--------------------------
PËR TY LODHEM
--------------------------
Se je e bukur, e dija
po jo se duhet kaq mund,
me ëndrrat për ty netëve flija
dhe pas t’u qepa në katund.
Me vete ke dashurinë
për breza të tërë poetësh,
kur unë ta njoha bukurinë
ballit ndjeva bula djersësh.
Miqësisht fitove zemrën time
dhe ritmin tënd më fale,
për ty lodhem pas një rime
e djersij pas një fjale.
----------------
PA MOSHË
----------------
Një shtetar jam, asgjë më tepër
më thërrasin dhe zotëri,
në moshë e shpirtë jo i vjetër,
me mend e punë jo i ri.
Si krejt të tjerët jam i lirë,
nuk më bllokon aspak karriera,
midis jush o njerëz të mirë
hyj e dal si vetë pranvera.
Nuk jam ngjitur aq lart, në majë
sa mos të shoh qartë nga sytë,
për jetën nuk kam pse të qaj,
dhe e pastër vjen, dhe e ndytë.
Pak dijetar, pak i paditur
jam i ri, nuk i vjetroj këngët,
i zhgënjyer dhe i mahnitur
në betejë fitoj me fjalët.
--------------------
NJË PASDITE
--------------------
Një pasdite Vlorës shëtisja i vetëm,
te Sheshi i Flamurit sytë seç më mbetën.
Anës trotuarit me ngadalë shetiste
i vogël një grup me grá turiste.
Krahëve hedhur çanta, syve syza dielli
duarve si buqetë, tufa trëndafili.
Kureshtarë për njerëzit dhe për vetë qytetin,
në mes të Sheshit takuan Monumentin.
Iu afruan gratë, me vemendje e panë
e kur ikën, në fund, buqetat ia lanë.
S’e mësova kurrë nga ç’shtet ishin vallë
po shpirtit m’i falën një pranverë të bardhë.
Atë pasdite Vlorës i vetëm shetisja,
Sheshin e Flamurit me nderim e shihja…
-------------------------------------
FORMULA E PAGËZIMIT
-------------------------------------
Jam në Shën-Trini, këtu në mal
ku zogjtë e pyllit më bëhen shokë,
me aparat fotografik dixhital
afroj më afër një epokë.
Kanë ikur shumë e shumë vite
qëkur Pal Engjëlli bujti në Triní,
i miri peshkop s’kish nga ta dinte
se atë natë po hynte në histori.
Kish ardhur në jetë një fëmijë arbër,
kishës ajo lindje ia shtoi gëzimin,
peshkopit fëmijën ia ulën në prehër
dhe ai, solemnisht, bëri pagëzimin.
Dikush atë natë i shkroi ato fjalë
dhe në ruajtje, po, ia la kohës,
tjetër deri sot në dritë s’ka dalë,
mbeti dokument i parë i gjuhës.
---------------------------------------------
NDALE RRUGËN E KURBETIT!
---------------------------------------------
Dy djemtë humbën në kurbet,
nëna mbet fare pa djalë,
deti detit pse s’i flet,
përse dallga nuk çon fjalë?
Vera iku dhe prapë erdhi,
lule shprese nuk ka çelur,
lotët krua nëna derdhi,
qyqe mali, oh, ka mbetur!
Asnjë lajm, as dhe një letër
s’e gjen udhën për në Mat,
dita kot pret ditën tjetër
se mos ndoshta vjen me fat.
Seç i foli deti detit
edhe dallga çoi një fjalë:
-Ndale rrugën e kurbetit,
mos u bë flijim i gjallë!
-------------------------------
FIJET E JETËS TJERR
-------------------------------
Dy shekuj jeta më fali,
në të dy jetoj pa vdekur,
dyqind rrudha kam te balli,
dy shekujt m’i kanë gdhendur.
Jeta ime dhe e tjetrit
u trazua, u bë dimër
kudo frone lanë mbretërit,
prapa tyre erdhën princër.
Zbrita shkallët e regjimit,
derën ma përplasi shteti,
në kërkim të moderimit
udhëtoj si dallgë deti.
Bota sillet qark, e di
prapa pushtetit më nxjerr,
lëmsh u bë, po përsëri
fijet e jetës i tjerr.
----------------------
VENDLINDJES
----------------------
S’isha djalë metropoli
por një ditë ma mori zemrën,
kur u ndamë, pazëshëm foli:
-Kurdo hapur e ke derën!
Nuk më mbajti dot vendlindja,
që të rrija, s’qeshë i zoti
gjithnjë them se “Je e imja,
për ty syrin ma lag loti”.
Me freskinë djaloshare
drejt Shëlliut i çoj sytë,
padyshim them hapur fare:
-Si vendlindja s’ka të dytë!
---------------------
KOHË E DYTË
---------------------
Lirshëm shkon e vjen mendimi
larg, kur pula hante gur
dhe një çast më ze trishtimi
pse, o Mat, s’je si dikur?!
Eh, ç’ma ktheve nostalgjinë
më le peng në mes dy botëve,
ndjej rrënqethje për rininë,
pse s’të ka qytet i mollëve.
Ndalem para historisë,
flen aksioni me goditje,
zgjoj premtimet e Bashkisë
dhe takoj letrat projekte.
Panorama s’ka të çmuar,
e stolisur me kurorë,
kohë të dytë ke ndër duar
me mandat gjithëpopullor.
Më rreh zemra për të ardhmen,
o Mat, rrugën s’e ke humbur
udhëtare ke pranverën,
me ne je mision i mundur.
---------------
SI TË BËJ ?
---------------
Jo, aspak s’jam i partishëm
fjalën nuk e them nën zë,
më mohoi sistemi i djeshëm,
as i sotmi s’më ka gjë.
-Si të bëj? -them me vete,
sepse kam shkollë të lartë,
për elitat s’mbaj urrejtje,
por një gjë s’e shoh të qartë.
Për fat të keq këtë botë
në drejtim s’e ka elita,
politika është e kotë
i tremb vlerat e vërteta.
-Si të bëj? -vazhdoj pa ngutje
në kuptimin më të mirë,
s’frikem pse më hedhin tutje,
brenda burgut jam i lirë.
-------------------
PËRBALLIM
-------------------
Ti ditar, bllok me kujtime
je pasqyra ku shoh vitet,
je pranverë me blerime,
moshë je, që s’përsëritet.
Të shfletoj, më jep rininë
kohën mbushur me shpërthime,
lulëzon nëpër çdo stinë
dhe troket në ndjenjën time.
S’më këputet, më mban freri
përballoj dhe stuhi jete,
dal nga fletët ngjyrë ylberi,
“rroj për ty e vdes për vete“*
*varg i poetit Ali Asllani
-----------------------------------------
HISTORIA NUK BËN GJUMË
-----------------------------------------
E di nga më erdhi fati,
sihariq kënga përcolli,
me haré më nisi Mati
siç më priti dhe Stambolli.
Miq të këngës, të folklorit
një mikpritje aq bujare,
afër Ura e Bosforit
më afroi brigjet shqiptare.
Të tjerë njerëz, vend tjetër
historia nuk bën gjumë,
Rexhep Pasha* i madh emër,
obelisk s’i gjeta unë.
Kjo harresë bëka bujë
në shtet - kombin arbëror,
për pak bronx dhe një statujë
s’duhet dekret sulltanor.
*Rexhep pashë Mati (Ruçi)
nga Batrra e Matit
---------------------------
VDEKJA E BABAIT
---------------------------
Atë çast mbeta pa gojë,
mbeta fare dhe pa zë.
Gjuha ime ç’të tregojë?
Moj e keqe, a ke më?
----------------
DASHURIA
----------------
Dashuria i ngjan më shumë pranverës
se kur vjen, nuk i mbarohen ditët kurrë
s’ndërron natyrë sipas drejtimeve të erës,
mbetet e lulëzuar te çdo grua dhe burrë.
Dashuria është stinë e përjetshme,
nuk ngjajnë me lulet e prillit lulet e saj,
lulet e zemrës nuk janë të përkohshme,
ato s’ka vjeshtë t’i zverdhi,
s’ka dimër t’i thajë.
---------------------------------
TË MË JAPËSH ZJARR
---------------------------------
Qëndroj pak para pasqyrës,
me vellon e bukurisë,
në muzeun e fytyrës
shoh portretin e rinisë.
Ajo moshë ma merr mendjen,
dhe ndër vite më fut thellë,
nuk e binda ku më gjenden
ditët e ylberta diell.
Zgjohu sërish djalëri
të kërkoj vitet gazmore,
më jep zjarr ti përsëri,
m’i bëj netët prap’ hënore.
------------------------------------------
NXËNËSIT TIM MATURANT
------------------------------------------
Shoqen puthe faqe shoqes,
lart në qiell i ktheva sytë,
ky qe shkaku brenda vetes
që dhe dielli s’bëri dritë.
Fjalë ndryshe me ty bëra,
shkëlqim tjetër u dhe syve,
veshit tënd s’i shkoi asnjëra
na mbuloi heshtja të dyve.
S’pres përgjigje që s’ke dhënë,
sepse goja nuk të flet,
paskam mbetur siç kam qënë
top njeri me integritet.
Po ç’mu desh ky lloj qortimi,
nga ne njëri s’qe në vete,
ka mësim dhe nga gabimi
kur e ke dëftesë jete.
© Hamdi Hysuka
Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania