Maja e Stragjut



Nga Fatmir Gjestila, Komsi (Mat) – 20 Qershor 2021

 

Me Metin kisha udhëtuar edhe herë të tjera, por vetëm sot e pyeta për vitet e tij si drejtues automjeti në korpusin ushtarak. Qeshi e më tha se njihte pëllëmbë e gurë në të gjitha viset e rrethiit të Matit, ku dikur kishte pika ushtarake. Po mua më interesonte Maja e Stragjut. E kisha kërkuar të shënuar diku nëpër harta gjeografike, por nuk e kisha gjetur. Edhe Meti, kur më foli për depot e dikurshme të armatimit në anë të udhës për në Qafë Shtamë, nuk ma përmendi Majën e Stragjut. As unë nuk e pyeta. Nuk kisha asnjë pikë dyshimi se, veç të tjerash, shënimet që kisha nxjerrë nga leximi i kujdesshëm i librit studimor "Trashëgime iliro-arbërore" të Dilaver Kurtit,  do të më orientonin saktësisht për të arritur në Majën e Stragjut. Librat studimor të studiuesit Dilaver Kurti, gjer më tani mendja më brilante e kërkimit, njohjes dhe shpalimit (veç të tjerash) të lashtësisë në viset e Matit, jo vetëm përcjellin bindshëm të vërteta, thjeshtë dhe me plot argumente, por shenjojnë saktësisht edhe vende të cilat ai i ka prekur me dorë, me mendje dhe me shpirtin e shenjtë të studiuesit të përkushtuar.

 

Pra nuk e pyeta Metin... Edhë në udhëtime të tjera nuk më ishte dhënë të pyesja ndokënd se si e nga të arrija te aksh vend. Kërkoja t'i gjeja pa ndihmën e dikujt. Kaq. Egoizëm? Mendoj se, përtej egoizmit, isha mësuar të ndieja jo vetëm kënaqësinë e gjetjes (e gjetjes krejt të thjeshtë), por, për më shumë, ngulitjen e çfarë kisha marrë nga leximet.

 

Asnjëherë s'është mirë që udhëtimet, sidoqë të jenë ato, t'i marrësh lehtë. Ditë më përpara i kisha dërguar Halilit jo vetëm drejtimet e lëvizjes, por dhe gjithë hartën e viseve nga do të kalonim: Komsi, Muzhakë, German, Batër e Madhe, Frankth... Edhe Halili, kur u takuam aty rreth orës 08.00 në segmentin jugor të unazës së qyetit, më tregoi duke qeshur se kishte mësuar fije e për pe gjithçka që i kisha dërguar përmes WhatsApp-it. Por ende nuk i kisha treguar shënimet që kisha nxjerrë për të gjetur saktësisht Majën e Stragjut.

Në Komsi arritëm shpejt. Teksa, te një bar-kafe anë udhës, gjerbnim pak e nga pak kafenë e mëngjesit, që po na shijonte aq shumë, vështrimin e hidhnim herë pas herë mbi Komsi, atje ku epoheshin dy majat, njëra prej të cilave duhet të ishte ajo e Stragjut. Dikur, si për të qetësuar veten zura të flas për shënimet që kisha përpara.

 

- Po ne mund të pyesim dikë këtu, - thotë Halili. - Ja, mund të pyesim atë, më të vjetrin...

 

- Sigurisht që e dinë, por dua të shkojmë... Ti e di... Dëgjo: "Mbi Komsi, në anën jugore, gjendet një majë që i rri si roje me emrin Maja e Stragjut dhe lartësi 1046 m mbi nivelin e detit." [1] A nuk është fat të kesh udhërrëfyes një studiues? Dhe, e di çfarë? Ai i ka bërë këto përcaktime në kushte tepër të vështira, ndërsa sot, çdonjëri nga ne ka në dorë fuqinë magjike të teknologjisë. Çohemi, të shkojmë! - shtova duke qeshur.

 

Udha e asfaltuar na çoi gjer në krye të fshatit, atje ku, pasi lëvizëm në disa lakore anë shpatit me pisha të buta, ndaluam dhe hodhëm vështrimin poshtë.

 

- Ja dhe Komsia! Duket qartë që "...është një tarracë midis Zallit të Germanit dhe Sheut të Thatë."[2] Vështro poshtë e anëve të saj se si shtrihen fshatrat e tjerë, të cilët, pak e nga pak ndër mote, u shkëputën dhe gëzuan emërtimet që kishin që në lindje, si ato bijat e mira që ndërtojnë çerdhen për fëmijët e tyre duke mos harruar se dikur, nëna e tyre, Komsia, ishte një qytezë e madhe ilire. Muret, kalldrëmet, portat e gurta... gjer vonë kanë qenë jo vetëm rrënoja, por edhe të dukshme e të prekshme. Ku janë? Ja, kjo është një nga ato pyetjet që njeriu i shkretë, edhe pse ia ka mësuar mirë përgjigjen, ngjethet e nuk do të flasë aty për aty. Edhe ti e di përgjigjen, po a nuk ndien një pengesë që të mblidhet këtu, në krahanor, e nuk të lë të flasësh? Megjithatë, sot do ta përmendim atë përgjigje, por, më përpara, të arrijmë te Dera e Qytezës.

Marrim përsëri lakoret e udhës së gurtë e cila është mjaft e dëmtuar dhe, përtej çdo kujdesi, e harruar që prej këtu e shumë e shumë vitesh. Kjo udhë, e nisur në vitin 1925 dhe e përfunduar në vitin 1930, si pjesë e udhës  Tiranë – Krujë – Burrel – Lis – Peshkopi, herë pas here, sidomos në pranverë, verë dhe vjeshtë, ndien zhurmën e makinave dhe motorrëve të atyre (të huaj më së shumti, por edhe vendas) që tërhiqen nga natyra dhe historia e këtyre viseve.

 

Diku, në anën perëndimore të Majës së Stragjut, ndalojmë dhe shohim grykën poshtë nesh, grykën nëpër të cilën zgjat fillesën e tij Përroi i Germanit. Nga aty e gjer kur dalim në qafën ku duket Selica, tej në thellësi, e braktisur në gji të majëmaleve, gjithçka është më e butë: bimësia, livadhet, madje edhe vetë udha. Mes gjelbërimit, sidomos poshtë udhës, zënë e dallohen soletat e zeza prej betonarmeje të depove të dikurshme ushtarake.

 

Dalim në qafë dhe, aty ku zë të duket Selica, ulemi të marrim frymë. Pamja përreth na lë pa fjalë një grimë herë. Është vërtet tërheqëse, por ne na duhet të ecim më këmbë për disa minuta nëpër një termale të butë, përmes barit dhe luleve, anë shkurresh bushi.

 

- Pra, përgjigja është e mundimshme, - mundohem të zë fill fjalën e lënë përgjysmë në lidhje me gurët e qytezës së Komsisë. - Ata, gurët, mbahen mend mirë si pjesë e mureve dhe shtresave të udhëve të qytezës ilire, por më pas u morën, u shkulën edhe kalldrëmeve e u hodhën në si shtrojë e udhëve, u bënë pjesë e mureve të ndërtesave ushtarake e shtetërore. Dilaver Kurti, sdudiuesi dhe mbrojtësi më i përkryer i derisotshëm i trashëgimisë së gjithanshme matjane, në librin e tij studimor "Shënime etnografike nëpër Mat", duhet t'i ketë shënuar me dhimbje dëshmitë e të moshuarëve që, si punëtorë në ndërtimin e rrugës Krujë - Burrel, në vitet tridhjetë të shek. të kaluar, rrëfejnë të vërtetën e fatit të gurëve të rrënojave qytezës së Komsisë.

 

- E dhimbshme..., - thotë Halili dhe shton: - E dhimbshme sidomos kur mendon se, po të mos kishte ndodhur gjithë sa dihet e tregohet, sot mund t'i preknim me dorë rrënojat e mureve të qytezës.

 

Ndërkohë kemi arritur në majë, në kryet e së cilës është ngulur një shtyllë e lartë e ndërlidhjes së energjisë elektrike. Zhukatja e telave mbi krye, edhe pse në një ditë me diell është e madhe: rryma e formuar prej tërheqjes së elektroneve të molekulave të ajrit bën të mos jesh aq i qetë. Zbresim me kujdes në anën lindore të majës. Diku ndaloj dhe marr në dorë bllokun e shënimeve. Ndjej se Halili mundohet të bëj foto që të më ngacmojë më pas, si zakonisht, por unë, mes shënimesh, zë e lexoj me zë çfarë kam futur në thonjëza: "Në kurrizin që zbret drejt Zallit të Frankthit duken njëra pas tjetrës gjurmët e tri kullave të rrënuara rrafsh me tokë"[3]

 

- Pra, këta kanë qenë kulla vrojtimi që rroknin gjithë hapësirën hyrëse nga ana jugore e qytezës së lashtë ilire. Jo vetëm kaq, por, përtej gojëdhënave për Skënderbeun, Vojsavën dhe Mamicën, përtej atyre gojëdhënave që ende gjallojnë në këto vise, studiuesi ynë, me të cilin ne, matjanët, kemi të drejtë të krenohemi, flet edhe për ndërtimet që bëri në Epirin e Ri Justiniani, perandori ilir që drejtoi Romën duke u cilësuar si ndër perandorët më të medhenj të historisë romake dhe asaj bizantine. Studiuesi ynë i referohet autorit antik, Prokopi i Cezares, i cili, "... në traktin e tij 'Mbi ndërtimet', shënon në Epirin e Ri të rindërtuara nga Justiniani fortesën Kome"[4]

 

- Këto ditë më ke folur më shumë për historinë, - vëren, disi thumbues, Halili.

 

Vetëm qesh dhe nuk i përgjigjem, ndërkohë marr të bëj një video të thjeshtë për gjithë hapësirën përreth. Pastaj, ulemi aty mbi majë për të ngrënë pak bukë me çfarë na kanë dhënë. Këtë herë nuk kemi harruar të marrim ujë. Këtu nuk ka as borë, ndërsa në Dejë, bëmë si bëmë dhe e shuam etjen me borë.

 

Rreth mesditës marrim teposhtën dhe shpejt arrijmë në Komsi. Aty ulemi të pimë kafenë e të marrim veten. Më pas do të dalim në German, Batërr të Madhe dhe Frankth.

 

- Në njëfarë mënyre bëre një vërejtje në Majën e Stragjut, - thashë duke qeshur. - Nuk është aq e lehtë të jesh studiues në fushën e historisë dhe ti e di që unë nuk ndillem nga kjo ambicie. Mati është pëllëmbë e tuma ilire, të formave e madhësive të ndryshme, me vendbanime shpellore që shërbejnë si referenca të kulturës së lashtë ilire, me kala e qyteza, me tradita e zakone të vyera, me një natyrë të mahnitshme. Unë e dua Matin, ashtu si ti e të tjerë si ne, ndaj po mundohem që, pak nga pak, të mund të hedh në vargje të thjeshta pikat kulmore të gjithçkaje që është matjane. Pra, thjesht më duhet të jem sa më i qartë në fakte. Kësisoj  do të desha të mund të prek e të shoh nga afër çdo pëllëmbë e gur të tokës së shenjtë matjane. Dhe po mundohem të kaloj në çdo shteg e udhë, në çdo lagje e fshat... Vetëm atëherë do të mund të ndjej edhe më shumë, përtej leximeve, që të mund të shkruaj diç të thjeshtë, por të vërtetë e të sinqertë. Kjo është e gjitha.

 

- Atë dua edhe unë, - thotë Halili, - të lexoj vargjet për udhëtimin e sotëm.

 

- Do të presim dhe dy-tre ditë, - them buzagaz.

 

Rreth mbrëmjes kthehemi nga Frankthi. Udhës për në qytet, Halili ndihet i shqetësuar për udhëtimin tim drejt Tiranës: makinat e rastit janë rralluar. Kur ndalojmë në daljen perëndimore të qytetit, më pyet për Metin.

 

- Meti nuk do të më priste mua, - i them. - Po ti mos u shetëso. Ik!

 

Dhe ndahemi me shpresë për t'u ritakuar në udhëtimin e radhës.

 

 

 

© Fatmir Gjestila 

Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania



[1] Dilaver Kurti, Trashëgime iliro-arbërore, fq.189

[2] Po aty.

[3] Dilaver Kurti, Trashëgime iliro-arbërore, fq.190

[4] Dilaver Kurti, Trashëgime iliro-arbërore, fq.190