A mund të ketë njeriu dy dashuri, njëkohësisht ?


Libri i ri i autorit Behar Gjoka
Libri i ri i autorit Behar Gjoka

Nga Arlinda Canaj, Konical.al – 11 Prill 2017

 

“Pengu i ëndrrës” është romani i katërt i shkrimtarit dhe studiuesit Behar Gjoka. E ka nisur krijimtarinë me një libër me tregime, më pas me romanin “Shitësi i gurëve të Varrit” më 99-ën. Në vitin 2001 do të fitojë çmimin e Ministrisë së Kulturës me librin “Orët e ringjalljes”. Më 2007-ën del romani i tij “Mashtrimi i bukur”,  që ndërton parahistorinë e të bukurës së dheut. Në romanin e fundit “Pengu i ëndrrës” që qarkullon prej pak ditësh nëpër libraritë e kryeqytetit, tregon se lumturia është një iluzion dhe nuk e dimë kur na braktis. Në fushën e studimit të letërsisë shqiptare profesori ka botuar dhjetë libra, ku ndër më të njohurit është “Proza e Kutelit”, “Trebeshina pengu i letërsisë shqipe”, “Fenomeni Blushi”, etj.

  

A mund të ketë njeriu dy dashuri, njëkohësisht? Kjo është pyetja që autori Behar Gjoka kërkon të shpjegojë me romanin e tij të fundit. Po jo vetëm kaq! “Pengu i ëndrrës” është një përpjekje për të prekur atë që po ndodh  me njeriun në këto momente. Janë dy pamje që përfaqësojnë dy anët e modelit të njeriut të sotëm. E para është automatizimi. Njeriu sa vjen e po shndërrohet në një makinë që komunikon nëpërmjet saj. Është fjala për telefonin, për kompjuterin, për iphone etj. Teknologjia e sotme ka sjellë një hapësirë të jashtëzakonshme për kontakte. Pikërisht ky moment ka sjellë një mungesë të njeriut si qenie shpirtërore, si qenie që ka ndjenja, mendime dhe botën e vet. Në këtë pikëprerje të njeriut që gjendet në ngasjen për ta njohur botën sa më shpejt, harron që  humb diçka nga vetvetja, ndaj libri bën një përpjekje për të parë dhe për të depërtuar në këtë marrëdhënie.

 

  

Në qendër të romanit është një avokat, i cili është në mbrojtje të të drejtave të njeriut, por bie vetë në këtë rrjet, pasojë e shtjellës ku ne vorbullohemi. Jeta virtuale është shumë joshëse dhe grishëse. Të krijon idenë se askush nuk e di se çfarë po ndodh, ndërkohë që dihet gjithçka që po ndodh. Avokati merr përsipër të mbrojë dikë që është përfshirë në aventurën virtuale dhe bie prehë vetë. Ai humbet jo pak. E pëson dhe ai si viktimat e tjera. Sepse askush nuk ka imunitetin për t’i shpëtuar kësaj jete që të josh, por bashkë me joshjen, ka të papriturat e saj. Një lojë që nuk e shmang dot.

 

Avokati në përpjekje për të shpëtuar një familje, humb familjen e tij. Aventura është e tillë që e ka joshur në këtë shtjellë, ku ai vetë kthehet  në viktimë. Duke humbur gruan dhe dashurinë. Duke u përpjekur ti krijojë vetes dy mundësi, i humb që të dyja. Kjo është një fatalitet që po ta vësh re, ndodh rëndom.

 

A tradhëton avokati realisht?

 

Vetëm virtualisht. Avokati përdor një shprehje: “Të duash është vepër, të tradhëtosh është kryevepër. Pra nuk ka pendesë.  Personazhi vetë ngre shumë pikëpyetje.  A ka të drejtë njeriu të ketë një dashuri, apo dy? A ka të drejtë njeriu të mendojë që  dashuria vjen një moment që mbaron? A ka të drejtë njeriu që pas këtij momenti të mendojë për dikë tjetër? Problemi qëndron në faktin që hapësira e të jetuarit virtualisht nuk është një hapësirë e pavëzhguar, nuk është hapësirë e paditur. Shpeshherë është një hapësirë që shpërdorohet. Dhe shumë herë një hapësirë që vë në siklet njerëzit e njohur, njerëzit e politikës, të cilët nuk është se janë pa mëkate.

 

Pra nuk është se teksti merr në mbrojtje flirtet. Nuk është është se teksti i vihet në kundërshti atyre. Teksti është munduar të hyjë në këtë pikëprerje të njeriut të jetës virtuale me jetën personale. Çfarë ndodh në këtë hapësirë? Ndodh që ka një shpërthim të një bote që ne e dinim se nuk ishte. Të një dëshire për të poseduar më shumë femra nga meshkujt, dhe anasjelltas.

 

Autori nuk mendon se mëkati është vetëm mashkullor ose vetëm femëror. Mëkati është pjesë e qenies. Ashtu siç janë të dyja anët e medaljes mashkulli dhe femra, në të dyja rastet mund të thuhet se nuk ka mëkatarë nga një anë dhe ëngjëj në anën tjetër. Ka mëkatarë dhe ëngjëj në të dyja anët. Jeta virtuale ka sjellë që të humbasim më shumë nga morali mashtrues dhe të dalim pikërisht ato që jemi. Bashkë me zbulimin e këtyre djajve, çfarë ka ndodhur?Shoqeria njerëzore nuk e di më se çfarë po bën? Se nëse dikur ne mendonim që nuk ishte e drejtë të na vëzhgojë shteti, ne tashmë jemi të vetëvëzhguar, ose të vëzhguar nga automatizimi në çdo detaj. Ndaj autori është përpjekur të kuptojë se çfarë ka ndodhur me njeriun e sotëm. Dhe përfundimi është i paimagjinueshëm. Guximi për tu mbytur në këtë det dhe frika e pasojës dhe papriturës që rezervon ky det. Megjithatë teknika është e dobishme, e pashmangshme, një dritare që ne na erdhi, e gjitha varet se si ajo përdoret. Jemi në një moment kur nuk dimë më ç’është letra, nuk dimë më ç’është kontakti fizik dhe po ndërtojmë një mënyrë të jetuari virtual që po zëvëndëson jetën fizike. Kjo është protesta dhe klithma e romanit. Që jeta fizike dhe shpirtërore nuk duhet të zëvëndësohet me një mjet, sepse do ndodhemi në momentin e shembjes së ngrehinave të qenies njerëzore.

 

Ideja e romanit i lindi autorit prej shumë kohësh. Duke qenë përdorues i vjetër i rrjeteve sociale ka vënë re shumë zhgënjime që lindnin nga bota virtuale. Ndodhte shpesh që personat të ishin tjetër, të ndryshonin moshën dhe shumë mashtrime të tjera. Dhe kjo pjesë e lojës u kthye në një grishje imagjinare që e shtyu  autorin për të hedhur në letër romanin “Pengu i zemrës”. Dhe jo vetëm ai. Shumë shkrimtarë janë dashuruar me këtë mënyrë të re komunikimi dhe e kanë kthyer në përmbajtjen e romaneve të tyre.

 

 

Burimi : Arlinda Canaj, Konica.al

http://konica.al/2017/04/mund-te-kete-njeriu-dy-dashuri-njekohesisht/