Nga Hamdi Hysuka*, Burrel – 30 Janar 2021
Është fakt se njeriu identifikohet me një dokument të shkruar. Kështu ndodh me kombin, me njësitë tona administrative... Nëse kombi identifikohet, do të thotë se shtetasi i tij ka traditat e vendlindjes, historinë e saj, gjeografinë, arsimimin, kulturën e të gjitha fushat e tjera në rrafshin historiografik. Pa këtë “kartë identiteti” shtetasi nuk mund të njihet.
Ata, që në jetën e përditshme merren me detyrën e këtij lloj identiteti, janë studiuesit, shkrimtarët e artistët, të cilët punën e tyre e konkretizojnë me botime. Pra, “letërnjoftimi” i lëshuar prej tyre është dokumenti i shkruar, monografia, lloj i gjinisë letrare. Kjo do të thotë se monografitë janë letërnjoftime. Por monografia, për të qënë e besueshme, duhet të jetë shkruar nga autor i besueshëm e kompetent.
Bajram Canameti, anëtar i Klubit Letrar “Pjetër Budi”, është një i tillë, me vizion të qartë, individualitet letrar, përvojë diturore dhe aftësi për të bërë sinteza, me argument të qartë intelektual e vlera letrare. Në këtë fillim viti, janar 2021, ai botoi monografinë për vendlindjen e tij, “Rremulli, zemra e Matit”.
Bajram Canameti, siç është shprehur në parathënie shkrimtari i mirënjohur Qazim D. Shehu, i përket racës së atyre krijuesve që janë të heshtur e modestë, por që flasin me mirësinë e veprës së tyre, gjithnjë të mbrujtur nga dashuria për të vërtetën dhe për njerëzit, të përkushtuar ndaj leximit dhe dijes, duke sjellë një botëkuptim, si adhurim ndaj historisë dhe vlerave të trashëguara në shekuj.
Sa për informacion, vetëm pas vitit 1992, për arsye biografie, Bajramit iu dha e drejta për të ndjekur studimet e larta në gazetari. Krijimet e para i ka botuar në gazetat “Adriatiku”, “Zëri i Rinisë”, “Drita”, “Puna” e revistën “Nëntori”. Në vitin 1974 arriti të botojë një almanak me poezi dhe dramën “Vajza dhe pushka”. Pas ndërrimit të sistemit monist ka punuar gazetar e redaktor në gazetat “Atdheu” e “Liria”. Në vitin 2006 u paraqit para lexuesve me vëllimin publicistik “Thesari i urtësisë” dhe “Porta e diellit”, vëllim me poezi. Më 2014 botoi librin e tretë, “Panteoni i fjalës”. “Shpëtimtari” titullohet poema kushtuar mbretit Zogu I, botuar më 2015. Në vitin 2016 doli para lexuesit me vëllimin poetik “Mesazhe drite” dhe një vit më vonë botoi monografinë “Antikomunisti Shahin Doçi”. Është autor i poemave “Toka ime e përgjakur”, “Hyjnori, atdheu im”, “Kohë e trishtë”, “Kosovë hyjnore” dhe i disa poezive në shtypin e kohës. Monografia “Rremulli, zemra e Matit” është vepra e tij e shtatë.
* * *
Rrethanat politike, sociale, ekonomike dhe ushtarake të Shqipërisë kanë qenë të trazuara, të publikuara vetëm bardhezi. Në këtë kuadër Rremulli, vendlindje e autorit, është jo pak i njohur në Mat dhe jashtë tij, për vlerat historike, arkeologjike, etno-kulturore, etj. Gjithashtu dëshmon interes për gjurmimin dhe studimin e kulturës iliro-arbërore. Nëse i referohemi historisë, pohojmë se Rremulli ka nxjerrë figura të shquara të urtësisë, mendësisë e trimërisë, patriotë, arsimdashës, aktivistë e kontribues kryesorë të çeshtjes së arsimit dhe kulturës shqipe. Por historitë e shkruara e të botuara janë shoqëruar dhe me ideologjizime. Konfuci, mendimtar dhe filozof kinez, i shekullit IV para Lindjes së Krishtit, është shprehur:
Nëse nuk është e jotja, mos e merr
nëse nuk është e drejtë, mos e bëj
nëse nuk është e vërtetë, mos e thuaj
nëse nuk di gjë, rri urtë e mos fol.
Ndaj, i çliruar nga paragjykimet, me drejtim pozitiv dhe duke hequr dorë nga leximi i ideologjizuar, monografia për Rremullin e autorit Canameti përshkohet nga paanësia, guximi dhe e vërteta, përshkrimi me saktësi i atyre ngjarjeve që kanë ndodhur.
Gjëja më e veçantë është stili origjinal në shkrimet me skena të detajuara për jetë njerëzish të thjeshtë dhe jo të thjeshtë, ku fati i tyre jepet me rrëfimtarí delikate. Fjala është për kronologjinë e ngjarjeve historike, kur rremullakët, që nga lashtësia e deri në ditët e sotme, nuk janë pajtuar me regjimet okupuese. Faqe pas faqeje vijnë me radhë ngjarjet historike që janë zhvilluar në këto anë deri në luftën për çlirimin e vendit.
Monografia “Rremulli, zemra e Matit”, e shkruar nga një rremullak, është me interes për studiuesin e sotëm. Autori dokumenton pozitën gjeografike të Rremullit, toponimet dhe origjinën, zhvillimin historik dhe shoqëror të këtij fshati, arkitekturën popullore, familjet, lagjet dhe gjenezën e fiseve, njerëzit e rëndësishëm dhe figurat rremullake me peshë, mbretërit ilirë, udhëheqësit e kryengritjeve për liri, duke qartësuar origjinën e tyre nga Kelmendi, Dibra, Kosova, Gramshi; për rremullakët që morën pjesë në luftën e Gjalishit më 1875, në Lidhjen e Prizrenit më 1878, në luftën e Pratit apo në Kuvendin e Suçit më 1908, në luftën e Shkallës së Deshëve më 1913, në betejen e Kakarriqit, në Shpalljen e Pavarësisë e deri te kryengritja kundër garnizonit fashist në luftën e dytë botërore më 31 korrik të vitit 1943, gjithashtu për bij të Rremullit që drejtuan në Mat e më lart. Të dhënat për Rremullin autori i ka marrë nga studime shkencore dhe duke mbledhur materiale gojore nga populli për të kaluarën e këtij fshati, për luftën që ka bërë nëpër vite për të mbrojtur atdheun, për doket e zakonet, për kulturën materiale dhe atë shpirtërore.
* * *
Siç theksuam, burimet historike provojnë rëndësinë dhe pjesmarrjen e rremullakëve në ngjarje të rëndësishme kombëtare, beteja e luftra, të cilat janë ruajtur dhe vazhdojnë të ruhen në memorien tonë lokale e kombëtare. Kujtojmë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, luftën për mbrojtjen e trojeve shqiptare të Hotit, Grudës, Plavës, Gucisë, pjesmarrjen në delegacionin matjan me në krye Ahmet Zogun në Kuvendin e Vlorës. Rremullakët janë pjesë e pandashme e luftës së popullit shqiptar për liri e pavarësi, për mbrojtjen e pavarësisë dhe integritetit. Kontribut të çmuar ata dhanë gjatë luftës së dytë botërore kundër pushtuesve nazifashistë gjatë viteve 1939-1944. Kuvendi i Qershizës i mbajtur në tetor të vitit 1912, nën kryesimin e Ahmet Zogut, mobilizoi matjanët për mbrojtjen e trevës së Shkodrës nga pushtuesit malazias. Ndërsa Kuvendi i Bruçit është një tjetër ngjarje e rëndësishme e matjanëve, i mbajtur më 26 korrik 1943, që ka hyrë në histori si kryengritja popullore matjane. Qëllim kryesor kryengritja pati organizimin dhe mobilizimin e popullit matjan dhe të krahinave fqinje, për një sulm të përbashkët ndaj garnizoneve fashiste italiane të dislokuara në Mat.
Të shkuarën le ta shohim nën dritën e bindjes, se para atdheut jemi të gjithë njësoj dhe askush nuk mund të pretendojë se e ka dashur apo e do më shumë Shqipërinë. Pra, Rremulli i Matit e ka letërnjoftimin e vet historik. Sepse kur ka ardhur çasti për t’u dalë zot fateve të kombit, dallimet mes “të majtëve” e “të djathtëve” dalin në plan të dytë, madje dhe të tretë.
Vend kryesor në monografinë “Rremulli, zemra e Matit” zenë personalitete të shquara me origjinë matjane, kadillarët e Matit (gjyqtarë) gjatë Perandorisë Osmane, klerikë të lartë matjanë, perandorët ilirë të Bizantit, dinastia 148-vjeçare e Mehmet Aliut me origjinë nga Rremulli, kryeministrat shqiptarë po gjatë Perandorisë Osmane, toponime që dokumentojnë lashtësinë dhe madhështinë e Rremullit, vise të shenjta, gjeneza e fiseve të Rremullit etj. Rëndësi e veçantë i jepet prezantimit të zhvillimit të arsimit, duke filluar me kursin e analfabetizmit dhe kuadrot që kanë punuar e drejtuar në shkollën e Rremullit. Në vazhdim njihemi me fiset Canameti, Stafa, Lika, Lala, Lleshi, Kuka, Pepa, Stana, Bajlika, Hoxha, Mara, Shehi e Rizvani, biografi të shkurtra të disa personaliteteve të njohura të kësaj ane si: Ahmet Shaban Canameti, sheh Daliu, pellazgologu Matjeu Aref (Arif Canameti), Bajram Hoxha, vëllezërit Xhavit e Ramiz Mara, hoxhë Rustem Kuka, Seit Lleshi, Kapllan Canameti, Ahmet Din Canameti, Tahir Tahiri, Esat Ruka, Shaqir Lika, Elez Dali Canameti, Zenel Hysa, Can Han Canameti, Riza Ruka, Mexhit Sali Canameti, Abdi Bojni, Veli Përleka, Bajram Hysa, Shefqet Lika, vëllezërit Qamil, Sadik, Zenel, Ahmet dhe Halit Lleshi; Hysen Kuka, Nezir Rizvani, Avni Shehu, Arjan Lika, Rasim Z. Hoxha, etj.
Rremulli i ka dhënë kombit burra të mëdhenj, të cilët luftuan pareshtur me guxim e vendosmëri, duke dhënë gjënë më të shtrenjtë e më të shenjtë, jetën e tyre si luftëtarë besnikë, si dëshmorë e heronj, të cilët janë Isuf e Met Lleshi, Mexhite Ismail Lala, Ahmet Cani, Fadil Canameti, Abdi Kuka, Xhemal Dan Kuka.
* * *
A ka më bukur se të shkruash e ta nderosh me një vepër vendlindjen tënde? “Rremulli, zemra e Matit” është monografia, ku dokumentohet historia, gjeografia, ekonomia, kultura dhe fusha të tjera me vlerë shpirtërore e dokumentare. Është një punë e zellshme e autorit Canameti, i cili me përkushtim e dashuri prej intelektuali e ndriçon këtë fshat mjaft të hershëm të trevës së Matit me argumente e të dhëna faktike, të cilat gjer më tani nuk kanë qenë të njohura për banorët e më gjërë. Sipas autorit, një fshat me nëntë kisha e shenjtorë sa madhështorë mund të ishte dikur! Sa popullsi kishte ky fshat me tridhjetë e gjashtë fise? Sa i kulturuar dhe i qytetëruar ishte ky vend? Sa i vjetër e i madh ishte ky fshat me mbi 1 ha varreza? Bazuar në gojëdhëna, Rremulli mban emrin e një mbreti të madh, që kishte sunduar në Romën e lashtë. Sipas tyre, në Alba-Longos të Italisë, në vitin 753 para lindjes së Krishtit, Romuli Alban themeloi Romën e lashtë, formoi senatin romak që këshillonte mbretin, krijoi kalendarin romak, i cili fillonte më 1 mars dhe që spjegohet vetëm në gjuhën shqipe. Pra, fjala Rremull është vendosur në kujtim të Romulit.
Monografia mbyllet me gjurmë historike të fshatit nëpërmjet fotografive, me pemën gjenealogjike si vlerë historike e familjeve dhe foto album të historive familjare e shoqërore. Si përfundim, ajo meriton të lexohet e të zerë vend në bibliotekën e secilit që ka të shtrenjta interesat kombëtare.
*kryetar i Klubit të Shkrimtarëve
dhe Artistëve “Pjetër Budi”, Mat.
© Hamdi Hysuka
Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania