“Muza Poetike Budiane” – Dita e poezisë së të gjithë poetëve



Nga Hamdi Hysuka, Burrel – 3 Tetor 2018

 

Për të tretën herë, në javën e parë të shtatorit, në Burrel u organizua Festivali Mbarëkombëtar i Poezisë “Muza Poetike Budiane”. Morën pjesë poete e poetë nga gjithë kombi shqiptar, që nga Mitrovica, Prizreni, Përmeti, Podujeva e Kukësi, Prishtina, Durrësi e Metvegja, Berati, Malësia e Madhe, Dibra e Prizreni, Shestani e Gramshi, të ftuar artistë, drejtues të qeverisjes vendore, studiues, historianë, media etj.

 

 

Këtë festë poetike, me praninë e tij, e nderoi kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, prof. dr. Shyqri Galica, këngëtari i mirënjohur mbarëkombëtar, Ilir Shaqiri; drejtori i Qendrës Shqiptare të Studimeve Letrare “Pjetër Budi” Tiranë, z. Behar Gjoka; poeti Xhevat Latifi, fitues i çmimit të parë në festivalin e vitit të kaluar; Artisti i Merituar Ymer Neli, Mjeshtër i Madh e të tjerë.

 

 

Poezia është frymëzim dhe burim shpirtëror i njeriut. Del nga zemra dhe merr dhenë. Bëhet fuqi e trazon zemrat e lexuesve. Nuk besoj se ka poet pa këtë fuqi të brendshme hyjnore. Siç është shprehur shkrimtari i madh rus, Tolstoi, arti është pasqyrë e jetës. Pra, poeti e zbraz fuqinë vullkanore të shpirtit, si Naimi ynë i madh, kur këndon me shpirtë:

 

 

Do të shkrihem, të venitem

si kandili që s’ka vaj,

baltë e pluhur do të bëhem,

të më shkelë këmbë e saj…

 

 

“Muza Poetike Budiane” u çel me promovimin e dy botimeve të reja, vëllimin me poezi “Mall për gjithësinë” i poetes emigrante Trëndafile Molla dhe përmbledhjen “Rrëfime nga shkolla” i autorit Luan Stafasani. Kënaqësi të veçantë dhe atmosferë të ngrohtë miqësore përjetuam nga leximi i vargjeve dhe shpirti i bukur i poetëve, sepse aty ku depërton fjala e bukur artistike, asnjë forcë tjetër nuk mund të hyjë. Konkuruan Anila Mihali, Flora Peci, Ramë Oraca, Mevlud Buci, Aqif Heta, Vera Istrefi, Shefqet Merra, Nikolla Spathari, Adivije Hoxha, Jahe Fida, Basir Bushkashi, Alma Zenellari, Gjokë Dabaj, Sami Velçani, Luan Stafasani, Xhavit Gasa, Pozaet Qose, Rabie Bytyçi, Kujtim Mateli, Valentina Kurti, Milazim F. Kadriu, Berat Batiu, Trëndafile Molla, Bajram Canameti, Rrahman Hyseni, Adile Baleta, Vladimir Muça, Sokol Hoda, Lulzim Hajdari.

 

 

Festivali ishte festë e fjalës së ëmbël, detyrë për ngritjen cilësore të poezisë sonë, me art dhe fjalë të gjuhës së bukur shqipe, që pranon juri profesionale, të paanshme në vlerësim. Guxoj të them se poezia konkuruese erdhi me dinjitet, korrektësi e përgjegjësi për temat dhe mesazhet që transmetoi, me fjalë që kanë peshë, që ruajnë respektin e vetë fjalës së ndershme e të vërtetë. U shpalosën vargje të një niveli të lartë poetik dhe artistik, të çmuara nga forma e brendia, përmbajtja e motivi, figuracioni i pasur metaforik e stilistik, siç pati mes tyre dhe ndonjë jo shumë të shëndetshme.

 

 

Emocion të pa përsëritshëm na dhuroi momenti kur këngëtari i madh, Ilir Shaqiri, përshëndeti festivalin me vargje origjinale, por nuk mundi t’i largohej interpretimit të këngës së famëshme “Jam Europë”. Për nga rëndësia, mënyra e organizimit, por dhe pjesëmarrja e poeteve e poetëve nga gjithë kombi shqiptar, “Muza Poetike Budiane” ngjalli interes të veçantë. Sipas vlerësimit të jurisë, me kryetar z. Mujë Buçpapaj (poet, publicist, drejtor i gazetës "Nacional") dhe anëtarë poetët Kujtim Stana e Lindita Doda, poezive më të mira iu dhanë çmime letrare. Me çmim të parë u vlerësua poezia “Ftohtë”, e autores Adivije Hoxha. Çmime të dyta merituan poezitë “Jetës sime”, e autores Alma Zenellari dhe “Lermë të të dua”, i poetit Llesh Murrani. U ndanë dhe çmime të treta për poezitë “Erërat me gjëmë vullkanesh”, i autorit Kasam Shaqirvela, “Nuk e di përse”, i poetit Dan Ibrahimi dhe “Asgjë nuk ndodhi këtë verë”, e autores Valentina Kurti. Çmimi i Karrierës, për krijimtari të suksesshme ndër vite, me nivel të lartë artistik e mesazhe filozofike për të sotmen e të ardhmen, iu dha poetëve Nikolla Spathari, Gjokë Dabaj e Rabije Bytyçi. Me votim të drejtpërdrejtë të vetë autorëve konkurues, Çmimi i Poetëve iu dha Alma Zenellarit.

 

 

Përmes artit të bukur, me magji poetike, zgjuam një mall, një dashuri, një ëndërr. Ishte “Muza Poetike Budiane” që prezantoi vlera shpirtërore, artistike dhe kulturore të kombit tonë. Nëse gjërat bëhen me shpirtin e duhur optimist, vullnetar, poetik dhe me frymën e bashkëpunimit, efektet janë të mrekullueshme.

 

 

Festivali “Muza Poetike Budiane” mbahet çdo vit, në javën e parë të muajit shtator. Dhe është kthyer në një ditë e poezisë së të gjithë poetëve, me pjesëmarrje mbarëkombëtare. Interesi i përbashkët kërkon organizim të mirë dhe ngritje cilësore të poezisë, që poezia të bëhet pjesë e nderuar e letërsisë sonë kombëtare.

 

 

 

Hamdi Hysuka

Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe

Artistëve “Pjetër Budi”, Mat

 

POEZITË FITUESE 

 

--------------

FTOHTË

--------------

 

Sot ndjeva ftohtë,

mbështjell nën rrobdishambrin pa kopsa,

ku vjeshta bollëkun e saj

fshihte...

 

 

Lagësht më fliste dëshira,

ethshëm,

gjer në mospritje..

 

 

Flakëruar nën drita qirinjsh,

mëndafsh i mishtë shëndriste,

rrëshqitshëm,

si butak nën vesë...

 

 

Sot ndjeva ftohtë,

britmës së fjalës së pathënë

fshikullonte heshtja...

 

 

Agjërues pa shpirt,

me sy të fashuar,

luaj melodinë e shpresës,

telit të vetëm,

harpës telakëputur.

 

 

Sot ndjeva ftohtë...

 

© Adivije Hoxha

 

 

 

-------------------

JETËS SIME

-------------------

 

Ti nuk e di se ç’ndjej unë,

kur malli im përskuqet mbrëmjeve,

si plagosen ditët e mia pa ty,

si përplasen akrepat dhe koha ime ndalet.

 

 

Më lë të verbër udhëkryqeve,

shpirt kryqëzuar…

 

 

Ti nuk e di,

si zhvishem nga ngjyrat,

këngët, aromat,

si humbet dhe tingulli i fundit

pas vijës që ndjek horizontin,

si humbasin jehonat,

si humbas unë, ti nuk e di.

 

 

Nuk e di si zhurmojnë brenda meje

shkëndija marazi,

si përplasen,

thërrmohen shkëmbijtë e dhimbjeve të mia,

kur botët tona padrejtësisht duan t’i përmbysin,

ndjej stinët e zemrës sime si rrënqethen

prej erërave tinzare.

 

 

Dhe më duhet të hesht,

ti nuk e di ç’jam ndoshta

pa ty,

jam oaz i shkrumbuar, i tharë,

vullkan i shuar,

jam dita dhe nata pa sy…

 

© Alma Zenellari

 

 

 

-------------------------------

LERMË TË TË DUA!

-------------------------------

  

Lermë të të dua sa jam ende gjallë,

se kur të më thërrasë mjekërbardhi Shën Pjetër

nuk do më zgjojë as lot, as mallë

nuk do mund të marr nga ti asnjë letër.

 

 

E vetme mund të pish kafen e mëngjezit,

duke parë rrezet e diellit mbi vendin tim,

nervat do t’i ngrejë edhe zëri i këndezit,

era do të fryjë e ftohtë e me trishtim.

 

 

Veten do të mallkosh, kaq pak më je dhënë

mbi letër do bësh portretin tim të qeshur,

mbi kokë patjetër do më vizatosh një henë,

por hëna në qiell do të jetë më e zbehur.

 

 

Lermë të të dua sa jam ende gjallë,

në djall trishtimet, nuk kam për të vdekur

kur nuk të shoh, për ty kam mall

veç dashurisë asgjë nuk më ka mbetur…

 

© Llesh Murrani

 

 

 

-------------------------

NUK E DI PËRSE

-------------------------

 

Nuk e di përse

një ujk do të më hajë,

për të të ngrënë është

po përse leh si qen?

 

 

Një qen më ndjek

si hije nga ligata,

për të të ndjekur është

po përse ngjan në njeri?

 

 

Një njeri ma zë rrugën

si një bajloz i zi,

porosinë mbaron

po përse hingëllin si kalë?

 

 

Një kalë lodron para syve të mi,

për të lodruar është,

po përse ulërin si ujk?

Nuk e di përse...

 

© Dan Ibrahimi

 

 

 

----------------------------------------------------

ERËRAT ME GJËMË VULLKANESH

----------------------------------------------------

 

Lisat e ndjejnë prushin e fjalës,

mërzitem për frutat e pemëve,

erërat monsunore në rritje

mbajnë erë vullkanesh,

ky cunam i vërtetë

m’i shkund pemët

e papjekura në kopësht.

 

 

Bretkocat e ndjejnë prishjen e kohës

dhe çakejtë i skapullojnë dhëmbët,

për prenë e re!

 

 

Trungu i Lisit tim

mban çarjet e kohës shterpë,

ndonëse rrënjët ushqehen pandërprerë,

kopështarët me pamje engjëllore

mundohen t’m’i shartojnë degët

me metoda finoke,

që na sjellin servilçe frutat e ri pa shije!

 

 

N’dalldisje mendimesh t’kulluara

seç ma bren unin një krimb,

eci logut të burrave i hutuar,

zotrat i ftoj në Olimb,

Ganimedi le t’i shërbejë për gosti

n’aheng me cetrën e vjetër,

kënduar nga Orfeu pellazgjisht,

i gjej në pllaka guri e jo n’letër!

 

 

Sytë më dhembin nga imazhe të turbullta,

e veshët në shurdhim ulurimash memece

ç’m’i sjellin kto hallakama erërat,

sinorit tim të vjetër

me gjamë vullkanesh!

 

© Kasam Shaqirvela

 

 

 

-------------------------------------------------

ASGJE NUK NDODHI KËTË VERË

-------------------------------------------------

 

Asgjë nuk ndodhi këtë verë,

përveçse ditët kaluan mes përmes të nxehtit,

edhe sivjet emigrantët nuk e harruan ritualin e përvitshëm,

erdhën me çantën e mallit në shpinë,

ikën kokulur me nxitim.

 

 

Asgjë nuk ndodhi edhe këtë verë,

o, desh harrova eklipsin e hënës

e patë se si u përskuq hëna në mbrëmje,

si një portokall i tejpjekur që bie,

themi pastaj se njerëzit janë zotër.

 

 

As këtë verë asgjë nuk ndodhi,

më kot prita ta shihja nënën në ara, në kopshte

malli më përkuli për fytyrën e saj, fjalën e ëmbël

mermeri i bardhë s'di si e tret…

 

 

Asgjë nuk ndodhi,

po nga fëmijët u ngritën balonat

dhe bari aty-këtu u tha.

 

 

Ju betohem, asgjë nuk pashë, s'dëgjova asgjë

iku ashtu duke u kacavjerrë në harkun e kohës,

me një lëmsh në grykë.

 

 

Asgjë nuk ndodhi, gjithçka do të ndodhi

thuhet se dielli nuk do të lindë në lindje,

po diku aty në perëndim,

perënditë do të zbresin në tokë,

njerëzit për t'u ngjitur në Olimp.

 

 

Po mua duart po më dridhen,

se si ndihem,

do mundem t'i përshtatem kësaj përbysjeje?!

 

 

Iku dhe kjo verë,

në vjeshtë nisin shirat,

shtrëngata do të ketë,

iku dhe kjo verë si e zënë në kurth. 

 

© Valentina Kurti