Qytetar Nderi” i Peshkopisë, Viktor Paloka “Mjeshtër i Madh”, Frrok Haxhia “Artist i Merituar”, “Qytetar Nderi” i Pukës; piktori Agim Dervishi; Gjon Frroku “Mjeshër i Madh”, Nderi i Qytetit të Lezhës dhe i Klinës, Kosovë. Në atë frymë e tematikë hyn dhe letra drejtuar “Artistit të Merituar”, Ymer Neli, ”Mjeshtër i Madh”.

 

Hamdi Hysuka (kryetar i Klubit Letrar “Pjetër Budi” dhe poet)
Hamdi Hysuka (kryetar i Klubit Letrar “Pjetër Budi” dhe poet)

Ndërsa për vlerat letrare dhe artistike të librit referoi nënkryetarja e Klubit Letrar “Pjetër Budi”, Mat, poetja Lindita Doda. Ajo theksoi se “libri sjell në fokus 21 profile krijuese të spikatura mbarëkombëtare, personalitete të angazhuar në fusha të ndryshme, kryesisht etnokulturore, 10 interpretues dhe drejtues artistikë, recensa, opinione e analiza, veprimtari që nderojnë trashëgiminë tonë shpirtërore si komb. Autori Esat Ruka e fillon librin me dy gjigandët e kulturës kombëtare, me eurditin Ramadan Sokoli që krijoi dhe studioi zhvillimin dhe pasurimin e visareve kulturore të kombit dhe me matjanin e madh, Mathieu Aref, shkencëtari që studioi si askush origjinën e kombit, që jetën e quajti “debat shkencor”. Nuk mungon as brenga e autorit mbi fatin e poetit e prozatorit, patriotit matjan Pjeter Budi, për të cilin shprehet se nuk e meriton heshtjen”.

 

Lindita Doda (nënkryetare e Klubit Letrar “Pjetër Budi” dhe poete)
Lindita Doda (nënkryetare e Klubit Letrar “Pjetër Budi” dhe poete)

Më pas mbi librin dhe vlerat që përfaqëson artisti krijues Esat Ruka, “Mjeshtër i Madh”, folën shkrimtarë, intelektualë, bashkëkohës dhe bashkëqytetarë të autorit, duke theksuar në pak minuta tërë dimensionet krijuese dhe njerëzore të autorit. Fjala e Esat Rukës, autor i librit monografik studimor “Dukuri, fenomene kulturore, profile krijuese”, u prit me duartrokitje nga të pranishmit.

 

Esat Ruka (Artist krijues dhe Mjeshtër i Madh)
Esat Ruka (Artist krijues dhe Mjeshtër i Madh)