Gazetari i “Mat TV” Fatmir Neli vjen me vëllimin e tretë poetik “Pakt me kryedjallin”


Fatmir Neli
Fatmir Neli

Gazetari, mësuesi dhe poeti matjan Fatmir Neli vjen para dashamirësve të poezisë me vëllimin e tretë poetik, që befason që në titull, “Pakt me kryedjallin”. Poeti Neli, njëherazi sekretar i Klubit letrar “Pjetër Budi - Mat”, vjen në prag të festave të fundvitit me këtë dhuratë poetike për letërsinë dhe lexuesin e saj. Librin “Pakt me kryedjallin” ai e ka konceptuar të ndarë në pesë cikle poezish me kryetituj; Marshi i shekullit të ri, Mësime jo bla-bla-bla, Haraçet e marra, Për ty dhe Shpresë. Si në jetë edhe në të katër botimet e tij letrare bashkëpunëtore në kurimin e librave artistikë të poetit Fatmir Neli është bashkëshortja e tij, mësuesja e gjuhës dhe letërsisë shqipe, Qamile Neli që edhe në vëllimin poetik “Pakt me kryedjallin” është redaktore dhe korrektore letrare e librit. Recensent është poeti Hamdi Hysuka, ndërsa kujdesi grafik është bërë nga Dentila Tafa Garipi. Vëllimin e tretë poetik autori ua kushton dy fëmijëve të tij Aron dhe Nora.


"Pakt me kryedjallin" - Fatmir Neli
"Pakt me kryedjallin" - Fatmir Neli

 ---------------------------------------

VETËM DY MINUTA LIRI

---------------------------------------

 

Njeriu lind i lirë, ndërsa tërë jetën është në pranga” - Ruso

 

Linda për të qenë i lirë…

Por vetëm dy minuta shijova

aromën e saj të dlirë.

Jo në mitrën e nënës,

pasi kordoni i trëndafiltë

më mbante pazgjidhshmërisht të lidhur…

Vetëm kur më çliruan prej tij

dhe gjyshja brohoriti-Djalë!

Përjetova dy minuta liri,

sa për t’u thënë ajo fjalë.

Por ama vetëm dy minuta…

Pastaj në djepe më lidhën,

më tundën, më shkundën,

nëpër shpërngënj më futën.

Në liri vetëm dy minuta…

 

Kordonë të tjerë në jetë

të zinj, të bardhë…

Me dhe pa ngjyrë,

më lidhën edhe më fort,

ma daltuan të engjëlltën fytyrë.

 

© Fatmir Neli

 

 

 

-------------------------------

LOTI I NJË FËMIJE

-------------------------------

 

Të gjitha idealet e botës nuk vlejnë sa lotët e një fëmije.”  - Dostojevski

 

Loti i një fëmije

është më i frikshëm

se rrufeja në qiell të hapur.

 

Loti i një fëmije

është më i rëndë

se fjala dorabesë e kapur.

 

Loti i një fëmije

është më përvëlueshëm

se gazrat në kurorë të diellit.

 

Loti i një fëmije

është më kumbueshëm

se sa vetë himni i ferrit.

 

As të gjitha pasuritë,

që botën mund ta blejnë,

sa lotët e një fëmije

më besoni; jo nuk vlejnë!

 

© Fatmir Neli

 

 

--------------------

MOS GUXO!

--------------------

 

Ma vodhe shikimin

pa mi parë sytë,

gabove!

Ma vodhe emrin

pa më pyetur kush jam,

sërish gabove!

Ma vodhe këngën

pa ma dëgjuar melodinë,

dështove!

Ma vodhe buzëqeshjen

pa ditur kush ma fal,

sërish dështove!

Ma vodhe imazhin

pa më njohur genet,

blasfemove!

 

Ma vodhe të kaluarën

pa më qëmtuar historinë,

sërish blasfemove!

Ndoshta një ditë edhe frymën

ti hajdut humanoid do të tentosh,

por për minutin, nesmërinë

as mos të guxosh!

 

© Fatmir Neli

 

 

---------------

PROVO

---------------

 

Në do të provosh një metal

në është puro safi ar,

merre e vëre në zjarr.

 

Një grua në do ta provosh

nëse ia vlen ndonjë grosh’,

merre e jepi florinj me kosh.

 

Një burrë të martuar e provo

kur ndër lulka të bukura e harbo,

largohet, apo harrohet ndër to?!

 

© Fatmir Neli

 

 

-------------------------------------------

UNË E NJOH NJË MAGJISTAR

-------------------------------------------

 

Unë e njoh një magjistar,

më të madhin në botë,

është ai që me vetë Zotin

shkojnë e vijnë si dy shokë.

Ai dhe globin rrotullon

në majë të penës së tij,

dhe me yllin më të largët

jep e merr dashuri.

Ai gjethet e vjeshtës

i shndërron në flutura,

fshatarkat te burimi

në zana të bukura.

Ai përroin e fjetur

e bën lum mbretëror,

 

pastaj me Hënën e kuqe

e sheh të vërë kurorë.

Ai në një lot mbyt detin,

me frymë çon një muson,

për të pafajshëm që vriten,

ngre popuj në revolucion.

Ai në buzët e të dashurës

ndërton një perandori,

ndonëse nuk është i pasur,

(kjo mos t’ju duket çudi),

 

kur nuk flet me Zotin

flet me një gotë raki,

pastaj ecën fluturimthi

dhe mes heshtjes së vet

bën nga hiçi të shpërthejë

në çast një koncert…

Unë e njoh këtë magjistar,

e ka emrin POET.

 

© Fatmir Neli

 

 

------------------

NJË PIKË

------------------

 

Një pikë turpi

është pasuri,

një pikë bojë

mbyll një fjali,

një pikë muzikore

sjell qetësi,

një pikë loti

mëkat në fëmi,

një pikë sedër

të bën Njeri.

 

© Fatmir Neli

 

 

--------------

NOTOJ

--------------

 

Në detin Adriatik të Shqipërisë,

në plazhin e virgjër të Velipojës,

notoj në shpinë me sytë nga qielli,

kundroj paanësinë blu të kupolës.

 

Unë - atom në trup të gjithësisë,

një organel qelizor për Tokën,

si dëshmi se jam i gjallë e lëviz,

vazhdoj të notoj me tërë forcën.

 

Notoj, bëj dallgë të mëdha,

me muskuj çliroj energji.

Ndoshta natyra më ka caktuar

të jem në jetë një mitokondri.

 

Të falem o mëmë e gjithësisë,

që më jep frymë e më jep jetë,

dhe mua shqiptarit të zakontë,

që vijoj të dallgëzoj në këtë det…

 

© Fatmir Neli

 

 

---------------------------

NUK KAM KOHË

---------------------------

 

Më mungon koha.

Nuk kam kohë t’i jap vajzës

të njëqindtin përqafim,

nuk kam kohë t’i jap djalit

të ditës këshillim,

nuk kam kohë t’i jap gruas

puthjen sekrete,

nuk kam kohë as mjekrës sime

t’i jap një qethje.

Nuk kam kohë t’i ndërroj çatisë

tjegullën e thyer,

nuk kam kohë arës së djerrë

plisin për t’ia kthyer,

nuk kam kohë prindërit e mi

t’i vizitoj një të dielë,

nuk kam kohë me miq të vjetër

ta çoj një gotë verë…

 

Kuçedra rutinë

po m’i xhiron minutat bosh.

Kujt i ka tepruar koha

të më japë pak kohë borxh?!

 

© Fatmir Neli

 

 

-----------------------------

KUR JEMI BASHKË

-----------------------------

 

Kur jemi bashkë ne të dy,

skenë na bëhen retë mbi qiell,

në sfondin e artë të Hënës Blu,

na shndrit i madhi Diell.

Ç’spektatorë që kemi;

yje me miliona,

ata ndizen e shuhen

veç nga puthjet tona.

 

© Fatmir Neli

 

 

---------------------

SI ENGJËLL

--------------------

 

Ime bijë

si engjëll;

flet si engjëll,

dëgjon si engjëll,

vishet si engjëll,

mendon si engjëll,

këndon si engjëll,

vallëzon si engjëll,

dashuron si engjëll…

Dhe unë

mrekullohem.

Dhe unë

trishtohem;

në këtë botë

të mbushur me djaj,

si do t’i vejë halli

sime bije pastaj?!

 

Por, po qe nevoja

dhe kokën time do ta vë,

si pakt me Kryedjallin,

vetëm engjëllimin e sime bije

djajtë mos ta ndalin!

 

© Fatmir Neli

 

 

-----------------------------------------

PËR TIM BIR NË GJERMANI

-----------------------------------------

 

Para 75 vitesh

gjermani armik,

tani i përgjërohem,

i falem si mik.

 

Qëkur im bir

emigroi në Gjermani,

dheu i huaj i është bërë

si e dyta shtëpi.

 

Dhe pse para 75 vitesh

Gjermanisë i vumë pushkë,

tani i lutem që djalin

askush të mos ma ngucë.

 

Se po ma prekët djalin

qoftë sa një flok dëbore,

tre milionë shqiptarë nisin

Luftën e Tretë Botërore!

 

© Fatmir Neli

 

 

--------------------------

TAPA  SHPRESË

--------------------------

 

Të shpresuarit në zemrën e njeriut ngjan me tapën në ujë. Ndonjëherë mund ta shtypim deri në fund, por gjithmonë del në sipërfaqe.” - Dyma i Riu

 

Tapën kur e panë në lundrim

mbi ujë, për shtatë palë qejfe,

zilia si vullkan shpërtheu

duke i ngritur kurthe e leqe.

 

E kredhën poshtë në fund të detit;

-E mbytëm tapën, thanë, për besë!

Por tapa sërish mbi ujë ua ktheu:

-Kurrë nuk mbytet tapa-shpresë!

 

© Fatmir Neli

 

 

----------------------------------------

KUJT IA DHASHË DORËN?!

----------------------------------------

 

Në atë sallë të mbushur plot e përplot

kujt nuk ia dhashë dorën sot;

Titullarëve, deputetëve,

mjekëve, poetëve …

Por nuk e di dorën

a ua dhashë NJERËZVE …?!

 

© Fatmir Neli

 

 

-----------------------------

SA PAK REALITET

-----------------------------

 

Sa pak realitet,

sa shumë iluzione,

tani edhe në 4D,

syrin ngado vret!

 

Sa shumë piktura

në fasada të vjetëruara.

Sa përshtypje të gabuara,

sa pritshmëri të dubluara.

Sa zemra të thyera,

sa ëndrra pa realitet…!

Diçka njerëzimit

i ka humbur rrugës,

që në shekullin e 16-të.

 

O ju më të guximshmit, ku jeni?!

Merrni qiririn e Diogjenit në dorë

besimin e humbur të gjeni,

para se bota të bëhet horë!

 

© Fatmir Neli

 

 

----------------------------------------

KUJDES ME ENËN O NJERI!

----------------------------------------

 

Në jetë gjithkujt i jepet

ena, vaji, uji dhe fitili,

lum ai që i di sekretet

të bëjë dritë më së miri.

 

Nëse enën e mbush me vaj

dhe vendos fitilin në të,

“vaj” do të të shkojë jeta pastaj,

dritë do të bësh përgjithnjë.

 

Po qe se enën e mbush me ujë

e fitilin të ndezësh do të provosh,

do t’i çosh ditët mes territ në kujë,

kurrë dritë në jetë s’do të shikosh.

 

Nëse bën bashkë ujë e vaj,

dhe po t’u ndez fitili si me magji,

do të fitosh vetëm tymnajë…

Ndaj, kujdes me enën o Njeri!

 

© Fatmir Neli 

 

 

-------------------------

GJEL KOKOSHI

-------------------------

 

Gjel kokoshi në avion

stuardesët kërcënon;

-Shpejt më sillni një gotë raki,

se e bëra këtu lesh e li!

 

Me të shpejtë një stuardese

i sjell raki edhe meze.

 

Pinguini që kish një orë

porositur një tas dëborë,

tha me vete: -Kjo qenka punë,

po grindem njëherë edhe unë.

 

-Shpejt këtu, -tha, porosinë time,

se do bëj namin, do bëj krime…!

 

Pa mbaruar fjalë i gjori,

e pa veten jashtë avioni.

Atje lart në hapësirën bosh,

bashkë me gjelin kokorosh.

 

Tek po bënin ca rrotullime,

e çukiti gjeli pas shpine;

 

-Dëgjo shoku im, Pinguin,

më duket se veprove gabim,

Kur s’ke krahë të fluturosh,

mos u hiq kurrë kodosh!

 

© Fatmir Neli

 

 

------------------------------

DASHURI NË KUTI

------------------------------

 

I kishin sjellë dhurata një dyzinë

10-vjeçares Hana për ditëlindje,

por fytyra e saj motër kish’ mërzinë,

thellë në zemër ndjente dhimbje.

 

Babai i Hanës mërguar që pesë vite,

pesë dete kapluar në dhè të huaj,

vogëlushja të kthehej mezi e priste,

ndonëse ditët i bëheshin muaj.

 

Ja dhe sot për ditëlindjen e Hanës

shtëpia i qenka mbushur plot,

por vogëlushja, strukur pranë nënës,

pa babanë nuk e feston dot.

 

Për Hanën e zverdhur si limoni

ia behën në çast dhe ca kllounë,

që mezi mbanin një kuti kartoni,

kush e di ç’u hynte në punë…?!

 

Kur ora te 12-ta përqafoi akrepat,

kllounët ftuan Hanën të çelte kutinë.

Teksa me gishtëzat po griste cepat,

aty ishte babi…Hana preku lumturinë.

 

U hap kutia, shpërtheu magjia,

Hana tërë mallin shkrehu në lot,

as kurbeti, as largësia,

nga zemra babin s’ia shkëputën dot.

 

Kulmoi festa, u ngjiz alegria,

zemra e Hanës brofte përpjetë,

në krahët e babit si zog e bija

festonte e lumtur ditëlindjen e 10-të.

 

© Fatmir Neli

 

 

--------------

PËR TY

--------------

 

Do t’marr pasqyrat e Arkimedit

të shkrij akullin në shpirtin tënd,

do t’rikthej bibliotekën Aleksandrisë

të të josh me fjalët më me mend.

 

Me violinën e Stradivarit

do të t’këndoj një serenatë,

me yllin 5-cepësh të Venusit

do të t’bëj një unazë të artë.

 

Për ty dhe një sonatë do t’ekzekutoj

si Paganini, pa partiturë,

do t’marr shpatën e Skënderbeut

gjithë djemtë sqimëtarë t’i hedh nën urë.

 

Kam lexuar dhe Orakullin e Greqisë

vetëm të më bëhesh e dashura ime,

Rubairat e Khajamit do të t’recitoj,

kur të vijë puna për çaste intime.

 

© Fatmir Neli

 

 

© Fatmir Neli  

Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania