-----------
VOTA
-----------
Pranë kutisë cjapi
në mendje diç bluan;
tutje s’i bën hapi
kryet nis e kruan.
Lepuri lehtë e nduku:
- Ç’mendohesh, lum cjapi?
Po s’fitoi ujku
do fitojë kasapi!
-----------------
DIPLOMA
-----------------
Tri diploma, varg, kurorë
në edukim “Master Shkencor”
Para klasës bën mak-mak,
është patok e s’është rosak.
Kecit- qengj e gjarpërit-ngjalë,
i thotë sot ky mësues i rrallë.
Mjelmë qafëgjata – drejtoreshë,
Çirret, hidhet: - Ky do fshesë!
Përmbi gardh gjeli mbyll sytë,
nis një këngë e s’ka të dytë:
- Prit, moj, prit,
mos ia vërë fshesën,
sa të marrë edhe dëftesën.
--------------------------------------
I THOTË SHOQJA SHOQES
--------------------------------------
- Unë bëj vezë si ti,
ti bën vezë si unë,
se përse s’e di,
zonja të do më shumë.
- Eh, moj e zezë,
eh moj pipiruqe...
Unë si ti bëj vezë,
por me dy të kuqe.
-----------------------------------
KUSH E PUTH IRIQIN?
-----------------------------------
Dhelpra lodhet kot,
iriqin s'e kap dot:
- Mos u fut në ferrë
të të puth njëherë,
malli për ty
më loton në sy.
Iriqi nën surdinë:
- Puthmë, moj, në shpinë!
Zonja plot me derte
na doli poete:
- Të bëj be në muzë
unë puth veç në buzë.
-------------------
OBEZITET
-------------------
Hedhin lekë
e bëhen copë
për çdo viç që pi dy lopë;
që t’ju heqin
dhjamë e tule
sajojnë dieta me pekule.
Kockë-lëkurë
kecat përreth
hanë tok një fije gjeth.
------------------------------
VOTA DHE KAROTA
------------------------------
Lepurushi del te porta…
Fat i madh! Plot shporta!
- Siç e sheh, janë karota,
veçse nesër duhet… vota.
Ngre kokë lepuri: - Po ky zë?
A t’i marr, apo t’i lë?
- Merri, merri, që të kesh
për bisht nesër… goxha presh!
------------
“USH”
------------
Buzëbardhi,
tmerr e frikë,
Çirret, pllet… kërkon replikë.
-Po ky, ç’ka?
Përse tund vendin?!
S’ia përmendi askush emrin.
- Emrin jo,
s’ia tha askush,
por gjith’ salla thirri “USH!”
--------------
VOTA
--------------
Dëgjoni ujkun, dhëmbëgjatin
s’e pranon rezultatin:
- Jam fitues, nuk do mend,
Më votuan në çdo vend:
në dhjetë male – pesë ujq,
në dhjetë pyje – pesë derrkucë,
në dhjetëra hektarë tokë
pesë urithë më dhanë një votë…
Vota ime është e madhe;
Përfshin fusha, brigje, male.
Përmbi degë, ia pret një ketër:
- Ky e mat votën me metër!
--------------------------------------
MAÇOKU SHEH ËNDËRR
--------------------------------------
Ëndërr po shikon?
Ëndërr a mirazh?
Lopa në ballkon
bënte vetëm plazh.
- S’të shoh më në arë…
Me ç’ushqehesh ti?
Ndryshe si më parë,
në vilë fle tani?
- Hamë koncentrat,
qumësht asnjë s’pi;
fushta edhe arat
i mbollëm shtëpi!
-------------------------------------
FACEBOOK Ç’NA BËRE
-------------------------------------
- Facebook ç’na bëre, -
një zë nis e klith, -
vjershëtorë të tërve,
poetë të gjithë!
Grerëza mendjelehtë,
gëz e gëz plot naze,
i thotë zonjës bletë:
- Më vodhe ca vargje!
Bleta plot pekule,
mendjen hiç s’e humb:
- Unë shkruaj mbi lule,
ti shkruan mbi thumb.
Vargjeve s’u vë roje,
flasin drejt e qartë;
çdokush që thur hoje,
s’bën patjetër mjaltë…
------------
FALJE
------------
Eh, ç’kuvend!
Salla plot.
Të gjithë falje kërkojnë sot.
Falje!
Miu që vodhi djathin.
Falje!
Konia që derdhi tasin.
Falje!
Urithi që vodhi udhën.
Falje!
Bufi që humbi vulën.
Falje!
Derri që vodhi bankën.
Falje!
Dhelpra që qëroi patën…
Falje! Falje! Falje!
Kërkoi falje… mos, o mos…
edhe daci që ra në kos.
I thanë ujkut: - Po ti ç’pret?
Kërko falje sa më shpejt!
- Ç’të lodhem kot, o të marrë;
s’më dëgjojnë gjithë sa kam vrarë.
© Fatmir Gjestila
Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania