Një vit në Kullën e Budit



Rezistenca e studiuesit Behar Gjoka duke shpallur në mënyrë krejtësisht personale vitin e Budit. Prej janarit dhe deri në dhjetor, viti i Budit ka pasur disa ngjarje kulmore, dy prej të cilave lidhen me vizitën në kullën 500-vjeçare të Budit, takimin me pasardhësit dhe nderimin së fundmi prej presidentit Bujar Nishani dhe mbylljen me një konferencë shkencore, ku shkrimtari Agron Tufa paralajmëron: në rrezik zhdukje repertori i letërsisë së vjetër shqipe.

 

Nga Violeta Murati

 

Rruga deri në Kullën e Budit, shtëpisë 500-vjeçare është pothuaj një aventurë…që zbulon, njeh dhe gjen të zhytur po aq, në pesë shekuj, jo vetëm histori por edhe njerëz e vende që nuk iu ka reshtur gurgullima e jetës, ashtu si e atij përroi të vogël që gjarpëron gjithë shtegun e ngushtë për te shtëpia e pasardhësve të Budit.

 

Shkojmë në Kullën e prelatit për të marrë gjurmë, gjësend muzeale. Por dëshpërimi se aty Kulla e Budit ka ruajtur vetëm gurët e gjuhën amtare duken modeste, mjaftueshëm për ta kujtuar në 450 vjetët e lindjes. Njeriu që ka marrë përsipër t’i rezistojë kësaj kujtese, me një nismë krejtësisht private, me vullnet sporadik të disa përkrahësve, është studiuesi Behar Gjoka. Dy herë në këtë vit janë bërë vizita jo turistike në Gurin e Bardhë, në kullën e Budit, në vitin e shpallur si kujtesë, edhe pse jashtë çdo vëmendjeje zyrtare. Por, më e rëndësishmja në kalendar mbetet e fundkorrikut të 2016-s. Një grup gazetarësh, poetë, studiues e kanë thyer vapën e Tiranës me udhëtimin e pamundur prej politikës.

 

Makinat ndalin para një ndërtesë të papërdorur, dikur shkollë, sot krejtësisht e braktisur, e rrënuar dhe marrim rrugën në këmbë duke ndjekur një vijë uji…Gurgullima e saj, bashkuar me qetësinë e natyrës, dhe shtëpitë që kanë rezistuar në Gur të Bardhë janë tërheqja jonë si prej turistësh…por këtë ndjeshmëri na e ndërpret Bedriu: “Në Gur të Bardhë ka mbaruar çdo gjë! Bilanci lidhet me banorët e fshatit, braktisja sidomos pas ’90-ës. Na tregojnë se tani gjithë-gjithë në fshat ka 1 300 frymë, ose jetojnë 400 shtëpi”.

 

Kur rruga ka pamje të horizontit nga lindja, ku malet “thyhen” mes tyre nga lugina piktoreske e Matit, na tregojnë menjëherë një itinerar rruge: Ja rruga e Arbrit, ajo që do krijonte një prej urave më të mëdha në Ballkan, duke bërë bashkë majat e maleve.

 

Ndërsa të gjithë ëndërrojnë rrugën, kryebashkiaku i Klosit, Basriu që na shoqëron në këtë udhëtim na tregon se me çfarë mbahen vendalinjtë: blegtori dhe bujqësi. Por na tregojnë se gurabardhasit janë njerëzit më punëtor të zonës, sidomos të fortë në tregti të cilët në traditën e tyre kanë “zaptuar” përherë tregun e Klosit… “Janë shumë kursimtar si njerëz, sa identifikohen me to. I ka bërë terreni, kanë mbijetuar gjithnjë në vështirësi. Ndaj janë mjaft punëtorë. Për gjashtë muaj ata bëjnë përgatitjet për gjashtë muajt e tjerë”, na thotë Basriu. Duke hyrë në zemër të fshatit, disa djem adoleshentë ndalin në rrugë, ulin kokat, janë të turpshëm e mezi përshëndesin turmën tonë që kemi mësy duke prishur qetësinë e tyre…duke shkrepur foto pothuaj të gjitha shtëpitë e zonës. Një karakteristikë ndërtimi që nuk e gjen gjëkundi. Shtëpi prej guri, me dritare të mëdha, lart tokës duke ngjasuar më tepër me shtëpi qyteti se sa fshati.

 

Ata pak njerëz, që numërohen tani me gishta, me të parë kryebashkiakun nisin nga problemet…Kemi bërë mbi 20 minuta në këmbë, ndjekur nga vija e ujit që zbret vrullshëm, nga diku, lart. Rrugës takojmë të parin, kryeplakun, Musain që na prin për te shtëpia e Budit. Aty na presin një rresht i gjatë burrash, që përshëndesin sipas traditës: në heshtje, me zë të ulët mirëseardhje, e pothuaj në tokje kokash…

 

Shtëpia e Budit është në këmbë, buzë luginës. Është mjaft e madhe me dy kate, por një godinë mjaft e lartë sidomos nga pjesa e pasme e saj. Jemi në truallin e Budit. Në pamje të jashtme shtëpia mbahet. Por varfëria është e dukshme. Presim të shohim ndonjë gjë muzeale, por s’ka. Burrat qëndrojnë në këmbë derisa ne zëmë vend, sipas radhës, e rëndësisë. Skeleti prej druri është pothuaj i mbaruar, dyshemeja po ashtu prej druri s’ka asgjë artizanale. Tregojnë se asnjëherë nuk kanë mundur ta restaurojnë shtëpinë, si duhet. Pasi pyeten mes tyre, burrat nisin kuvendin për Budin. Vendalinjtë presin ç’do të thotë deputeti i zonës, Bedri Hoxha apo kryebashkiaku, por më shumë kanë vëmendjen te të ftuarit, si ne, se do mund të nxisim në vizitën tonë te kulla e Budit. Biseda shkon sa para 500 vjetësh, sa ç’është rezistenca e fshatit, aq dhe në ditët e pas ’90-ës, ku thonë se 400 djem prej Gurit të Bardhë janë në kurbet, në Londër. Më pas kërkojnë Budin, një bust për t’u sjellë përpara kullës. Flasin studiuesit, për veprën e munguar të Budit, ndërsa gurabardhasit ndjekin me vëmendje duke e ndjerë “persekutimin” në fjalët e tyre për librat e priftit.

 

Një shkollë e Gurit të Bardhë ka emrin e Budit, edhe një shkollë e mesme me emrin Budi është në Tiranë…Burrat flasin të gjithë në një zë se, çfarë duhet më shumë me mbajt Budin gjallë. Dikush kërkon t’ju shpjegojë se si duhet të japin informacionin për letrarin, por burrat përgjigjen se të rinjtë kanë hedhur në internet çdo gjë për Budin.

 

Shkëputemi për të parë në të gjitha anët mrekullinë që na shfaqet në arkitekturën e kullës së Budit: kati i parë është bërë stallë, dhe një magazinë ku të zotët e shtëpisë ruajnë gjërat e dimrit, raki apo verë. Por si duket fati i shtëpive të tilla është të jenë gjithmonë të braktisura. Deputeti Hoxha thotë se kështu, në të njëjtën gjendje është shtëpia e Fishtës, ndërsa tregon se fare pranë kanë dhe kalanë e Skënderbeut, mbi të cilën vetë ai, ka vënë një pllakë.

 

Duke treguar se sa e pasur ka qenë zona, me shkolla, e me njerëz të ditur ai thotë se para 100 vjetësh në zonën e tyre ka pasur një bibliotekë të madhe. Diskutimi nis më pas te mbiemrat duke nxjerrë se edhe myslimanët e sotëm mbajnë emrat e krishterë, të gjithë janë emra të krishterë, se e tillë ka qenë ajo zonë.

 

Gazetari Aleksandër Çipa flet për të treguar se si është kujtuar emri i Pjetër Budit, ku edhe në Vlorë ka një emër rruge me emrin e Budit, në Tiranë po ashtu, në Gjirokastër një rrugë e vogël e ka emrin, në Kosovë me dhjetëra rrugë kanë emrin e Budit, por ka edhe shkolla, po ashtu dhe në Mitrovicë…por a mjafton kjo për ta institucionalizuar këtë figurë të letërsisë së hershme shqiptare?! Duke e lidhur udhëtimin e ekipit tonë në Gur të Bardhë, në themelet e shtëpisë së Budit, me kureshtinë, si detyrë kërkimi dhe turizmi, studiuesi Gjoka thotë se duhen gjetur mënyrat se si ta sjellim në vëmendje Budin. Qendra e Studimeve “Pjetër Budi” e shpalli 2016, vitin e Pjetër Budit. Gjoka përmend se për këtë është mbajtur në korrik muza poetike, në prill ishte udhëtimi i parë drejt vendlindjes së Budit, dhe se tani vjen nderimi nga presidenti, e në përmbyllje u mbajt para pak ditësh një konferencë shkencore për këtë personalitet, e para ndoshta në llojin e saj, me këtë vlerësim dhe vëmendje.

 

“Budi ka qenë figurë mbarëkombëtare dhe përtej kombëtare. Në vitet që ka jetuar ishte i përndjekur dhe më pas e vranë, kjo krijon një situatë të shenjtë faktike, përveç arsyeve emocionale. Dhe nuk ka gjë më të vlefshme se sa kjo përpjekje për të ditur e bërë të njohur se ku i ka rrënjët Budi”.

 

***

 

Të gjithë e dinë historinë, por versionet që tregojnë gurabardhasit janë të ndryshme për Urën e Vashës, që zbret poshtë në lumin Mat. Është legjenda e vashës që u martua, larg familjes. Pasi i vdiq burri, ajo kthehet te prindërit. Ishte e vetme, vëllezërit i kishin ikur të gjithë. Ndaj vasha derdh gjithë pasurinë e trashëguar nga prindërit e saj për të ndërtuar urën e jetës. Dikush tjetër tregon se një familje nga fisi Skuraj, që jetonte në Gur të Bardhë, kishte vetëm një vajzë që nuk u martua dhe vasha me lekët e saj ndërtoi urën. Ura u ndërtua e fortë, me hekur dhe gurë. Ura e Vashës në mesjetë tregojnë se ka lidhur zonën e Dibrës së Madhe dhe trevat e tjera shqiptare të Maqedonisë me Tiranën dhe Shqipërinë e Mesme.

 

Urë mbi të cilën sot ndodhet një pllakë e mbajtur pas shkëmbit: Ura e vashës! Të gjithë tregojnë historinë e tyre për të. Aty formohen kanione të jashtëzakonshme, krejt të panjohura për botën e eksploruesve të natyrës. Ndërsa ngjitemi, në kthim të rrugës sonë, nëpër shtigje të ngushta, por të mbushura me thana, e kumbulla të egra, zhurma e gjinkallave të korrik përzihet me zërat e atyre grusht njerëzve që shëtitëm në Gurin e Bardhë.

 

Kalojmë një portë, të larguar tashmë nga urat e vashave…Zhurmat e hapave tanë janë të vetmet që rrahin atë zonë. “Duart i kam larë me ujë mali”, -thotë Çipa, – ndërsa zgjat një dorë thanash. Arrijmë në vendin ku ishin parkuar automjetet, pasi përshkruam për afro 1 orë dy urat e vashave, duke parë së largu se nga mund të kalonte ura e madhe që do lidhet me malet e sotme, në një tjetër lartësi, e që pritej të ishte rruga e Arbërit.

 

Punët e rralla të njerëzve në ato anë hyjnë gjithnjë në histori. Si rruga që marrim kur largohemi nga lugina. Është rrugë e hapur e gjitha me dorë, nga një njeri i vetëm. Na tregojnë se është një inxhinier, kthyer për të jetuar buzë lumit të Matit. Është gjyshi i dy vajzave gjimnaziste që takojmë, të cilat na përshkruajnë me një gjuhë të pastër, plot figuracion, e delikatesë vendin e tyre. Për inxhinierin me një dorë, që hapi vetë rrugën, me një dorë, sipas një teknike të jashtëzakonshme, që nuk i sforcon aspak makinat në ngjitje, – pra, për mjeshtrin na tregojnë të gjithë. Nga lugina, deri lart në rrugë kryesore, disa kilometra, thonë se rrugën e ka punuar për 2 vjet. S’është vepër e shtetit, edhe pse aty është fshati, dhe banorët kanë nisur rikthimin, sado të rrallë.

 

Prej vendit ku jemi, banorët thonë se rruga e Arbrit do t’i afronte shumë këto zona, që duken tepër larg. Ja ura e Vashës, na saktësojnë se është pikërisht aty ku kryqëzohet Rruga e Arbrit me Luginën e Matit. Ura lidh dy shpatet e maleve. Pas njërit shpat gjendet Qafë Molla, kodrat e Dajtit e më pas Tirana, ndërsa pas shpatit tjetër gjendet Klosi, Qafëbualli, duke vazhduar më pas deri në pikën kufitare të Bllatës. Tirana dhe Dibra, sa pranë dhe larg. Nga lugina shohim se punimet janë nisur me segmente, po krenohen se nga lartësitë e maleve që do bashkohen, ura e Rrugës së Arbrit do të jetë më e madhja në rajon. Një urë mbi Urën e Vashës.

 

***

 

Ikim duke lënë pas një grusht banorësh plot shpresë, se gjendja e tyre ekonomike do ndryshojë me Rrugën e Arbrit, por dhe të zhgënjyer që rruga e tyre e fshatit nuk pret dot as pelegrinazhet e fundit për në kullën e Pjetër Budit, ku së paku në prag të derës të jetë busti, si dhe oda e miqve, mundet të shndërrohet në një mikromuze, për të vënë gjithçka që trashëgohet prej autorit, dhe po ashtu shkrimet, dokumentet që merren me jetën dhe veprën letrare…Kjo është hera e parë që flitet aq gjatë për Budin, në pelegrinazhin e 2016 në kërkim të historisë e gjuhës së rrezikuar nga çfarë ka mbetur nga letrat shqipe të hershme, pa enigma e legjenda tjetërsuese. Kështu lëmë vatrën ku leu Pjetër Budi, në një takim me pasardhësin e poetit, Xhelal Boda, një shtrëngim duarsh me dëshirën për t’u kthyer!

 

 

Botuar si fillim në revistën “Mapo”.

 

Botuar në Blogun Dars (Klos), Mat – Albania me lejen e studiuesit të letërsisë shqipe, Zotit Behar Gjoka