-----------------------------------------
SHQIPONJA ME DY KRERË
-----------------------------------------
Tek i kuqi bajrak me valë
dëgjova një bisedë të rrallë.
Njëra kokë e shqiponjës
po na i thoshte së motrës:
-Kur unë jam në luftë e punë,
Ti, a thua na fle gjumë?!
Ati ynë, Skënderbeu,
kot s’na bëri dy te kreu.
Të ruajmë dhenë nga hasmëri,
Ti në Jug, unë në Veri.
Me dy na bëri Skënderbaba,
të kemi sy para e prapa.
Ama na la me një zemër tok,
që na bie një gjak në kokë.
Zgjohu motër, shih me sy,
po na kafshon hasmi i zi!
Mori motër, mblidhi mendt’
mos të bëhesh rudiment!
--------------------------------
SHTËPIZË E VJETËR
--------------------------------
Mbi një kodër, në një lëndinë,
Mes dy lumenjve të kulluar,
unë aty kisha shtëpinë,
fort për të jam përvëluar.
Kam dhimbje, kam mallë,
Tek e kujtoj nga qyteti,
druhem mos strehëzën e rrallë
do ta shembë një ditë tërmeti.
Shtëpi e vjetër, kullë me breza,
Me ato dritare si frëngji,
Qëndron e heshtur ndër të tjera,
Mbyllur brenda një histori.
Dhe nëse kërkon ta çelësh
S’të lënë dot merimangat,
Për dallëndyshet çoj haberet
Mos të t’i thyejnë llampat.
Tym vërtetë s’ngre mbi oxhak,
por themelet i ke në rrasë,
rrahur nga era, e lodhur, plakë,
ngrys një ditë e ngrys një natë.
Ndonjëherë s’është çudi
Të iki nga ky ibret qytet,
Shtëpizë e vjetër si me magji
Nën strehëz të saj më thërret.
--------------------------
BUZËMBRËMJE
--------------------------
Theu brinjët dielli
mbi kurrizin e një zhabe,
uli kokën lulja nga turpi,
varur në një lis
dy sy kukuvajke,
bëhen njësh dy buzë
pas një plepi,
afrohen ca kërthia
pranë një vatre,
karkaleci dirigjon
një orkestër nate.
------------------
MEDITIM
------------------
Një këpucë lustrafinë
Pashë në buzë të detit,
Por s’po dëgjoja borinë
E ushtrisë së mbretit…
Hirushja e ditëve tona
Mbytur të jetë vallë,
Apo…për te “semafori”
Këmbëzbathur ka dalë?...
------------------------------------
NË PREHËRIN E NËNËS
------------------------------------
S’e kam zili peshkun
në djepin e valës,
S’e kam zili vellon
në krye të zanës,
S’e kam zili këngën
në buzë të bilbilit,
S’e kam zili diellin
në sytë e mëngjesit,
S’e kam zili yllin
kur rri pranë hënës,
Gjersa kokën kam
në prehërin e nënës.
--------------------
FJONGOJA
--------------------
Me gjethen e vjeshtës
kacafytej
Fjongoja e një studenteje,
A thua një lidhje hibride
po mbytej,
Apo ishte në endje!...
© Fatmir Neli
Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania