Nga Hamdi Hysuka*, Burrel – 24 Shtator 2019
“Muza Poetike Budiane” quhet Festivali Kombëtar i Poezisë, i cili mbahet në qytetin Burrel të Matit nga Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pjetër Budi”. Për të katërtin vit, më 14 shtator 2019 erdhën në këtë festë të poezisë, mbretëreshës sonë të fjalës së bukur, poete e poetë nga Mati, Dibra, Durrësi, Gramshi, Prizreni, Klina, Korisha, Malësia e Madhe, Prishtina, Gjakova, Kukësi, Kurbini, Novara e Italisë, Përmeti, Shkodra, Pogradeci, Kuçova, Podujeva, Berati, Saranda, Mirëdita, Tetova, Tirana e Tivari. Ishin të pranishëm dhe artistë, drejtues të qeverisjes vendore të bashkive Mat e Klos, studiues, historianë, punonjës të arsimit e kulturës, media e shkruar dhe audiovizive, qytetarë matjanë etj.
Pas kafes së mikpritjes dhe një shetitjeje nëpër mjediset kryesore të trashëgimisë kulturore e historike të Burrelit, në Qendrën Kulturore të Bashkisë konkuruan me krijimet e tyre të reja poetë nga gjithë kombi shqiptar: Adivije Hoxha, Agim Desku, Agim Bajrami, Anila Mihali, Bajram Canameti, Basir Bushkashi, Diella Çitaku, Ervin Hysaj, Fatbardha Kaçi, Gjokë Dabaj, Ismet Tahiraj, Kujtim Stana, Ligor Shyti, Liza Brozi, Lumo Kolleshi, Mevlud Buci, Mimoza Tola, Namik Selmani, Nezir Prokshi, Nikollë Loka, Nikolla Spathari, Shefqet Dinaj, Shqipe Hasani, Sokol Llozhi, Trandafile Molla, Vladimir Muça, Dhimitraq Miti, Ermal Lala, Drita Llukovi, Shefqet Merra, Faik Xhani, Hakik Visha. Pati dhe të tjerë, që kishin dërguar poezi, por në konkurim nuk u paraqitën: Alma Zenellari, Bujar Balliu, Fato Male, Istref Haxhillari, Lulëzim Hajdari, Maliq Torra, Pozaet Qose, Ramë Oraca, Ramije Ukaj, Shaban Pllana, Tyran Prizren Spahiu...
Kryetari mikpritës, poeti Hamdi Hysuka, e cilësoi festivalin festë të fjalës së ëmbël budiane, ndërgjegjësim për ngritje cilësore të poezisë sonë me art dhe fjalë të gjuhës së bukur shqipe. Më pas fjalë përshëndetëse mbajti kryetari i Bashkisë, z. Agron Malaj, i cili festivalistëve ju uroi mirëseardhjen në Burrel. Veten e ndjeu pjesë të emocionit poetik, sepse poezia na bën më të ndjeshëm, më të këndshëm, por dhe më të mirë. Duke vazhduar, foli për rëndësinë që ka Festivali “Muza Poetike Budiane”, i cili afirmon kulturën e letërsinë shqiptare dhe nderon vendlindjen e Budit. Ai u shpreh i lumtur që Budit të Matit dhe të gjithë Shqipërisë i kushtohet një festival kombëtar poezie.
Dy muaj më parë, më 13 korrik 2019, ndërroi jetë mësuesi, gazetari dhe poeti kosovar, Milazim F. Kadriu; veteran i UÇK-së. Ai na nderoi vitin e kaluar me pjesëmarrje në Festivalin e Tretë të Poezisë "Muza Poetike Budiane". Në nderim të jetës dhe veprës së tij u mbajt një minut heshtje.
Me mjaft interes u dëgjua përshëndetja e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, prof. dr. Shyqri Galica, i cili tha :
- Festivali Kombëtar i Poezisë “Muza Poetike Budiane”, i Klubit të Shkrimtarëve dhe të Artistëve “Pjetër Budi” të Matit, po merr fizionomi dhe po dëshmohet si ngjarje e rëndësishme që mbledh pena të krijuesve nga të gjitha viset tona, duke dhënë ndihmesën e tij në kultivimin e krijimtarisë poetike dhe të letërsisë e të artit në përgjithësi. Punimet që po paraqiten në skenën e këtij festivali dhe poetët që vijnë gjithandej janë dëshmi e një përkushtimi dhe dashurie për letërsinë, sidomos për poezinë, gjini kjo që kërkon qasje e prirje të veçantë, të cilën pjesëmarrësit e këtij manifestimi përpiqen ta sjellin përherë me origjinalitet e frymëzim. Këto vargje sjellin jetën tonë, synimet e përhershme për integrimin tonë kombëtar dhe probleme e çështje aktuale që kanë të bëjnë me historinë dhe aktualitetin.
Është kënaqësi të njihemi e të diskutojmë drejtpërdrejt edhe me njëri-tjetrin për shumë aspekte që na preokupojnë dhe kërkojnë zgjidhje, prandaj si intelektualë e krijues kemi detyrime të veçanta.
* * *
Pjetër Budi është poeti i parë i letrave shqipe, por dhe proza ze fill me shkrimin dhe botimin e librave të tij. Studiuesi i njohur i letërsisë, z. Behar Gjoka, bashkë me prof. Anton Nikë Berishën, kanë përgatitur e botuar prozën e plotë të Budit. Me këtë rast z. Behar, drejtor i Qendrës Shqiptare të Studimeve Letrare “Pjetër Budi” Tiranë, informoi festivalin për origjinalitetin e Pjetër Budit si autor i parë i prozës dhe i poezisë shqipe.
Në vazhdim, përshëndeti i ftuari i nderit, gazetari, publicisti, romancieri dhe dramaturgu Namik Dokle. Siç tha ai, Budi është njeriu që i ka dhënë Shqipërisë atë që shumë pak njerëz mund t’ia jepnin. Poezinë e shkroi me shpirt, me zemër, por dhe me gjakun e tij. Mjafton të kujtojmë faktin që Budi, përveç se shkroi poezi, ishte dhe luftëtar për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë. Sipas studiuesve, Budi është vrarë në Drin, pas dërgimit të një letre në Vatikan, ku kërkonte organizimin e një kryengritjeje për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Si poetët e mëdhenj edhe Budi ka një varr të madh. Varri i tij është tërë Drini, sepse në Drin e dha jetën. Më vonë në valët e Drinit, për një absurditet të kohës, u bashkuan me të Budit edhe eshtrat e Fishtës, të cilin e dëgjuam të recituar nga dy breza të mrekullueshëm, të Nikolla Spatharit dhe vogëlushit të jashtëzakonshëm nga Gojani i Madh, i cili në moshën gjashtë vjeç e gjysëm recitoi Këngën XII të “Lahutës së Malsisë”.
Ju poetë e poetesha, që recituat këtu, me shpirt ju përgëzoj. Se poezia është e lehtë të dëgjohet, por e vështirë të shkruhet, sepse në kohën e Homerit thonin se Perënditë i dënojnë poetët që të shkruajnë më bukur...
E di sa vuajtje është të shkruash poezi. Ndaj ju përgëzoj dhe, si koleg i penës me ju, uroj të vazhdoni në këtë rrugë të mrekullueshme të Budit tonë të madh, të Fishtës sonë të madh, Naimit, Migjenit e shumë e shumë poetëve të tjerë të shquar që ka letërsia shqipe.
Jo rastësisht, jashtë konkurimit, krijuesi Naim Aliaj, i familjes së njohur të folkloristit dhe kompozitorit matjan Sabri Aliaj, i dërgoi festivalit këto vargje :
Treva e Matit, zemër e kombit
herë e shpatës, herë e penës
përballoi hordhitë e globit,
u bë tempull i qëndresës.
Me armiq e patëm vështirë,
na donin pa gjuhë e fé,
Budi ynë klerik i mirë,
flijoi jetën për atdhe.
Poeti Nikollë Spathari, i Malësisë së Madhe, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit, është i vlerësuar me titullin "Mjeshtër i Madh i Albanologjisë". Por në festivalin e Muzës Budiane provoi një ndjesi të veçantë, konkuruese. Si recitues përmendësh i vargjeve të Homerit shqiptar, at Gjergj Fishta, nga kryevepra “Lahuta e Malsisë”, në Burrel u përballë me një 6-vjeçar, Nikollë Valentin Prendi, nga Gojani i Madh i Pukës. Ky Nikolla i vogël, jo vetëm e paska lexuar “Lahutën e Malsisë”, por me qindra vargje të saj i di përmendësh dhe i interpreton pa letër.
* * *
Pa çmime një festival poezie nuk kuptohet, ndaj në fund të konkurimit juria letrare, e përbërë nga Demir Gjergji, Vera Istrefaj dhe Haqif Heta, nderoi me çmim të tretë poeten Fatbardha Kaçi nga Shkodra për poezinë “Kënga e Drinit”, poetin Bajram Canameti nga Rremulli i Matit, me poezinë “Që bota të pastrohet” dhe poeten kurbinase, Liza Brozi, për poezinë “Ah, poeti im!”. Çmimi i dytë iu dha poetëve Nikollë Loka nga Mirdita, me poezinë “Do të shkruaj me ujë” dhe Ervin Hysajt nga Gjormi i Kurbinit për poezinë “Epokave të ardhshme”. Çmimi kryesor i Festivalit, çmimi i parë, i takoi poetit nga Klina e Kosovës, Agim Desku, me poezinë “Mos fsheh t’vërtetën”. Me çmim karriere, për krijimtari poetike të suksesshme ndër vite me nivel të lartë artistik e mesazhe filozofike për të sotmen e të ardhmen, u vlerësuan poetët Ligor Shyti, Kujtim Stana dhe Trëndafile Molla (Baja) nga Novara e Italisë. Një tjetër vlerësim, çmimi i vetë poetëve, i takoi poetit përmetar, Lumo Kolleshi.
* * *
Pa çmime një festival poezie nuk kuptohet, ndaj në fund të konkurimit juria letrare, e përbërë nga Demir Gjergji, Vera Istrefaj dhe Haqif Heta, nderoi me çmim të tretë poeten Fatbardha Kaçi nga Shkodra për poezinë “Kënga e Drinit”, poetin Bajram Canameti nga Rremulli i Matit, me poezinë “Që bota të pastrohet” dhe poeten kurbinase, Liza Brozi, për poezinë “Ah, poeti im!”. Çmimi i dytë iu dha poetëve Nikollë Loka nga Mirdita, me poezinë “Do të shkruaj me ujë” dhe Ervin Hysajt nga Gjormi i Kurbinit për poezinë “Epokave të ardhshme”. Çmimi kryesor i Festivalit, çmimi i parë, i takoi poetit nga Klina e Kosovës, Agim Desku, me poezinë “Mos fsheh t’vërtetën”. Me çmim karriere, për krijimtari poetike të suksesshme ndër vite me nivel të lartë artistik e mesazhe filozofike për të sotmen e të ardhmen, u vlerësuan poetët Ligor Shyti, Kujtim Stana dhe Trëndafile Molla (Baja) nga Novara e Italisë. Një tjetër vlerësim, çmimi i vetë poetëve, i takoi poetit përmetar, Lumo Kolleshi.
Ndërsa Mirënjohje me motivacion: "Për vlerësim e mbështetje të Festivalit të Poezisë "Muza Poetike Budiane" e ndihmesë të çmuar në fushën e gazetarisë, kulturës dhe artit në hapsirën mbarëkombëtare" iu dha kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, prof. dr. Shyqri Galica.
Duhet thënë se në jetën artistike dhe kulturore të Matit Festivali “Muza Poetike Budiane” është nga më të vlerësuarit. Jo pak vemendje tërhoqi dhe te poetët pjesëmarrës, parë me syrin e tyre vlerësues. Së fundi, ishte një festë, një ngjarje e rëndësishme kulturore.
*kryetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe
Artistëve “Pjetër Budi”, Mat
MOS FSHEH T’VËRTETËN
Më ec nëpër varg, çlirimtarja ime
s'kam fytyrë për të t'harrue,
ti nëse vdes për lirinë time,
këngë ju bëfsha ëndrrës tënde!
M'ke sjell dritë kur s'kisha liri,
falë më ke një copë tokë dhe shumë dashni,
jeta e lirë sa të ngjajka ty,
çlirimtarja ime!
M'i zgjo dy kohërat më të bukura t'jetës së shejtë,
t'asaj që ti i dole përballë armikut,
apo kohës sime t'penës
kur e njoftova tërë botën demokratike!
Për asnjërën mos ia fsheh t'vërtetën e sakrificës,
legjenda ime e dritës dhe rritës,
t'u bëfsha peng për t'kalue plagët e ferrit!
M'u thirr n'legjendë t'Ajkunës,
mos më eja pa gjogun kryengritës,
se do të dehem deri mbi yje,
atje ku të kam më të bukurën hyjëri!
Mos fshih të vërtetën
se njeri nga ne digjet n'zjarrin e ferrit,
më parë pranoja vdekjen time
se sa humbjet e betejave të tua çlirimtare!
E di, në një udhë t'yjeve je nisur
vetëm nëpër zemrat e poetit duhet kalue,
aty e ke të shtruar rrugën plot trëndafila t'kuq,
i ke nga rikujtimi i luftës së vitit 1999.
Nuk i harroj betejat e tua çlirimtare,
me ‘to zgjohem çdo mëngjes
dhe t'ngriti uratë deri mbi Olimp.
Ah, t'u bëfsha betejë lirie
çlirimtarja ime!
Agim Desku
DO TË SHKRUAJ ME UJË
Do të shkruaj me ujë,
mos thuaj se e shuan etjen fjala
para kohe,
me pikla shiu do të ngrej një mur,
pastaj do ta vesh me frulliza bore.
Do ta lag fjalën
që të ngjitet mbi letër,
ta flijoj në themele kështjellash
të qelqta,
do të ngrejë kështjella në rërë,
prej akujsh e lulebore,
që mbahen fort te njëra-tjetra.
Edhe po s’arrita t’i ngjyros fjalët,
do të mësoj t’i gjej fjalët prej uji,
që të ndihem mirë, po ia dola
të lexoj në vetëtima
çfarë është shkruar.
Nikollë Loka
EPOKAVE TË ARDHSHME
Kur unë të mos jem më nën këtë qiell,
kur gërryerjet e kohës dhe indiferenca e njerëzve
të më kenë hequr edhe nga shtëpia ime e fundit,
aty nga bahçja e ullinjve që m’i lanë stërgjyshërit e urtë,
thoni për mua se desha t’u bëhem njerëzve Promete,
por njerëzit nga egoizmi më shtynë gjithnjë drejt lumit,
e kur më mbytën, penduar më fshehën nën dheun e butë.
Thoni për mua se jetova në shekullin njëzet e një,
atëherë kur Jezusi kishte dymijë vjet që fshihej,
kur ndoshta barinjtë e lashtë prej mijëra vitesh
i kishin djegur drutë e arkës hyjnore të Noes,
por, kur ju të më zbuloni një ditë prej ditësh
si një relike të rrallë, këpucëshqepur e gjithë baltë
me këmishën të shqyer nga kacafytjet e kohës,
thoni që shpirtin e kisha si një vullkan të zjarrtë.
Pastaj, kur pluhurin e shekujve ta keni hequr nga unë
dhe i pastër të dal përballë epokave që do vijnë,
tregoni se nga kohët e modernizmit primitiv kam ardhur,
kur njeriu ende s’kish nevojë të riprodhohej në laborator,
dhe kur shkencat akoma gjithçka s’e kishin zbardhur,
më pas, kur brenda meje të gjeni tok me krenarinë
sytë dhe flokët e një femre, tregoni se jetova në një kohë
kur njeriu ende nuk e kishte vrarë plotësisht dashurinë.
Tregoni gjithashtu se jetova në një epokë të egër,
dhe kur Kainët pabesisht më mbytën e më pas u penduan,
përpara se të më fshihnin nën dhé, poshtë një ulliri plak
plagosur më lanë si një pulëbardhë, të fluturoj e të klith
por plagët aq shumë më kishin vrarë e helmuar në gjak,
sa një ditë nga qielli një letër hyjnore më dërguan.
Atëherë unë u largova duke i bekuar e falur të gjithë,
pastaj... merret me mend, më harruan...
Ervin Hysaj
KËNGA E DRINIT
Pjetër Budit
Seç vjen si ëndërr,
seç rrjedh në zhgjëndërr,
ky Drin i Zi, ky Drin i Bardhë
yjet në dhembje ngrijnë të mardhur,
për kob të zi, të hidhur përrallë
po flet një rrshiq, po qan një valë
për Pjetër Budin, trimin e rrallë
flatra shqiponje mendimi i tij,
ëndërra plot diell për Arbërinë.
Tradhëti e zezë, zemrat iriq
krah i pabesë copton një rrshiq,
zëmërim Drini, vrasja e moteve
këndon në dhembje, përplaset honeve
e Drini i Bardhë këngëzon mat 'anë,
në shkëmbinj, brinja, lugje, rudina
me zë të shpirtit, të Budit dritë
ëndrrën flakëruese të Arbërisë,
për shkronjat shqip, qiell të lirisë...
Shkumëzojnë në zhgjëndërr,
përkundin në zemër,
ky Drin i Zi, ky Drin i Bardhë
këngë të motmotit shkruar në zjarr...
Fatbardha Kaçi
AH, POETI IM!
Do t’kisha dasht t’më flisnin për ty,
armiqtë e tu e rrejshëm t’mendoja,
se mangësitë tua janë më të mëdha se dashuria ime,
por u gabova, s’e gjeta askënd.
T’m’i çelte sytë e t’ma mbyllte zemrën,
me ato fjalë që desha t’i dëgjoja,
po shpresës time çfarë t’i bëj,
kur përkundet sa herë sytë e tu puliten?
Vringëllon kuturủ rrugëve e humbur,
goditur pa mëshirë si thembra e Akilit,
prej shigjetës së dashurisë të paarritshme,
më thuaj poeti im, a shëron poezia?
Vetëm me fjalë a duhen edhe vepra,
më thuaj a mjafton vesa e mëngjesit,
që të rriten trëndafila ndër dejet e mia?
Stuhinë e prita e as nuk deshta,
t’i them ndal kur vorbulla më zuri,
ah, poeti im, e bukur është poezia
por ëndrrat m’i vodhi e në gjunjë më uli.
Liza Brozi
QË BOTA TË PASTROHET
Jam i trembur që kjo botë po mban erë,
neveritëse, si coftinë në dekompozim
globi po rrëshqet, rrokulliset në humnerë
dhe rënkon për njerëzinë.
Se njeriu kujdestar, brenda vetes mban në gji
një armik të maskuar që e helmon,
si neperkë vdekjeprurëse, djall i zi
po e verbon, e kërcënon dhe e shkartërron.
Ky armik i padukshëm mjegullnajë trurit i jep,
të ftoh trupin, të mbështjell me qefin
brenda zemrës hap një xhep
saqë veten nuk e njeh, tjetërsohesh, je zhgënjim.
Si magjistar i lashtësisë, ai gënjeshtrën e bën të artë
mbjell urrejtje dhe harmoninë e djeg me sherr,
mirësinë e quan mëkat, dyer epsheve u hap
nxit përçarjen, saqë diellin e bën terr.
Shthurjen, drogën dhe alkolin i quan shpresë
dhe moralin ta gropos me mashtrim,
veset e ulta i quan aftësi, tradhëtinë besë
spiunllikun e lartëson gjer në shkatërrim.
Ai si hajdut të vjedh emrin,
dyfytyrësinë me lajkë të mbjellë,
të pushton shpirtin edhe zemrën,
gjuhën me helm ta mbështjellë.
Të nxjerr nga vetja, të komandon
ky djall i zi, që të prangos e të lidh shtatin
ky përbindësh i padukshëm që të helmon,
ujë e llum ta bën gjakun.
Ndaj brenda vetes ky armik duhet djegur e larguar,
që njeriu të fitojë njerëzinë, emrin që i dha Perëndia
që bota të pastrohet nga era e rënduar,
dhe globi të shërohet nga morali e mirësia.
Bajram Canameti