--------------------------------------
VJERSHA NË FACEBOOK
--------------------------------------
Grerëza mendjelehtë,
gëz e gëz plot naze,
i thotë zonjës Bletë:
- Më vodhe ca vargje!
Bleta plot pekule,
mendjen hiç s’e humb:
- Unë shkruaj mbi lule,
ti shkruan mbi thumb.
Vargjeve s’u vë roje,
flasin drejt e qartë;
çdokush që thur hoje,
s’bën patjetër mjaltë…
---------------------------------
PËRGJIGJET PËRROI
---------------------------------
Gjithë verën i merrej përroit zhavori
e kthehej në llum e hurdha i gjori,
po hiq nuk e vriste mendjen ai,
jermthi shkonte drejt lumit të tij.
Teksa zhavori i atij të ngratit
hidhej gropave të udhës së fshatit,
shelgjet një ditë iu kthyen në kor:
"Po pse nuk e ngre zërin, more i gjorë?"
"E përse duhet vallë ta bëj këtë punë?
Në dimër i gjithi do të kthehet te unë..."
-------------------
AKUARIUM
-------------------
Akuariumi ngre furtunë:
- Ti fajtor, të drejtë kam unë!
Avokatja,
zonja
Ngjalë,
Prokur Mlyshin lë pa fjalë.
Krap Gjykatësi
lart ngre
valën:
- I pandehuri të thotë fjalën!
I pandehuri, Peshkaqen,
gojën hap e fjalë nuk gjen.
Fjalë nuk gjen, po bishtin tund:
akuariumin pi me fund!
------------------------
DY VËLLEZËR
------------------------
Dolën me hënë dy vëllezër dikur
kërkuan gjithandej shkurre, luadh e gur,
po nuk e gjetën dot lopën e vetme:
qumështore mjaft, por idhnake e serte.
Ofshani njëri vëlla e tha me të qarë:
Ah, sikur ta kishim patur Larën gomar!
Ç'thua? - tha tjetri. - Mos ke lajthitur?
Të kishte qenë gomar, tashmë kishte pëllitur!
-----------------------
KUKUDHËT
-----------------------
Ndërruan kotruvet te burimi
e njëri-tjetrin mbërthyen për fyti;
njëri thoshte “ujë yt ka erë”
tjetri “mbeturina ka i yti.”
Burimi qeshte tek merrte udhët
të ujiste arat dhe pemët:
- Sa shpejt harrojnë kukudhët
e s’kujtohet të lajnë as enët...
-----------------------------------
GOMARI I XHA LIKES
-----------------------------------
Klith xha Likja mbi gomar:
Prij karvanin! Jam i parë!
Diku Ujku pas i hidhet,
nis e shqyen gjithkund vithet.
Dhe të tjerë s’e mbajnë gazin,
xha Likes i thërrasin:
O xha Like, vrapin ule,
po të zgrap Ujku në tule!
Likja prapë s’i zbret samarit:
S’janë të miat, janë të gomarit
----------------------------
LEJE NDËRTIMI
----------------------------
Thith çibukun nëpër tym
e pastaj thotë gjyshi Lym:
- Të pyeta nipçe, por s’më the,
përse qyqja s’ngre
fole?
Qesh e zërin lart ngre Gimi:
- Se nuk ka leje ndërtimi…
-------------------
PËRGJIGJE
-------------------
Kthehet Gjeli... Po, për besë!
Lafshakuq, gjithë finesë.
Data një... Zërin bori:
"Gëzuar, miq, Vitin e Ri!"
"Si kështu?!"e pyet një tjetër
"Nuk të mori Vit' i Vjetër?"
"S'e arrita dot, or mik!
Mbeta pezull në trafik!"
----------
ESE
----------
Çak Çakalli gazetar
heton Ujkun gjakatar
porse Ujku e njeh
lojën;
hedh një kockë e i mbyll gojën.
Çak Çakalli humb guximin,
harron shpejt investigimin,
me çak-çak e merr prroskën;
shkruan një ese për kockën.
----------------------------------------------------
LAFSHËKUQI NDËRRON NGJYRË
----------------------------------------------------
Për para e për pushtet
bëhet Gjeli deputet…
Por, dikur, si i paftyrë,
lafshëkuqi ndërroi ngjyrë.
Pula plakë, pulë e urtë,
i tha Gjelit, me të butë:
- Po u hodhe kunj më kunj,
dikur kunjat bëhen hunj!
Ia pret Gjeli: - Ti, e mjera…
Fjalë e besë i mori era…
Prit e prit të dolën brirë;
lart, mbi hunj këndohet mirë.
-----------------
AVOKATI
-----------------
Në mbretërinë e pyllit
bëhet mbledhje radhe...
Për ligjet dhe gjykatësit
po flet nje sorkadhe.
E dëgjon e flet luani:
- Mos u lodh kaq shumë...
Gjykatat, gjygjet, ligjet
i bëj vetëm unë!
Pyetjen hedh një zebër:
- Avokat, kush qenka?!
Qesh e ngjesh një dhelpër:
- Janë këmbët e shpejta!
-------------
BUÇJA
-------------
Bën fushatë nëpër qytet;
qentë rreth saj plot njëzetë.
I thotë shoqja: - Ty të lumtë,
truprojat ke të shumtë.
- Ç’truproja, moj firaune;
mbajnë radhë për një vend pune!
-----------------
GAZETAT
-----------------
Viç larania, këmbëshpejta,
shkon e blen një deng gazeta.
Pas një ore, shtrirë te parku:
- Oh, moj nëne, më dhemb barku!
- Si kështu?! – habitet lopa. -
Nga gazetat të dhemb koka!
- Po, moj nëne, por harrova,
Unë i hëngra, s’i lexova!
-----------------
GJI ZANE
-----------------
Ec e ec e dita zbardh
e gjen ZANËN në livadh.
– Ej, oj ZANË, e lumjanatë,
më jep pak nga gji i majtë.
- Trim, o trim, më është tharë,
ma kan pi ca pusht-tetnarë.
– Më jep, pra, nga i djathti,
gjersa t’njomet prap’ i majti…
- Jam tharë, trim, në të gjitha anët,
krejt m’i pinë politikanët…
- Mori ZANË, ti çfarë po thua
lute motrën të më jap mua…
- Paj… dhe motra ka të vetët,
e kanë mjelë krejt deputetët.
--------------------
I PAVARUR
--------------------
- Kjo lojë është e pistë…
Unë të mos jem në listë?!
Kacadreni më nuk fal:
- I pavarur do të dal!
Pyet gjinkalla, me të tallur:
- Gjer tani, ku ishe varur?
--------------
LEPUR
--------------
Ujku ndizet, thërret fort:
- Kush s’ma jep votën sot
nesër pyllin s’e kullot!
Pshurret lepuri, tmerr në sy:
- Si t’ia bëjmë po s’fitoi ky?
- S’fitoi ky? Një tjetër vjen
prapëseprapë lepur të gjen.
-------------------------------------
MJELMA MITINGASHE
-------------------------------------
Mësuese Mjelma mitingashe,
ngjyer, lyer buzë e faqe.
- Pa shiko, more bilbil
dhe fustanin krejt jeshil!
- E ndërroi te Pyll’ i Vjetër,
se fitoi Parti’ e Gjelbër!
--------------------
VETËPIRJE
--------------------
Para tij, Bardhokja dhi
lakon qafën sisët pi.
Bariu Cane sytë naaa!
- Ç’është kështu kjo hata?
Tyt, Bardho! Si qeveritë:
i ushqejmë, vetëpijnë gjinjtë!
----------------------------
NJË, DY, TRE…
----------------------------
Ujku vrasës, natë e ditë,
mban fjalim për pularitë:
- Kujdes dhelprën, hapni sytë,
si ajo nuk ka të dytë!
Brit çakalli, me të qarë:
- Ajo e dytë e ti i parë;
unë i tretë, vij pas jush,
therni ju, unë thesin mbush.
---------------------
ZGJEDHJE
---------------------
Fushtë zgjedhjesh....Ç’gëzim e këngë!
Përvesh kanguri buzë edhe mëngë.
Lepujt veshët, bigë, përpjetë:
- Ky, or mik vjen me kuletë!
Ia pret dhelpra:- Ç’fat, për besë!
Nën bark paska edhe një thes.
Qesh iriqi, nën gëmushë:
- S’vjen ta zbrazë, vjen që ta mbushë!
------------------
KUPON
------------------
Keni parë a s’keni parë,
një ujk hedh qengjin në shpinë;
rend e rend si i shkarë:
i gjithë pylli tjerr çudinë.
Fjalën thumb zonja e vjetër:
- Sa e bleve, kumbarziu?
- Nuk pagova hiç, moj dhelpër,
se s’më dha kupon bariu!
-------------
LIRIA
-------------
Breshku Kuk, një ditë me erë
e la zhguallin në një ferrë
edhe klithi: “Oh, sa
mirë…
gjeth, i lehtë dhe krejt i lirë!”
Ec e hidhu shteg më shteg
poqi dhelprën në një breg.
U mblodh kruspull, si çdo herë
porse zhgualli qe në ferrë.
© Fatmir Gjestila
Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania