Bajram Canameti u lind më 31 janar të vitit 1954 në Rremull të Matit. Pas arsimit bazë në vendlindje, mbaroi arsimin e mesëm për mekanik në Durrës.
Për arsye biografie, pas vitit 1992 iu dha e drejta për të ndjekur studimet e larta në gazetari. Që në moshë të re është marrë me poezi. Krijimet e para i botoi në gazetat “Adriatiku”, “Zëri i Rinisë”, “Drita”, “Puna” e revistën “Nëntori”.
Në vitin 1974 arriti të botojë një almanak me poezi dhe dramën “Vajza dhe pushka”. Pas ndërrimit të sistemit monist ka punuar gazetar e redaktor në gazetat “Atdheu” dhe “Liria”.
Në vitin 2006 u paraqit para lexuesve me vëllimin publicistik “Thesari i urtësisë” dhe “Porta e diellit”, vëllim me poezi.
Më 2014 botoi librin e tretë, titulluar “Panteoni i fjalës”. “Shpëtimtari” titullohet poema kushtuar mbretit Zogu I, botuar më 2015.
Në vitin 2016 doli para lexuesit me vëllimin poetik “Mesazhe drite” dhe një vit më vonë botoi monografinë “Antikomunisti Shahin Doçi”.