Pushteti i fjalës dhe fjala e pushtetit


Fotografi e marrë në profilin facebook të autorit
Fotografi e marrë në profilin facebook të autorit

Nga Behar Gjoka, Tiranë – 13 Shkurt 2017

 

Në betejën epokale, të pushtetit të fjalës si përjetësi, me fjalën e pushtetit të përkohësisë, së diktatorëve dhe puthadorëve, të secilit sistem në Shqipëri, prej kohësh ka fituar fjala e pushtetit, që e ka kthyer artin dhe letërsinë në shërbëtor dhe fasadë të pushtetit të radhës. Madje, kundruar në brendësi të jetës shpirtërore, ka marrë në përdorim secilën lami të saj, duke dhunuar me të gjitha mjetet dhe format, çdo hapësirë të saj.

 

Ironia e fatit dhe realiteti tronditës na përplaset çdo ditë në fytyrë dhe ne ecim përsëri krenar, të paepur nga nënshtrimi ynë, gati biblik. Mjafton të hedhësh sytë në ceremonitë fetare, ku fjala e parë dhe e fundit është fjala e pushtetit, të djeshëm dhe të sotëm, që na mban peng dhe na udhëheq, në terrin gri, ku somnambulisht vetëm marrim frymë.

 

Sa e hidhur dhe tragjike, çdo herë në festat fetare, të pafetë lëshojnë mesazhe për vlerat fetare dhe ne rrimë e dëgjojmë “profetët” e radhës. Na kanë marrë peng jetën dhe vdekjen dhe bredhërojnë me to, ditën dhe natën, ku ka marrë fund edhe kodi i heshtjes në shtëpinë e të vdekurit. Ndahen nga jeta figura të artit dhe letërsisë, fjala e parë dhe e fundit është e politikanëve, kur pjesa dërrmuese e tyre nuk ka lexuar qoftë një libër, apo nuk kanë parë një shfaqje të artistëve që ikin fizikisht, por mbeten në mesin tonë përjetësisht, për vlerat e krijuara.

 

Ironi e pistë, ku politika na ka marrë peng edhe shpirtin, edhe jetën, artin dhe letërsinë. Sapo kaluam tallavanë mediatiko-letrare, për Agollin, ku mbrojtës dhe sulmues, ku shkëlqeu ylli i parathënësve të Kadaresë, që sulmuan me rropama Agollin, që iku në amshim, u hodhën në dhunimin e pushtetit të fjalës.

 

Te lexoja shkrimet e analistëve, që i dinë të gjitha, më erdhi në mendje Kundera, që thekson : ''Këta (njerëzit e medias), duke qenë agjentë të njësimit të historisë planetare, zmadhojnë dhe kanalizojnë procesin e reduktimit; shpërndajnë në mbarë botën konceptet e tyre të thjeshtëzimit dhe klishetë e qenies së prekshme, të pranuar nga numri i madh, nga të gjithë, nga mbarë njerëzimi. (2001: 25), që duket se kanë mbetur pa tema, me ikjen nga jeta të Agollit.

 

Politizimi skajor, e lagu dhe përllomi, motin e këtyre ditëve. Sa mirë do të qe të dinim të heshtim për njeriun dhe për veprën të flasim, kur kemi diçka për të thënë. E jo t’ia mbushim dushkë për gogla, të panginjur me shkarravitjen e tjetrit dhe të lindur për të çuditur veten se bota po shkyhet gazit me marrinë e kthyer në rregull. Vdekja është kapak floriri, o njerëz dhe nuk ka shans të përgjigjet. Kësaj tragjedie të përbashkët, i rri për shtat shprehja:“Ferri është bosh...Të gjithë djajtë janë këtu.“ të Ëilliam Shakespeare. Fjala është ylli që ndanë terrin nga drita. Jeta dhe vdekja janë bashkudhëtarë të njeriut.

 

Kur ndërron jetë artisti dhe shkrimtari, në një kuptim mbyllet dialogu me njeriun. Në kuptimin letrar nis dialogu i hapur, që sugjerohet më herët nga Roland Barthes, kur shkruan “e dimë se, për t’i kthyer shkrimit të ardhmen, duhet të përmbysim mitin e tij : lindja e lexuesit duhet të paguhet me vdekjen e Autorit”, në librin Aventura Semiologjike. Momenti emocional, nxjerrë në pah, situatën bardhë e zi, pranvënien e jetës dhe veprës, që shkrimtarët i sheh si udhëheqës, si atavizëm monist.

 

Agolli ka lënë gjurmë në letërsi, ndonëse nuk qe engjëll, qe njeri me të gjithë dritëhijet, që na la koha, ku jetuam dhe jetojmë. Agolli, Kadare, Qose, Arapi e ndonjë tjetër janë korifej të realizmit socialist, varësisht konteksteve kur shkëlqyen, që megjithatë në vepra të caktuar shformësuan normativitetin zyrtar, duke përfshirë në të elementë të modernitetit, sidomos në tipologjinë e romanit.

 

“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo“, jep dritë, edhe kur jeta është në terr, njëri nga tekste që edhe pse në hullinë e realizmit socialist, të përkujton aktin e Molierit me klasicizmin, është tekst që rilexohet, bashkë me Njeriu me top, pa fundin fasadë të normatitivetit.

 

Koha do ta tregojë, ashtu si koha do të tregojë se pjesë e qiellit të letrave shqipe, të harkut të bashkëkohësisë është Camaj, Trebeshina, Pipa, Pashku, Rreshpja e dhjetra shkrimtarë të mbetur ende në hije.

 

Në 100 vjetorin e Musine Kokalarit, të prezantuar këto ditë, në qendër pati fjalën e Ramës, kryeministrit të vendit, ku sërish burokracia e kulturës, që vjen me përfaqësues të pushtetit, nga po ata folës të gjithdijes të viteve të demokraturës, që bëjnë pushtetin dhe opozitën se nuk rrinë dot pa një çikë pushtet, që kanë gjithë titujt, por ende mendohen të shkruajnë librin e parë.

 

Duke përshëndetur projektin për shtëpinë e Musine Kokalarit, që përmendi titullarja e kulturës, po si nuk u kujtua që në 450 vjetorin e Pjetër Budit, poetit dhe prozatorit të parë të letrave shqipe, që përkoi në vitin 2016, për të restauruar së paku çatinë e shtëpisë, që është monument kulture.

 

Po për shtëpinë e Gjergj Fishtës, kur do të ketë projekt nga Ministria e Kulturës? Mos vallë Budi dhe Fishta, dy poetët pa varr, duhet të bëjnë pashaportizim në Gjirokastër që të ketë projekte për shtëpitë e tyre?! Shpresoj që projekti për shtëpinë e Musine Kokalarit, të mos jetë kurban për zgjedhjet e 18 qershorit, ku përfaqësuesit e shoqërisë së lirë, me mendje të mbyllur, të vijojnë sundimin mbi kulturën dhe letërsinë shqipe.

 

Burokracia letrare, ata që bëjnë sikur dinë gjithçka për letërsinë, por vetë nuk zhgrapin dot germa, si ngahera nuk bëjnë dot pa rolin udhëheqës të liderit, të mendimit të pushtetit, pa rolin udhëheqës të partive, pa përkuljen e kurrizit para fjalës së pushtetit.

 

Nëse Rama e ka seriozisht këtë punën e disidencës, pati rast ta niste betejën që në 2016, më e pakta duke uruar ditën e lindjes së Kasëm Trebeshinës, disidentit të gjallë të letërsisë shqipe, i cili, këtë demokracinë që po jetojmë, shumë herët e pati shpallur si një foshnjë që ka lindur e vdekur... Letërsia dhe arti është streha e fundit e lirisë.

 

Fjala e pushtetit dhe shërbëtorët e tij, kanë tmerr nga pushteti i fjalës së lirë. Të flasësh për lirinë, nuk mjafton, distancimi nga shërbimi ndaj pushtetit, që dhunon, ndanë dhe përçanë artistët dhe shkrimtarët, e jo altoparlantët e pushtetit, që përfaqësojnë burokracinë kulturore, që për kaq shumë vite, ka marrë peng letërsinë dhe kulturën, krijon gjasa që të rikthehet klima e lirisë, që kërkon çdo ditë sakrificë, që të hapet qielli për lirinë e fjalës letrare...

 

© Behar Gjoka

Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania