Hamdi Hysuka (ish-maturant i vitit 1969), Burrel – 22 Qershor 2019
Të gjithë themi se vitet e shkollës së mesme mbeten të paharruara. Kështu është në të vërtetë kur e mendon. 20 qershori 2019, për ne ish-maturantët e para 50 viteve të Shkollës Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” Elbasan, është një ngjarje e paharruar, me mbresa dhe kujtime të shumta. Jemi ulur plot dëshirë në bankat e kësaj shkolle pedagogjike, në qytetin më të shquar për arsim e dituri, për kulturë e qytetërim.
U bënë 54 vite kur në këtë shkollë ishim nxënës të klasës së I-B, me mësues kujdestar prof. Genc Stringën. Të vegjël ishim, 13-14 vjeç, ndonjëri edhe 15… Në shtatorin e vitit 1965 u mblodhëm një e nga një, nga të katër anët e Shqipërisë, nga afër e nga larg, të ndrojtur e të padalë nga fshati, me rroba sa për të thënë, me triko leshi, xhaketa e pantallona doku… Por me ëndërra për t’u pajisur me dije e për t’u bërë edukatorë të brezit të ri. Lista emërore është kjo: Afërdita Çarçiu, Argjentina Bejtja, Basrie Lila, Bujar Spahiu, Esat Forgali, Fatmir Ago, Fiqirete Berbiu, Gjon Piroli, Hamdi Hysuka, Islam Meça, Mehmet Hasani, Musa Hushi, Myslim Cakoni, Naum Bici, Nebi Mehmeti, Nevruze Vërçka, Olimbi Islami, Qamil Lala, Qatip Cërriku, Rajmonda Leka, Ramiz Lela, Rruzhdi Manerkolli, Sabri Hoxha, Tomorr Gega, Valentina Riska, Vasilika Gramo, Zeqir Leka. Mësimet i ndërprenë Vasilika Gramo, Fatmir Ago, Rajmonda Leka, Esat Forgali, Zeqir Leka, Myslim Cakoni. Në vitin e dytë na u shtuan Drita Mysliu, Izet Balla, Hamza Isufi, Bajram Pero. Në paralelin C u larguan Bujar Spahiu Petrit Kolaveri e Qamil Lala.
Për secilin qyteti i rinisë mbetet më i miri në botë. Se këtu janë kujtimet e pashlyera të asaj kohe, në të cilën “kur vendosëm që t’ia kushtojmë veten shoqërisë, u ndalëm te profesioni i mësuesisë”. Ndaj në jetën tonë vitet e shkollës pedagogjike zejnë vend të veçantë. Për ne shokët e shoqet e klasës IV-B, shtator 1965 - qershor 1969, Elbasani ka qënë e mbetet i jashtëzakonshëm. Sepse për herë të parë këtu, më 1 dhjetor të vitit 1909, u hap e para shkollë për mësues, me emrin “Shkolla Normale” e Elbasanit. Drejtor i parë ishte patrioti i shquar shkodran, Luigj Gurakuqi. Ndërsa mësuesit e parë qenë njerëzit më të shquar të kulturës shqiptare, të arsimuar jashtë atdheut: Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci, Petër Dodbiba, Simon Shuteriqi, Hasan Mejza, hafiz Ibrahim Dalliu etj. Para nxënësve atë ditë, arsimtarëve e popullit të mbledhur, ndër të tjera Luigj Gurakuqi tha: "Shqipëria u lëkund e tëra nga zëri i Shkollës Normale, atdhetarët nuk kursyen ndihmat e veta, ndërsa djemtë tanë rrodhën nga të gjitha viset e Shqipërisë e u derdhën këtu në Elbasan, jo vetëm nga Toskëria, që ka qenë gjithmonë e para në tregimet kombëtare dhe ndër luftrat e gjuhës, por më fort nga Gegëria e Sipërme, nga ajo Kosovë sa fisnike e trimoshe, me përpjekjet e të ndershmit Hasan Prishtina, i cili na rroftë për jetë, na erdhën mjaft nxënës saqë mund të thuhet pa frikë lajthimi se nuk ka asnjë kënd të Shqipërisë që të mos ketë këtu brenda përfaqësuesin e vet."
Fillimisht mësimi filloi me 111 nxënës, prej të cilëve 50 ishin nga Elbasani, ndërsa të tjerët nga të gjitha trojet shqiptare. Nxënësit nga Kosova dhe Shkupi udhëtuan 12 ditë, derisa arritën në Elbasan për të marrë emrin e nderit “Normalist” e më pas mësues.
Vitet e moshës më rinore, 14-18 vjeç, janë më aktive të formimit tonë, sepse vinim nga fshatra, qytete e zona të ndryshme të Shqipërisë. Këtu njohëm njeri-tjetrin, krijuam shoqërinë dhe forcuam karakterin, dashurinë e respektin për njëri-tjetrin, për pedagogët tanë të mrekullueshëm. Çdo pedagogjikas kujton me ndjesi, dashuri e mirënjohje të madhe vitet e shoqërisë 4-vjeçare, shokët dhe shoqet e klasës, pedagogët e jashtëzakonshëm, të shkëlqyer, të përgatitur dhe edukatorë të gjithanshëm, që luajtën një rol të rëndësishëm në formimin dhe edukimin tonë. Duke iu rikthyer kujtimeve më të mira, kujtuam jo pa nostalgji aftësitë dhe nivelin e ngritur profesional të tyre, shumica e të cilëve vinin nga universitetet e Europës dhe ishin model në mësimdhënie e kërkesë llogarie ndaj nesh. Veçuam drejtorin, Vasil Kamami, i cili kishte mbaruar studimet shkëlqyeshëm për gjuhë dhe letërsi italiane në Firence të Romës. Nuk mund të harrojmë komunikimin shembullor të tyre me ne ish-nxënësit e ndrojtur. Kujtojmë pedagogun e parë kujdestar, Genc Stringa; pedagogët Qazim Kashari, Nazmi Gurmani e Mustafa Karapinjalli në gjuhë e letërsi; Gjyslime Kryemadhi, Qazim Bumi, Shyqyri Latifi, Adhurim Kongoli e Stavri Stoja në matematikë; Doloreza Gjerazi në fizikë, Kastriot Misja në kimi; Lumnije Kotherja në biologji; Shyqyri Demiri, Rrahman Berhami e Ndriçim Librazhdi në histori; Tomorr Arianiti e Nos Ndrio në gjeografi; Vasil Kamami, Reshit Kashari, Sotir Paparisto e Qemal Bajraktari në pedagogji e psikologji; Grigor Kallajxhiu në njohuri politike; Boro Shoshkiç e Piro Bishka në gjuhë të huaj (ruse), Lumnije Shehetila në edukim muzikor; Bukurosh Sejdini, Vasil Tole, Andon Lakuriqi në vizatim; Enver Zyma në bukurshkrim; Hysen Çaushi, Leonard Shuteriqi e Vasil Talo në vegla muzikore; Shpëtim Gjevori, Maruka Zharda, Kristaq Mullisi e Kujtim Graceni në edukim fizik; Isuf Ekmeçiu e Xhevat Domi në punë dore... pa harruar kujdestarët e konviktit Agim Haxhiymeri, Abdyl Mallaholli, Burbuqe Bebeti, Hasan Dylgjeri; as daj Cenin roje e daj Metin kujdestar ditor. Lëndët mësimore që zhvilluam gjatë katër viteve janë: Gjuhë shqipe, Metodikë gjuhe, Letërsi dhe lexim ekspresiv, Letërsi për fëmijë, Gjuhë ruse, Algjebër, Aritmetikë, Metodikë aritmetike, Gjeometri, Fizikë, Kimi, Anatomi e fiziologji, Botanikë, Zoologji, Bazat e biologjisë, Metodikë e diturisë së natyrës, Gjeografi e metodikë, Histori e metodikë, Njohuri fillestare politike, Psikologji, Pedagogji, Higjienë, Bukurshkrim e metodikë, Muzikë, Vegël muzikore, Punë dore, Bujqësi, Ekonomi shtëpijake, Pedagogji praktike. Si pa u ndjerë kaluan ato vite kur filluam mësimet nëpër klasat me laboratorë në lëndët kimi, fizikë, biologji, gjeografi, vizatim, edukim muzikor, punë dore, edukim fizik etj. Mirënjohje e përhershëm për të gjithë pedagogët tanë!
Elbasani është qytet i lashtë, me monumente kulturore. Ngado që të nisesh, rruga drejt tij është me bukuri të rralla natyrore. Rrezet e diellit i japin natyrës shumëngjyrëshe koloritin e bukur, i cili gërsheton gjethet e kuqërremta me rrezet e diellit. Të tilla bukuri na shoqëruan me vargmale të njëpasnjëshme. Kureshtja ishte e madhe, se në këtë qytet të vlerave kombëtare, që ka zënë vendin e merituar në botën e monumenteve të kulturës shqiptare e më gjërë, u kthyem si ish-maturantë, pedagogjikas të vitit 1969.
Kalendari shënoi 20 qershor 2019. Ishim afërsisht 70-vjeçarë. Nuk i ruajmë flokët e dikurshëm, as sasinë e tyre. Emocione, por edhe lot malli e kujtime të pa harruara. Natyrisht jemi më të vjetër dhe me flokë të thinjura, por nga malli dhe dashuria mbase të rinj, si atëherë, të qeshur e buzagaz, si vëllezër e motra.
Befasitë nuk na u ndanë. Bukuritë dhe pamjet rreth e rrotull janë mbresëlënëse e nuk mund të përshkruhen. Hapësira të sistemuara e të gjelbëruara, ndërtime moderne e tradicionale, rrugë të gjera të mirëmbajtura, lokale shërbimi e mbi të gjitha stadiumi “Elbasan Arena”, i nivelit ndërkombëtar.
Atmosferë e mrekullueshme! Pasi shkëmbyem shikimet e para, se cili e mbante mend njëri-tjetrin, u përqafuam dhe u ulëm për një kafe, në lokalin e bukur të Turizmit të qytetit.
Pra, të gjithë 68 ose 70-vjeçarë, me karriera e gjurmë të rëndësishme ndër vite, duke dhënë kontribut në edukimin e brezave dhe në ndërtimin e vendit, duke qenë mbi të gjitha qytetarë të denjë të kësaj shoqërie.
Më pas u drejtuam për te klasa ku bëmë mësim në vitin e fundit. Ish-sekretari i rinisë, Ramiz Lela, kërkoi që të rreshtohemi në hyrje të shkollës dhe me qetësi të hyjmë në “mësim”. Ashtu bëmë. Emocioni ishte i shkallës sipërore absolute! Në tabelë, me shkrim dore, siç na mësonte profesori i bukurshkrimit, Enver Zyma, ishte shkruar: “Nuk jemi plakur, por jemi rritur”!
Me peshën e viteve mbi supe, me më pak flokë dhe me disa kilogramë më shumë, në shoqërinë e njëri-tjetrit u rikthyem edhe njëherë në shkollën tonë të dashur. U ulëm nëpër tavolina, ashtu si dikur nëpër banka. Takim gjithë emocion, i përzier mes mallit dhe kujtimeve. Shkëmbyem biseda. Profesori kujdestar i vitit të parë, Genc Stringa, mori fjalën e rastit. Përshëndeti pjesëmarrësit, por dhe ata që nuk mundën të ishin në këtë takim. Edhe 50 vite më pas ndjemë “ethet” e apelit. Nga një fletë regjistri e atyre viteve profesori filloi leximin e emrave, me porosinë që kush dëgjon emrin, të thotë këtu… Mungesa pati. Katër ishin me arsye, kanë ndërruar jetë... Në shenjë respekti, mirënjohjeje e dashurie mbajtëm një minut heshtje.
Pastaj kaluam në shkëmbim të kujtimeve, episodeve të veçantë mes njëri-tjetrit, treguam fotografi të asaj periudhe, batuta e veprime të moshës rinore për vitet e shkollës, mësimet, provimet, pedagogët, pushimet, simpatitë dhe shoqërinë që kishim në ato vite. U emocionuam duke shikuar njëri-tjetrin në sy, duke menduar se çfarë vitesh të bukura kemi kaluar...
Disa nuk mundën të vinin në takim, pasi janë larg, të shpërndarë nëpër botë, por me zemër ishin aty. Në celularin tim erdhi një mesazh nga Amerika, dërguar nga Afërfita Çarçiu (Robo), në të cilin ajo përshëndeti të gjithë shoqet dhe shokët e klasës, duke na uruar që t’a kalojmë sa më këndshëm këtë takim, mes kujtimesh të bukura të asaj kohe të paharruar!
-Më vjen keq që nuk marr pjesë, -thuhej ndër të tjera. Por, falë teknologjisë së lartë elektronike, pa u menduar fare, hapa mesenxherin dhe nëpërmjet videos shoqja jonë u bë pjesëmarrëse me ne. Drejtpërderejt u përshëndet me secilin, duke filluar nga pedagogët e me radhë shokët e shoqet.
Pas një intervali të shkurtër kohor, e njejta gjë ndodhi dhe me “amerikanen” tjetër, Olimbi Islami. Në mesazhin dërguar Islam Meçës, shkruante se me këtë rast ndjehej shumë e gëzuar. Po me video mesenxher nga celulari i Islamit, mes emocioneve, të gjithë e përshëndetëm dhe na përshëndeti.
-Në një farë mënyre, -shkroi më pas në mesenxherin tim, -m’u duk se isha aty me ju, shoqe e shokë të rinisë. U gëzova dhe u emocionova. Kur ju pashë, më rrodhën lot gëzimi e mallëngjimi për ato vite të bukura. Ju përqafoj nga larg me shumë dashuri e respekt!
Ndonjërin shok a shoqe, nuk e kemi parë që në mbrëmjen e fundit të maturës, si psh Gjonin, Tomorrin, Afërditën, Fildushen, Hasanin, Engjëllushen, Bariun, Aqifin, Musanë, Rruzhdiun… Të tjerë nuk ishin të pranishëm për arsye subjektive, por disa munguan, se janë ndarë para kohe nga jeta, duke lënë hapësirë të zbrazët në zemrat e shoqeve dhe të shokëve…
Veç maturantëve në takim erdhën dhe profesorë të asaj kohe: Genc Stringa, prof. dr. Tomorr Arianiti, Qazim Bumi, por dhe shokë të klasave të tjera paralele: Bilal Plakaxhiu e Shefqet Karasani IV-A, Rustem Murrja, Gani Sadiku e Petrit Kolaveri të IV-C. Me nostalgji pedagogët përshkruan kujtimet e atyre viteve dhe emocionet e ritakimit. Profesor Genci sollil ndër mend moshën tonë të ndrojtur kur ishim 14-vjeçarë.
Biseda, improvizime të një ore mësimi, kujtime dhe… pse jo, rikthim në moshën e sinqeritetit. Dikush kujton tërë mallëngjim shtrëngimin fort të dorës, të shokut apo shoqes, shkuarjen bashkë të dielave në kinemá. Një tjetër i kërkon falje shokut apo shoqes për mosguximin e treguar, duke lënë ëndërrën e atyre viteve që të shuhet.
Kujtuam vitet e bukura të pedagogjikes, ekskursionet, aktivitetet e shumta kulturore dhe artistike, provimet e maturës, pedagogët tanë të mirë, të dashur e të edukuar, të palodhur e fisnikë. Asokohe ishte e traditës që pas mbarimit të vitit shkollorë, të shkonim në aksionet e rinisë, në punë vullnetare. Kujtuam jo pa nostalgji kohën kur punonim në Cërrik e Kombinatin metalurgjik të Elbasanit, në hapjen e taracave në Jonufër të Vlorës, punimet në sektorin nr. 7 të hekurudhës Rrogozhinë-Fier, si dhe hapjen e rrugës turistike në Gjinar të Elbasanit. Pjesëmarrjet tona në aksionet e atëhershme vullnetare të rinisë kishin rëndësi të madhe. Në ato aksione të moshës rinore shquheshim dhe për aktivitete kulturore e sportive.
I paharruar për klasën tonë, por dhe shkollën, ishte konkursi i përvitshëm i letërsisë midis shkollave të mesme të qytetit. Për herë të parë në vitin 1969 shkolla jonë pedagogjike fitoi ndaj gjimnazit. Në finale u ndeshëm me gjimnazin “Dhaskal Todri”. Skuadra e pedagogjikes u përfaqësua nga Ramiz Lela, Gjon Piroli, Hamdi Hysuka (klasa IV-B) Lefterie Dardha, Violeta Kane (klasa IV-C) e Robert Kamberi nga klasa IV-D. Gjithashtu kujtuam dhe festën tradicionale “Dita e Verës”, që në Elbasan festohet më bukur se ndërrimi i viteve. 14 Marsi është dita e gjallërimit të natyrës, shpirtit, paqes dhe harmonisë. Ballokumja, embëlsira tradicionale elbasanase, ia shton kuptimin kësaj feste pranverore.
Për profesor Tomorr Arianitin koha sikur ka ndalur. Çdo moment i asaj mature të largët duket se ende është i skalitur. Ai na kujtoi kur ishim të rinj dhe na mësonte lëndën e gjeografisë.
-Përshëndetje dhe urimet më të mira nga ky profesor plak, -na u drejtua i emocionuar prof. dr. Tomorr Arianiti, duke na falenderuar për ftesën që i bëmë. Ai na quajti kolegë e më shumë se kolegë. Sipas tij, ky takim tregoi dashurinë që ka nxënësi ynë për mësuesin, shkolla për edukatorin, me qëllim që puna të shkojë përpara, duke harmonizuar mirë këto dëshira e respekte. Në vazhdim ai tha se në këtë takim ndjehet i lumtur më shumë se ne, sepse mbushi 82 vjet. Por me buzëqeshje na u drejtua se takimin tjetër, dmth 55-vjetorin tonë në vitin 2024, do ta ketë të vështirë. Mes duartrokitjeve prof. Tomorri na uroi me gjithë shpirt jetë të gjatë e të lumtur në familjet tona, shoqëri e kudo.
Duke improvizuar një orë mësimi, ish-prof. i matematikës, Qazim Bumi, na spjegoi një formulë jete. Sipas Ajnshtajnit, njeriut më të famshëm të shekullit XX, tha ish-profesori ynë, jeta është baraz me A, që do të thotë punë; plus B shlodhje, plus C që flet për shtrëngimin e gjuhës pas dhëmbëve. Mesazhi ishte i qartë dhe s'qe nevoja për komente.
-Kemi qenë në moshën e adoleshencës, kur u ulëm për herë të parë në këto banka dhe tani jemi po ne, por në moshën e pensionit, jemi dhe gjyshër, -tha Ramiz Lela, ish-sekretari ynë i rinisë.
-Kemi shumë gjëra për të kujtuar dhe treguar me njëri-tjetrin, si për vitet e shkollës, ashtu edhe për vitet e mëvonshme të punës sonë, -vijoi Valentina Riska.
-Jam shumë i kënaqur që u takuam. Kemi kaluar vite të bukura bashkë, ndoshta më të bukurit, -shtoi Ali Bala.
-Për mua, -tha Qani Bajrami, -pedagogjikja është një nga periudhat më të bukura të jetës. Është mosha kur formuam intelektin, bëmë shoqëri e miqësi të sinqertë.
-Jemi një brez që kemi studiuar dhe punuar me sinqeritet, duke dashur më të mirën për vendin e mbi të gjitha duke edukuar breza të tërë gjatë viteve të punës, -pohoi Mehmet Hasani.
Përveç njëri-tjetrit, kujtuam me nostalgji mësuesit tanë, sidomos atë kujdestar të vitit të dytë, të tretë e të katërt, Boro Shoshkiç, për mënyrën se si ai organizonte orën e mësimit dhe kujdesej për ne, si të ishte prind.
-Na mungon akoma mirësia dhe humori i profesor Boros, mësuesit kujdestar të vitit të dytë e deri në maturë, mençuria, personaliteti, buzëqeshja dhe thjeshtësia e tij, -foli mes emocionesh Marie Mufali.
-Kur kujtoj se çfarë mësuesish të mirë kemi patur, më rrëqethet mishi, -u shpreh Tomorr Gega.
-Kanë qenë autoritarë, me prezencë e mbi të gjitha edukues, -plotësoi Bukuroshe Domi.
-Nuk ka më mësues si në kohën tonë, -tha Fuat Lulo, disi me zë të lartë.
-Kemi kaluar shumë mirë. Kemi mall dhe nostalgji. Kemi qenë të sinqertë në marrëdhënie dhe në shoqëri, -shtoi i emocionuar Naum Bici.
-E pa harruar për ne mbetet pedagogjia praktike, -vazhdoi Aqif Puca. Të këtij mendimi qemë të gjithë, sepse pedagogët e kësaj lënde të rëndësishme profesionale ishin me nivelin më të lartë pedagogjik, pasi studionin gjerë e gjatë pedagogjinë e metodikat, njihnin mirë problemet e shkollës fillore, punonin shumë për të futur në shkollën tonë ushtrimore koncepte e metoda të reja.
U bashkua koha me kohën, se, siç thotë kënga, veç mali me mal nuk takohen, se njerëzit takohen një ditë… Mes emocionesh dhe ndjeshmërisë së pastër poetike më erdhi të fishkëllej më parë melodinë e këngës “Kujtimet e studentit” e më pas, me zë të ulët, vazhdova recitimin:
Një ditë në banka o mike
dy emra i gdhendëm dikur,
po ti nuk e di si më ike,
ndaj vura ne zemër një gurë.
Dashuria e parë nuk harrohet,
dëgjo këtë fjalë që trondit,
veç mali me mal nuk takohet,
por njerëzit takohen një ditë.
Ne u ndamë në errësirë,
jeta ndarje ka,
por se zemra lamtumirë
zemrës nuk i tha.
U ndamë nga shkolla mban mend,
po ne nuk u ndamë përjetë,
ndaj tjetër s’e zu vendin tënd,
të dytë dashuri s’mund të ketë!
Hymë dhe në muzeun e shkollës. Bukuri moshe dhe rini e pakthyeshme. Me nostalgji vështrojmë fotot bardhë e zi të kohës, njëherazi shokët e veten. Vitet kanë kaluar, brezat kanë ndryshuar, por jo malli dhe nostalgjia për vitet e pedagogjikes. Në vitrina na tërhoqën vëmendjen dhjetëra dosje dokumentesh, albumesh fotografikë, mes të cilëve dhe polifotoja e maturës sonë ’69; përfaqësues të brezave normalistë, relike të shumëllojshme, botime të së kaluarës dhe të së tashmes, revista, regjistra, portokolle të këshillit pedakogjik, kujtime të ish-Normalistëve.
Koha prej 4-5 orësh e këtij takimi të ngrohtë kaloi shpejt e pa u kuptuar. Të gjithë uruam njëri-tjetrin. Nga ky takim na u rinua vetja, si dikur para 50 viteve. Dreka në Restorantin “Rexhina”, me urime e përshëndetje, vazhdoi deri në orët e pasditës me mbresa e kujtime të shumta, me muzikë, këngë, valle, përshëndetje e batuta, me foto e kujtime të më shumë se 1000 ditë të pa harruara.
Jeta vazhdon e ne do të takohemi përsëri, do të flasim e bisedojmë, se duhemi dhe kemi respekt e mall për njëri-tjetrin. Do të ritakohemi sërish, duke dhënë shembullin se si miqësia e vërtetë i reziston kohës. Takimi pas 50 vitesh ishte i bukur, mbresëlënës, me plot kujtime. Secilit i uruam shëndet e jetë të gjatë për t’u takuar përsëri! Para ndarjes i premtuam njëri-tjetrit se do të mblidhemi prapë për të festuar 55 e 60-vjetorin, me shpresën që të ketë sa më pak mungesa pa arsye, ndërsa me arsye, asnjë. Askujt nuk i dhamë leje...
© Hamdi Hysuka
Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania