Mati është trevë me histori të lashtë, djep i kulturës dhe i artit kombëtar. Që nga Pjetër Budi e brez pas brezi, fjala poetike matjane nuk ka shterrur kurrë.
Më 15 tetor 2016 u themelua Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pjetër Budi” Mat, me qendër në qytetin Burrel.
Ai mban emrin e Pjetër Budit nga Guri i Bardhë i Klosit, poetit dhe prozatorit të parë të letërsisë sonë, autor i katër veprave fetare në gjuhën shqipe, organizator dhe udhëheqës i masave popullore në luftën për çlirim nga zgjedha osmane, përkthyes dhe krijues origjinal në fushën e letrave shqipe për të mbrojtur identitetin etnik e kulturor të popullit tonë.
Regjistruar me vendim nr. 5495, datë 13.12.2016, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë
Festivali Kombëtar “Muza Poetike Budiane”
Festivali i Poezisë “Muza Poetike Budiane”, i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pjetër Budi”, ka mision kombëtar që Matin, vendlindjen e poetit të parë të letërsisë shqipe, pararendës i Rilindjes sonë Kombëtare, ta kthejë në një ditë të poezisë së të gjithë poetëve, festë të vërtetë poetike, me pjesëmarrje poetësh nga Mati e gjithë Shqipëria, shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Diasporës.
Antologji e Poezisë Matjane “Udhëtare me pranverën”
Poezia matjane ndodhet në majat e lirikës shqiptare me një sugjestion ndjenjash dhe përjetimesh të larmishme. Dallohet si tipologji për detajin jetësor, verbin komunikues, minifabulën e gjetur, ngrohtësinë dhe forcën e përjetimit jetësor.
Ajo ka në strukturën e vet mendimin filozofik për krenarinë e historisë, dashurinë për trollin dhe kjo strukturë ngrihet me një arkitekturë të shpirtit.
Sharmi dhe elokuenca e poezisë matjane fillon nga Budi, i cili ende sikur thotë: ”Ku janë ata letëror, / të urtë e dijes të ndëgjuom…”.
Në të gjithë ciklet e përzgjedhura ndodhet Mati, që nga Ati i Madh i poezisë shqipe, Pjetër Budi, gjeografia dhe relieve me peizazhin e mrekullueshëm.
E në këtë bërthamë çel bisk jeta njerëzore, merr gjethnajën e kohës dhe shkrimon e dëshmon forcën e kësaj lidhjeje midis poetit dhe truallit, një lidhje që vitalizon thelbin e ekzistencës dhe krenarisë së njeriut shqiptar.