Gjokë Dabaj


Gjokë Dabaj
Gjokë Dabaj

Gjokë Kolë Dabaj u lind në Stamboll, Republika e Turqisë, më 25 shkurt 1938. Është rritur në rrethinat e Ulqinit dhe Tivarit, Republika e Malit të Zi. Shkollimin 4-vjeçar fillor e mbaroi në Dedanj të komunës së Tivarit. Shkollën e mesme normale (të mësuesisë) e filloi në Prishtinë dhe e mbaroi në Gjakovë e Prizren. Ndërsa në vitin 1971 në Tiranë përfundoi studimet e larta në Fakultetin e Histori-Filologjisë, dega Gjuhë shqipe e letërsi.

 

Shërbeu mësues i gjuhës shqipe dhe letërsisë (leximit letrar) fillimisht në shkollën 8-vjeçare në Fullqet, pastaj në shkollën e mesme në Klos të Matit, Republika e Shqipërisë. Është pensionuar në vitin 1992 në rrethin e Matit. Nga viti 1993 jeton në fshatin Pjezë, në afërsi të Shijakut, Republika e Shqipërisë.

 

Qysh në vitet e shkollës së mesme Gjokë Dabaj ka filluar të merret aktivisht me politikën kombëtare. Me vendim të grupit ilegal "Liria“, orientuar nga Adem Demaçi, drejtues i atëhershëm i shumë grupevet ilegalë që vepronin në atë kohë thuajse në të gjithë qytetet shqiptarë të pushtuar prej Jugosllavisë, është dërguar në Republikën e Shqipërisë. Qëllimi ishte për të informuar mbi ekzistencën e lëvizjes ilegale të shqiptarëvet nën pushtimin jugosllav dhe për të kërkuar përkrahjen e duhur nga qeveria shqiptare. Dhe qeveria e atëhershme shqiptare nuk e ktheu nga kishte ardhur, por e mbajti me statusin e emigrantit politik. Në vitin 1967 i është dhënë shtetësia shqiptare dhe i është miratuar kërkesa për të vazhduar studimet e larta.

 

Puna e tij dhe e bashkëshortes, mësueses Fotini Dabaj, ka lënë gjurmë në rrethin e Matit. Sot Gjokë Dabaj është "Qytetar Nderi" i Bashkisë Klos.

 

Me krijimtari letrare dhe me punë shkencore në fushën e folklorit dhe gjuhës shqipe, ka filluar të merret qysh në vitet e shkollimit në Kosovë, për të vazhduar kur ishte student dhe mësues në Klos të Matit. Por veprat e mirëfillta studimore dhe letrare Gjokë Dabaj ka arritur t’i sistemojë dhe t’i botojë mbas daljes së tij në pension.

 

Vepra e parë madhore është "Shestani, studim filologjik gjithpërfshirës”, në dy vëllime, me 1400 faqe, e cila përbën një vlerë të spikatur midis të gjitha monografivet krahinore shqiptare. Mbas kësaj, ky autor ka publikuar një varg librash të tjerë të madhësivet të ndryshme dhe, natyrisht, edhe të nivelevet të ndryshëm, si më poshtë :

 

1.   “Shestani, studim filologjik gjithpërfshirës”, monografi. (2004)

2.   “Ta kisha një forcë të madhe”, poemë lirike kushtuar krahinës në zhdukje të Shestanit, botuar në dy gjuhë, shqip edhe sllavisht. (2005)

3.   “Prush plagësh të pambyllura”, poemë kushtuar masakrës së Tivarit të vitit 1945. (2007)

4.   “Prush mbi ujë”, përsiatje poetike. (2008)

5.   “Fjalor i Selman Rizës”, vepër leksikografike. (2010)

6.   “Strategjia e shqiptarëvet”, platformë dhe program strategjik i kombit shqiptar, duke u mbështetur në të kaluarën dhe duke nxjerrë mësime për të ardhshmen. (2011)

7.   “Kriza e arkivistit”, roman letraro-historik që trajton shqiptarofobinë sërbomadhe në dy shekujt e fundit. (2012)

8.   “Në rrugë rreziqesh me vetëdije”, bashkautorësi me Fadil Cukajn, një fragment i veprimtarisë ilegale patriotike të rinisë shqiptare mbetur nën Jugosllavi. (2012)

9.   “E kaluara e vërtetë e Arqipeshkvisë së Tivarit”, botuar në dy gjuhë si libra më vete, polemikë historiko-shkencore me një autor sllav. (2014)

10.            “Apostol Barko Malëshova”, shqiptari i madh që punoi, luftoi dhe, më në fund, ra dëshmor për gjuhën shqipe dhe për Shqipërinë, biografi e shkurtër. (2016)

11.            “Rrnoj edhe unë për me tregue”, analizë social-politike dhe historike e periudhës së Enver Hoxhës dhe e vitevet postkomunistë në Republikën e Shqipërisë. (2017)

12.            “Kontribut për historinë e Tivarit”, vepër e publikuar vetëm online, për mungesë financimi.

13.            “Fjalori i Zef Krispit”, vepër leksikografike, botuar vetëm online, për mungesë financimi.

14.            “Përkujdesja Gjithshqiptare”, përmbledhje shkrimesh që lidhen me një institucion kulturor gjithkombëtar shqiptar, i cili do t’i ndalonte rrudhjen, pakësimin e ngushtimin dhe do t’i siguronte përparimin dhe përjetësinë këtij Kombi, me vlera të pazëvendësueshme në historinë dhe kulturën gjithnjerëzore, por edhe me gabime të pafalshëm shekull mbas shekulli. (Publikuar gjithashtu online, për mungesë financimi.)

 

Është autor edhe i mbi 250 artikujvet, shkrimevet e studimevet, botuar në organet periodikë dhe në portale të ndryshëm shqiptarë.

 

Gjokë Dabaj është kryetar i "Përkujdesjes Gjithshqiptare". Grupi nismëtar i kësaj Përkujdesjeje po punon për të vënë në jetë programin e saj, publikuar deri tash në mbi 600 faqe literaturë, me autor Gjokë Dabajn, krijuesin e kësaj platforme, unikale deri më sot në historinë e kombit shqiptar.