Dy çmime për grupin folklorik “Petralba”



Nga Hamdi Hysuka, Burrel – 5 Qershor 2018

 

Për herë të parë, më 1 dhe 2 qershor 2018, në Gjakovë u zhvillua Festivali Folklorik Mbarërkombëtar “N’Odën e Malësisë së Gjakovës”. Para artdashësve të shumtë interpretuan shoqëri artistike dhe grupe folklorike nga treva të ndryshme shqiptare, të cilat përmes tingujve e melodive, këngëve, valleve të shumta e veshjeve tradicionale kombëtare, shpalosën vlerat e folklorit shqiptar, të ruajtura ndër breza.

 

Me program të pasur folklorik në skenën e Festivalit u ngjit dhe Grupi Folklorik “Petralba” i Bashkisë Klos. Këngëtari Veri Beça këndoi këngën “Legjendar sa jeta e tokës”, kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, me rastin e 550-vjetorit.

 

Më pas Ikli Punavija interpretoi melodi me lauri dhe baritore me bilbil, ndërsa rapsodja Vera Cani interpretoi këngën “Skënderbeu te Guri i Vashës”.

 

Programi u mbyll me potpuri vallesh matjane grash e burrash si : kajdja e parë, kajdja e dytë, vallja e mollëve dhe zejbekshe, ku u shquan valltaret e reja të Xibrit e Darsit dhe valltarët Ergys Koca e Ferit Hoxha.

 

Festivali “N’Odën e Malësisë së Gjakovës” ishte një manifestimi jashtëzakonisht i rëndësishëm i ruajtjes dhe kultivimit të vlerave të trashëgimisë, të cilat janë bartur brez pas brezi si identitet kombëtar.

 

Përveç mirënjohjes për pjesëmarrje, bazuar mbi elementet e trashëgimisë, Grupi Folklorik “Petralba” i Bashkisë Klos u vlerësua me dy çmime: çmimin e veçantë si grupi më i kompletuar dhe çmimin e dytë të Festivalit.

© Hamdi Hysuka 

Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania