Xhavit Gasa, një poet jo vetëm i mërgimit

Për librin me poezi “Lule Shqipërie”


Nga Bajram Canameti, Burrel


Autori Xhavit Gasa vjen para lexuesit me librin më të ri me poezi, pas disa librave të botuara më herët, si : ”Jehona e dhimbjes ” 2009, ”Trokëllimat e poetit” 2012, ”Të fala nga Londra” 2015, ”Shpirt e zemër në vendlindje” 2016. Libri i ri në fjalë, është një vëllim i konceptuar me një ide të rëndësishme, që ka të bëjë me porosinë e mërgimtarit për bashkëvendasit e tij , që ndodhen në të njëjtin e vend e kudo në botë : kurrë nuk duhet ta harrojnë gjuhën ,vendin e tyre. Ata, kur vijnë në atdhe, duhet të marrin me vete në kthim jo vetëm mallin, por freskinë e origjinalitetit të tyre, me qëllim që këtë freski ta ruajnë dhe ta përçojnë në thelbin e shpirtit të tyre. Mërgimtari i Londrës, por edhe mërgimtarët e tjerë kudo në botë, jeton në një botë lëvizjesh dhe të modernitetit rrafshues, në një shoqëri tjetër me norma e parime qytetëruese, por të ndryshme. Frika nga tjetërsimi, më tepër se për këdo, ndodhet tek poeti. Tëhuajzimi në një shoqëri të industrializuar e me joshje prej teknologjisë së informacionit me raporte të ftohta njerëzore, më së pari shqetëson poetin. Kështu, lulja kthehet në një metaforë të shpirtit, e cila përditë duhet ujitur me mallin për vendlindjen, për atdheun, për të parët, për vendet, peizazhet, për fëmijërinë, në kujtesën për vuajtjet dhe në ëndrrën për atdheun, që ta shohë krahas vendeve të përparuara.

 

Xhavit Gasa është nga Burgajeti i Matit. Ai vjen me një histori të vetën, që është historia e vuajtjes nga persekucioni komunist. Ashtu si shumë të tjerë, edhe ai mori rrugët e mërgimit, por asnjëherë nuk e quajti mërgimin si shkëputje, por si nxitje për t’u afruar shpirtërisht e mendërisht me vendlindjen, edhe pse në vendlindje ai njohu “njollën”e biografisë së keqe nga pushtetarët e atëhershëm. Për poetin kjo nuk është një medalje, por një tregues. Ai u këndon fëmijëve shqiptarë në Britaninë e Madhe : ”Dhe ti moj Londër,e lashtë mbretërore/njihi mirë këta filiza nga atdheu i Budit/po nuk i njohe, hap librat e Bajronit/Lexoji vjershat e tij për bijtë e shqipes”. Poeti shpreh besimin për vlerat, integritetin moral dhe vijimësinë e këtyre vlerave për brezat që do të vijnë, me besimin se ata kurrë nuk do ta harrojnë gjuhën shqipe dhe të qenit shqiptar. Poeti Xhavit Gasa është një poet lirik, me një qasje të veçantë ndiesore, ai këndon thjesht me një diskurs të ëmbël, plot intonacione malli e brenge e afron objektin poetik dhe e kqyr përmes lentes së mallit dhe të kujtesës. Vendlindja objektivizohet dhe transfigurohet këndshëm, perceptohet dhe krijon imazhin e gjallë të diçkaje që të lëviz në kujtesë. Poeti Gasa përqas lumin Tamiz me lumin e Matit, krijon paralele dhe asosacione të besueshme duke i ndenjur besnik muzës së tij. Si poet që freskinë e ndjenjës e përmban në intonacione ligjërimore të thjeshta, Gasa arrin të shkruajë me një verb përndezës. Në poezinë e tij nuk ka përsiatje filozofike të thata, por filozofia e ideve dhe e vendlindjes njomet me konkretësi motivesh, këndvështrimesh, me peizazhet e bukura të luginës së Matit nga ai është. Atë nuk e zgjojnë sirenat në Londër, as gërvimat e tramvajeve por ”kuajt e sertë, gjelat në agim.” Dhe “ia zbukurojnë piklat e vesës muzën poetike”. Kjo kredo poetike përcakton manifestin e poezisë së tij si poet lirik, që tërhiqet nga kujtesa dhe dashuria për vendlindjen. Siç thotë studiuesi Hamdi Hysuka : “Poezia e Gasës ka mesazhe atdhedashurie, respekt e mirënjohje ndaj mërgimtarëve, dashuri ndaj prindërve etj.” Gjithçka që ai shtron dhe tejçon në poezinë e tij, ka mall, por edhe dhimbje.

Bajram Canameti
Bajram Canameti

Dhimbja është për njerëzit e ikur, për ndarjet, për ato që ai në atdhe i sheh si të parealizuara ose në realizim e sipër zvarriten dhe nuk duket kryerja e tyre në tranzicion, sepse : ”Jetojmë në kohën kur koha e vjetër na është ulur këmbëkryq në vatër/pëllumba vriten, ikin e nuk vijnë më/merimangat shtrijnë rrjetën e gjahut.”  Poezia e tij është një prelud dhimbjeje dhe dashurie, një flatër kujtese që ndihet hapësirës së ëndrrës, në të nuk ka inate, mllefe (edhe pse ka vuajtur si i përndjekur), por harmoni, dritë dhe dashuri, këndellje dhe qasje të ngrohtë ndaj së bukurës dhe së mirës, të cilën poeti e dëshiron për çdo shqiptar e për vendlindjen e vet. Ai mbështetet në intonacionet e folklorit matjan, në gurrën popullore, ruan mirë ritmet dhe kadencat e tij. ”Më ka rënë shamia/ma mori një djalë/djalit unë i thirra/ti shaminë sillma”. Ruajtja e këtij intonacioni i jep vargut ëmbëlsi e bën të rrjedhshëm dhe kumbues. Si poet i pasionit dhe i ndjenjës, ai nuk mund t’ia lejojë vetes t’i anashkalohet historia, as Pjetër Budi, poeti i parë i letërsisë shqipe.Vargjet kumbojnë e rendin për të kapur konceptime të shprehuri për historinë, traditat, për doket e zakonet e malësisë prej të cilave buron krenaria dhe gjerat më të bukura që mbajtën gjallë genin shqiptar në shekuj. ”Valëve të Drinit shkumëbardhë/mbeti në përjetësi shpirti i poetit/pema poetike ka marrë udhë/aty ku lindi në palcë të gurit.”(Pjetër Budit). Libri “Lule Shqipërie”, në motivet që trajton, të ndryshme në pamje të parë, ndërthur me një vrull mesazhor mjaft këndvështrime që rrahin në një pikë : dashurinë dhe krenarinë për atdheun, një dashuri që buron nga fisnikëria e shpirtit të një poeti në mërgim. Mërgimi për poetin mbetet vetëm një status social, po kurrë shpirtëror, sepse tërheqja e ndjenjave që burojnë prej kujtesës krijon atë magnetizim të nevojshëm që e bën Gasën si dhe poetë të tjerë të mërgimit, të mos e ndiej veten plotësisht të qetë, përkundrazi… Ai është një poet që e organizon poezinë me një strukturë të thjesht, pa lajle-lule e sofistikime të panevojshme, ku ligjërimi poetik konkretizohet në një dialog të munguar, në monolog, në një thirrje shpirtërore apo evokim trandeshent. Si poezi përjetuese, poezia e Gasës nuk e shmang meditimin, por i pari mbetet përjetimi. Meditacioni lirik vjen natyrshëm dhe i hapur jo i nënkuptueshëm, sepse Gasa është një poet konkret që zbulon detajin dhe e organizon përmes një meditimi të hapur. Poezitë e vëllimit “Lule Shqipërie” të Xhavit Gasës, lexohen shpesh si letra malli që autori i çon në vendlindje. Ato përcillen besueshëm përmes një nervi artistik të qetë, por ku nuk është e vështirë të ndjesh shkulmet e mallit që kërkojnë brigjet e vendlindjes. Ky ligjërim i ngrohtë me intonime të pastra lirike e bën atë një poet interesant dhe të veçantë, të denjë të rrijë pranë poetëve të tjerë të Matit, si : Basir Bushkashi, Hamdi Hysuka, Rakip Lasku, Lindita Doda, Qemal Cenaj etj.

 

Burimi : Fjala e lirë – https://www.fjalaelire.com/post/nj%C3%AB-poet-jo-vet%C3%ABm-i-m%C3%ABrgimit