Kasem Haziz Shehu, një fisnik i rrallë i Matit dhe i Shqipërisë


Kasam Haziz Shehu
Kasam Haziz Shehu

Nga Bajram Canameti, Burrel – 28 Maj 2019

 

 

Këto ditë u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare Kasem Haziz Shehu, patriot i rrallë, fisnik e bujar, intelektual e guximtar, humanist e qëndrestar, model i njeriut vizionar, ish-i burgosur politik, ndër aktivistët e parë të lëvizjes për demokraci.

 

 

Si pa kuptuar, sëmundja tinzare befas e rrëmbeu për t’u bërë vëlla me yjet vezullues nëpër qiell, si ylli i Afërditës. Fjalët na i merr dhimbja për Kasemin e dashur, që mbeti zë i fuqishëm i maturisë, me fjalën e çiltër, me mend e dinjitet e mbi të gjitha një fisnik i rrallë i Matit dhe i Shqipërisë.

 

 

Me shpirtin e pastër mbushur plot dritë, flakëruar për njerëzinë, si një shenjtor i gjallë, pakëz dritë i jepte edhe diellit, pasi brenda zemrës kishte zjarre… Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe.

 

 

Kasem Shehu ishte lindur në një derë patriotike, fisnike e bujare, që historikisht skalitet me germa të arta. Të parët e tij, me origjinë nga Shehri i Dibrës, u bënë zëra të fuqishëm sa herë Atdheu lypte shpëtim. Mjeku i talentuar, Kasem Dibra, u nis në shoqërim të delegatëve të Lidhjes së Prizrenit jo vetëm si mjek, por edhe si luftëtar e financues. Krahas Iliaz Pashë Dibrës, që mbajti peshën e financës, Kasem Dibra do të financonte nga ekonomia e tij për atë akt madhështor, në shërbim të lirisë së kombit tonë për shtet e bashkim të trojeve shqiptare. Por sikurse dihet, pas Lidhjes së Prizrenit filloi përndjekja. Ndaj ai, bashkë me vëllazërinë, u largua nga trojet e tij duke u vendosur në malet e Librazhdit, në fshatin Kostenjë e më pas erdhi me familjen e tij në Myzë të Matit.

 

 

Shërbimi mjeksor i krijonte të ardhura të konsiderueshme, pasi ishte mjeku i vetëm që shërbente në Dibër, Mat, Librazhd, Mirditë e Pukë. Në ato kohë të vështira, që përveç sëmundjeve, ekzistonte edhe një sëmundje më e rëndë : hakmarrja, vrasjet e plagosjet për hakmarrje. Si një specialist i talentuar, kirurg i vetëm, ai shëroi qindra të plagosur duke ju shpëtuar jetën. Në shtegtimin e tij për punë, ai u njoh me respekt nga shumë familje të mëdha në veriun e Shqipërisë, me të cilat lidhi miqësi të vërtetë.

 

 

Në Myzë, në bregun e lumit Mat, bleu kullën trekatëshe bashkë me çifligun e tokës dhe të pyllit, duke krijuar një ekonomi të fuqishme. Përveç bujqësisë e blektorisë, ai u mësoi edhe fëmijëve specialitetin e mjekut. Djemtë e tij, Hyseni, Hazizi dhe Xhemali vazhduan specialitetin e mjekut duke shëruar të plagosurit, verdhëzën, thyerjen e eshtrave dhe sëmundje të tjera. Në trojet e Kasem Dibrës djemtë u bënë burra të rrallë, luftëtarë, patriotë e heronjë, burra të besës e diturisë, të fjalës e të pushkës.

 

 

Në kullën e tij gjente ngrohtësi e shpresë nevojtari e hallexhiu, se ishin një familje humane dhe e sakrificës. Në kullën e Kasem Dibrës kënaqej miku, pasi ajo kullë ishte veshur me dritë. Po në atë kullë dëgjohej fjala, se ajo ishte e ëmbël, e matur, e drejtë. Në ato troje lidhej besa për Komb e Atdhe, se burrat e asaj kulle si lisa gjigandë ishin të zjarrtë. Ndaj Kulla e Kasem Dibrës mbante brenda vetes një arkivë të gjallë historie plot rrezatim.

 

 

Një nga djemtë e Kasem Dibrës, Sali Shehu, me pushkë në dorë u nis bashkë me të atin në luftën e Kakarriqit, që drejtohej nga Ahmet Zogu për të zbrapsur ushtrinë malazeze e më pas në luftën e Shkallës së Deshëve kundër ushtrisë serbe. Saliun e shohim në shoqërimin e Ahmet Zogut për Shpalljen e Pavarësisë dhe në Kongresin e Lushnjes. Shtëpia e Kasem Dibrës tashmë ishte një familje e madhe dhe e pasur, jo nga rrogat e shtetit, por nga specialiteti i tyre, djersa dhe puna në bujqësi, blektori e bletari.

 

 

Miqësitë i kishte lidhur me familje të mëdha, sikur ishin Xhetanajt, Kolajt, Kurtajt, Rizvanajt, Brahimlikajt, Doçajt, Allamanajt, Gjinajt, Dodajt, Nikajt, Lalajt, Çelajt etj. Në këtë shtëpi u lind edhe nipi i tij, Kasem Shehu. I ati i tij, Haziz Kasemi, ishte jo vetëm mjek, por edhe një luftëtar i rrallë. Në luftën për çlirimin e qytetit të Burrelit nga garnizoni fashist në korrik të vitit 1943, bashkë me pesë vëllezërit e tij, me armë në dorë luftuan okupatorin. Edhe në luftën e Qafë-Shtamës, përkrah Abaz Kupit, si dragua luftoi Hazizi. Shtëpia e tyre priti dhe përcolli partizanë duke shtruar sofrën për ‘to.

 

 

Por, fill pas çlirimit, valët dhe dallgët e historisë u përplasën në pragun e kësaj kulle fisnike. Filluan kontrollet dhe sekuestrimi i pasurisë e pastaj do të vriteshin pa gjyq Haziz dhe Isa Shehu. Ishte viti 1946, ku forcat e ndjekjes kalonin fshat më fshat duke terrorizuar popullsinë e duke sekuestruar pasurinë e familjeve të pasura dhe pushkatuar e burgosur trimat dhe mendimtarët. Kur i vranë të atin dhe xhaxhain, Kasemi ishte vetëm 4-5 vjeç. Mes shkreptimave, që zjarre të egra villnin, do të goditeshin jo vetëm burrat dhe gratë fisnike, por edhe fëmijët bashkë me rrethin fisnor, gjaksor e miqësorë. Edhe vëllain e nënës së Kasemit, Kurt Gjini, ish-kapiten i Mbretërisë Shqiptare, pati fatin e Hazizit. Ai u eleminua fizikisht dhe e humbi sigurimi i shtetit pa gjurmë, ku akoma dhe sot s’i dihet varri. Të dy këta familje u bënë kulakë duke i demaskuar si armiq të popullit. Asnjë të drejtë nuk kishin dhe s’kishin ku të kërkonin. Por sa u rrit dhe u burrërua Kasemi, sigurimi i shtetit i hodhi prangat duke e akuzuar dhe dënuar me 10 vjet burg politik. Bashkë me Kasemin dënuan edhe djalin e dajës së tij, Adem Kurt Gjinin. Të dy kushërinjtë vuajtën dënimin në burgun famëkeq të Spaçit e Qafë-Barit.

 

 

Por Kasem Shehu edhe në burgun e “ferrit” qëndroi si burrë i rrallë me guximin, qendresën dhe mendjen e kthjelltë. Ishte kalorës i mendimit që “thyente rrufetë”. Ishte si një shenjtor njerëzie. Brenda zemrës mbante diellin…Kasem Shehu ishte i lidhur me njerëzit, sepse ai dinte të komunikonte me ‘ta, pavarësisht moshës për të gjetur çelsin e komunikimit si një psikolog me kulturë e eksperiencë të rrallë. Ai i bënte vend vetes me fjalën e shtruar, me kulturën e genit të tij, me inteligjencën, tolerancën, mirkuptimin dhe dashurinë për njerëzit dhe Atdheun. Pasi kishte përfunduar burgun, lufta e klasave ishte dobësuar, paçka se familja e madhe e Shehit mbi 50 frymësh akoma ishin kulakë deri në vitin 1990, kur tirania komuniste u lëkund dhe filloi lëvizja për liri e demokraci.

 

 

Kasemi ishte ndër të parët në krye të vëllazërisë te gjaku e gjina, miqësia e shoqëria, për të mbështetur këtë lëvizje shpëtimtare. Ai e vlerësonte lirinë, pasi kishte vuajtur një jetë për ‘të. Përkrah Lëvizjes Demokratike, Kasem Shehu ishte ndër nismëtarët dhe firmëtarët e parë për krijimin e Partisë “Lëvizja e Legalitetit”, e cila u miratua nga gjykata me vonesë. Ai u zgjodh anëtar i Kryesisë dhe i Këshillit Kombëtar dhe nënkryetar i PLL për Matin.

 

 

Po ashtu, si i burgosur politik, u zgjodh nënkryetar i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë në degën e Matit. Ai e donte Matin, Shqipërinë e Kosovën. Si patriot e atdhetar njihej si një figurë e rrallë për lirinë dhe bashkimin e shqiptarëve. Kasem Shehu punonte për një Shqipëri Europiane dhe e shihte stabilitetin dhe prespektivën e vendit nga Monarkia Demokratike me Lekën e Parë, ashtu si shumë vende të Europës, si Anglia, Belgjika, Hollanda, Danimarka etj.

 

 

Koha e tregoi se ai kishte të drejtë, saqë tani, pas 28 vitesh akoma jemi në udhëkryq. Pluralizmi fallso, pjellë e Partisë së Punës, vazhduese Partia Komuniste, mbolli anarkinë. Mosrealizimi i ëndrrës së tij për Shqipërinë dhe kombin ishte plagë e rëndë në zemrën e tij, gjë të cilën e mori me vete. Gjatë luftës së Kosovës, Kasem Shehu liroi shtëpinë e tij për të strehuar dhjetra kosovarë që ishin dyndur nga persekucioni serb.

 

 

- Shtëpia është e juaja derisa të çlirohet Kososva, - u tha Kasemi të moshuarve, grave e fëmijëve. Kosova do të çlirohet së shpejti, se SHBA-ja është përkrah jush, e shqiptarëve. Edhe nëse i kanë shembur e djegur shtëpitë, do të ngrihen me të mira e më të bukura sa kanë qënë, -vazhdonte inkurajimin ai…

 

 

Ndaj në kortezhin mortor për ta përcjellë në jetën tjetër, kishin ardhur vëllezërit kosovarë. Ishte i pranishëm Princi i Shqiptarëve, NMT Leka i Dytë, kryetari i PLL, përfaqësues të Shoqatës së të Burgosurve Politikë, kryetari i Bashkisë Mat dhe ish-të burgosur politikë nga mbarë Shqipëria. Sëmundja e rrëmbeu para kohe, duke na lënë në mendje në zemër e në shpirt, emrin tënd të paharruar, kujtimin tënd të pavdekshëm. “Shpirti juaj larë me diell, porsi një ëngjëll, po fluturon drejt Parajsës së Zotit, duke na lënë dhimbjen e madhe. Ti i dashur Kasem ke mbetur në zemrat dhe mendjet tona si një stoli e shenjtë, që kurrë nuk tretet e harrohet…

 

© Bajram Canameti 

Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania