Nga Esat Ruka (studjues i etnomuzikologjisë) – 19 Gusht 2018
Kapitulli : Tradita dhe dukuri të reja në orkestrinat me intrumenta tradicionalë të Veriut.
A.- Formacione muzikore shëtitëse në Mat.
Hyrje : Krijimi i formacioneve orkestrale shëtitëse pasqyrojnë një traditë të lashtë në zhvillimet muzikore. Hapsirat shqiptare janë të pasura në llojshmërinë e intrumentave, mjeshtrinë e përdorimit dhe rritjen e përsosmërisë së tyre tingëlluese. Muziktarët e Matit janë shquar për shumësinë e instrumentave dhe ritmeve muzikore, cilësitë timbrike, dhe repertorin muzikor. Muzikologu dhe albanologu i shquar prof. Ramadan Sokoli në fundin e viteve ’50 të hekullit XX në organizimin e ekspeditave të tij muzikore ka konkluduar se “Mati është bunari i folklorit”.
Orkestrina e famshme me instrumenta popullorë e kësaj treve është evidentuar dhe promovuar prej mbi një gjysëm shekulli në festivalet kombëtare folklorike si një vlerë muzikore e spikatur. Padyshim, kjo është një dëshmi e pakontestueshme e hershmërisë dhe jetës aktive artistike e kësaj trashëgimie. Roli i mjeshtrave ustallarë, si kudo në hapsirat ku janë vendosur, edhe në Mat ka ndikuar në lëvrimin dhe pasurimin vlerave të muzikës tradicionale. Etnomuzikologjia shqiptare deri më tani nuk i është referuar sa duhet kësaj pasurie dhe veçanësie artistike.
Treva e Matit trashëgon një pasuri të pazakontë vlerash të kulturës materiale dhe shpirtërore, që kanë parë dritën e botimit vetëm aqë sa të lakohen si dëshmi e pastërtisë së etnogjenezës së paraardhësve të vet dhe vendbanimit tonë të hershëm 1). Mungesa apo vonesa në gjurmimin, studimin dhe reflektimin shkencor, apelon në ndërgjegjen e njëmendtë të studiuesve për një “nxitim” në mbushjen e zbrazëtisë së promovimit të kontributit të banorëve të asaj nahije.
Nga përvoja botërore.
Zhvillimet e vrullëshme të jetës ekonomiko-shoqërore, sidomos pas mesjetës, do të çonin edhe në zhvillime të jetës artistike. Përgjithësisht dallohet varfëria në njohjen e veprimtarisë apo ndryshimet e formacioneve fshatare të pasqyruara në literaturën tonë. Burimet kryesore për studjuesit tanë, janë kryesisht zbulimet arkeologjike të skulpturave moumentale e dekorative, pikturave të poçerive, numizmatikës, si dëshmi të kulturës së herëshme të ilirëve 2). Por me rëndësi mbeten transmetime gojore nga stërgjyshërit tanë dhe të dhëna dokumentare nga literatura e fqinjëve.
Veçanërisht në shek. e XVII-të dhe XVIII-të, në Europën Qëndrore, formacione të këtij lloji, (shëtitëse) u kufizuan dhe vendin e tyre filluan ta zënë instrumenta muzikorë industrialë (me shkallë muzikore të temperuar). Edhe në Shqipëri rrezatoi ky zhvillim dhe si rezultat u rrudhën apo pësuan ndryshime këto formacione nga treva në trevë, apo nga zona në zonë.
Sipas dëshmive të herëshme formacione muzikore (curle e lodër) kanë ushtruar veprimtarinë e vet edhe në trevat e Jugut dhe Juglindjes së Shqipërisë, gjer kur nga fillimi shekullit XX-të do të hynin në përdorim instrumenta muzikorë të importuar.
_______________
1) Sokoli, R. “Vallet dhe muzika e të parëve tanë” Tiranë. V. 1971 fq. 3,
2) Sokoli, R. – Vallet dhe muzika e të parëve tanë” po aty.
fq.2
Tradita e formacioneve orkestrale në vendin tonë është relativisht e herëshme. Në kuadrin e kësaj tradite, grupet instrumentale kanë patur një përhapje që nga periudha e lashtësisë. Përcjellja e saj është realizuar e zhvilluar sipas etapave të ndryshme, gjëndjes ekonomike e shoqërore të vëndit, por edhe në varësi të lëvizjeve migruese dhe emigruese të popullsisë, të integrimit të kulturave të ndryshme gjatë luftrave të gjata pushtuese nga perandoritë e mëdha.
Me dyndjet e arabëve në Europë në shek. e IX grupe instrumentale të përbëra nga curle dhe daulle fillojnë e duken gjërësisht edhe në hapsirat shqiptare.3)
Formacionet orkestrale dhe mundësitë teknologjike të punimit.
Roli dhe funksionet e formacioneve instrumentale kanë qenë edhe janë aktualisht faktorë me rrezatim të thellë e të gjërë në zhvillimet artistike, në jetën e përditëshme, në festat dhe kremtimet e ndryshme, deri edhe në ceremoniale mortore.
Në këtë format, padyshim janë zbatuar disa norma apo ligje të pashkruara, që lidhen me aftësitë shprehëse të instrumentave, me teknologjinë e prodhimit dhe përpunimit të vazhdueshëm të instrumenteve muzikore, me timbrikën harmonike të përputhur apo të përafërt si dhe me teknikën e ekzekutimit nga muziktarët.
Historia e shkëlqyer e përdorimit, prej rreth dy shekujsh është bërë objekt gjurmimi dhe studimi privat e më vonë institucional. Dëshmohet një lëndë relativisht e mjaftueshme për konkluzione e përfundime serioze. Arkivat institucionale e private (pranë IKP - sot IAKSA), aktiviteti i shumë ansambleve e inisiativave private të muziktarëve popullorë të shtyrë edhe nga nevoja për fitim, (aheng me pagesë) kanë shërbyer për të përjetësuar e promovuar këtë vlerë unikale kombëtare.
Shqipëria trashëgon një traditë të lashtë të teknologjisë së punimit të instrumentave muzikorë. Në Mat dhe në gjithë hapsirat shqiptare, janë të njohura mjeshtritë e punimit të instrumentave muzikorë nga banorë vendas. Faktor themelor, që ndihmoi në lulëzimin e kësaj tradite ka qënë dhe mbetet kushtëzimi nga vetë mjedisi antropo-gjeografik. Të pasura me gjithfarë drurësh, mundësojnë mrekullisht punimin dhe përmirësimin e cilësive tingëlluese, fuqizimin e timbrikës, që çon në përmirësimin dhe cilësinë e repertorit, si pjesë e rëndësishme dhe e pandarë e kulturës shpirtërore.
Realizimi i pëlqyeshëm i bashkëtingëllimit do të çonte gradualisht në zgjerimin dhe zhvillimim e këtyre formacioneve tradicionale një mori të pafundme llojesh kombinimesh mes instrumentave tradicionalë.
__________________________
3) Koço, E. – “Udhëtim në kritikën muzikore shqiptare”, 1939-1944 Gaz. TEMA, 3-10 nëntor 2004.
Sipas bisedës private me historianin Kristo Frashëri shtator 2004: Vlen të sqarohet se ardhja e evgjitëve në Ballkan, ka ndodhur në shek X, gjatë perandorisë bizantine. .... Këta jetonin thuajse tërësisht nëpër qytete, kështu që muzika që praktikonin ishte ajo e qytetve shqiptare e mpleksur kjo me muzikën e tyre të origjinës, dhe përshtatur sipas shijeve të tyre tipike...
fq.3
Në këtë shumësi strukturash orkestrale nga hulumtimet, studimet dhe konkluzionet e etnomuzikologëve dhe etnoorganologëve të deritanishëm janë identifikuar dy grupe të mëdha :
1. tradicionale fshatare
2. tradicionale qytetare
Formacionet orkestrale shëtitëse janë bërë objekt i pasqyrimit shkencor në etnomuzokologjinë dhe etnoorganologjinë shqiptare. 4)
Në këtë punim do të shqyrtojmë vetëm formacionet popullore tradicionale rurale. Edhe në Shqipëri vërehet se ato i referohen një të shkuare mjaft të largët. Roli argëtues, që mbartin muziktarët e një formacioni orkestral, i japin atij funksione shëtitëse, sa në një ceremoni në tjetrën e sa në një fshat në tjetrin.
Fatkeqësisht Shqipëria i ka shpëtuar vëmëndjes së themeluesve të organologjisë botërore, dhe mbi të gjitha, baballarëve të organologjisë moderne në evidentimin e kësaj trashëgimie. Padyshim, gjysma e dytë e shek. XX edhe për shkak të izolimit 50 vjeçar. 5)
Në këtë kontekst edhe segmente etnokulturore apo treva shqiptare, i kanë shpëtuar vëmëndjes institucionale të studiuesve tanë. Trajtimi i tyre me kujdesin që meritojnë në studimet e ardhëshme, mendojmë se do nxisin një zhvillim dhe thellim të mëtejshëm të punës në disiplinat e etnomuzikologjisë shqiptare.
Çfarë tregojnë gjurmimet tona në Mat ?
Formacionet muzikore shëtitëse në trevën e Matit e zonat përreth, kanë një mori variantesh tradicionale rurale.
Prezenca aktuale e bardëve dhe instrumentistëve, ekspeditat e kryera nga IKP në vitet ’50-’60 të shek XX, hulumtimet dhe dëshmitë konkrete të aktivitetit vëzhgues të autorit të këtij punimi, përbëjnë një lëndë të mjaftueshme për të hedhur dritë mbi këtë fenomen artistik.
Hershmëria e përdorimit, rritja e cilësisë së tingëllimit, qarkullimi, funksioni në shoqërimin e këngëve e valleve, ka çuar në krijimin e strukturave e varianteve orkestrale interesante. Fyelli e pipëza, lodra e cigana, çiftelia e lauria, dajreja e bilbili, etj, e kanë ushqyer trashëgiminë muzikore edhe në trevën e Matit. Përdorimi vetjak i instrumenteve muzikore në mjediset fshatare, u transformua në një fuzionim kolektiv dhe për pasojë lindi një bashkëzanim cilësor në rrugtimin artistik, i cili shënoi progres të admirueshëm.
Përdorimi i këtyre instrumentave dhe formësimi në grupe orkestrinash e ka origjinën nga disa familje ustallarësh ( të ardhur që nga fillimi i shekkulit X) 6), të cilët kanë patur ndikim edhe në artin muzikor shqiptar. Që nga dyndjet barbare, historia e ardhjes së tyre nga Egjypti, ngulimi, përhapja dhe aktiviteti i tyre nuk nuk ka qenë kudo i njëkohshëm dhe i njëllojtë.
_______________
4) Prof, Dr. Miso, P. Organologjia shqiptare: studime, kërkime, perspektiva bot. në Çështje të folklorit shqiptar nga IKP. V. 2004 fq.133).
5) Miso, P. :Çështje të folkl. Shqiptar nr, 8 punimi shkencor mbajtur para stuentëve, studiuesve e pedagogëve në Romë 15 mars 1998)
fq.4
Dy kanë qenë prioritetet e këtij komuniteti që u kanë mundësuar dhe lehtësuar të drejtën e bashkëjetesës normale në Ballkan e territoret shqiptare :
Së pari, ata janë njohës të mirë dhe përpunues të hekurit (kovaçë) për prodhimin e përmirësimin e veglave bujqësore e orendive shtëpiake.
Së dyti, talenti dhe aftësia e tyre në përdorimin dhe prodhimin e veglave muzikore, të cilat sigurisht ishin trashëgimi e tyre.
Ky komunitet, bashkë me instrumentat ka sjellur edhe repertorin e njohur të tyre nga vendi i origjinës duke e përshtatur me pasurinë e trashëgimisë artistike të vendngulimit të tyre. 7)
Është vështirë të definohet se kush ishte e para vegël muzikore tradicionale që ka shkelur në tokën e Matit, si dhe, a ka patur instrumenta tradicionalë që nuk i rezistuan kohës ? Përshtatja, mendojmë se ka qenë edhe njëra nga arsyet, që ata kanë ardhur duke u bërë më të kërkuar artistikisht.
Dy formacione orkestrash shëtitëse :
Pasuria në llojshmëri, aftësia shprehëse, zhvillimi e përmirësimi i vazhdueshëm i tyre, larmia e repertorit, virtuoziteti muzikor, bashkëtingëllimi i instrumenteve muzikorë tradicionalë kanë dëshmuar pasurinë e botës shpirtërore dhe zhvillimin e inteligjencës së njerëzimit.
Treva e Matit është e ndarë në gjashtë zona etnografike 8) : (Rranxa, Topalltija, Përtej Uji, Prelli, Kryematja dhe Guri i Bardhë).
Arsyet e një ndarje të tillë kanë qenë të një karakteri studimor duke njohur dhe respektuar unitetin kulturor si dhe kontrastet apo ndryshimet, të cilat e begatojnë laryshinë e trashëgimisë kulturore. Do të përpiqemi të argumentojmë tipet e orkestrinave shëtitëse me instrumenta tradicionalë që kanë funksionuar në Mat.
_____________
6) Grupi shoqëror i egjiptjanëve të Shqipërisë, një ndër grupet më të mëdha shoqërore, është emërtuar dhe thirret me këto emra: evgjit, magjyp dhe firaun, të cilët në shqiptimin e përditshëm shoqërohen me një ngarkesë emocionale përbuzëse, si një “racë inferiore”. Në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe jepet ky spjegim: “pjesëtar i një grupi banorësh të disa qyteve të Shqipërisë e të vendeve të tjera të Ballkanit, prejardhjen e të cilëve populli e lidh me Egjiptin”.- Akademia e shkencave: FGJSSH fq 474. Tiranë 1980.
.................
Siç shihet edhe në mendimin shkencor edhe në ndërgjegjen e popullit fjala evgjit lidhet me Egjyptin. Nuk njihen për përdorimin e një gjuhe të tyre, por kanë folur gjuhën e vendeve ku janë ngulitur dhe dialektet e vendit ku banojnë. Kanë marrëdhënje endogamike (martohen brenda komunitetit të tyre) dhe janë të fesë muslimane, që mendohet se janë islamizuar pas pushtimit të Ballkanit nga turqit Osmanë.
7) Koço, E. – Po aty...
8) Fiçorri, R. “ Mati– Vështrim i shkurtër gjeografik, historik ekonomik e kulturor” Dadania-Tiranë 1998, fq. 160
fq.5
Me gjithë kohën e gjatë që i kemi kushtuar gjurmimit dhe hulumtimit të sferës së etnomuzikologjisë, mbetet e hapur detyra për qartësime e plotësime të mëtejshme. Treva e Matit është e pasur me vendbanime të herëshme e qyteza, kala e Oxhaqe të Mëdha. Mati është “Lugina e Mbretërve”. Qarkullojnë gojëdhëna se në kohën e Skënderbeut në Mat (vendlindja e tij), valltarët e tij përzgjidheshin nga fshatrat Macukull e Rremull, ndërsa ahengxhinjtë ishin nga fshati Dukagjin. Në Sarajet e Zogollit në Mat (ashtu sikundër ahengu shkodran që është cilësuar një “zbulim” i kohës së Vezirit të Shkodrës) hera herës artistë popullorë luanin muzikë, kërcenin e këndonin. Ende jemi në periudhën e hulumtimit për të dokumentuar hollësi të mëtejshme për këtë qëllim. Ustallarët në kërkim të ngulimit të tyre janë kushtëzuar nga kërkesat e banorëve autoktonë si për kovaçhanat ashtu edhe për muzikën. Sado që këto muziktarë kanë dhuntitë e tyre, vendimtare për bashkëjetesën mbetet tradita muzikore folklorike vendase. Ka qarkulluar një periudhë të gjatë lauria në zonën e Klosit (Kryemat), në Gurë të Bardhë dhe në Baz (bajraku i Rrazës), ashtu si cigana në Macukull (zona Prell). Kanë mbetur në memorien e banorëve muziktarët si përdorues të tyre të shquar. Por dora dorës, varësisht nga mjedisi ku zhvillohen ceremonitë familjare, nga shijet artistike të vendasve, faktorët etnopsikologjikë, tradita folklorike etj, do të strukturoheshin në dy llojë formacionesh muzikore shëtitëse.
Orkestrinat shëtitëse të familjeve : Ceni (Neziri), Kurti, Selimi, Radani, etj. në zonën e Prellit, Zeka e Shabanit në zonën e Rrazës, Dali Fasliu-Përtej Uji, Ferra e Gjata në Kryemat, etj. me veçoritë e veta si në përbërjen e veglave muzikore, ashtu edhe në repertorin e tyre, kanë mbetur pikat kulmore nga ku janë orientuar instrumentistët e muziktarët e mëvonshëm. Praktika e ushtrimit të talentit të tyre (“me vesh”) përbën një arkiv dhe përvojë mjaft të vyer në muzikën folklorike.
a. Orkestrina shëtitëse : lodër e ciganë
Formacionit muzikor shëtitës, të cilit i janë referuar studiuesit sidomos prej gjysmës së dytë të shek XX, është ai me ciganë (aerofon), dhe lodër (membranofon).
Në pjesën më të madhë të zonave të Matit, (Kryemat, Gurra e Batër, Topallti, Gur i Bardhë) ky formacion muzikor është më i preferuari. Shumë muziktarë kanë lënë mbresa e gjurmë të thella në kujtesën e banorëve. Beqir Ferra e Lit Haxhiu (të fillimit të shek XX) ishin virtuozë në ciganë. Liti i famshëm, Can Ferra, Lilë Loka dhe Shabani ishin përzgjedhur në ansamblin përfaqësues të Shqipërisë për në Moskë në vitin 1957. Lodërtari Daut Bajrami më 1951 ka shoqëruar me lodër vallen në filmin “Skënderbeu”. Ka qenë kjo plejadë muziktarësh, që kanë bërë të mbeten shprehjet:“nuk pushon ahengu, pa u fik llampa e gazit”, “nuk ndalet shkopi i lodrës, pa ra lira e turkut prej trarit”. Lodërtari Daut shprehej: ”kur kërcen Sali Kërçova nuk m’pushohet, se me lëvizjet e tij, nuk ma çon dam asnji thupër lodre” ose “me lodrën e Pleshës, kërcen Patini” 9) etj.
Fillimisht ky formacion ka patur vetëm dy instrumenta (curle e lodër), të pa dubluar. Kjo, mendojmë se lidhet edhe me interesin ekonomik të muziktarëve. Duke qenë me karakter shëtitës dhe shpërblimi, përbërja e grupit të ishte me anëtarë të familjes apo të afërm.
______________
9) Ruka, E. “Mati vështrim etnomuzikor” gjurmime, studime e vlerësime GEER, T. 2009, fq.89
fq.6
Një faktor tjetër i formatimit të kësaj strukture muzikore mendojmë se lidhet edhe me mjedisin e organizimit të ceremonive familjare. Organizimi në mjedise të mbyllura kërkonte që fuzioni muzikor të ishte i pajtueshëm me rrethanat dhe qëllimin. Gradualisht, kalimi i organizimit të këtyre ceremonive në ambiente të hapura, zgjerimi i funksionit të këtyre orkestrave (kujtojmë këtu shoqërimin e krushqëve, nuses apo krijimi i ndonjë atmosfere specifike), diktoi nevojën e pasurimit të kësaj strukture herë në tre, (dy curle e një lodër) herë në katër (dy curle e dy lodër) instrumente.
b. Orkestrina shëtitëse : lauri, çifteli e lodër
Ahengjet e zonës së Prellit së paku prej gjysmës së dytë të shek. XX kanë në përbërje vetëm lodër, lauri, dhe çifteli, ku herë herë futej edhe fyelli. Rasti më klasik njihet orkestra e “Shahin Cenit (Neziri)” nga Derjani e cila për cilësinë e teknikën e lartë të ekzekutimit, repertorin e zgjedhur, këngët e bukura dhe veçanërisht për shoqërimin e valleve të burrave dhe grave ishte më e kërkuara dhe më e respektuara. Po kështu mund të themi edhe “Kurti” në Rremull e Rukaj. Pra ky formacion orkestral i përbërë nga instrumenta tradicionalë kordofonë me hark (laura) 10), kordofone me pendë (çiftelia me tre tela), dhe membranofon (lodër, tumalek) përbën llojin tjetër të orkestrinave tradicionale shëtitëse. Kjo llojë ka edhe variantet e veta e cila është praktikuar në: lauri & fyell & lodër, lauri & lodër. Kjo llojë orkestrine shëtitëse me variantet e saj ka ushtruar veprimtarinë e vet nga ustallarët edhe në Lurë, Zall-Dardhë, e Qafë-Murrë të Dibrës (Sipas hartës administrative të sotme) dhe në zona të Bulqizës.
Tradita e ustallarëve ?
Jo vetëm në duar të tyre !
Orkestra e Valxhiut në Macukull 11) e cila përbëhej nga çiftelia, fyelli e lauria, “ ngrejnë paren prej toke”, thuhej në Mat në vitet ’50 të shekullit XX. Fisi Nelaj është autokton i atij fshati. Pinjolli i kësaj familje është “artisti i Merituar, fyelltari virtuoz, Ymer Neli – Mjeshtër i Madh, i cili edhe pse në moshën 75 vjeçare vazhdon të mbjellë “fidanët” e artit muzikor instrumental në Burrel.
Ndërsa në vitet ’30 të shek XX, Dali Fasliu i famshëm (i racës ustallarëve) nga Burgajeti ishte i kërkuar edhe në Kosovë si virtuoz në këngë e lauri, dasmorët kujtojnë se ”sherbeti i dasmës ishte kanga e Xhyledin Boçës” (1925 – 2015). Hajrulla Ceni (1916-2010) nga Shëlliu si rapsod me lauri i këngëve historike dhe të buta, nuk ju nda skenës për 50 vjet. Qamil Beshku nga Shlliu, që në fillim të viteve ’60 të shekullit XX është identifikuar me lauri në dorë në të gjitha Festivalet Folklorike Kombëtare si solist e si shoqërues i këngëve, valleve dhe si anëtar i formacionit të famshëm të orkestrinës së Matit.
________________
10) Nga gjurmimet tona në Mat nga ustallarët thirret edhe “laura”. Do të thellohemi në përqasjen e saj me lirën bizantine
11) Ruka, E. “Mati vështrim etnomuzikor”…… fq. 89
fq.7
Veri Koburja nga Patini me ciganën e tij është vllam me ciganxhijtë e famshëm të racës egjyptiane. Ai është i kudondodhur në ceremonitë festive familjare e koncertore brenda e jashtë Matit, laurat i festivaleve.
Avni Hoxha nga Klosi, mësues dhe rapsod i njohur me çifteli, i përzgjedhur nga drejtuesit profesionistë të valleve në Tiranë si lodërtarë i talentuar e të tjerë si Sejdin Ceka, Hysni Stafa më të rinj -12).
Përse u preferuan dy lloje orkestrinash?
Ku konsistojnë diferencat e tyre?
Për periudhën së cilës i referohemi, nga ustallarët muziktarë janë përdorur në ahengjet e tyre: lauri, ciganë, lodër, çifteli, fyell, pipëz, etj në gjithë trevën e Matit, (sipas hartës) përveç pjesës katolike (një pjesë e Bajrakut të Rrazës) e cila bën dallime.
Sigurisht, produkti i tyre muzikor lidhet me specifika të muzikimit që ndryshon nga njëra trevë në tjetrën. Kjo i bën muziktarët të jenë gjithmonë në kërkim të pasurimit dhe freskimit të repertorit. Qarkullimi i tyre në fshatra apo qytete, i bën muziktarët objekt, por edhe subjekt i trashëgimisë artistike. Kështu, mendojmë se lind edhe gërshetimi i kulturave, nga ku mund të thuhet se autoktonia artistike në këto zhanre është mjaft vështirë të përcaktohet prerazi. Në pikëpamjen organologjike edhe cigana edhe lodra nuk kanë ndryshime esenciale nga treva në trevë.
Gjithësesi, në Kosovë e në Maqedoni apo në rrethet Kukës e pjesërisht në Dibër këto instrumenta preferohen në përmasa më të mëdha, ndërsa në Mat, Bulqizë, në malësitë e Elbasanit dhe Tiranës deri në malësinë e Krujës, përmasat janë më të vogla. Varësisht nga këto përmasa ndryshon edhe regjistri, timbri, forca e zërit etj. Por ky fuzion kërkon të luhet në mjedise të hapura.
Në vazhdën e kërkesave në rritje të instrumentisteve, në bashkëpunim me punuesit dhe konstruktorët e instrumenteve muzikorë, u zhvilluan gradualisht elementet organologjikë duke sjellë për pasojë zhvillimin e elementëve të tyre shprehëse, teknikat e përdorimit dhe si rrjedhojë një muzikë me cilësore me ngarkesa emocionale gjithmonë në rritje. Nëpërmjet përmirësimit të cilësive tingëlluese, fuqizimit të timbrikës, u përmirësua edhe cilësia e repertorit, si pjesë e rëndësishme dhe e pandarë e kulturës shpirtërore.
Një tjetër faktor i rëndësishëm i formimit të kësaj tradite mbetet pa dyshim edhe niveli i përthithjes si dhe prirjet muzikore natyrale të bartesëve popullorë. E rëndësishme është të theksohet se formimi i kësaj kulture muzikore instrumentale me përmasa të konsiderueshme nuk mund të arrihej pa patur aftësi dhe mundësi përthithjeje . Që të përthithësh një kulturë të huaj, pa dyshim duhet të kesh një nivel të ngritur kulturor e aq me tepër për ta përshtatur e transformuar atë në trajtat vendore lipset që aftësitë dhe nivelet kulturore të jenë të larta. Bashkëjetesa harmonike në këtë trevë me këto grupe muzikore padyshim flet për një traditë aktive pararendëse të vendasve, prandaj edhe integrimi ka siguruar jetëgjatësi artistike gjithnjë në zhvillim. E përbashkëta e këtyre dy formacioneve dhe varianteve të tyre në përbërjen e strukturës së tyre është lodra. Ky instrument perkusioni përbën ashtin dhe bazamentin ritmik, dinamikën dhe fuzionin dhe prezanton e ndez gjithë atmosferën festive dhe emocionale.
I duhet mëshuar shumë faktit se njëri ndër elementët kryesorë të muzikës, vallëzimit dhe poezisë është ritmi. Pa këtë element s’mund të kemi muzikë, vallëzim, as poezi” 13)
_________________
12) Ruka, E. Po aty, fq. 67
13) Sokoli, R. – Folklori muzikor shqiptar”- Morfologjia. Tiranë 1965. Fq. 3.
fq.8
Por, përgjithësisht i përbashkët për këto formacione është edhe repertori muzikor, i cili lidhet më aftësinë e të kërcyerit sipas zonave, të kthyer në traditë të njohur në Mat.
Të dy llojet e orkestrinave në Mat njohin repertorin e shoqërimit të valleve të burrave dhe të grave. Orkestrinat në përgjithësi e kanë të kodifikuar repertorin e tyre muzikor. Të gjitha orkestrinat i luajnë “Kajden e parë”, Kajden e dytë”, “Kajden e tretë”, “Të Terziut”, “Molla e kuqe“, “Kajde e re” „dibrançe”, „zerqanshe”, “zebekshen”, “Shupalmadhçe” etj. Të gjitha formacionet i njohin të tre variantet e “Kajdes së Udhës” ku luhen patjetër në shoqërimin e krushqëve, dajave e nuses. Kërcimet “vençe” të grave do të njihen e luhen bukur 14).
Por, a ka diferenca në repertor ?
Sigurisht ! Pikërisht respektimi i këtyre diferencave, që lidhen me traditën folklorike të mjedisit, ka instaluar dhe pothuajse ndarë zonat në preferencat e tyre. Secila zonë etnokulturore respekton formacionin e “vet” orkestral.
Kur thamë më lart se “nuk pushon ahengu, pa u fik llampa e gazit”, kjo ndodh, se në Lis, Kurdari, Kryemat, Gurë të Bardhë e Gurra, janë të pakët burrat që nuk kërcejnë. Prandaj atje kërkohet lodër e ciganë. Madje dublohen (dy lodër e dy ciganë) pasi duhet të luajnë muzikë deri 4 orë pa pushuar, sepse oda e madhe e kullës ku qëdrojnë burrat nxë 36 burra (tri sofër).
Ndërsa në zonën tjetër (Prell, Përtej Uji) është solidarizuar fuzioni muzikor i instrumentave kordofonë kryesisht me lirizmin e valleve të grave, shoqërimin e këngëve lirike e liriko-epike, etj.
Vërtetë kcehen valle burrash, por jo masivisht si në Kryemat. Në zonën e Prellit apo edhe në qytet lodër e ciganë thirren thuajse vetëm për shoqërimin e krushqëve, nuses apo ardhjen e dajës (kumbarës). Mjedisi i dasmave në zonën e Prellit, sodomos kur ato bëhën në mjedise të mbyllura, në përgjithësi “refuzon” dinamikën dhe sonoritetin e fortë të aerofoneve. Prandaj në këtë zonë kërkohet që orkestrat shëtitëse janë më të buta.“të ngrej paren prej toke” Ajo kërkohet të jetë “sherbeti i dasmës” Pra, edhe të përbashkëtat edhe dallimet lidhen me traditën vendase të organizimit të ceremonive dhe prirjeve artistike, me aftësitë e përshtatjes së muziktarëve dhe nivelit të ekzekutimit të yre, por edhe me faktorë etnopsikologjikë.
____________________________
14) Ruka, E. “Mati-Vështrim etnomuzikor” fq.77-79
Bibliografia :
Prof. Sokoli, R. Prof. Miso, P. “Veglat muzikore të popullit shqiptar” Tiranë 1991
Sokoli, R. “Vallet dhe muzika e të parëve tanë” Tiranë, 1971
Dr. Munishi, R. “Probleme etnomuzikologjike” Prishtinë- 2007.
Miso,P.-“Çështje të folklorit shqiptar” – 8, Botim A.SH. R. SH. - Tiranë 2004 fq. 133.
Burke, Petër “Kultura popullore në Evropë në fillimet e kohës së Re” Bot :Arbi” 1996.
Ruka, E.”Mati – Vështrim Etnomuzikor”- Gjurmime, Studime, Vlerësime, Tiranë ,Geer - 2009
Koço, E. “Shostakoviç dhe Kadare” & artikuj, profile, intervista e vrojtime mbi artin muzikor shqiptar. Eugen, T. 2005
Kurti, D. - “Shënime etnografike nëpër Mat” Bot. “Geer” Tiranë – 2004
Prof, Dr. Miso, P. Organologjia shqiptare: studime, kërkime, perspektiva bot. në
Çështje të folklorit shqiptar nga IKP. V. 2004 fq.133).
Koço, E.-“Udhëtim në kritikën muzikore shqiptare”,39-44 Gaz. TEMA, 3-10 nëntor ‘04.