Veprimtari letrare në nderim të Pjetër Budit, martirit të parë të kulturës shqiptare



Nga Hamdi Hysuka, Burrel – 19 Tetor 2024

 

Në kuadër të muajit të letërsisë, me rastin e 458-vjetorit të lindjes, Biblioteka Pjetër Budi” Mat në bashkëpunim me Bashkinë Mat dhe “VIS Albania”, në kuadër të projektit “NarrACTIVES”, financuar nga “IADSA”, organizoi një aktivitet letrar kushtuar Pjetër Budit, shkrimtarit të parë të letërsisë shqiptare.

 

Ishin të pranishëm përfaqësues të Bashkisë Klos e Mat, prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, nënprefekti i Matit, Hasan Pasha; studiuesi Behar Gjoka, drejtues i Qendrës Shqiptare të Studimeve Letrare “Pjetër Budi” Tiranë, anëtarë të Klubi Letrar “Pjetër Budi” Mat, Osman Boda, trashëgimtar i familjes Budi; mësues letërsie, nxënës të shkollave të Burrelit, etj.

 

Pas fjalës përshëndetëse të znj. Valbona Kola, kryetare e bashkisë Klos, z. Behar Gjoka, autor i veprës studimore “Poetika e Budit” theksoi se “Pjetër Budi është një nga mjeshtrat e letërsisë së vjetër shqipe. Në libra fjalëtori i parë, poeti i parë, prozatori i parë është Pjetër Budi, martir i parë i fjalës shqipe”.

 

Në vazhdim kryetari i Klubit Letrar “Pjetër Budi” Mat, z. Hamdi Hysuka, foli për jetën dhe veprën e Pjetër Budit, figura më e shquar e botës letrare shqiptare për kohën kur jetoi, organizator dhe udhëheqës i masave popullore në luftën për çlirim nga zgjedha osmane, përkthyes dhe krijues origjinal në fushën e letrave shqiptare për të mbrojtur identitetin etnik e kulturor të pupullit tonë.

Pjetër Budi u lind në Gur të Bardhë të Matit në vitin 1566. Mësimet e para dhe formimin e tij intelektual e mori në vend, pranë disa ipeshkëvet të ndryshëm, deri në moshën 21-vjeçare. Më 1587 u caktua meshtar dhe shërbeu si famulltar i thjeshtë për 12 vjet në Kosovë dhe më vonë 17 vjet të tjerë si zëvendës i përgjithshëm i dioqezave të Serbisë. Gjatë viteve 1516-1522 bëri disa udhëtime në Itali, kryesisht për qëllime atdhetare dhe për të botuar veprat e tij. Në dhjetor të vitit 1622, duke kaluar Drinin, humbi jetën, por vdekja e tij nuk ndodhi aksidentalisht. Atë e shkaktuan qarqet antishqiptare, që shikonin te Budi një atdhetar të flaktë dhe një nga organizatorët e luftës së popullit për çlirim nga zgjedha e huaj. Këtë e vërteton më së miri aktakuza me të cilën hidhet në gjyq personi që thuhet se e shkaktoi këtë vdekje dhe aktet e gjyqit përkatës. Në këtë mënyrë Budi është një nga martirët e parë të kulturës shqiptare. Pengesë serioze për zhvillimin dhe përparimin e vendit dhe të kulturës kombëtare, përveç pushtuesit osman, Budi shikonte dhe klerikët e huaj, që shërbenin në famullitë shqiptare. Këta, duke shpifur e duke përçmuar vlerat kombëtare të popullit tonë, cënonin sedrën e shqiptarëve, mundoheshin t’i përçanin ata dhe të dëmtonin përpjekjet e tyre për çlirim.

 

94 vjet më parë, në vitin 1930, Kol Mjeda, deputet i dikurshëm i Dibrës, bashkë me poetin Ndre Mjeda, i cili kërkonte të ndiqte në atë kohë gjurmët e klerikut dhe shkrimtarit të njohur Pjetër Budi, me qëllim për të realizuar një studim mbi origjinën, jetën dhe veprën e tij, erdhën këtu në Gurë të Bardhë. Sipas burimit https://www.darsiani.com/la-gazette/kol-dhe-ndre-mjeda-ne-gjurmet-e-matjanit-pjeter-budi, gazeta e përkohshme “Leka”, e botuar asokohe çdo dy muaj, ka publikuar rrëfimin e udhëtimit të Kol e Ndre Mjedës, ku përmes ndjekjes së gjurmëve të Budit vihet gjithashtu në dukje bukuria, bujaria, mikpritja dhe emancipimi i shoqërisë matjane.

Veprimtaria vazhdoi me interpretime poetike të autorëve matjanë : Hamdi Hysuka, Basir Bushkashi, Bajram Canameti, Valentina Kurti, Elona Basha, Vilma Nika. Nxënës aktivistë të Bibliotekës recituan poezi të autorëve Fatmir Neli, Qemal Cenaj dhe Kujtim Stana.

 

Blogu : © Dars (Klos), Mat – Albania