Nga Hamdi Hysuka, Burrel – 11 Qershor 2019
Më 9 qershor 2019 në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” u hap Festivali Ndërkombëtar “Drini poetik”, organizuar për të dhjetën herë nga Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës. Sipas traditës, kryetari prof. dr. Shyqri Galica uroi mirëseardhjen.
Festivali filloi me ekspozitën e piktores vuthjane Kaltrina Hotit, titulluar “Vrapo pas diellit”. Më pas u zhvillua Sesioni letrar «Frymëzimi historik si interpretim modern i historisë në letërsi dhe art». Në vijim u përuruan libra të rinj të disa autorëve, mes të cilëve vëllimi me poezi «Dallëndyshe në fluturim» i poetes nga Durrësi Trandafile Molla. Gjatë pjesës së tretë “Lira magjike”, në foltore u ngjitën me poezitë e tyre poetë të shumtë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Veç njohjes me krijimtarinë e poetëve brenda harkut kohor 1-vjeçar, kryefjala e festivalit ishte poezia, e konceptuar në pjesët poetike, “Lira magjike”, “Ora e Lidhjes” dhe “Valët e Drinit”, zhvilluar në Prishtinë, Prizren e Kukës, në funksion të idesë që poezia dhe fjala bashkojnë qytetet, njerëzit dhe nuk njohin kufinj. «Lira magjike” në Prishtinë krijoi atmosferë emocioni, lirshmërie dhe bukurie, ku poezia dhe interpretimi i poetëve lanë mbresa.
Prizreni festoi 141-vjetorin e Lidhjes shqiptare, pjesë e së cilës u bë dhe manifestimi letrar “Ora e Lidhjes”. Pas drekës në Vërmicë dhe orës letrare “Valët e Drinit”, që u mbajt në qytetin e Kukësit, manifestimi tradicional poetik përfundoi punimet. Për krijimet më të mira poetike juria ndau çmime letrare. Çmimi “Metafora I” iu dha poetit Berham Hoti, “Metafora II” poetit përmetar Ligor Shyti dhe “Metafora III” poetit Zeqir Faslliu. Piktores e poetes Kaltrina Hoti iu dhurua një komplet librash të Institutit Albanologjik të Prishtinës, ndërsa piktura më e bukur iu dha prof. dr. Ukë Buçpapaj.
Festivali “Drini poetik” ka krijuar fizionomi tradicionale me rëndësinë e kontaktit kulturor dhe të afirmimit të vlerave letraro-artistike.
Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pjetër Budi” i Matit u përfaqësua nga poetët Hamdi Hysuka e Fatmir Neli me poezitë e më poshtme :
--------------------------
PËRSHËNDETJE
--------------------------
Në malin ku qyteti sytë hedh
dhe zogjtë këndojnë këngë lirike,
gurë të bardhë me nxënësit mbledh
për dy fjalët “Shqipëri Etnike”.
Si në orën e bukurshkrimit në klasë,
kujdes bëjmë për çdo shkronjë,
nga bedenat e larta të kalasë
vjen e përshëndet një shqiponjë.
Bukur shkronjat bëhen emra,
si nga mali të kenë mbirë,
gaz në sy e zjarr në zemra
ka togfjalëshi më i mirë.
Për gurët lidhur në shkronja,
për zemrat shkrirë në besa-besë,
ja, përse rend sot shqiponja
dhe përse thotë: Ju përshëndes!
© Hamdi Hysuka
Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania
----------------------------------
NJOH NJË MAGJISTAR
----------------------------------
Unë e njoh një magjistar,
më të madhin në botë,
është ai që me vetë Zotin
shkojnë e vijnë si dy shokë.
Ai dhe globin rrotullon
në majë të penës së tij,
dhe me yllin më të largët
jep e merr dashuri.
Ai gjethet e vjeshtës
i shndërron në flutura,
dhe fshatarkat te burimi
në zana të bukura.
Ai përroin e fjetur
e bën lum mbretëror,
pastaj me Hënën e kuqe
e sheh të vërë kurorë.
Ai në një lot mbyt detin,
me frymë çon një muson,
për të pafajshëm që vriten,
ngre popuj në revolucion.
Ai në buzët e të dashurës
ndërton një perandori,
ndonëse nuk është i pasur,
(kjo mos t’ju duket çudi),
kur nuk flet me Zotin
flet me një gotë raki,
pastaj ecën fluturimthi
dhe mes heshtjes së vet
bën nga hiçi të shpërthejë
në çast një koncert…
Unë e njoh këtë magjistar,
e ka emrin POET.
© Fatmir Neli
Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania