Nga Fatmir Gjestila, Tiranë – 17 Gusht 2017
Besohet se ushtarët romakë e torturojnë çnjerëzisht. Pasi e lënë për pak kohë mënjanë, kujtohen t’i japin fund, përsëri përmes torturave, duke e hedhur në arenë, para luanëve, që ata ta asgjesonin tërësisht. Çuditërisht, pasi brofin drejt saj, luani dhe luanesha ndalin hovin, i afrohen dhe zënë e i lëpijnë plagët e shkaktuara nga ushtarët dhe, pak nga pak, e shërojnë.
Ushtarët romakë, edhe më të ndërkryer nga veprimi i luanëve, e marrin dhe e lidhin në thellësi të pyllit. Atje e copëtojnë dhe e hanë ujqërit.
Vjen gjer në kohët e sotme, në kufijtë e legjendës dhe fakteve të besimit, historia e martirizimit të Eufemisë së Kalcedonisë.
Po cila ishte Eufemia?
Besohet të ketë qenë bija e senatorit Filofronos. Eufemia, që në rini të saj u shenjtërua si virgjëreshë. Emri i Eufemisë[1] dhe viti i vdekjes regjistrohen në shekullin e 5-të në listën më të hershme të martirëve të krishterë. Në vitin 303, nën urdhërat e Dioklecianit[2], zuri fill një përndjekje e egër e të krishterëve. Eufemia qe një ndër viktimat para të këtij persekutimi.
Gjithnjë sipas gojëdhënës së krishterë, gjithçka zuri fill kësisoj: guvernatori i Kalcedonisë, Priscus, kërkonte përmes një urdhëri që të gjithë banorët e qytetit të merrnin pjesë në sakrificat për nder të hyjnisë Ares[3]. Eufemia, në krye të shumë besimtarëve të tjerë të krishterë, e kundërshtoi urdhërin e guvernatorit. Për këtë shkak ajo u kap dhe iu nënshtrua torturave nga më çnjerëzoret, gjersa u hodh në arenë, para luanëve.
Sipas dokumenteve liturgjike, Eufemia vdiq më 16 shtator. Gjithashtu, Egeria[4], pas një pelegrinazhi në Tokën e Shenjtë, në përmbledhjen e udhëtimeve të saj tregon se vendi i martirizimit të Eufemisë është në Kalcedoni, që ndodhej përgjatë Bosforit.
Pas vdekjes së Dioklecianit dhe fundit të përndjekjeve të të krishterëve, relike të shenjta të Shën Eufemisë u vendosën në një sarkofag të artë, brenda kishës që iu kushtua asaj.[5] Ndër ditët që i kushtohen Shën Eufemisë, 16 shtatori, dita e martirizimit të saj, përkujtohet në shumë vende (në disa prej tyre edhe në muajt korrik e gusht), ngaqë emri i kësaj shenjtoreje është përhapur gjerësisht jo vetëm thjesht për martirizimin e saj, por qëllimisht edhe për përhapjen e besimit ortodoks. Gjithashtu, për nder të Shën Eufemisë, janë ngritur kisha në shumë vende të botës.[6] Një ndër këto kisha, e shenjuar në nder të Shën Eufemisë, është ngritur edhe në Mat.
Edhe sot e kësaj dite, përgjatë shtrirjes së krahinës së Prellit e më gjerë: në Urakë, Laç, Bruç, Prell, Rremull, Rukaj, Msuç, Derjan, Dukagjin, Gjoçaj, Urxallë, Shtjefën, Shëlli, Macukull etj., përkujtohen e festohen në muaj të ndryshëm të vitit ditë të tilla si: Shën Kolli, Shën Gjergji, Shën Refi (Shëmetri a Shënreu) etj. Por, përpara vitit 1967 janë festuar edhe ditë të tjera të shënuara me emra shenjtorësh. Edhe gjatë viteve të diktaturës, në fshehtësi e përmes shenjave simbolike, qoftë edhe të përmendjes së tyre, këto festa nuk u harruan, sidomos nga brezi i njerëzve që i kishin përkujtuar hapur ato.
Në fillimin e viteve nëntëdhjetë, liritë demokratike risollën në vatrat dhe mjediset e fshatrave të kësaj zone festat në përkujtim të shenjtorëve. Megjithatë, ndonjëra prej këtyre ditëve nuk u “ringjall” si festë e dikurshme. Një ndër to, e thirrur sipas të folmes së zonës: Shën Xhmeja e Prellit, që nga viti 1967 nuk rezulton të festohet më masivisht në këtë fshat.
Po ç’është Shën Xhmeja e Prellit?
Është kisha e Shën Eufemisë e ngritur që në shekullin 17 në Prell të Matit. Sipas Robert Elsie “Shën Eufemia, shqip Shën Mia (Saint Euphemia) ishte martirizuar në Kalcedoni afër Konstantinopojës më 16 shtator të vitit 303 (ose 307) me tortura të ndryshme."[7] Pasi përshkruan veprimtari dhe ngjarje në kujtim e në nderim të Shën Eufemisë, Robert Elsie nënvizon: “Në Shqipëri është një kishë kushtuar asaj në Prell-MT, në shekullin XVII. Në shekullin XIX kishat të cilat i janë kushtuar asaj janë: në Qafën e Malit-MR, e njohur si Zoja Shën Mia dhe në Kallmet-LE.”[8]
Siç del edhe nga të dhënat e mësipërme, sipas Robert Elsie, kisha më e hershme në nder të Shën Eufemisë, është ajo e ngritur në Prell të Matit. Edhe pse sot nuk festohet, ajo ndërmendet e thirret në Prell si Shën Xhmeja. Ky emërtim (Xhmeja) ka ardhur si i tillë për pasojë të ndryshimeve fonteke dhe e të folmes së krahinës.
Gjer në vitin 1967, gjatë festimeve në shenjë të Shën Eufemisë, në krye të muajit gusht, në Prell vinin për të festuar edhe nga fshatrat përreth që nga viset e Mirditës e fshatrat e tjera të Matit.
Ndërsa pranon të vërtetën mbi ngritjen e kishës më të hershme të Shën Eufemisë në trevat shqiptare, mbase për shumëkënd lind pyetja: Përse në Prell? Mund të jetë një vendim i planifikuar e i radhës i hierarkisë kishtare të asaj kohe? Mbase, por nuk mund të jetë rastësor.
Pa pretenduar të dritësojmë të vërtetën rreth kësaj pyetje, mund të shpalojmë disa të dhëna e veçori të një pjese të krahinës së Prellit. Në të gjithë këtë zonë ka dëshmi që pohojnë vendbanime të hershme. Kësisoj, gjetjet në kompleksin e shpellave në Laç-Bruç, janë fakte (tashmë të pranuara nga emrat më në zë të arkeologjisë shqiptare e më gjerë) të lashtësisë së vendbanimeve e vijimësisë së tyre në këtë zonë. Po kështu, gjetjet rastësore në Fushën e Nërdysë në Bruç, në disa vende në Prell e në Msuç si dhe në muranat, kodërvarret e shumta etj., tregojnë jo vetëm për vendbanime të hershme, por dhe të qëndrueshme në vijimësinë e tyre, që nga lashtësia e gjer në ditët tona.
Hapësira gjeografike në të cilën shtrihet kjo zonë, për këdo që e vështron nga larg, është një harkore që zë e ngrihet me kodrinat e buta të Laçit, merr lartësi me Qytezën e Skënderbeut (Kalanë e Bruçit), ngrihet e butë me Majën e Shën Kollit, merr në të djathtë për nga lindja e lartësohet më shumë me Kepin e Falkoit, hedh më në lindje Grykën e Urakës, kulmon me lartësinë më të madhe të zonës, me Majën e Gërshotit mbi Prell, zë e zbret në Msuç e përgjatë Kodrave të Gështenjave dhe merr teposhtë mbi Zmaç, ulet në Rukaj e gjer rrëzë Pujkës.
Fshatrat e kësaj zone shtrihen thuajse të gjithë në gji të këtij amfiteatri natyror me një shumëllojshmëri bimësh e drurësh dhe me burime të shumta ujore. Lumi Uraka dhe Gurra e Shutrresë janë një pasuri tjetër e kësaj zone.
Kësisoj, e gjithë zona, e sidomos Prelli, ka gëzuar një mjedis natyror të begatë e një mikroklimë të favorshme për të ruajtur e të shtuar të ardhurat bujqësore e blegtorale. Qe fat për mua që të zë fill, në moshën 24-vjeçare, punën si mësues në Prell e të largohem prej andej pas trembëdhjetë vitesh.
Njerëz të mrekullueshëm: punëtorë e arsimdashës, krenarë e të mençur, me plot humor e këngë, me troje të hershme e plot histori, gojëdhëna, zakone, tradita, valle, këngë e veshje brilante të traditës! Viset e natyrës së bukur dhe të dëshmisë së vendbanimeve, kulturës e historisë së hershme mbeten një libër i hapur e magjepsës për këdo që ka mësuar fjalën, ka pirë ujin e ka ngrënë bukën e dhënë me plot bujari në Prell, atje ku harliset hardhia e mjaft lloje drufrutorësh, ndërsa kashnjeti epohet hijshëm si një kurorë madhështore e me plot prodhimtari nga veri-lindja e gjer në jug-lindje të tij.
Përgjatë harkores që përmbledh fshatrat e zonës, janë shenjat e një sërë kishave që zënë fill me muret dhe rrënojat e kishave Shën Vlash e Shënmri në Laç, Shënkoll e Shën Balaz në Bruç, Shënmri në Gërshot, Shën Teodori i Arbës në Msuç e Shën Kolli në Dukagjin (e njohur për Kuvendin Mbarëkombëtar të mbajtur pas vdekjes së Skënderbeut) dëshmojnë se në këtë zonë kanë ekzistuar kisha të shumta.
Në prehërin e këtyre kishave, më në afërsi të njërës prej tyre, asaj të Shënmrisë të ngritur në sheshtinën e krenajës së Gërshotit mbi Prell që dominon gjithë hapësirën e gjërë nga ku syri të ngërthen një pjesë të madhe të Mirditës dhe thuajse gjithë luginën e Matit, është ngritur, në shekullin e 17 (sipas Robert Elsie), kisha e Shën Eufemisë së Prellit.
Nëse e përfytyrojmë si një trekëndësh (ashtu siç thuajse është realisht) hapësirën në të cilën Gërshoti përshfaq pjesën ballore të tij, drejtëza pingule e hequr nga kulmi i këtij trekëndëshi lidh Shënmrinë e ndërtuar në krenajën e malit me Shën Eufeminë e ndërtuar thuajse rrëzë tij.
Nuk mund të mos merret në shqyrtim edhe ndikimi i Skënderbeut dhe i historisë së tij në këtë zonë, adhurimi e përkujtimi prej banorëve të këtyre viseve i bëmave të figurës më madhore të kombit, përmes këngëve, gojëdhënave, memorizimit të kthjelltë të toponimisë në lidhje me Gjergj Kastriotin etj.
Përcjellja ndër shekuj, nga brezi në brez, e vetëdijës dhe kujtesës se Gjergj Kastrioti qe bir i trojeve matjane, u kthyen në simbole qëndrese gjatë gjithë përpjekjes për liri të kësaj krahine.
Tjetërsoj, për përkujdesjen e hierarkisë kishtare në ruajtje të qëndrimit të saj në këto vise e për të forcuar ndikimin e mëtejshëm përballë islamizimit të gjithë vendit, flasin mjaft fakte, tashmë të njohura përmes veprimtarive të ndryshme kishtare e patriotike në krahinën e Prellit. Mendime të ndryshme rreth kohës së përfundimit të islamizimit të kësaj krahine janë në të drejtën e shprehjes së tyre, por, gjithsesi, edhe sipas nënvizimit të Robert Elsie (“Në Shqipëri është një kishë kushtuar asaj në Prell-MT, në shekullin XVII." ) në radhën e përpjekjet për ta kundërshtuar islamizimin mund të ketë qenë edhe ngritja e Shën Eufemisë në Prell të Matit.
Pas vdekjes së Skenderbeut, vala e luftës për islamizimin e shqiptarëve u rrit. Mbi krahinën e Prellit kjo valë u lëshua me një egërsi të pashoqe, jo vetëm mbi njerëzit, por edhe mbi gurin dhe drurin, mbi objektet kishtare dhe gjithë përpjekjet e praktikimit të fesë së krishterë. Gjithçka u rrafshua, por dëshmitë mbetën.
Besohet se, me islamizimin e kësaj krahine, mbi muret e kishës së Shën Eufemisë u ngrit një tjetër objekt kulti, një teqe, që sot e kësaj dite njihet si Teqja e Prellit. Më pas edhe ajo u rrënua gjer në themeli.
Teqja e Prellit pati një ndikim të theksuar jo vetëm në fshatrat përreth saj, por edhe në një pjesë te Matit. Beja “Për atë teqe të Prellit” qe një be e fortë si në të dhënë, ashtu edhe në të besuar.
Megjithatë, fakte memorizuese nga banorë të këtij fshati dhe të tjerëve përreth, dëshmojnë se dita e Shën Eufemisë përkujtohej në të dielën e fundit të muajit gusht, të paktën gjer në vitin 1967.
© Fatmir Gjestila
Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania
[1].Ευφημία:nga greqishtja:“e folur mirë”.
[2]. Perandorit romak, ilir, që kërkoi të thirrej “perëndi”.
[3]. Zoti i Luftës, biri i Zeusit dhe Hera.
[4]. Etheroiua ose Aetheria, autore e një ditari të detajuar të një pelegrinazhi në Tokën e Shenjtë.
[5] . //en.ëikipedia.org/ëiki/Euphemia.
[7]. Revista DRITA, e permujshme fatare – kulturore e Kishes Katolike, 20 maj 2015.