Makthi prej simbolit të shqiponjës


Fotografi e marrë në profilin facebook të autorit - © Behar Gjoka
Fotografi e marrë në profilin facebook të autorit - © Behar Gjoka

Nga Behar Gjoka, Tiranë – 4 Shkurt 2017

 

Dënimi i ushtarëve më origjinë shqiptare, me gjashtëdhjetë ditë burg, vetëm pse bënë shenjën e shqiponjës, nga zyrtarët me të lartë të ushtrisë greke, e thënë pa doreza është racizëm shtetëror.

 

Nuk mundet të flitet më për segmente të caktuara, siç rëndomë jemi përpjekur ta fshehim ne vetë të vërtetën e hidhur, psikologjinë e urretjes dhe të poshtërimit të fqinjëve tanë, të jugut dhe veriut, ndaj genit shqiptar.

 

Kjo masë esktreme, ndaj një shenje rastësore dhe që, ka marrë një shtrirje më të gjerë dhe me domethënie të zgjeruar, se sa identifikimi i shqiptarëve, ngjet ndaj një vendi fqinj si Shqipëria, por edhe ndaj një vendi aleat në NATO.

 

Këto dy rrethana, jo pak të rëndësishme, e theksojnë edhe më shumë verbërinë e zyrtarëve të ushtrisë greke. Jemi përpara një kundërvënie të hapur, absurde dhe të tepruar, madje të një fobie të paimagjinueshme, që kurrësesi nuk ka të bëjë vetëm me rregullat e ushtrisë greke, por diçka më tepër, me një paranojë të pashpjegueshme, si përmasë e mungesë së humanitetit.

 

Është një akt domethënës, që nxjerr zbuluar ushtrinë dhe vetë politikën greke, që nuk resht së përpjekuri për të asimiluar gjithçka, që hyn në tokën greke, një përpjekje stërmunduese për të fshirë kujtesën dhe identitetin, gjë që është e pamundur që të ngjasë, në të gjithë hapësirën.

 

Kalimi në heshtje nga institucionet tona, të ushtrisë dhe politikës, me ndonjë përjashtim të vogël, gjithnjë si nivel i pashamngshëm reciprociteti, nuk ka shpjegim, në marrëdhënie me fqinjët, jugor apo verior, ku më tepër vijojmë politikën e inferioriteti, për të mos thënë të një nënshtrimi gati paradoksal.

 

Akti i paprecedentë, për dënimin e ushtarëve, me origjinë shqiptare, që buron nga makthi ndaj shqiponjës, madje shumë më tepër, ndaj çdo shenjë shqiptare, është edhe më i shëmtuar, sepse në ushtrinë greke, jo shumë kohë më parë, janë kënduar këngë më zorrët e shqiptarëve, që duhet të bëheshin kukurec !

 

A është dënuar ky gjest çnjerëzor dhe aspak human, ndaj një vendi mik dhe aleat në NATO ? A nuk e cënon të drejtën ekzistenciale të një kombi dhe shteti, kur madje cënohet vetë ekzistenca e qenies, aq më tepër e urretjes së simbolit të fqinjëve dhe të dëshmisë së pranisë së tyre edhe në shtetin grek ?

 

Më tepër, është makth ndaj shqiponjës, si zog i patrembur i qiejve, që fluturon pa pengim. Makthi vjen e rritet kur mendon se shqiponja me dy koka, është simbolika e flamurit të shqiptarëve, pra jo vetëm e banorëve të Shqipërisë. Makthi absurd ndaj simbolit të shqiponjës, kur edhe pse mundet që ta djegësh flamurin e shqiptarëve, siç kanë bërë serbët më se njëherë.

 

Mjafton gërshetimi i duarve dhe gishtërinjëve, për ta formuar simbolikën e shqiponjës, duke formësuar një gjendje tjetër, të shtuar në kohët moderne, të përmasave të shqiponjës. Nëse shqiponja e flamurit identifikon shqiptarët, kudoqë jetojnë, në anën tjetër, figurimi i shqiponjës me anë të duarve dhe gishtërinjëve, pa e humbur shenjën e parë, ka fituar një status më të gjerë komunikimi, duke e kapërcyer kështu çastin e parë të identifikimit, sepse shenja e shqiponjës me duar bëhet nga kushdotjetër, në të katër anët e botës.

 

Shqiponja që projektohet me anë të duarve dhe gishtërinjëve, tashmë është kthyer në simbol lirie, qëndrese dhe fitorje të qenies njerëzore. Fakti domethënës, që shenjën e shqiponjës me gërshetimin e durve dhe gishtërinjëve, e bëjnë të bardhë dhe me ngjyrë, amerikanë dhe europianë, katolikë dhe myslimanë, tregon që shqiponja, madje siç e paraljamëroi edhe Papa Françesku, shqiponja fluturon lart, por pa harruar që të kthehet në fole, i ka shembur muret e rajonit, muret e racizmit dhe shovinizmit. Duke harruar, ndërkaq rregullin e pashkruar, kur diçka e ndalon, ajo kërkohet edhe më shumë.

 

Kur dikë e ndëshkon padrejtësisht, vetëmsa përshpjeton përhapjen e asaj prirje, pra duke u kthyer në bumerang të funksionimit të saj. Fluturimin e shqiponjës, të simbolikës së paqes dhe vëllazërimit, madje të bashkëlidhur me aspiratën për të qenë i lirë, nuk e ndalin orlat e gadishullit të mënisë përjashtuese, aq më tepër flamurmbajtësit e racizmit, të cilët me vetëdije raciste po rrëmojën themelet e qytëtërimit bashkëkohor dhe të lashtë.

 

Për të qetësuar kokat e nxehta të zyrtarëve të ushtrisë greke po sjellë ndërmend një pohim të Sokratit : « Të gjithë shpirtrat e njerëzve janë të pavdekshëm, por shpirtrat e të drejtëve janë të përjetshëm dhe hyjnorë … »

 

 

Blogu : Dars (Klos), Mat - Albania