Nga Hamdi Hysuka*, Burrel – 11 Shkurt 2022
Krijimtaria e pabotuar e autorëve të rinj të sotëm është e sinqertë, por shtypi letrar qëndron larg tyre. Edhe pse përvoja krijuese u mungon, në ndihmë u vijnë portalet e shumtë elektronikë. Sidomos me postimet në facebook apo takime të organizuara, atmosfera letrare e tyre është e prekshme.
Përmes internetit, përmbledhja e parë poetike e Lulzim Cukës, “Tingujt e heshtur”, më erdhi si pranverë. Që në poezinë e parë më tërhoqën vëmendjen vargjet shprehës:
Nëse do kisha dy jetë,
ty do të të doja sërish,
ndaj Zoti krijoi botën tjetër
për të dashur përjetësisht.
Pas leximit m’u krijua mendimi sikur Lulzimi ditën e fillon me dashuri dhe jeton vetëm me dashuri, i beson asaj, i përkushtohet dhe varg pas vargu rrugëton “shtigjeve të jetës”. Zhak Prever, poet dhe skenarist francez, nga më të dashurit për të rinjtë e të gjitha kohërave, është quajtur muza e dashurisë. Sipas tij, “dashuria nuk është një dashuri e thjeshtë pa pengesa, por ajo e poetit është një dashuri e pasur me shumë aspekte, por gjithmonë e kërkuar”. Të dashurosh do të thotë të dhurosh ndjenjë e siguri, të bëhesh më i bukur, më i mirë. Në shpirt je më i pasur... Për rrjedhojë, individualiteti dhe bota poetike e Lulzimit, e pasqyruar në këtë përmbledhje me poezi rinore të pastër e të bukur dashurie, flet për një poet me të ardhme. Modestia e tij është e motivuar, me tema aktuale dhe mesazhe domethënëse, sepse siç thotë Viktor Hygo: “Të shkruash për njeriun që meriton, është mirënjohje”.
Titujt, që gjatë leximit më mjaltuan më shumë, janë: “Me vete flisja”, “Puthja e mbrëmjes”, “Pa ty”, “Deti i dehur”, “Dallgët e jetës”, “Bëhu pranverë” etj. Në vetvete vargjet e tyre janë poezi, janë ndjenjë, janë dashuri:
Do të të fal puthje mëngjeseve,
mbrëmjeve gjithashtu,
do të të fal buzëqeshje,
bota s’do mund t’i mbajë.
Si ylber do të ngjitem
në kopshtet e pafajësisë,
petalet e luleve do të këpus,
në qiell do të gdhend emrin tënd.
Poezi, sidomos në moshë të re, nuk shkruajnë vetëm ata që kanë studiuar për gjuhë e letërsi. Ndaj, krahas punës së përditshme me studime historike shkencore e diplomatike, Lulzim Cuka ushqehet dhe nga arti. Për rrjedhojë, më në modë, në rrjedhshmërinë e kohës, nëpërmjet vargëzimit të thjeshtë e të ëmbël përshkrues, ka renditur tinguj thuajse të heshtur. Lirikën e dashurisë e përcjell të gërshetuar me cilësitë njerëzore, me lirinë e individit. Dhe nuk mund të jetë indiferent për atë që ndodh rreth tij:
Burgosi shkronjat, por jo fjalën
mbuloje natën, por jo hënën
mbylle syrin, por jo dritën
fshije lotin, por jo dhimbjen
rrëmbeje lumturinë, por jo dashurinë
merri dëshirat, por jo ëndrrat
shuaje diellin, por jo ngrohtësinë
burgosëm mua, por jo jetën...
Ndjenjat dhe mendimet, bashkë me mesazhet e tyre, vijojnë dhe në poezitë “Lulja ime”, “Qëndro”, “Dëshirë”, “Aty jam unë”. Secila poezi është tërësi lirike, e shprehur me ngrohtësi dashurie, të fut në një botë magjepëse.
Poezia e vërtetë e dashurisë lexohet, rilexohet dhe admirohet. Sa bukur e shpreh poeti dëshirën e tij:
Dua të jem pulsi i ndjenjës
e t’i jap jetë zemrës,
të jem notë pentagrami,
e duart e tua të më kthejnë
në melodinë e këngës,
dua të jem fruti i dashurisë,
e të rrëmbej puthjen e mbrëmjes.
Që nga antikiteti na ka ardhur mesazhi se dashuria dhe poezia janë të perëndishme, që jetojnë në simbiozë me njera-tjetrën. Në poezitë vijuese autori nuk e ndal ritmin e fjalës, duke trajtuar me varg të lirë tema të rëndësishme, sidomos për dashurinë:
Nuk ka zjarr që më ngroh,
nga malli për ty kam të ftohtë,
janë sy që dergjin lot,
nuk mundem t’i ndal dot.
Ndal o kohë flatrat, bëj durim
ky acar po ngrin shpirtin tim,
rrezet e diellit dua të më shkrijnë
të shkrumbohem si hiri i zi.
Të gjithë poetët shkruajnë poezi dashurie, të realizuara dhe të ndjeshme. E dashura në poezinë e Lulzimit është më e bukur se Helena, se Tanusha, se Zana e kroit. Asaj kështu i flet:
Do të të fal puthje mëngjeseve,
mbrëmjeve gjithashtu,
do të të fal buzëqeshje,
bota s’do mund t’i mbajë.
Zemrën do e rrëmbej,
nga sytë lotin do thajë,
do të kridhem mbi oqeanin e miqësisë.
Këtij poeti të ri i drejtohem me fjalët e dramaturgut amerikan Woody Allen, aktor dhe regjisor filmash:
“Të duash do të thotë të vuash. Nëse nuk do të vuash, nuk duhet të dashurosh, por atëherë do të vuash nga mungesa e dashurisë. Kësisoj, të dashurosh do të thotë vuajtje, ndërsa të mos dashurosh do të thotë: vuajtje, vuajtje, vuajtje. Të jesh i lumtur do të thotë të dashurosh, gjë që do të thotë se të jesh i lumtur do të thotë të vuash. Por vuajtja na bën të palumtur e kësisoj për të qenë të palumtur duhet të dashurojmë ose të dashurojmë e të vuajmë, ose të vuajmë prej lumturisë së tepruar…”
Problemet e stilistikës letrare Lulzimi i njeh dhe dëshmon se është një poet i pasur me mjete gjuhësore. Shkruan me vargje të lira, grupuar në strofa me shumë vargje. Pra, talenti poetik nuk i mungon. Por krahasimi, epiteti, enumeracioni, inversioni, anafora, metafora, pyetja retorike, epanastrofeja, personifikimi, metonimia, hiperbola, reticensa dhe përsëritja janë suksesi i vargjeve. Nëse nuk i përdor me vlerën që ato kanë, poet nuk mund të bëhesh.
Parë në tërësi, me vargjet e lirë dhe fjalët e thjeshta, me gjuhën e pasur dhe përmbajtjen e figurshme, nëntëdhjetë e nëntë poezitë e këtij vëllimi të parë të Lulzim Cukës na tërheqin dhe na emocionojnë. E përgëzojmë poetin e ri macukllan për këtë nisje të mirë dhe i urojmë rrugëtim të mbarë në udhën e poezisë!
*kryetar i Klubit letrar “Pjetër Budi”, Mat.