Nga Behar Gjoka, Tiranë – 7 mars 2018
Kremtimi i 7 Marsit, si dita e parë e shkollës shqipe dhe festë e mësuesit, bart shenja dhe kumte të dyfishta, të cilat duhen shpjeguar përmes argumentesh faktike.
Së pari : Kjo ditë, tanimë duhet depërtuar prapa hijes zyrtare të shnjimit si fillesa e shkollimit në gjuhën shqipe, realisht shënon në fakt zanafillën e shkollës laike shqipe, ndonëse mbështetja e fillimit nga ana financiare vjen nga protestantët, pra një mbështetje fetare, një çast jetik për shkollimin në gjuhën shqipe. Përpara saj, sipas gjurmëve dhe dokumenteve mund të flitet për një etapë të shkollimit në gjuhën shqipe, pra paralaike, saktësisht shkolla fetare, siç ngjau në Perëndim dhe Lindje. Shkollimi paralaik, pra fetar, si dhe ai laik në kuptimin e arsimimit, në të gjitha mjediset, përjetohen dhe vendohen si të bashkëlidhura.
Së dyti : A është mësuar shqipja në shkollë përpara 7 Marsit të vitit 1887? A ka shërbyer gjuha shqipe nëpër shkolla? Cilat kanë qenë lëndët e shkruara si tekste në gjuhën shqipe? Çfarë niveli shkollimi ka pasur përpara ditës së shpallur si dita e parë e shkollës shqipe? Po në kuptimin e programeve, cili ka qenë roli i gjuhës shqipe në sendërtimin e tij, pavarësisht llojit dhe nivelit të arsimimit? Shtrimi i këtyre pyetjeve "absurde", në pamje të parë dhe në semantikën formale, po të nisesh nga mendimi i ngurosur akademik, vetëm sa do të rihapte për diskutim njërin nga momentet që nuk ndërvaret prej hipotekash jashtëgjuhësore.
Shembja e mureve ndarëse të etapave historike, krahinore dhe fetare, politike dhe ideologjike, pas viteve ‘90, ka ardhur momenti, që do interpretuar në realitetin e fakteve, dokumenteve dhe gjurmëve të pranishme në lëmin e arsimimit, në të gjitha hapësirat shqiptare dhe diasporën e hershme. Shkollimi laik, me mbështetje financiare fetare protestante, festohet për çdo vit si festë e dyfishtë : Dita e parë e shkollës shqipe, fillimi i shkollimit në gjuhën shqipe dhe kulmi i saj. Festa e mësuesit, si përlindjen e traditës së mëparshme të shkollës shqiptare.
Formatimi i 7 Marsit, para së gjithash buron nga ndarja e shkencës nga feja, e shkollës nga kisha, dhe shënon një moment thelbësor në historinë e shkollimit nëpërmjet kësaj gjuhe, të folur qysh në mugullimat e kohës. Shkolla laike, në mjediset perëndimore nuk është parë si kufi ndarës, përkundrazi është trajtuar si një logjikë e një ndryshimi dhe transformimi normal, pra si vijim i shkollimit. Madje, në Perëndim dhe Lindje, edhe fillesat e universiteteve janë ngritur si shkollim fetar. Në këtë kuptim, 7 Marsi shënon rilindjen e një tradite të hershme, por edhe një etapë të re dhe cilësore në rrugën e diturisë shkollore. Prej aty zë fill kurba që pëson procesi i dijes në shkollat shqipe, duke hyrë në shtegtimin e shekullit të ri, të funksionimit si tipologji shkollimi e ndarë nga feja dhe që ka fokusuar vëmendjen nga dija shkencore më tepër.
7 Marsi i vitit 1887, një moment me vlerë në historikun e shkollimit në gjuhën shqipe, megjithatë nuk duhet marrë dhe kundruar si caku i parë dhe i vetëm i mësimit në shkollë me anë të gjuhës shqipe, po të merren në shqyrtim dhe konsideratë dokumentimet e shkollimit, të pranishme nëpër arkivat brenda dhe jashtë vendit, natyrisht të një shkollimi me sfond fetar. Sipas ndonjë dëshmie paraprake të lënë nga Budi, poeti dhe prozatori i parë i letrave shqipe, shprehur në parathënie dhe pasthënie, dijet e para, ai i nxuri te prelatët vendas, çka krijon premisat për ta parë dhe shqyrtuar Shkolla e parë shqipe dhe 7 Marsi këtë dukuri.
Kështu, në letrën drejtuar kardinal Gocadinos, Budi, thotë: "... në rininë time kam qëndruar, pothuaj vazhdimisht në shërbim të disa ipeshkëvinjve të vendit tonë, pranë të cilëve jam marrë me studimin e këtyne pak ditunive deri në moshën 21-vjeçare..." (1963: 297). Kjo e dhënme, ta ndez kureshtjen se duhet qëmtuar në hapësira të tjera, ku vijojnë të flenë dokumentet. Po ku e nxuri ai, dhe gjithë shkrimtarët e letërsisë së hershme, shkrimin dhe këndimin e gjuhës shqipe, në atë nivel sa realizuan edhe librat e parë, madje ata realizuan poezinë, prozën, shkencat e historisë dhe leksikografisë ? Kush qenë mësuesit që mësuan te Buzuku, Matranga, Budi, Bardhi, Bogdani etj., dashurinë dhe dëshirën për shqipen?
Enigmat, që do të duhet të shvështillen, sa vijnë e shtohen, sa vjen dhe rriten pikëpyetjet e përfundimeve përmbi fatin e shkollës shqipe. Bashkë me to rritet dëshira për ta shkundur ndryshkun e grumbulluar nëpër vite e shekuj. Në dokumentacionin e Kolegjit Ilirik të Loretos, në gjuhën latine, që përfaqëson nivelin e shkollës së mesme, me drejtim teologjik, po zhvilloheshin edhe shkenca filozofike, letrare, por edhe të shkencave të natyrës, dëshmohet tërthorazi, se dikush me emrin Budi a Buli, ka studiuar aty, pa harruar se në atë kolegj kanë studiuar edhe Bardhi, Bogdani, etj., një tezë e mirëpranuar midis studiuesve dhe albanologëve që i janë përkushtuar periudhës së moçme të letërsisë shqipe. Sipas Selman Rizës, "... shënimi i Ferlatit se autori ynë qenka edukuar në kolegjin ilirik të Loretit (Itali), nuk mund të shpjegohet ndryshe veçse kështu: në këtë kolegj Budi do të jetë regjistruar vetëm sa për të dhënë provimet e maturës, pa të cilën ai nuk mund të dorëzohej (shugurohej - B. Gj. ) prift" (1996: 556), duke e sqaruar përcaktimin e dyzuar, përmbi fatin e arsimimit të vetë Pjetër Budit.
Edhe këto rrezatime, gjithsesi ndihmojnë për ta shqyrtuar çështjen në një dritë tjetër, në mënyrë që gjurmët e shkollimit në gjuhën shqipe, të realizuara nëpër shkollat fetare ose në kishat katolike dhe ortodokse, në gjuhën shqipe. Dokumentimi i hapjes së të parës shkollë shqipe, qëmtuar prej Dr. Jashar Rexhepagiçit, në një libër studimor rreth arsimit, dëshmohet: "Shkollat janë hapur me iniciativën e priftërve, por shpesh edhe të kërkuara nga popullsia qytetare apo fshatare" (1968: 47). Kjo e dhënme do ta shpinte gjurmimin e fatit të shkollimit në kufij të dokumentuar, duke i shtuar shkollimit në gjuhën shqipe edhe dy-tre shekuj. Cytëse, për shpjegimin e fatit të arsimimit në gjuhën shqipe, është e dhëna që sjell po ky autor mbi programin e shkollimit në Mesjetë: "Pos disiplinave fetare të cilat rëndom i jepnin priftërit shqiptarë, në këto shkolla italisht, e nga gjysma e parë e shekullit XVII edhe shqip, mësohej leximi, shkrimi, elementet e historisë dhe njohuri të tjera të dobishme" (1968: 48).
Pra, dukshëm kemi një realitet të shkollimit të programuar, me rrezatime në lëndët shoqërore, duke mbetur në epiqendër aspekti fetar. E dhëna se në shekullin XVII kemi edhe shkolla në gjuhën shqipe, e zgjeron gamën e çështjeve që do të duhet të merren në analizë dhe të interpretohen. Vihet re se problematika e mprehtë, e shkollimit dhe programimeve të saj në gjuhën shqipe, në këto hulumtime, por edhe nëpër dokumente do të ndihmonte për t‘i nxjerrë në dritë këto aspekte të mbetura në mjegull, prej metodikave që projektoi sistemi diktatorial, për ta kërkuar historinë e shkollimit shqip, vetëm në qerthuj antifetarë dhe antikrahinorë. Diku tjetër autori nënvizon se "Në Shqipëri gjithashtu ka pasur disa shkolla fillore, që përmenden qysh në shekullin XVI".
Në shekullin e XVII, me veprën e Budit, Bardhit dhe Bogdanit, kjo gjuhë nuk dëshmohet thjesht si gjuhë e sakramenteve fetare, as thjesht si fakt gjuhësor, përkundrazi ajo fiton statusin, si gjuhë e poezisë dhe prozës dhe si gjuhë e leksikografi së dhe historisë. Sipas J. Rexhepagiç, kanë ekzistuar këto shkolla : Shkolla fillore në KURBIN afër Krujës, e themeluar më 1632... kjo është e para shkollë në territorin e vilajetit të Shkodrës. Shkollën e vijojnë një numër i vogël nxënësish (10 nxënës). Sipas raporteve të Mark Skurës, të datës 20. XII. 1641 dhe 7. III. 1650 që i janë dërguar Kongregatës, fëmijët në këtë shkollë kanë mësuar lexim e shkrim, kurse ata më të rriturit gramatikë, gjë që i përgjigjej shkollës së mesme. Shkolla fillore në Korçë, e themeluar në vitin 1637, ekziston mendimi se është shkolla më e vjetër. Në të paguhej taksa shkollore. Në vitin 1638 u hap shkolla fi llore në Pedhanë (rrethi i Shkodrës), ku mësonin fëmijët e atij fshati, "por edhe nga vise të afërta". Shkolla punoi deri në vitin 1675. Në të njëjtën kohë, në Pedhanë, u themelua një shkollë e mesme. Shkollën e vijonin ata që kishin dëshirë të bëheshin anëtarë të klerit. Në rrethinën e Shkodrës është themeluar shkolla fi llore në Blinisht, më 1639. Megjithëse ishte shkollë fetare, mësimi në të është zhvilluar në gjuhën shqipe. Me kërkesë të qytetarëve të Blinishtit, po atë vit u hap dhe shkolla e mesme, e pagëzuar gymnasium. Kjo ishte shkollë për të rinjtë. Ka ekzistuar edhe një shkollë private në Shkodër, e hapur në vitin 1698. Këtë shkollë e vijonin fëmijët e tregtarëve dhe pasunarëve tjerë. Pos të tjerash mësonin edhe gjuhën shqipe. Shkollën e themeloi P. Filipi, françeskan i Shkodrës. Shumë herët hasim në shkolla shqipe edhe në viset e Himarës" (1968: 50, 51).
Nga kjo paraqitje, megjithatë dëshmohen dy tipare thelbësore: Prania e shkollave pothuajse në gjithë trojet shqiptare, në jug dhe veri. Shkollimi në gjuhën shqipe fillor, por edhe të mesëm ose "gymnasium". Vetvetiu tërheq vëmendjen shtrirja, në të gjitha trevat shqiptare, e cila zbulon qartë se kemi të bëjmë me një pasqyrë tërësore të fakteve të shkollimit në gjuhën shqipe. Përbën befasi, fakti i përmendur nga Rexhepagiç, që në periudhën e Mesjetës së vonë, në trevat shqiptare, por edhe tek arbëreshët e Italisë, hasen edhe shkolla fetare, por hasen edhe nisma të shkollimit me shtysa private, pra edhe për qëllime jashtëfetare.
Gjithashtu, jetike për ekzistencën dhe përhapjen e shkollave në gjuhën shqipe, në trevat shqiptare të Kosovës: "Është normale, pra, thotë ai, të supozosh se qysh në shekullin XVI në këto vise ka pasur shkolla katolike shqipe. Dihet me siguri se një shkollë e këtillë ka ekzistuar në Janjevë. Kryepeshkopi i Shkupit, Andrea Bogdani i shkruan Romës (15. XI. 1664) nga Janjeva, ku kishte rezidencën e vet, duke i rekomanduar në letër Kongregatës për mësues të shkollës katolike në këtë vend shqiptarin Pjetër Mazrekun (prizrenasin), i cili më 25 qershor 1666, njofton Kongregatën se me plot entuziazëm punon në shkollë dhe me ndërgjegje kryen detyrën që i është besuar" (1968: 48). Prania e shkollës shqipe, fakton dhe argumenton se kemi të bëjmë me troje në vijim, që u ndanë padrejtësisht në shekullin e njëzet nga "dashamirësia" e fqinjëve, si dhe prej mbështetjes nga Fuqitë e Mëdha. Gjuha e përbashkët, pa dyshim faktimi i saj edhe si gjuhë e shkollimit i nxjerrë në breg interpretimet e pabaza të pohimeve mbi dallime themelore, midis Shqipërisë dhe Kosovës, madje midis banorëve, si dy kombe të ndryshme.
Po ashtu, sa i përket historisë së shkollimit, në kohën e Mesjetës së vonë, interes zgjon dëshmia që sjell Petro Marko në librin "Retë dhe gurët", ku poeti dhe romancieri i letrave shqipe, shprehet: "Në shekullin XVII, më 1630, në Dhërmi priftërinjtë bazilianë që i kishte dërguar Papa në Himarë, hapën të parën shkollë shqipe - seminar për priftërinj në gjuhën shqipe," (2000: 44). Duket se edhe ky pohim i hedhur në kohërat moderne, e ka zgjeruar gamën shqyrtimore të historisë së shkollimit në gjuhën shqipe, por njëkohësisht duke sjellë edhe një argument më shumë përmbi këtë ligjëratë, sidomos në trajtimin e zonave të bregut, si vijimësisht shqiptare, përndryshe mësimi do të ishte zhvilluar në greqishte, madje ky gjykim ndihmon në vendosjen e fillesave të shkollimit, në mjediset katolike, por edhe në të tjerat, pra siç edhe ka ngjarë në Himarë. Për më tepër që e dhëna e Petro Markos, pohohet më herët nga studiuesi i arsimit J. Rexhepagiçi, kur shprehet: "I gjejmë në Dhërmi, Vuno, Palas. Edhe këtu priftërit u jepnin mësim fëmijëve, si Neofit Rodino (1630-1642), pastaj Kostandin Onofria dhe të tjerë." (1968: 51), madje duke përmendur emrat e mësuesve.
Ndërsa pohimi i Markos se "‘Katekizmi‘ në meshë këndohej në shqip. Papa Dhimitri nga Dhërmiu, Gjileku, e përktheu ‘Katekizmin‘ në gjuhën shqipe, po, sipas raporteve të bazilianëve, nuk u botua, se ishte botuar ai i Budit" (2000: 46), hedh dritë mbi praninë e librave të Budit edhe në Jug, madje tek ortodoksët. Ekzistenca e shkollave të tilla, në jug apo në veri, por edhe në trojet etnike dhe në diasporën arbëreshe, përveçse tregon njëjtësinë e trojeve, si dhe njëjtësinë shpirtërore dhe gjuhësore, zbulon gjithashtu, prirjet dijedashëse të popullsisë arbëreshe (shqiptare), qysh në Mesjetën e vonë, me fillesa që do të duhen gjurmuar qysh në shekullin XVI, por të dëshmuara me gjurmë dhe fakte në shekullin e XVII.
Megjithëse janë të karakterit fetar, ndonëse në atë kohë nuk mund të ishin ndryshe, roli i tyre është thelbësor për ekzistencën e popullit shqiptar. Për atë periudhë kisha apo çdofarë kulti fetar, përpos ceremonialit, kryente funksionet edhe të vatrës kryesore të diturimit, kulturimit, pra të shkollimit bazë në gjuhën shqipe, si dhe të ligjërimit letrar, në poezi dhe prozë, duke e shpërfaqur arsimin e asaj kohe si dukuri mbikrahinore dhe me nuanca mbifetare. Aq më tepër që shkollat fetare të ritit latin dhe jo të tillë, mbase edhe shkollat private të kohës, ku mësohej edhe gjuha shqipe, është e prekshme në ato zona ku ushtruan veprimtarinë priftërinjtë katolikë veriorë, me Buzukun dhe "Mesharin" e tij, por që bart një përvojë të thekur veçmas me veprën e Lek Matrangës, kryekëput në rrafshet e shkollimit e të nxënies nëpërmjet gjuhës shqipe.
Në mes shkrimtarëve edhe Budi, me krijimtarinë letrare, në prozë dhe poezi, e sidomos me të dhënën se ka shkruar edhe një gramatikë të shqipes, e cila ka humbur në mugullimat e kohës, një e dhënë që vjen nga Gaetano Petrota, qysh në vitin 1931, e librit me natyrë "enciklopedike", siç shprehet Pavolini për librin e studiuesit italo-arbëresh, një libër ku hidhen shinat e historisë së gjuhës shqipe dhe letërsisë shqipe, të publicistikës, arkeologjisë dhe etnografisë, ta përforcon mendimin se ekzistonin premisa jo vetëm për hapjen e shkollave shqipe, e shkrimit dhe këndimit të shqipes, por edhe për lëvrimin e shqipes si gjuhë e kulturës, letërsisë dhe shkencave, një akt që e tejkalon mundësinë e dhënë prej Kundërreformacionit. Botimi i librave prej Buzukut, Matrangës, Budit, Bardhit dhe Bogdanit, në shekujt XVI dhe XVII, në shqipe është argument i atmosferës së lejimit të shkrimit e gjuhës shqipe.
Këto gjurmë dhe mjaft të tjera, që ende presin që të shpluhurosen, nëpër arkivat e Vatikanit, Parisit, Kopenhagenit, Stambollit etj., dhe brenda vendit, e sidomos hapja e mendjes ndaj alternativave të pranishme për të verifikuar dhe studiuar gjurmët e prekshme, i japin jo pak moshë gjuhëshkrimit të shqipes, ndër shkollat shqiptare. Dihet dhe është e mirëpritur ideja e shkollimit fetar në të gjitha vendet në atë periudhë, e cila ndonëse realizohej vetëm në mjediset fetare, pra manastire dhe kisha, madje edhe universitet e asokohshme ishin nën kujdestarinë e kishës. Nëse, gjithnjë nisur nga dëshmitë e gjurmimeve të kryera nëpër arkiva, mbështetur vetëm si qëmtim dhe gjurmim dokumentesh, si zanafillë të datuar të gjuhëshkollimit shqip, në trojet shqiptare si të parën shkollë, do të mund të merrnim çeljen e shkollës së Dhërmiut, më 1630. Jo larg kësaj kohe është edhe hapja e shkollës së Kurbinit, më 1632. Në këtë qerthull kemi edhe hapjen e shkollës së Korçës, më 1637. Gjithashtu, me rëndësi dhe vlera është edhe hapja e shkollës së Janjevës, pikërisht në vitin 1666.
Të gjitha këto datime përmbi hapjen e shkollave në gjuhën shqipe konfirmohen, më se njëherë edhe nga G. Petrota, njohësi dhe studiuesi më zelltar i historisë së gjuhës, kombit, literaturës arbëreshe dhe në të cilat, përveç të tjerash, ka gjurmë arkivore se janë përdorur si libra mësimorë edhe librat e Budit, veçanërisht Doktrina. Në të mirë të ilustrimit të idesë së hedhur për faktologjinë e shkollimit më herët se 1887, është edhe gjykimi i Rexhepagiçit mbi L. Matrangën, kur shprehet: "Mendim pedagogjik hasim edhe në "Katekizmin" e arbëreshit Lekë Matrënga, i cili e përktheu këtë vepër...Ky formulim ka rëndësi të posaçme pedagogjike dhe ka këtë përmbajtje: "Unë sa të jamë gjallë nuk do të mongoj ... të ndihmoj fëmijët për hirë të tyre të bëhem edhe vetë fëmijë që ata të përfitojnë sa më shumë. Në këtë formulim Matrënga shpreh gatishmërinë për të mësuar fëmijët e shqiptarëve" (1968: 54), në parathënien e librit "E mbasme e Kërshtenë" botim i vitit 1592, që e shpie shkollimin e realizuar nëpërmjet gjuhës shqipe deri në caqet e zanafillës së dokumentuar gjer më tani.
Në pohimin e vetë autorit, tashmë si përfaqësuesi më i moçëm i variantit në toskërisht, gjithnjë sipas E. Çabejt, më tepër se gjithkund tjetër në gjurmët që na vijnë prej mugullimave të Mesjetës së vonë, zbulohet lidhja jetike e Matrangës me fëmijët dhe shkollimin e tyre. Me gjasë, në vitin e botimit të Katekizmit të përkthyer prej tij, ku edhe bëhen këto pohime të papritura pedagogjike dhe diturake lidhur me shkollën, si dhe papërtueshmërinë për t‘iu përgjigjur nevojave të fëmijëve.
Shenjat e këtilla të shprehura prej autorit të Katekizmit, por sidomos prania e materies së tekstit të konceptuar, kryesisht për qëllimet e arsimimit dhe procesin e nxënies, janë një tregues i lidhjes së autorit me aktin e shkollimit të fëmijëve, mbase edhe të adhurimit, duke shënuar kështu faktikisht, pra me libra dhe dokumente autentike, fillimin e shkollimit në gjuhën shqipe, të dokumentuar, madje me tekste librash të mirëfilltë, jo vetëm në diasporë, por në të gjithë historinë e shkollimit në gjuhën shqipe. Libri "E mbasme e Kërshtenë" i L. Matrangës është shkruar enkas ashtu, me atë formë dhe trajtë, për të mësuar në kishë fëmijët, si vend i ceremonialeve fetare, por edhe i marrjes së dijeve, pra si vatër e dëshmuar nxënieje, siç shpalohet nga parathënia e librit, e pohuar dhe ripohuar edhe prej studiuesit të shkollës, Jashar Rexhepagiç.
Në tekstin e librit, e sidomos në parathënien e tij prekim edhe ndjesitë autoriale, edhe detyrimin për sipërmarrjen, por edhe realizimin e një teksti të mirëfilltë, për të shërbyer në nxënien e dijeve në shkollën-kishë, natyrisht për t‘u mësuar ceremonitë fetare. Libri i njërit prej shkrimtarëve të traditës së shkrimit të shqipes, si gjuhë e shkollës, e poezisë dhe prozës, siç e tregon struktura e librit, me atë formësim, ka vlera në disa drejtime : Ai shënon të parin tekst, të zbuluar gjer më tash, që na ka mbërritur prej Mesjetës së vonë, ku skicohet mënyra dhe metodika e shkollimit të fëmijëve në arsimin tetëvjeçar, por edhe me ndonjë tregues të prekshëm edhe për arsimin e mesëm. Ai përbën një material me vlerë gjuhësore, didaktike dhe metodike jo vetëm për kohën shkrimore, por është nga të paktat dëshmi që ndihmojnë për të prekur dhe studiuar nivelin e shkrimit dhe të mundësive shprehëse të gjuhës shqipe, dhe prej nga ku edhe mundet të preken tiparet e shkollimit fetar në këtë gjuhë. Ai është modeli i parë i shkruar, i cili na vjen prej mugullimave të kohës, të një kohe të trazuar me luftëra dhe sakrifica të shumta, të mbushur me përmbysje dhe konvertime fetare, në rrekjen siprane të shqiptarëve, sidomos të priftërinjve të asaj periudhe, të cilët përfaqësonin dijen dhe atdhedashjen. Ai përfaqëson të parën sprovë të dokumentuar dhe të studiuar, madje të konceptuar dhe realizuar qëllimisht si tekst mësimor, për t‘u dhënë dijet më të nevojshme fëmijëve, për të lexuar dhe kuptuar tekstet fetare, si një synim utilitar, e mbase për të pasur shansin e vazhdimit të shkollës fetare në ndonjë kolegj dhe shkollat e larta teologjike. Ai ngërthen në vetvete shenjat e një dokumenti historik, me vlera të shumëfi shta, të fillesave të arsimit në gjuhën shqipe, madje edhe jashtë trevave shqiptare, pra në diasporën e hershme.
E rëndësishme, madje me vlerë për historinë e gjuhës shqipe, të letërsisë, gojore dhe të kultivuar realizuar në variantin e toskërishtes fillimtare si shkrim, e sidomos të arsimit të realizuar në gjuhën shqipe, është fakti domethënës që ky proces, pra marrja e dijeve fetare dhe të tjera, do të kryhej në gjuhën shqipe. Vetë struktura e librit përmbi katekizmin, me karakter fetar, me poezinë e përshpirtshme. Ky tip poezie, fetare në thelb dhe shprehësi, shpreh gjurmët dhe dëshmitë e nevojës së këngëtimit, një situatë aq e nevojshme në aktin e ceremonive fetare, por edhe në mësimin e gjuhës amë. Pjesë thelbësore e librit të shkrimtarit të parë italo-arbëresh, janë edhe prozat diturake dhe fetare, të një gjerësie më të madhe si hapësirë tekstologjike, madje të shoqëruara edhe me përshkrime të mjediseve, edhe me dialogë të priftit dhe xhakonit, që dëshmon dukshëm datimin e organizuar të gjuhës dhe të shkollimit të fëmijëve edhe përmes shqipes. Prania e poezisë, si një përshpirtje fetare e pastër, por edhe e prozës, e shpërndërron tekstin edhe në një fakt letrar, me vlera të posaçme në historishkrimin e letërsisë, me variantin e arbërishtes, sipas Çabejt, të një toskërishteje të hershme.
E gjithë kjo paraqitje e shkurtër rreth arsimit dhe shkollimit në gjuhën shqipe, me karakter fetar të pashmangshëm, ndihmon, pothuajse drejtpërdrejt duke sjellë të dhëna dokumentare, me gjasë duke riformuluar edhe njëherë, matanë detit, pra në diasporën e hershme, se kemi të bëjmë me një rregull dhe normë të lejuar dhe të fiksuar nga Vatikani, në sipërmarrjen e Kundërreformacionit, në formën e detyrimit për shërbesat fetare, në gjuhët amtare, por, me sa duket, edhe të shkollimit në po atë gjuhë të fëmijëve, që do t‘i përkushtoheshin shkollimit fetar, sepse për ndryshe si do të mund që të kuptoheshin kumtet fetare ose jashtëfetare, të ligjërimit të përditshëm, edhe për librat mësimorë për nxënësit që do të përgatiteshin si priftërinj, madje në arsimin e ulët dhe të lartë, si tregues i arsimimit tetëvjeçar, por edhe të shkollimit në nivelin e arsimit të mesëm.
Në vëmendjen shkencore dhe pedagogjike, tashmë duhet të përfshihen edhe gjurmët e shkollimit në gjuhën shqipe në kolegjin e Shën-Adrianit, i vitit 1848, ku dokumentohet se ka qenë si mësues edhe Jeronim De Rada, poeti dhe rilindësi i diasporës arbëreshe. Po ashtu, pjesë e historisë së arsimit në gjuhën shqipe, nuk ka arsye që të mos jetë edhe hapja e shkollës së Labovës në vitin 1861. Kuptohet, se 7 marsi i vitit 1887 si fillesë e shkollimit në gjuhën shqipe, është bazuar, kryekëput në natyrën laike të fillesave të kësaj mënyre arsimimi, mbase ka shërbyer si "mbulesë" e sistemit monist, duke lënë në hije, pjesën e shkollimit në gjuhën shqipe, për shkak të leximit të historisë së arsimit shqip me syze ideologjike, që, dihet, nuk e qasnin fetarizmin.
Shkollimi fetar dhe ai laik, tashmë duhen shqyrtuar në lidhjet organike dhe kronologjike, duke i marrë ato në linjën logjike të zhvillimit të vet. Nivelet e ngritura programore, momenti kulmor kur ngjet fillimi i shkollimit, që përkon me çastet e përlindjes së vetëdijes kombëtare, si dhe tekstet e përdorura në këtë shkollë, por edhe në të tjera pas vitit 1887, ka kuptim të vetëmjaftueshëm, si një pikë kulmore e mësimit të shqipes, tanimë në kohët më të reja. Veçse hapja e kësaj shkolle, patriotike dhe me rëndësi jetike për rilindjen kombëtare, si vetëdije gjuhësore, kulturore, atdhetare, kurrsesi nuk duhet parë e shkëputur prej periudhave të mëparshme, të dokumentuara, që përgatitën parakushtet për të mbërritur deri te niveli i këtij shkollimi.
Përkundrazi, historia e shkollës shqipe, ka ardhur momenti, që të verifi kohet dhe interpretohet në të gjitha akset, edhe të shkollimit fetar, pavarësisht ngjyresave dhe krahinave ku dhe u hapën shkollat e para fetare. Pa dyshim që gjykimet, pohimet, argumentet, faktet, thëniet dhe kundërthëniet, kundërshtitë dhe dëshmitë, që do të sjellin ndërkohë shkencëtarët e gjuhësisë, letërsisë, arsimit dhe historisë, do të largojnë jo pak nga mjegullimat e pranishme mbi fillesat e shkollimit në gjuhën shqipe, me gjithë karakterin e tij fetar përpara periudhës së Rilindjes Kombëtare, çka është po në atë linjë logjike të rrugëtimit të arsimit edhe në botën e qytetëruar, në Perëndim apo Lindje.
Përkundrazi, dëshmitë e gjurmuara, brenda dhe jashtë vendit, shqyrtimet dhe studimet e atyre gjurmëve të gjetura, të çojnë vetiu te disa fakte konkrete historike, që flasin për aktin sublim të arsimimit në gjuhën shqipe. Përjetimi i këtij momenti, gjithsesi të ndërliqshëm, le të shërbejë si ngacmim për të thelluar mendimin shkencor, historik e gjuhësor, pedagogjik dhe letrar, për të synuar nxjerrjen nga pelenat foshnjarake të gjuhës shqipe, tashmë si gjuhë e shkollës, sidomos për t‘i dhënë asaj vendin që i takon, deri aty ku përvijohen gjurmët historike, nga fundi i shekullit XVI dhe në pjesën e parë të shekullit XVII, që fakton praninë e shkollës, ku formimi fetar, doemos, tanimë përmbarohej nëpërmjet shqipes, sepse tekstet e kësaj nxënieje, prej kohësh qenë mbëltuar në truall të shqipes.
© Behar Gjoka
Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania
https://www.darsiani.com/krahina-e-matit/behar-gjoka/shkolla-e-pare-shqipe-dhe-7-marsi/